Elton Qyno
Bledar Jambelli arrestohet në burg për vrasjen e Shpëtim Mukës, të Ervis Shehut dhe plagosjen e Edvin Zanajt
Policia: Dyshojmë se Jambelli është paguar për tri vrasje të kryera në Vlorë
Hetimet për vrasjet e njëpasnjëshme të ndodhura në shenjë hakmarrjeje mes fisit Muka në Vlorë dhe disa personave në fshatin Levan të Fierit kanë sjellë zbardhjen e dy ngjarjeve të tjera të rënda që kanë ndodhur në Vlorë gjatë vitit 2006. Për rreth një muaj hetime, pyetje dëshmitarësh dhe verifikime të gëzhojave në laboratorin shkencor të Ministrisë së Brendshme, policia e Vlorës ka arritur të identifikojë autorin e vrasjes së dyfishtë të ndodhur në këtë qytet, ku mbeti i vdekur në vend Shpëtim Muka, që konsiderohej si i forti i Vlorës, komshiu i tij, Ervis Shehu dhe nipi i Mukës, shtetasi Edvin Zanaj. Sipas strukturave të policisë së Vlorës, autori i këtij krimi është shtetasi Bledar Jambelli ose siç njihet ndryshe me emrin Rikard Muho, lindur e banues në fshatin Mbrostar të Fierit. Ky i fundit prej më se një muaji është arrestuar, si autor i vrasjes së shtetasit Amarildo Delaj, teksa ky i fundit ishte duke dalë nga lokali i tij në muajin shtator të vitit të kaluar. Pavarësisht se Jambelli ndodhet në masën e sigurisë “Arrest me burg”, gjatë ditës së djeshme një prokuror i Vlorës është paraqitur në ambientet e burgut ku i ka komunikuar Jambellit vendimin e caktimit nga ana e gjykatës masën e “Arrestit me burg” për akuzën e “Vrasjes në rrethana cilësuese” në dëm të shtetasve Shpëtim Muka dhe komshiut të tij shtetasit Ervis Shehu, dhe nipit të Mukës Edvin Zanaj.
Hakmarrja me pagesë
Vrasjet e kryera në vitin 2006 dhe 2012 në Vlorë, ku kanë mbetur të vdekur tre persona dhe janë plagosur dy të tjerë, mendohet se janë kryer në shenjë hakmarrjeje dhe të paguara nga fiset rivale. Nga dyshimet paraprake mendohet se autori i këtyre vrasjeve, shtetasi Bledar Jambelli, mund të jetë një vrasës me pagesë, i cili kundrejt parave ka kryer vrasjet të tipit mafioz të biznesmenit Amarildo Delaj, Shpëtim Muka dhe Ervis Shehut. Gjatë marrjes në pyetje ai s’ka pranuar autorësinë e krimit, ndërkohë që policia dhe prokuroria këmbëngulin në bindjen e tyre se ai është autori i dy ngjarjeve. Burime pranë policisë thanë se Jambelli është një vrasës profesionist dhe për kryerjen e dy atentateve në Vlorë ka shumë mundësi që ai të jetë paguar nga persona të tretë, me qëllim vrasjen e kundërshtarëve të tij. Aktualisht, policia është duke verifikuar me imtësi të kaluarën e tij dhe lidhjen shoqërore dhe farefisnore me kundërshtarët e viktimave, me qëllim krijimin e një ideje përfundimtare nëse Jambelli ka kryer vrasjet kundrejt pagesës apo ai ka vrarë në shenjë hakmarrjeje ndaj vrasjeve të të afërmve të tij. Dyshimet flasin se në të dyja ngjarjet ai është paguar nga një shtetas me banim në Spanjë, kundërshtar i betuar i fisit Muka. Mësohet se dy viktimat Shpëtim Muka dhe Amarildo Delaj janë ekzekutuar në shenjë hakmarrjeje si pasojë e konflikteve të lindura në Spanjë, për zonat e influencës së drogës. Në këto konflikte janë përfshirë dhe anëtarë të familjes Rama në Vlorë.
Muka, “i forti i Vlorës”
Viktima e atentatit të 2006, Shpëtim Muka, ishte ndër të paktët të fortë të Vlorës, që u mbijetoi trazirave të vitit 1997, por edhe viteve që pasuan, me gjithë implikimet e tij në shumë ngjarje kriminale. Armiqtë e shumtë të 41-vjeçarit, që konsiderohej i paprekshëm, bënë që policia e Vlorës të rreshtonte një sërë pistash hetimore për zbardhjen e atentatit, ku përveç Mukës humbi jetën edhe fqinji i tij 24-vjeçar, Ervin Shehu, dhe u plagos nipi i tij. Nga masakra e Levanit në Fier e deri tek ekzekutimi i Eleonora Ramës në qendër të Vlorës, ngjarje këto që dyshohet se mbajnë “vulën” e Mukës kanë qenë pista të mundshme për zbulimin e ngjarjes së 2006-ës, që është përcjellë gojë më gojë tek të gjithë banorët e Vlorës. Tashmë vrasja e tij ka një autor dhe ai quhet Bledar Jambelli. Burime pranë policisë së Vlorës thonë se Jambelli ka qenë presoni që në të dyja ngjarjet ka tërhequr këmbëzën e automatikut, ndërkohë që autor i drejtpërdrejtë për vrasjet është një shtetas që banon në Spanjë.
