Ina Jano
Kryeministri: Do të shkojmë në zgjedhjet e 23 qershorit me koalicionin më të madh në histori
Kryeministri Berisha bëri të ditur dje sloganin e fushatës elektorale për zgjedhjet e përgjithshme ato të 23 qershorit. “Ne jemi ndryshimi” është motoja që do të udhëheqë demokratët drejt fitimit të mandatit të tretë për të qeverisur vendin, në atë që kreu i kësaj force politike e quajti mandatin për përfundimin e projektit të Shqipërisë së zhvilluar. Një qëndrim i tillë u bë dje publik nga shefi i mazhorancës gjatë mbledhjes së kryesisë së Partisë Demokratike, e cila u mblodh për të hedhur piketat kryesore në lidhje me fushatën elektorale që pritet të zhvillohet e ardhshëm në muajt në vijim. Zoti Berisha, ndër të tjera, tha se zgjedhjet e 23 qershorit do të jenë të lira dhe të ndershme dhe njëkohësisht pohoi se të gjithë demokratët duhet të rendin pas çdo vote në çdo cep të Shqipërisë. Udhëheqësi demokrat tha se ky slogan e projekton më së miri të gjithë realitetin që sot mbizotëron në vendin tonë dhe nga ana tjetër përcakton qartazi objektivat që ka Partia Demokratike në këtë fushatë elektorale. “Nën këtë moto, shqiptarët do bashkohen njësoj si në vitin 1992. Vizionin e tyre nuk ka mur që e bllokon, nuk e pengon asgjë. Me këtë moto do hapim fushatën elektorale, fushatën e fitores së shkëlqyer”, – tha Berisha.
Koalicioni
Koalicioni më i madh në histori. Kështu e përcaktoi numri një i mazhorancës koalicionin parazgjedhor me të cilin do të hyjë në zgjedhjet e qershorit. Ai e cilësoi si të suksesshëm bashkëpunimin me Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe tha se ky është një koalicion që ka funksionuar në baza demokratike dhe hapësira të njëjta të veprimit të të dy partive kryesore. Zoti Berisha konfirmoi se selia blu ka nisur tratativat dhe bisedimet me parti të majta për t’u bërë pjesë e qeverisjes, ndërsa tha se zotit Rama i ka mbetur vetëm Bamir Topi. “Ne shkojmë drejt zgjedhjeve si koalicioni më i fuqishëm në historinë e vendit. Në zgjedhjet e 2009-ës PD dhe aleatët e saj dolën koalicioni i parë. Krijoi një koalicion me LSI-në dhe unë mendoj se ky koalicion ka funksionuar në përputhje të plotë me zotimet dhe angazhimet përpara qytetarëve shqiptarë. Ky koalicion bëri të mundur një seri reformash të thella, të cilat mbrojtën ekonominë shqiptare nga recesioni. Rama i bën thirrje sot këtij dhe atij, aman bashkohemi se mund të fitojmë. Sot i bën thirrje dhe duket i vetmi aleat që i ka mbetur, me çfarë shoh unë, është Bamir Topi. Ajo fjala që i tha mos u hiq si i virgjër, nuk do të thotë se kanë fjetur bashkë, do të thotë se kanë rënë në një çanak. Por le t’i lëmë në virgjinitetin dhe çvirgjinitetin e tyre dhe të ecim pas çdo vote në çdo skaj të këtij vendi”, – u shpreh Berisha.
Prioritetet
Në vija të shkurtra lideri i qeverisë bëri të ditur edhe disa nga prioritetet e mandatit të ardhshëm qeverisës, ndërsa e vlerësoi këtë 4-vjeçar në qeveri që është duke u mbyllur si mandati ku është investuar më shumë se çdo gjë për ekzistencën tonë. Furnizimi me ujë, shëndetësia, punësimi, arsimi, shërbimet, investimet, kthimi i Shqipërisë në një superfuqi energjetike rajonale ishin vetëm disa nga prioritetet më imediate që Kryeministri vlerësoi se do të jenë ndër piketat kryesore të programit demokrat.
Bashkimi i shqiptarëve
Një hapësirë të madhe të fjalës së tij lideri i qeverisë ia kushtoi bashkimit të shqiptarëve. Ai tha se nga rajoni duhet të zhduket albanofobia dhe vendet e tjera nuk duhet të kenë frikë as nga kombi dhe as nga flamuri shqiptar, pasi vendi ynë nuk ka ndjenja të tilla për kombe të caktuara. Berisha nënvizoi se shqiptarët nuk mund të jetojnë të ndarë, pasi kjo do të thoshte shfarosje e tyre dhe ata duhet të bashkohen me njëri-tjetrin, të bashkohen me Evropën dhe kështu të jenë së bashku përgjithmonë. Ai bëri thirrje që shqiptarët pas besimit tek Zoti të besojnë tek ideali i bashkimit, pasi vetëm nëse besimi shkon deri në këtë gradë atëherë do të mund të bëhet realitet.
