Nikoliçi ta kuptojë se Kosova nuk është Serbi

0
155

Augustin Palokaj

kosovaPrej Konferencës së Rambujesë në vitin 1999 e deri më sot, bashkësia ndërkombëtare vazhdon të pyetet se çfarë duhet të ndodhë që Serbia ta pranojë realitetin se Kosova nuk është më pjesë e saj. Sa herë që nga deklaratat e disa liderëve të Serbisë duken shenja se ata po e njohin atë realitet, ndodh diçka që e dëshmon të kundërtën. Platforma e Serbisë për “Kosovën dhe Metohinë”, jo vetëm se dëshmon që në Serbi nuk janë të gatshëm ta pranojnë realitetin, por lidershipi i atjeshëm jeton në një iluzion dhe jep propozime sikur të ishin të dehur. Të kërkosh në fund të vitit 2012, pesë vjet pas shpalljes së pavarësisë, në kohën kur më shumë se gjysma e shteteve të botës e kanë njohur Kosovën, “zgjidhje të pranueshme për të dyja palët”, e cila do të nënkuptonte mosnjohjen e shtetit të Kosovës dhe trajtimin e saj si territor të Serbisë, është dëshmi se presidenti i këtij vendi dhe bashkëpunëtorët e tij që i ndihmuan në përpilimin e platformës për Kosovën sikur të jetonin ende në kohën e Millosheviçit.
Nganjëherë zyrtarët ndërkombëtarë i kanë kuptuar me tepër optimizëm disa deklarata të liderëve serbë, duke i komentuar si “njohje e realitetit”. Kështu dukej deklarata e dikurshme e Tomislav Nikoliçit se ai “nuk do të jetë më President në Prishtinë”, por më vonë dëshmohej se ajo deklaratë kishte për qëllim nxjerrjen e idesë për ndarjen e Kosovës, sepse Nikoliçi pohonte se “as Jahjaga nuk do të jetë më Presidente në veri të Mitrovicës”. Krahasuar me Presidentin Nikoliç, Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, duket më realist, edhe pse edhe ai vazhdon të pohojë se Kosova nuk është shtet.
Bashkësia ndërkombëtare, sidomos Bashkimi Evropian, mban një përgjegjësi të madhe pse Serbia nuk e ka kuptuar realitetin e krijuar me pavarësimin e Kosovës. Me mosnjohjen e Kosovës nga 5 vendet anëtare të BE-së, me sjelljen “neutrale ndaj statusit” të Bashkimit Evropian dhe me mosdeklarimin e hapur të baroneshës Catherine Ashton, ndërmjetësueses së dialogut, se çështja e statusit të Kosovës është e përfunduar dhe ajo nuk mund të hapet më, është dhënë një kontribut në rritjen e iluzioneve në Serbi se Kosova nuk ka ende status dhe mund të jetë pjesë e Serbisë.
Dëgjojmë ditëve të fundit Presidentin e Serbisë të thotë se në Bruksel askush nuk i ka thënë se Kosova është shtet dhe askush nuk ia ka përmendur njohjen e Kosovës si shtet. Natyrisht se nuk i kanë thënë, sepse i ka pyetur njerëzit të cilët për nga natyra e vendit të tyre të punës nuk mund ta thonë një gjë të tillë. Ashton dhe të gjithë zyrtarët e tjerë të BE-së mund të flasin vetëm atë që është pjesë e konsensusit të BE-së. Dhe kur nuk ka konsensus, siç është në rastin e statusit të Kosovës, ata duhet të sillen si neutralë. Kështu ndodh tani dhe kështu do të jetë edhe për një kohë të gjatë. Por kjo nuk do të thotë se Kosova nuk është shtet e edhe më pak se ajo është “pjesë e Serbisë”.
Megjithatë, BE-ja ka bërë disa hapa për ta trajtuar Kosovën së paku si “territor të veçantë”, pa e trajtuar si shtet sovran dhe të pavarur. Kjo shihet qartë në mospërfshirjen e Kosovës në Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit të Serbisë me BE-në,me mospërfshirjen e Kosovës në liberalizimin e vizave për Serbinë (madje as të atyre qytetarëve të Kosovës që marrin pasaporta të Serbisë), me nxjerrjen e raporteve të veçanta të progresit për Kosovën, me trajtimin e Kosovës si njësi të veçantë doganore dhe së fundi edhe me Marrëveshjen e IBM-së. Asnjë nga këto veprime nuk e trajton Kosovën si shtet të pavarur, por qartëson se Kosova nuk trajtohet as si pjesë e Serbisë.

