KQZ, 140 mijë euro vetëm për kodet e sigurisë, Lleshi: PS po hedh në plehra paratë e taksapaguesve

0
233

Florenc Drizari

votimiKQZ miratoi vendimin për blerjen e 3000 kutive dhe bojës matrikuluese me ato cilësi si në zgjedhjet e 2011-ës

 

Rreth 140 mijë euro pritet të jetë vlera që KQZ do të shpenzojë brenda këtij viti vetëm për blerjen e kodeve të reja të sigurisë. Vendimi për blerjen nga e para të kodeve që do të mbyllin kutitë e votimit dhe ato të materialeve zgjedhore u miratua me konsensus në komision, edhe pse drafti shkaktoi debate mes palëve. Propozimi për blerjen e re të kodeve u bë nga përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialistë në KQZ Genc Gjonçaj, me argumentin se kodet aktuale që ndodhen rezervë nuk japin garanci për sigurimin e materialeve zgjedhore. Nga ana e tyre përfaqësuesit e administratës së KQZ thanë se nuk është e nevojshme blerja e re e kodeve rezervë të sigurisë, për faktin se ato japin garanci për sigurimin e materialeve dhe komisioni disponon rreth 48 mijë të tilla. Kjo mjaftoi që palët të mbanin qëndrime të kundërta për blerjen e ose jo të kodeve të sigurisë. Debatet në KQZ vijuan edhe pas një pushimi të shkurtë të vendosur nga kryetarja e Lefterie Lleshi. Në fillim përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike në KQZ, Niazi Kosovrasti kundërshtoi pretendimet e PS për blerjen e re të kodeve. “Nga eksperienca ime që nga 2005 e në vazhdim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, nuk ka as më të voglin shqetësim lidhur me kodin e sigurisë, në mënyrë të veçantë me kodin rezervë të sigurisë. Kodet rezervë të sigurisë janë përdorur shumë pak dhe kodet kanë plotësuar elementët e sigurisë dhe ndryshimi është vetëm ngjyra. Nuk shoh asnjë shqetësim për këtë çështje. Megjithatë duke parë shqetësimin e opozitës, unë bie dakord që të blihen kode të reja sigurie”, – tha Kosovrasti. Ndërkaq, debatet për blerjen e kodeve të sigurisë vijuan mes kryetares dhe nënkryetarit të KQZ-së. “Për sa i takon aspektit material unë jam i përgjegjshëm për lekët e taksapaguesve, por mendoj se shuma nuk është domethënëse. Ne këtu, vetëm me një KZAZ që i rritëm Fierit, nga 3 në 4, çuam për dreq 600 mijë euro. Mendoj që ekonomia e katërt e botës mund t’ia lejoj vetes këtë gjë”, – u shpreh nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba. Ndërsa kryetarja e KQZ-së, Lefterie Lleshi tha: “Ai 600 mijë euro do përdoret për shumë zgjedhje. Ne do të shpenzojmë 40 mijë euro plus, ato që kemi do ti hedhim në plehra. Vitin tjetër apo kur të kemi zgjedhje të tjera, prapë këto do ti hedhim në plehra, sepse këto mund të përdoren, mund të mos përdoren, të gjithë e dimë, se duhen blerë të tëra”.

Ndërkaq, sipas specialistëve në KQZ, një kod kushton 144 lekë; ndërkohë që territori i Shqipërisë është ndarë në rreth 5500 qendra votimi dhe çdo qendër do të ketë dy kuti, një për fletët e votimit dhe një tjetër për materialet zgjedhore. Kutia e votimit ka 5 kode sigurie, kutia e materialeve zgjedhore katër kode. Po të llogarisësh që këto kuti rimbyllen dhe hapen dhe njëherë ne vendin e numërimit të votave, numri i kodeve shkon në 18, shto këtu edhe 6 kode që janë rezervë për çdo qendër, numri në total shkon në 24. Kodet e sigurisë që do të shërbejnë për mbylljen e kutive të votimit dhe kutive të materialeve zgjedhore do të jenë me ngjyrë gri të thellë, ndërsa kodet rezervë do të kenë ngjyrë të verdhë fosforeshente.

Blerja e 3000 kutive

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e djeshme miratoi me konsensus blerjen e një sasie pre 3 mijë kutive zgjedhore. Gjithashtu po me unanimitet KQZ miratoi modelin e kutisë së votimit që do të përdoret në zgjedhjet e datës 23 qershor 2013-të, duke përcaktuar se si kuti votimi do të përdoren ato që janë përdorur më parë në zgjedhjet e 2009 dhe 2011. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me 4 vota pro dhe 3 kundër, miratoi llojin dhe specifikimet e bojës matrikuluese që do të përdoret në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë. Në zgjedhjet e datës 23 qershor boja matrikuluese do të jetë tip “marker”, me të njëjtat karakteristika me bojën që është përdorur në dy zgjedhjet e fundit. Miratimi i bojës matrikuluese u shoqërua me debate të ashpra mes palëve në komision. Përbërja e saj do të jetë e njëjtë me atë që u përdor në zgjedhjet e shkuara për pushtetin vendor.

 

 

 

FRD, takim të hapur me qytetarët në Sauk

Kryetari i FRD-së gjatë takimit që zhvilloi një ditë më parë me qytetarë të Saukut në Tiranë, u premtoi atyre se forca politike që ai drejton do të arrijë rezultate pozitive në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. “Ne, – u tha qytetarëve z. Topi, – do të takojmë me thjeshtësi çdo qytetar derë më derë, në mënyrë që të gjithë së bashku të ecim drejt një fitore të merituar në zgjedhjet e qershorit 2013”. Duke ironizuar kërkesën e Kryeministrit drejtuar anëtarëve të qeverisë për të publikuar numrat e tyre z. Topi tha se qeveria duhet të jetë e hapur me qytetarët gjatë gjithë mandatit dhe jo vetëm kur afrojnë zgjedhjet. Tirana është vendi ku ne do të jemi më të suksesshëm, theksoi z. Topi, mes mbështetësve të shumtë të FRD-së në Sauk”, – shkruhet në njoftimin e shpërndarë nga zyra e shtypit e FRD-së.

 

Listat e votuesve në Kukës, Elez Maçi: Pas rigrupimit të qendrave

Prefekti i Qarkut të Kukësit ka kërkuar nga njësitë vendor që të bashkojnë qendrat e votimit që kanë numër të ulët zgjedhësish. Në 49 qendra votimi në Qarkun e Kukësit numri i zgjedhësve është shumë më i vogël se kufiri minimal prej 200 votuesish, i caktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Kjo ka bërë që këto qendrat të mos i afishojnë ende listat e votuesve për procesin e 23 qershorit. “Kemi pasur problem të mosbashkimit të disa qendrave votimi që kanë nën 200 votues, në tërësi kemi rreth 49 qendra votimi, të cilat aktualisht konsiderohen të papërfunduara. Disa drejtues të njësive të qeverisjes vendore në zbatim të udhëzimit nuk kanë bashkuar ato qendra votimi që janë nën 200 votues dhe qendrat e votimit që janë nën 200 zgjedhës nuk shpallen, bllokohen derisa drejtuesit e njësive vendore të plotësojnë kushtet ligjore”, – thotë Elez Maçi, prefekt i Qarkut Kukës. Në Qarkun e Kukësit numërohen 197 qendra votimi dhe në 148 prej tyre janë afishuar listat paraprake të zgjedhësve. Prej këtyre listave janë hequr më shumë se 250 dublime. Qarku i Kukësit ka 27 njësi vendore, tri bashki dhe 24 komuna.