Zbardhen vendimet për zgjedhjet e 2013-ës, KQZ kërkon blerjen e 3000 kutive të reja

0
169

Florenc Drizari

kutiteKQZ hedh shortin për anëtarin e 7-të në 89 KZAZ-të, PD siguron numrat çift dhe PS numrat tek

 

Kur mbeten më pak se gjashtë muaj nga dita e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të shqyrtojë paraditen e së martës projektvendimin për blerjen e materialeve zgjedhore. Administrata e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kërkon blerjen e 3000 kutive të reja zgjedhore, duke përfshirë bojën matrikuluese së bashku me kodet e sigurisë. Sipas projektvendimit që pritet të shqyrtohet sot në KQZ, kutitë e përdorura në zgjedhjet lokale të 2011-ës, nuk japin siguri për materialet që do të përdoren në zgjedhje. “Duke qenë se siguria që duhet të ofrojë ky material zgjedhor është shumë i rëndësishëm, pasi aty ruhet i gjithë dokumentacioni zgjedhor i qendrës së votimit; dhe në kushtet kur kutitë e materialeve zgjedhore të përdorura para zgjedhjeve vendore 2011 nuk japin më garanci për sigurinë e tyre, propozojmë që modeli i kutive të materialeve zgjedhore të jetë i unifikuar për të gjithë qendrat e votimit dhe KQZ të blejë sasinë tjetër të nevojshme për këtë qëllim”, – thuhet në relacionin shpjegues të KQZ-së. Ndërkohë, sipas relacionit që u përdor për zgjedhjet lokale të 2011-ës, sasia e kutive të rregullta dhe të ripërdorshme ishte 4.499, sasi e cila u gjykua sipas komisionit se ishte më e vogël se numri total i qendrave të votimit, pa llogaritur edhe sasinë rezervë të nevojshme. Për këtë arsye, me vendim nr. 171, datë 16.3.2011, KQZ vendosi për një ndryshim në pikën 2 të vendimit nr. 99, datë 25.1.2011, duke reduktuar numrin e kutive të materialeve zgjedhore që duhet të siguroheshin për zgjedhjet vendore në 3.000 copë, të cilat u përdorën për QV-të e qarqeve më të mëdha, Tiranës, Durrësit dhe Fierit). Sipas relacionit për miratimin e modelit dhe sasisë së kutive të materialeve zgjedhore që do të përdoren për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 23 qershor 2013 ligji “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, neni 99, pika 1 e tij përcakton se, KQZ-ja dërgon në selitë e KZAZ-ve, jo më vonë se 3 ditë para datës së zgjedhjeve, materialet zgjedhore të ndara në kuti të veçanta për çdo qendër votimi. Por projektvendimi për blerjen e 3000 kutive të reja zgjedhore, për bojën matrikuluese dhe kodet e sigurisë, pritet të rikthejë në KQZ debatet që palët kanë pasur lidhur me garancitë që japin materialet zgjedhore të përdorura në 2011-ën.

Shorti në KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hodhi shortin për të përzgjedhur anëtarin e 7-të në 89 komisionet e zonave të administrimit të zgjedhjeve, anëtar i cili jep shumicën njërës ose tjetrës forcë. KZAZ-të të cilat duhet të konstituohen 90 ditë para zgjedhjeve, janë strukturat e dyta nga rëndësia pas KQZ-së dhe menaxhojnë të gjitha përgatitjet në terren. “Pas shortit KQZ vendosi që PD do të propozojë anëtarin e shtatë të KZAZ-ve të renditura me numrin çift dhe PS do të propozojë anëtarin e shtatë të KZAZ-ve të renditura me numër tek”, – thotë Lefterie Lleshi kryetare e KQZ-së. Partia Socialiste do të ketë shumicën në KZAZ-të e 4 qarqeve Kukës, Lezhë, Durrës dhe Vlorë, ndërsa PD vetëm në 2 qarqe: Dibër dhe Berat. Qarqet e mëdha si Tirana, Fieri, Korça, Elbasani e Shkodra, ndahen në mënyrë të barabartë mes 2 partive kryesore. Sipas Kodit Zgjedhor 2 nga anëtarët e KZAZ-së i takojnë PD, 2 PS, ndërsa LSI e PBDNJ, kanë nga 1. Anëtari i 7 i cili nënkupton kryetarin, përzgjidhet me anë të shortit.