Meta: LSI, bashkëpunim për zgjedhje me standarde
Kreu i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Ilir Meta, zhvilloi dje një takim me strukturat e partisë në qytetin bregdetar të Vlorës. Meta ka deklaruar se LSI është një forcë politike që e do bashkëpunimin, prandaj edhe në zgjedhjet e 2013-ës do bashkëpunojë që ato të jenë me standarde. Meta, ndër të tjera, shtoi se LSI është për një politikë pozitive dhe “jo për polarizim të tejskajshëm”. “Koalicioni më i mirë është ai me qytetarët shqiptarë”, – nënvizoi Meta.
Njësimi i valëve televizive, përfaqësuesit nga Kosova mirëpresin idenë e Berishës
Kryeministri Berisha pati dje një takim me zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Radio-Televizionit të Kosovës, Mentor Shala, dhe drejtorin e Televizionit Bekim Hasani, të cilët ndodhen në Shqipëri, pas propozimit të Kryeministrit Berisha për njësimin e hapësirës së valëve midis Shqipërisë dhe Kosovës. Zoti Shala i tha shefit të qeverisë se propozimi i tij për një hapësirë shqiptare unike të valëve është mirëpritur jo vetëm nga komuniteti mediatik dhe ka gjetur një mbështetje të gjerë në Kosovë. Kryeministri i përgëzoi për vullnetin e dëshmuar për të vënë në lëvizje unifikimin e hapësirës unike të valëve, ndërsa theksoi se ky është një hap i domosdoshëm, pjesë e një procesi të gjerë, në mënyrë që kombi të ndjehet një. Duke shtjelluar këtë projekt, numri një i mazhorancës tha se realizimi i tij është plotësisht i mundshëm dhe se do t’i kërkojë RTSH-së mundësinë e vendosjes së repetitorëve të RTK-së në pikat e transmetimit të televizionit publik shqiptar në të gjithë Shqipërinë. Ndërsa ftoi edhe të gjitha mediat e tjera në Kosovë, në rast se dëshirojnë, të shtrijnë transmetimet e tyre në Shqipëri. Zoti Shala tha se RTK ka një bashkëpunim të ngushtë dhe të frytshëm me TVSH-në dhe mbi këtë bazë do të punohet për realizimin e këtij propozimi, në mënyrë që t’i ofrojmë audiencave në Kosovë e Shqipëri, theksoi ai, programe të larmishme e veçanërisht t’i përcjellim aktualitetin dhe zhvillimet si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë. Në lidhje me zërat skeptikë Berisha u shpreh: “Për të realizuar një gjë, hapi i parë e më i rëndësishëm është t’i besosh asaj dhe unë i besoj më shumë se çdo gjëje tjetër pas Zotit, procesit të bashkimit të kombit shqiptar dhe jam i vendosur e i bindur se çdo ditë shqiptarët do të punojnë kudo që janë. Ky është një proces më i gjerë. Ne jemi një komb që ka më shumë se gjysmën jashtë trojeve etnike, mund të them se ky është vetëm fillimi i një procesi, i cili do të çojë drejt bashkimit të shqiptarëve rreth idealit të tyre kombëtar evropian”.
PD: Rama të bëjë transparencën për pallatin e bashkëshortes
Partia Demokratike kërkoi dje nga kryesocialisti Edi Rama të bëjë transparencën para publikut të historikut të ndërtimit të një pallati në pronësi të bashkëshortes së tij. Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e PD-së zonja Silvi Bardhi parashtroi sërish pyetje drejtuar kryesocialistit Rama në lidhje me pasurinë e bashkëshortes së tij Linda Basha. “Ne po i japim mundësi z. Rama të sqarojë publikun për pallatin 5-katësh dhe një kat nën tokë me rreth 900 m katrorë sipërfaqe ndërtimi në rrugën “Qemal Guranjaku”, ndërtim i përfunduar në vitin 2010 pronë e familjes së bashkëshortes së z. Rama, Linda Basha. Partia Demokratike kërkon nga ju të sqaroni shqiptarët çështjet që vijojnë: Cili është historiku i vërtetë i këtij pallati? A keni qenë në konflikt interesi kur ju keni firmosur si kryetar bashkie lejen e ndërtimit të këtij pallati? Sa leje ndërtimi keni lëshuar për ndërtimin e këtij pallati? A janë respektuar kushtet ligjore urbanistike në sheshin e lejes së ndërtimit dhe ndërtimin e këtij pallati? Cilët janë investitorët dhe pronarët e këtij pallati? A ka histori paje në këtë pallat dhe në rast se po, sa është pjesa që ju dhe bashkëshortja juaj keni marrë si pajë?”, – theksoi Zëdhënësja e PD-së. Kjo e fundit kërkoi nga Rama të përgjigjet për origjinën e 100 milionë lekëve të të shoqes Linda Basha të marra apo të dhëna kredi pa interes nga kjo e fundit.