Prapë as këtu nuk mjaftojnë që në Beograd të njihet realiteti. Në opinion, por edhe tek politikanët të cilët shihet qartë se nuk kanë përvojë të duhur ndërkombëtare, më shumë efekt kanë gjërat më pak të rëndësishme sesa veprimet politike. Për shembull, lejimi i Kosovës që të luajë ndeshje ndërkombëtare futbolli do të ndihmonte që serbët ta kuptonin më shumë se Kosova është shtet, sesa njohjet që bëhen nga shtetet tjera të botës.
Mosrealizimi i vizitës së presidentit të Serbisë në Kosovë për Krishtlindjet ortodokse serbe do të mund t’i ndihmonte edhe Tomislav Nikoliçit që të kuptonte se Kosova nuk është Serbi. Përndryshe, ai nuk do të kishte nevojë të kërkonte leje. Kësaj radhe risi është mungesa e presionit ndërkombëtar ndaj Qeverisë së Kosovës që të lejonte një vizitë të tillë. Ndoshta edhe në bashkësinë ndërkombëtare ndiejnë nevojën që liderëve serbë, me shembuj që ata i kuptojnë, t’u dëshmohet se Kosova nuk është më pjesë e Serbisë.
Një “sugjerim miqësor ndërkombëtar” qeverisë së Kosovës, duke u thirrur në “sjelljen evropiane dhe të fqinjësisë së mirë” do të mjaftonte që qeveria e Kosovës ta jepte pëlqimin për vizitën e kujtdo nga Serbia. Kështu kishte ndodhur sa herë në të kaluarën. Fundi i fundit, pse të mos e lejonte qeveria e Kosovës ardhjen e Nikoliçit kur Presidentja Jahjaga vazhdon të shprehë vullnetin që sa më parë të takohet me të. Por kësaj radhe nuk ndodhi presioni ndërkombëtar. Arsye mund të jetë edhe vetë platforma e Serbisë, e cila ka irrituar një pjesë të bashkësisë ndërkombëtare. Mund të jenë edhe deklaratat kontroverse të Presidentit të Serbisë, Tomislav Nikoliç, për mohimin e gjenocidit në Srebrenicë, deklaratat e tij për Vukovarin në Kroaci si “qytet serb ku kroatët nuk kanë pse të kthehen”, dhe vizita që ai i bëri Republikës Serbe duke injoruar Sarajevën dhe Bosnjë-Hercegovinën si shtet. Krejt këto kanë bërë që Nikoliçi të vazhdojë të jetë në një lloj izolimi rajonal. Ndoshta mosrealizimi i qëllimit për të qëndruar në Kosovë do t’i ndihmojë të fillojë të mendojë ndryshe, sepse ai ende nuk ka dhënë prova të mjaftueshme se ka ndryshuar shumë nga ai Nikoliçi i kohërave të luftës, kur zgjidhjen e problemit të Kosovës e shihte përmes dëbimit të shqiptarëve përtej Bjeshkëve të Nemuna.
Mosrealizimi i vizitës së Nikoliçit në Kosovë, për shkak të mosdhënies së pëlqimit nga qeveria e Kosovës, nuk duhet të përdoret as për të shitur mend qeveria jonë. Është një rast i rrallë kur kjo qeveri mund të thotë se ka mbrojtur parimin e reciprocitetit. Por në të njëjtën kohë në veri të Kosovës vazhdojnë të veprojnë institucionet e Serbisë, vazhdojnë të vijnë kur të duan zyrtarë të shtetit serb. Dhe vërtet atje Jahjagën nuk e pranojnë si Presidente të tyre. Prandaj kjo situatë në veri, që do të shfrytëzohet si dëshmi e “realitetit në terren” edhe nga bashkësia ndërkombëtare për të imponuar statusin special (apo “trajtimin e veçantë”) për veriun e Kosovës, nuk i lejon qeverisë së Kosovës të krenohet shumë me moslejimin e vizitës së Nikoliçit në Kosovë.
Deri më tash nuk ka pasur problem me vizitat e presidentit të Serbisë në Kosovë, në fakt pala kosovare më shumë është “njoftuar” për ato vizita sesa që vërtet është pyetur për leje. Edhe tash në fuqi është një procedurë, e cila të dyja palëve, si Serbisë ashtu edhe Kosovës, u ndihmon që opinionit të tyre t’ua shesin si të duan ato vizita. Zyrtarët e lartë shtetërorë serbë duhet ta njoftojnë Zyrën e BE-së në Beograd për qëllimin e vizitave të tilla dhe të kërkojnë “ndihmë në organizim” apo përcjellje. BE-ja pastaj për këto vizita e njofton qeverinë e Kosovës dhe kërkon pëlqimin. Pas kësaj realizohen vizitat. Beogradi mund të thotë se “nuk ka kërkuar kurrfarë leje nga Kosova”, ndërsa Prishtina se “vizita është mundësuar me lejen tonë”. Me këtë filozofi të “paqartësive të qëllimshme” apo “ambiguitetit konstruktiv” BE-ja po vazhdon t’i trajtojë pothuajse të gjitha problemet në raportet e Kosovës me Serbinë, përfshirë edhe dialogun. Qëllimisht u lejohet të dyja palëve që në mënyra të ndryshme, sipas nevojave të brendshme, t’i interpretojnë gjërat. Kjo deri më tash nuk ka ndikuar shumë në zgjidhjen e problemeve, sepse, pa marrë parasysh se si i pagëzohen problemet, ato mbesin në terren. Kështu, Nikoliçi thotë tash se ai as që ka dashur ta vizitonte Kosovën, sepse nuk do që për një gjë të tillë të vendosë Kosova. Kjo deklaratë sa e paqartë është edhe jologjike, sepse në të kundërtën ai nuk do të kishte nevojë fare të kërkonte leje për të vizituar Kosovën as nga EULEX-i.
Kosova ende nuk e ka rrumbullakuar tërësisht pavarësinë e saj, nuk e ka ende nën kontroll as tërë territorin e saj. Kosova nuk funksionon si duhet si shtet dhe po vazhdon të ecë drejt shtetit të dështuar. Kosova ka pranuar që të mos trajtohet si të gjitha shtetet e tjera sovrane. Por një gjë është e qartë e atë duhet ta kuptojnë edhe në Beograd; Kosova nuk është Serbi.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency