Manushaqe Salianji
Emrin e këtij shteti në kontinentin e largët zakonisht e mësojmë së pari në klasat e para të shkollës fillore, por për mua, emri i këtij vendi ishte bërë i njohur shumë më parë. Dhe shkak për këtë ishte Bebula. Emrin e saj të plotë nuk e kam ditur kurrë, edhe pse familja e saj ishte qiraxhi në shtëpinë tonë në Sarandë. Kishte një trup të gjatë, ndofta kështu më dukej mua që isha fëmijë 4-5 vjeç. Ishte e shëndoshë, por shumë e bukur. E tregova këtë, sepse Bebula në kujtesën time të mëvonshme lidhej dhe njësohej me emrin e Kanadasë, sepse familja e saj do të emigronte në Kanada.
Edhe pse temperatura ishte në shifra të ulëta, jo vetëm që nuk ndjeva të ftohtë, por ishte i përballueshëm e ngandonjëherë dhe i këndshëm. Veç kësaj, Kanadaja më pëlqeu. Vërtet më pëlqeu shumë.
Në Unionvill, një nga vendbanimet e para të Torontos, provova “kakaon më të mirë në botë”. Ajo qendër e vogël, ai fshat, në qoftë se mund ta quaj kështu, ishte një vend jo vetëm i bukur, por tepër qetësindjellës. Aty pamë një ekspozitë pikture nga autorë kanadezë të viteve 1900, shumica e të cilëve kishte studiuar në Francë. Të binte në sy që mes atyre artistëve, të cilët kishin jetuar mbi 85 vjet, kishte shumë gra piktore.
Por, mbi të gjitha, ishte Niagara, e cila është ujëvara e tretë në botë e që është mes kufirit të Ontarios dhe shtetit të Nju Jorkut. M’u duk parajsë e vërtetë.
28 nëntor 2012
Edhe pse ishte ftohtë dhe frynte erë, në sheshin përpara Parlamentit të Ontarios ishin mbledhur bashkatdhetarë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia që jetojnë në Toronto, për të ngritur flamurin shqiptar me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë. Të gjithë ndiem kënaqësi edhe emocione. Madje, nuk munguan edhe lotët e emocioneve. E më pas, siç e ka temperamenti shqiptar, nisi vallja nga të rriturit dhe fëmijët. Presidentja e Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze në Toronto, dr. Ruki Kondaj, përshëndeti dhe falënderoi pjesëmarrësit si dhe ata që ndihmuan për realizimin e bukur të aktiviteteve artistike. Ndërmjet të tjerash, ajo tha: “Ishin mbi 80 pjesëmarrës të moshave të ndryshme, që nga 5-vjeçarja Adea, e deri te violinisti Agustin Simoni, që ditën të na dhuronin një koncert aq të bukur për festën e 100-vjetorit të flamurit”.
Koncerti
Emocionet që përjetuam në koncertin e përgatitur nga artistë shqiptarë, të cilët jetojnë dhe punojnë në Toronto e që debutuan para publikut shqiptar, bashkatdhetarëve të tyre, ishte vërtet për t’u mbajtur mend. Kishte një pjesëmarrje të gjerë, me rreth 500 spektatorë. Salla dhe galeria ishin mbushur plot. Koncerti u hap me një gjetje të bukur regjisoriale. Në atmosferën e skenës së errët, që u ndriçua ngadalë, drita ra mbi një djalë 10-vjeçar që luante në mandolinë. Pak më tutje, një vajzë e re që qëndiste flamurin, personifikonte Marigonë. Pastaj skena u ndriçua ngadalë dhe një djalë këndoi himnin e flamurit shqiptar dhe atë kanadez. Të gjithë pjesëmarrësit u ngritën në këmbë e mes qetësisë, u dëgjua zëri i ngrohtë e i plotë i 15-vjeçarit Dion Këllezi. Pastaj luajtën në piano Denisi, Elgeri dhe koncerti vazhdoi me korin e fëmijëve, të drejtuar nga Ina Xoxa, e cila punoi me dashuri e përkushtim, duke i bërë provat në shtëpinë e saj. Këngët e tyre na ngjallën emocione të fuqishme. Pas fëmijëve, u dëgjua me shumë interes kënga e Entela Kabës, e cila erdhi enkas nga Amerika për t’iu bashkuar zërit të Hysni Alushit, që gjithashtu erdhi nga Shqipëria për të marrë pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme