Eduard Kukan: Presim zgjedhje me standarde, s’ka tolerime për palët

0
169

Florenc Drizari

kuaknKryetari i Delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore, Kukan: Ne presim zgjedhje normale dhe demokratike

 

Kryetar i Delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore, Eduard Kukan, i bën thirrje klasës politike shqiptare të plotësoje standardet e kërkuara nga BE për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Për zyrtarin e lartë evropian, politikanët shqiptar nuk mund të justifikohen për mos arritjen e standardeve në zgjedhje, për shkak se, sipas tij, palët kishin kohën e duhur për t’iu përshtatur rekomandimeve të ODIHR-it dhe propozimeve të tjera lidhur me procesin. “Në Bashkimin Evropian të gjithë presin që zgjedhjet e reja në Shqipëri të jenë të organizuara mirë e në përputhje me standardet evropiane, që nga fushata e deri te numërimi i votave. Ka pasur mjaft kohë për të reformuar Kodin Zgjedhor në bazë të rekomandimeve të ODIHR-it. Pra, nuk ka mundësi që të kemi zgjedhje të këqija ose të paorganizuara sipas standardeve të kërkuara”, – tha Kukan. I pyetur nëse fushata elektorale ka nisur më herët nga ç’duhet, Kukan e konsideroi këtë një gjë normale, gjithnjë nëse politikanët marrin përsipër përgjegjësitë e tyre para dhe pas zgjedhjeve. Eduard Kukan ritheksoi thirrjen e tij drejtuar klasës politike shqiptare për zhvillimin e zgjedhjeve të demokratike brenda standardeve të kërkuara nga Bashkimi Evropian. “Është e rëndësishme që politikanët të jenë të përgjegjshëm e të tregojnë përgjegjshmëri. Nuk do të ishte e pranueshme që vendi të kalojë ndonjë situatë dramatike pas zgjedhjeve. Pra, koha ka qenë e mjaftueshme si për politikanët ashtu dhe për forcat politike për t’i bërë të gjitha ndryshimet e domosdoshme Kodit Zgjedhor. Pra, unë po e përsëris edhe njëherë: ne presim zgjedhje normale dhe demokratike”, – theksoi Kukan. Por edhe pse deklaratat e ndërkombëtarëve drejtuar krerëve të partive në vend, për zhvillimin e zgjedhjeve brenda standardeve në Shqipëri kanë nisur të bëhen disa muaj para fillimit të procesit, zgjedhjet e 2013-ës duket se kanë shënuar përplasjet e para ende pa u zhvilluar, siç janë kontestimet për ndarjen e ZAZ-ve dhe e mandateve të deputetëve.

Përplasjet për ZAZ-të

Kolegji Zgjedhor vendosi në ditën e tretë të janarit të këtij viti që të pranojë pjesërisht kërkesën e administratës se KQZ për rritjen e numrit të KZAZ në 89 të tilla në gjithë vendin. Ndërkohë që Partia Socialiste e vlerësoi vendimin si interpretim te gabuar dhe që kaloi kufijtë e ligjit. Nga ana e tyre përfaqësuesit e PD-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkuan ndarjen e territorit zgjedhor në 100 ZAZ, nga 66 që ka qenë në zgjedhjet e 2009. Por homologët e tyre socialist në KQZ, e kundërshtuan këtë propozim duke e argumentuar me faktin se rritja e popullsisë nuk duhet të justifikohet me një numër më të madh ZAZ. Ankesa për ndarjen e ZAZ-ve në Kolegj, u dërgua nga Partia Demokratike për shkak se palët në KQZ nuk arritën gjetjen e konsensusit. “Propozimi i PD-së për ndarjen e ZAZ ishte plotësisht i bazuar në ligj, por synonte të nxirrte maksimumin e votave, që ato që u panë në vitin 2009-2010 të mos përsëriteshin më. Qëllimi ishte se propozimi ynë ishte formalisht që të përshpejtonte mënyrën e numërimit. E rëndësishme është se PD kishte një kërkese përshpejtimin e numërimit, që jo që ndodhi të mos ndodhte më. Detyra e Komisionit të Zgjedhjeve është të administrojë procesin zgjedhor sipas standardeve kombëtare. Qëllimi ynë ishte 100 ZAZ, sepse besojmë se shqiptarët nuk kanë pse të presim orën 22:00 të ditës së hënë, por të dalë brenda një ore nga mbyllja e procesit të votimit”, – ka thënë Oert Bylykbashi pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor. Ndërkohë, përfaqësuesi ligjor i PS ka thënë se rregullat e vijimësisë së procesit shkruhen në KQZ, në përputhje me Kodin Zgjedhor dhe është e panatyrshme që Kolegji Zgjedhor të vendosi sesi duhen ndarë zonat e administrimit zgjedhor.

