Tirana, Skënderbeu apo… Gilman Lika (ende nuk) ka zgjedhur

0
153

 Altin Vorpsi

gilmanLika i është bashkuar dje Tiranës në stërvitje

25-vjeçari ka “fituar” Shqipërinë me fanellën bardheblu

 

 

Mesfushori shkodran që veshi fanellën e Tiranës që nga janari i 2011-ës tashmë është një lojtarë i lirë. Vetëm pak ditë më parë 25-vjeçarit i mbaroi kontrata me skuadrën më të titulluar në Shqipëri. Ky fakt ka bërë që “në luftë” për kartonin e Likës të futen disa prej klubeve më të mëdha të Shqipërisë.

 

Vllaznia dhe Skënderbeu

E para ishte Vllaznia që tentoi ta rikthente shpeshherë Likën në “Loro Boriçi”. Si në verë edhe tani klubi shkodran është afruar me mesfushorin. Por ky i fundit, duke parë gjendjen ekonomike në Shkodër, gjithmonë i ka refuzuar. Ndërkohë që interes real ka shprehur edhe Skënderbeu. Ekipi kampion në këtë merkato dimri mund të humbë disa lojtarë dhe shpreson që forcohet duke afruar një futbollist si Lika. Ky i fundit do të ishte goditja perfekte për korçarët që do të godisnin në shenjë pasi me një lëvizje do të përforcoheshin dhe do të dobësonin një rivale të fortë siç është Tirana. Ditë më parë ka qenë vetë presidenti i “ujqërve të dëborës”, që nuk ka fshehur asgjë pasi ka treguar se ka biseduar vetë me lojtarin.

 

Tirana ka përparësi

Në tërë këtë histori ajo që ka më shumë përparësi duket se është Tirana. Bardheblutë gjithmonë kanë pasur një raport të mirë me lojtarin dhe me shumë mundësi do të lidhen sërish me të. Gjithashtu edhe 25-vjeçari ka arritur shumë më këtë fanellë (vitin që kaloi ai fitoi besimin e De Biazit që e aktivizoi si titullarë ndaj Islandës). Lika është një nga lojtarët kryesorë për Tiranën kështu me shumë mundësi do të vazhdojë që të veshë fanellën e 24 herë kampionëve të Shqipërisë. Burime pranë lojtarit kanë bërë dje me dije se ai ende nuk ka vendosur se për cilën skuadër do të luaj. Por fakti që ai i është bashkuar dje Tiranës në stërvitje (kishte tre ditë që nisi përgatitje për sezonin e ri) do të thotë shumë…

 

Liga e Kampioneve

Murinjo hedh sytë nga “djajtë” 

Zhoze Murinjo do të jetë në “Old Trafford” të dielën për të parë direkt rivalin e Realit në Champions, Mançester Junajtid. Portugezi tha se kërkon t’i studiojnë direkt në aksion kundërshtarët anglezë, përpara ndeshjes së parë të 1/8-ave muajin e ardhshëm. “I kam thënë Fergusonit se do të vij të dielën. Mançester Junajtid-Liverpul është një ndeshje e madhe, pastaj unë dua të shoh nga afër rivalët tanë. Nuk dua të dërgoj një menaxher, por dua të jem vetë atje. Besoj se edhe Sër Aleks Ferguson dëshiron të bëjë të njëjtën gjë dhe pritet të vizitojë ‘Bernabeu’-n këto javë”, – konfirmoi për “The Sun”, trajneri i Realit.

 

Trukimet

FIFA pezullon 41 koreanë

Dyzetenjë lojtarë nga Koreja e Jugut janë dënuar përjetësisht të mos luajnë më futboll pas një skandali trukimesh. Përmes një deklarate ditën e mërkurë, FIFA lajmëroi se pezullimi i përjetshëm i tyre është shtrirë edhe ndërkombëtarisht. Vetëm për 21 ka shanse që t’u zbutet dënimi. Disa do të pezullohen nga 2-5 vite, madje do të kryejnë dhe punë vullnetare. Skandali i trukimeve në elitën e futbollit korean u zbulua në vitin 2011. Qeveria e Seulit kërcënoi se nëse nuk do të merreshin masa, atëherë ajo do ta shkrinte kampionatin. Pasi i pezulloi federata, tashmë ka ardhur vendimi kapital i qeverisë botërore të futbollit.

 

Gjermani

“Levës” i vjedhin shtëpinë

Sulmuesit të Borusias së Dortmundit i kanë hyrë grabitësit në shtëpi mbrëmjen e 18 dhjetorit dhe i kanë vjedhur sende me vlerë. Siç raporton “Bild”, e dashura e Levandovskit, Ana, njoftoi policinë muajin e shkuar, teksa lojtari ndodhej i grumbulluar me ekipin përpara ndeshjes së kupës me Hanoverin. Dëmi i shkaktuar llogaritet me pesë shifra, ndërsa 24-vjeçari po mendon të ndërrojë shtëpinë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency