“Lincoln”, drama e Steven Spielberg, dominon në listën e nominimeve për çmimet “Oscar” për vitin 2013. Drama mori 12 nominime në total, duke lënë pas filmin “”Life of Pi” të regjisorit Ang Lee me 11 nominime. Surprizë konsiderohet “Silver Linings Playbook”, i cili mund të “rrëmbejë” statujat më të rëndësishme duke u shndërruar në filmin e parë të këtyre 30 viteve që do të vlerësohet në katër kategoritë e aktrimit. Në listën pesë emërore për t’u shpallur aktorja më e mirëprotagoniste është Jessica Chastain që luan në filmin “Zero Dark Thirty”, Jennifer Lawrence tek filmi “Silver Linings Playbook”, Emanuelle Riva për rolin e saj në filmin “Amour”, Quvenzhane Wallis tek filmi “Beasts of the Southern Wild” dhe Naomi Watts për rolin e saj në filmin “The Impossible”. Sa për aktorët protagonistë meshkuj, lista përbëhet nga Daniel Day Lewis (Lincoln), Bradley Cooper (Silver Linings Playbook), Hugh Jackman (Les Miserables), Joaquin Phoenix (The Master) dhe Denzel Washington për rolin e tij tek filmi “Flight”. Në listën për çmimin si regjisori më i mirë është Ang Lee për filmin “Life of Pi”, Michael Haneke për filmin “Amour”, David O Russel për filmin “Silver Linings Playbook”, Steven Spielberg për filmin “Lincoln” dhe Benh Zeitlin për filmin “Beasts of Southern Wild”. Mes të tjerave është zbuluar edhe lista e filmave kandidatë për fitimin e çmimit “Filmi më i mirë i huaj”, ku konkurrojnë të gjitha prodhimet kinematografike botërore jashtë Hollivudit, ku pretendent kryesor është filmi “Amour”, lista e pretendentëve për filmin e animuar më të mirë, lista e filmit dokumentar më të mirë, kolona zanore më e mirë ku pretendent kryesor është kolona zanore e “Skyfall” e kënduar nga Adele, si dhe lista me pretendentët për çmimet e tjera si aktori (ja) joprotagonistë(e) apo për figurën dhe kostumografinë më të mirë. Ceremonia e dorëzimit të çmimeve “Oscar” do të zhvillohet në “Dolby Theater” në Los Anxhelos më 24 shkurt.