 

 

 

KQZ, verifikimi i sitave të zgjedhësve bëhet edhe përmes internetit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi në faqen e tij zyrtare në internet listën kombëtare të zgjedhësve. Në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, kjo listë, sipas përcaktimeve ligjore, do të përditësohet çdo muaj, për shkak të ndryshimeve të popullsisë apo parregullsive të mundshme. Çdokush që dëshiron të zbulojë nëse emri i tij është pjesë e listës së zgjedhësve dhe të dhënat e sakta mbi qendrën, ku do të votojë në zgjedhjet e 23 qershorit, mund të gjejë përgjigje. Personat e interesuar duhet të klikojnë në linkun “Lista e zgjedhësve”, ku bëhen të ditur të gjithë hapat që duhen ndjekur për të kryer kërkimin e dëshiruar. Në faqen përkatëse të internetit mundësohen kërkimi standard dhe ai i avancuar. Tek i pari mjafton të shkruhet emri, mbiemri dhe atësia, për të gjetur të dhënat e kërkuara. Nëse nuk merret përgjigje, atëherë mund të procedohet me kërkimin e avancuar, ku përveç të dhënave të mëparshme shtohen edhe datëlindja dhe njësia e qeverisjes vendore ku banon. Në bazë të Kodit Zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbikëqyr procesin e hartimit të listave, duke i kërkuar informacion Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile dhe njësive të qeverisjes vendore për procesin e caktimit të zonave të qendrave të votimit dhe numrit të zgjedhësve për çdo qendër votimi, në përputhje me rregullat e këtij Kodi dhe ligjit të gjendjes civile. Në zbatim të ligjit, KQZ ka emëruar dy auditë teknicienë për verifikimin e veprimeve në bazën e të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile. Lista e zgjedhësve është një ndër elementët kryesorë të procesit zgjedhor, i cili përditësohet nga zyrat e gjendjes civile në njësitë e pushtetit vendor.

 

 

KQZ hedh sot shortin për anëtarin e 7 të ZAZ-ve

Komisioni Qendrori i Zgjedhjeve pritet të mblidhet paraditen e së hënës për të përcaktuar të drejtën që kanë partitë politike në caktimin e anëtarëve të ZAZ-ve dhe hedhjen e shortit të anëtarin e shtatë të zonës së administrimit zgjedhor. Zyra e shtypit e KQZ-së njoftoi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ditën e hënë, ora 11:00 zhvillon mbledhjen. Në rënd të ditës Komisioni më i lartë i administrimit zgjedhor pritet të ketë tre pika në rendin e ditës. “1. Shqyrtimi i projektvendimit “Për caktimin e partive politike që kanë të drejtë të propozojnë anëtarë në KZAZ”. 2. Shqyrtimi i Projekt-vendimit: “Për miratimin e procedurës së shortit për anëtarin e 7-të të KZAZ”. 3. Shqyrtimi i projektvendimit “Për shpalljen e rezultatit të shortit për anëtarin e 7-të të KZAZ”. Ndërkaq, në mbledhjen e datës 21 dhjetor 2012, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shqyrtoi projektvendimin e paraqitur nga administrata e KQZ-së për ngritjen e Zonave të Administrimit Zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvendin e vitit 2013. “Në mbështetje të 180 dhe 27 pikat 2, 3 dhe 4 të Kodit Zgjedhor si dhe të dhënave të dërguara nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile për numrin e zgjedhësve në të gjithë vendin, Administrata i propozoi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ngritjen e 89 ZAZ-ve në ndryshim nga 66 ZAZ që ishin në zgjedhjet ngritur në zgjedhjet e 2009”, – thuhej në draftin e KQZ-së. Pas shqyrtimit të anesës në Kolegjin Zgjedhor, u vendos që propozimi i administratës së KQZ-së të zbatohet për ndarjen 89 zona të administrimit zgjedhor. Por edhe pse tashmë vendimi është marrë nga organi më i lartë gjyqësor për zgjedhjet në Shqipëri, përfaqësuesit e partive politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve pritet ti rikthehen debateve për lidhur me vendimin për ndarjen e 89 ZAZ-ve dhe implementimit të teknologjisë në zgjedhje, kryesisht në Qarkun e Fierit dhe të Tiranës.