 

“…në kushtet kur kutitë e materialeve zgjedhore të përdorura para zgjedhjeve vendore 2011 nuk japin më garanci për sigurinë e tyre, propozojmë që modeli i kutive të materialeve zgjedhore të jetë i unifikuar për të gjithë qendrat e votimit dhe KQZ të blejë sasinë tjetër të nevojshme për këtë qëllim…”

 

Katër vendimet e KQZ-së

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të shqyrtojë paraditen e sotme katër vendime të cilat në thelbin e tyre kanë të bëjnë me blerjen e 3000 kutive të reja zgjedhore, sigurimin e bojës matrikuluese, përcaktimin e kodeve të sigurisë dhe miratimin e modelit të kutive të votimit. “1. Shqyrtimi i projektvendimit “Për miratimin e modelit dhe sasisë së kutive të materialeve zgjedhore që do të përdoren në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 23 qershor 2013”. 2. Shqyrtimi i projektvendimit “Për miratimin e llojit dhe specifikimeve të bojës matrikuluese që do të përdoret në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 23 qershor 2013”. 3. Shqyrtimi i projektvendimit “Për miratimin e modelit të kodeve të sigurisë që do të përdoren në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 23 qershor 2013”. 4. Shqyrtimi i projektvendimit “Për miratimin e modelit të kutisë së votimit që do të përdoret në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 23 qershor 2013”, – thuhet në njoftimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

 

 

Alibeaj: Shpërndarje e re e mandateve sipas KQZ-së

Kuvendi i Shqipërisë duhet të bëjë shpërndarjen e mandateve të deputetëve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kjo, sipas deputetit demokrat Enkelejd Alibeaj, duhet bërë në përputhje me përllogaritjet që KQZ ka bërë për shpërndarjen e re të mandateve, pavarësisht faktit se nëse KQZ e miratoi aktin ose jo me shumicë të cilësuar. Alibeaj thotë se përllogaritja aritmetikore është bërë nga ky institucion, por ai shton se KQZ ka ende hapësira kohore për të shqyrtuar shpërndarjen e mandateve për t’i përcjellë një dokument final Kuvendit. Duke folur për koalicionet parazgjedhore, Alibeaj e komentoi ftesën e kryesocialistit Rama ndaj LSI e FRD-së si frikë që ai ka për zgjedhjet e ardhshme. Ai thotë se nuk mund të bëhesh Kryeministër në tavolinë. 2013 do të jetë viti i sfidave elektorale që në fund do të përcaktojë vullneti i sovranit kush do të qeverisë katër vitet e ardhshme, thotë Alibeaj.

 

 

Panariti: Heqja e përmendores së UÇPMB-së destabilizon Ballkanin

Ministri i Punëve të Jashtme te Shqipërisë, Edmond Panariti, në një intervistë të dhënë për radion “Dukagjini”, ka deklaruar se heqja me dhunë e përmendores së UÇPMB-së në Preshevë do të ndikonte në tensionimin e të gjithë Ballkanit. “Duhet parë edhe më gjerë, ky është një kontribut shumë negativ i acarimit të situatës dhe krijimit të tensioneve në atë rajon që mund të ketë ndikim në të gjithë Ballkanin”, – ka thënë Panariti. Serbia duhet të jetë e përgjegjshme dhe të mos ndërmerr akte ekstreme siç është heqja me dhunë e përmendores së UÇPMB-së. Një gjë e tillë prek ndjenjat dhe cenon të drejtat e shqiptarëve të Luginës, ka thënë Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Panariti.

 

 

MPJ: Assad të largohet nga drejtimi i Sirisë

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë ka ndjekur me vëmendje deklaratën e Presidentit të Sirisë Bashar al Assad, datë 6 janar 2013, lidhur me iniciativën e tij të re për tranzicionin politik në vend. Ajo e konsideron atë jashtë kontekstit të realitetit për zgjidhjen e situatës së dhunshme në Siri. Zgjidhja drejt një tranzicioni politik në vend nuk mund të vijë nga shkaktarët e dhunës e as nga nxitësit e saj. Ministria e Punëve të Jashtme ripërsërit qëndrimin e saj për largimin e Assadit nga drejtimi i Sirisë si hapi i parë që do të krijonte kushtet për promovimin e fillimit të një transformimi normal të shoqërisë e të sistemit shtetëror në Siri nëpërmjet një procesi politik të zhvilluar në një mjedis të çliruar nga dhuna dhe ekstremizmi.