Delvinë, bllokohen 110 kg drogë, dy persona në kërkim
Të paktën 110 kg marijuanë u bllokuan në fshatin Finiq, ndërsa dy persona u shpallën në kërkim, njoftoi dje policia e Delvinës, në jug të vendit. Lënda narkotike, e ambalazhuar në dy çanta, ishte fshehur në një banesë të braktisur, në fshatin Finiq, rreth 8 km larg Delvinës, thekson policia. I njëjti burim tha se marijuana ishte përgatitur për t’u hedhur në rrjetin e trafikut ndërkombëtar të drogës. Policia tha se gjatë aksionit u identifikuan dy persona, tashmë të shpallur në kërkim. “Tashmë një procedurë ligjore për ndalimin e dy trafikantë aktualisht ka nisur, ndërkohë marijuana kishte origjinë nga Lazarati”, – saktëson policia dhe se destinacioni i saj ishte shteti grek. Që nga dita e djeshme policia e Delvinës, është duke kryer verifikime dhe kontrolle në disa banesa, me qëllim arrestimin e dy trafikantëve.
Përplasja në Tiranë, përmbarimi nxjerr 12 familje nga banesat
Përmbarimi ka nxjerrë 12 familjet e strehuara në ish-çerdhen 36, duke ia kthyer këtë godinë ish-pronares. Vendimi për nxjerrjen nga banesa u shoqërua me tensione deri në konfrontime fizike me banorët e strehuar prej 20 vjetësh në këto ambiente. Pas tensioneve të shumta, u mundësua arritja e marrëveshjes me familjet, të cilat për orë të tera refuzuan që të lironin banesat. Konkretisht, për dy familje është rënë dakord që t’u lihet 10 ditë kohë për lirimin e banesave, për shkak se përbëhen nga shumë anëtarë. Ndërsa 10 familjet e tjera do të dalin nga banesat gjatë këtyre ditëve. Sipas banorëve, shteti i ka strehuar në ketë godinë dhe kjo është pronë shtetërore. Ata shprehen se kundërshtojnë vendimin e Gjykatës së Tiranës për lirimin e banesave. Sipas vendimit të gjykatës, këta banorë duhet të lironin banesat, pasi ka një vendim në hipotekë që prona u është blerë pronarëve.
Tiranë, goditet me makinë dhe më pas i marrin 14 mijë euro kambistit
Një 62-vjeçar është grabitur në Tiranë gjatë kohës që po udhëtonte me motor drejt dyqanit të tij. I dëmtuari quhet Sovjetik Doko, nga Fieri, dhe është sulmuar mëngjesin e djeshëm në Tiranë nga tre të rinj, të cilët i morën një shumë prej 14 mijë eurosh. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Thanas Ziko”, ku fillimisht të rinjtë e kanë përplasur me automjet. Por, në fakt, ajo që nisi si një aksident i paqëllimtë, u kthye në një grabitje, pasi të rinjtë e akuzonin se u kishte prishur makinën. Ata i kishin marr shumën e parave, ndërsa Doko njoftoi menjëherë policinë. Pas hetimeve policia identifikoi njërin e tyre si Redi Ferizaj, 26 vjeç, i cili është shpallur në kërkim bashkë me shokët e tij. Nga hetimet e kryera, policia ka mësuar se aksidenti me makinën mund të jetë organizuar nga vetë të rinjtë, të cilët kanë pasur informacion se Sovjetik Doko, ishte pronari i një dyqani të këmbimit valutor. Lidhur me këtë ngjarje të rëndë është marrë në pyetje, vetë i dëmtuari i cili ka treguar se nuk kishte mundur të njihte tre personat, ndërkohë që në deklarimet e tij ai ka dhënë vetëm karakteristikat të grabitësve. Kaq ka mjaftuar që pas disa verifikimeve të kryera, është arritur të zbardhet identiteti i njërit prej autorëve që quhet Redi Ferizaj. Sipas policisë ky i fundit është zbuluar pasi, 62-vjeçari kishte dhënë të dhënat e sakta lidhur me targën e automjetit, me të cilën tre të rinjtë kanë goditur Sovjetik Dokon. Aktualisht verifikime janë duke u kryer edhe për sa I përket zbardhjes së identitetit të dy personave të tjerë.