Viti 2012, u sekuestruan e u konfiskuan 13.8 milionë euro pasuri nga bota e krimit

0
153

Sonja Caka

 

sekuestrimiNënshkruhet memorandumi i bashkëpunimit mes 4 ministrive dhe Agjensisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara. Ligji Antimafia, në tri vite u sekuestruan apo u konfiskuan 28 milionë euro me origjinë kriminale

Pasuria është krahu i ngrohtë i kriminelëve dhe përmes saj arrijnë të fuqizohen dhe të forcojnë aktivitetin e tyre kriminal. Nëse do t’i dobësosh këta të fundit, mund ta bësh vetëm duke i goditur në këtë pikë të fortë, te pasuria e tyre. Plot 13.8 milionë euro pasuri dhe llogari bankare që kanë origjinë veprimtarinë kriminale janë sekuestruar apo konfiskuar gjatë vitit 2012 nga drejtësia shqiptare, ndërsa në tri vitet e fundit llogariten rreth 28 milionë euro. Një fakt i tillë bëhet publik nga numri një i institucionit të Ministrisë së Brendshme, i cili deklaroi se për të pasur më tepër arritje, Agjencia e Administrimit të Pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara ka nevojë për mbështetjen e të gjitha institucioneve. “Janë sekuestruar dhe konfiskuar pasuri që variojnë nga apartamente, makina, aktivitete tregtare, bar-restorante, hotele dhe llogari bankare. Efikasiteti dhe rezultati në këtë luftë është i qartë dhe shifrat flasin vetë. Gjatë vitit 2012 u sekuestruan rreth 13.8 milionë euro pasuri për pastrim të produkteve të veprës penale duke bërë të mundur kështu që vetëm në tre vjet nga hyrja në fuqi e ligjit ‘Antimafia’, ne të mundësojmë sekuestrimin e mbi 28 milionëve euro pasuri të vëna nga aktivitetet kriminale”, – tha Noka. Më tej, ai vlerësoi efikasitetin e bashkëpunimit me SHBA-në dhe vendet fqinje, duke shtuar se “vetëm në një rast të bashkëpunimit me strukturat greke, në vitin 2009, u sekuestruan 2.77 milionë euro llogari bankare dhe asete që rridhnin nga aktivitete kriminale. Ndërkohë, gjatë vitit 2011 u finalizuan katër operacione të përbashkëta për pastrim parash, një me SHBA-të, një me policinë angleze dhe një me policinë hungareze. Ndërsa, operacioni me policine italiane, i cili filloi për falsifikim dhe evazion fiskal, u finalizua në veprën penale të pastrimit të parave”. Ndërsa në fjalën e tij, kryeprokurori i ri i vendit, z. Adriatik Llalla u shpreh se “pastrimi i parave ka njohur sofistikim të ndjeshëm dhe shqetësimi ngrihet pikërisht tek dyshimet e përdorimit të këtyre aseteve për të korruptuar njerëzit e ligjit”. “Në punën tonë të përbashkët konstatohet se krimi i organizuar ka arritur nivele që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme dhe të koordinuar ndërinstitucionale. Shqipëria është një vend i hapur dhe mundësitë për të kryer transaksion të paligjshëm në vlera të mëdha monetare janë më të shumtat. Problematikë e mprehtë që po has në ditët e para në ushtrimin e funksionit të Prokurorit të Përgjithshëm është fakti që pasuri të krijuar në mënyrë të paligjshme ka dyshim se përdoren për të korruptuar organet e zbatimit të ligjit që ndjekin hetimet e këtij lloj aktiviteti kriminal”, – tha Llalla. Gjatë nënshkrimit të memorandumit te bashkëpunimit, amerikan Alexander Arvizu kërkoi bashkëpunim ndërinstitucional për të bllokuar pasuritë që rrjedhin nga krimi i organizuar. “Janë tri arsye themelore pse konfiskimi është i rëndësishëm. Më lejoni të përmend shkurtimisht secilin prej tyre. Pikësëpari për arsye të qarta kriminelët nuk duhet të lejojnë të përfitojnë nga krimet e tyre dhe në çdo rast kur kjo ndodh prokurorët, veçanërisht në çështjet e pastrimit të parave dhe Krimit të organizuar duhet të bëjnë të gjitha përpjekjet për të konfiskuar përfitimet e paligjshme të të akuzuarve. Së dyti konfiskimi i të ardhurave nga krimi ndihmon të parandalojnë kriminelët në financimin e mëtejshëm të aktiviteteve të paligjshme. Së fundmi, kur një qeveri është në gjendje të sekuestrojë asetet dhe t’i konfiskojë ato, kjo kthehet në një burim të ardhurash për qeverinë, të cilat pastaj mund të përdoren për të vazhduar luftën kundër krimit”, – tha Arvizu. I pranishëm në nënshkrimin e memorandumit ka qenë edhe ministri i Drejtësisë, z. Eduard Halimi, i cili u shpreh në fjalën e tij se “memorandumi rrit bashkëpunimin, shkurton afatet e komunikimit dhe të veprimeve, me qëllim goditjen e krimit të organizuar në mënyre të shpejtë dhe efikase”. Sipas ministrit Halimi, në këtë luftë, zgjidhja më e mirë është t’i heqësh krimit të organizuar motivin e ekzistencës së tij – “pasurinë”. “Krimi duhet goditur pikërisht aty ku atij i dhëmb më shumë: Në pasurinë e tij. Ne duhet të bëjmë gjithçka për dobësimin e fuqisë ekonomike të organizatave kriminale dhe pengimin e infiltrimit kriminal në ekonominë e ligjshme”, – deklaroi ndër të tjera z. Halimi. Dje, ndërmjet ambasadorit të SHBA-së, Alexander Arvizu, ministrit i Financave z. Ridvan Bode, të Drejtësisë z. Eduard Halimi, i Brendshëm z. Flamur Noka, i Transporteve z. Sokol Olldashi dhe prokurori i Përgjithshëm z. Adriatik Llalla u nënshkrua memorandumi i bashkëpunimit për Agjencinë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.