e të dy të shoqëruar nga orkestrina interpretuan këngën çame, labe, shkodrane dhe atë të Shqipërisë së Mesme. Ende i kam mbresat që përjetova nga zërat e kombinuar të tyre. Ata u duartrokitën disa herë dhe ngritën peshë publikun tepër të kulturuar shqiptar. Vajzat dhe nuset e reja u ngritën dhe varg ashtu, njëra më e bukur se tjetra, të veshura me elegancë, të lidhura dorë për dore përshkuan tërë sallën, duke vallëzuar hijshëm e me dinjitet. Ishte një moment i paharruar. Më pas u ngjit në skenë grupi polifonik i Torontos që krijoi shumë emocion me këngët e krijuara posaçërisht për 100-vjetorin e pavarësisë. Pjesa e parë e programit u plotësua bukur me interpretimin e pjesëve të kompozitorëve të shquar shqiptarë, si: Çesk Zadeja, Tish Daija, Tonin Harapi etj., nga instrumentistët e talentuar Granit Kamberi (cello), Sofiola Papadhimitri, Rudin Lengo (piano), Bardhyl Gjevori (korno) dhe violinat nga Jani Papadhimitri, Agustin Simoni, Petraq Papajani, Entela Kallushi e Irena Podja. Shumica e këtyre artistëve janë orkestrantë që i njeh skena dhe publiku shqiptar, që shumë herë i ka duartrokitur në Tiranë. Në pjesën e dytë, u dëgjua kolazhi poetik i interpretuar nga Xhemi Agaj, Arben Krasnica, Uarda Këllezi e Rudina Tili, të cilët drejtuan mirë programin e që ishin të sinkronizuar me njëri-tjetrin. Fjalën e tyre e thanë me kulturë dhe ngjyrë artistike e që e hijeshonte edhe kostumi popullor i qëndisur e që i jepte shkëlqim skenës.
E pastaj, grupi valleve i përgatitur nga koreografi Ramazan Këllezi, si dhe zëri i mrekullueshëm i Tringa Rexhepit ngriti sallën në këmbë.
Në këtë sukses, është puna e palodhshme e regjisorit Ervin Meço, e drejtuesit artistik Jani Papadhimitri, e orkestrantëve, e solistëve, e fëmijëve, e valltarëve, e prezantuesve që na dhanë këtë koncert të bukur. Programi i cili zgjati 3.5 orë, na mbajti në vëmendje për ta dëgjuar dhe shikuar. Në këtë ngjarje ishin të ftuar dhe morën pjesë personalitete të Ontarios si dhe ambasadorja e Republikës të Shqipërisë në Kanada, znj. Elida Petoshati.
Filmi
Kisha kohë, mbase shumë vite, pa ndier kënaqësinë e të shikuarit të filmit në kinema. Brezi im ishte mësuar të shkonte herë pas here në kinema, edhe pse qëllonte të kishte radhë të gjata për të marrë biletë. Filmi dhe leximi i librit zinin dy mënyrat masive të argëtimit.
Në Tiranë funksiononin 7-8 kinema, edhe pse popullata e këtij qyteti ishte shumë më e vogël se e sotmja. Në to jepeshin mbi 100 filma premierë. Është e vërtetë që dalja e televizionit e zbehu kinemanë, por tek ne, në Shqipëri, e eliminoi krejtësisht. Kështu ndodhi edhe me shkatërrimin e Kinostudios, institucionit më të rëndësishëm kulturor. Është vërtet mëkat dhe e pafalshme që kjo qendër e rëndësishme u rrënua. Këtë dhimbje nuk e përjetuam vetëm ne që punuam me dekada aty, por kushdo që e pati vizituar ose ka hyrë në të. Në një vit, aty prodhoheshin 12-14 filma artistikë, 88 dokumentarë dhe filma vizatimorë. E, pas kaq vitesh, nostalgjinë dhe kënaqësinë e të shikuarit të filmit në kinema, e shijova në Kanada, e pikërisht me bashkatdhetarët shqiptarë të Torontos në shfaqjen e filmit dokumentar “Mrekulli Shqiptare” të regjisorit Ilir Lena, i cili ka krijuar dhe drejton “Pasqyrën shqiptare”, emision shqip në një nga televizionet e Torontos. Këtë vit, kjo rubrikë mbushi 10-vjetorin e krijimit të saj.
Salla ishte mbushur plot, me mbi 200 spektatorë; të gjithë shqiptarë që jetojnë e punojnë në Toronto. Dokumentari zgjati mbi një orë. Që në sekuencat e para të shfaqjes së filmit, sallën e pushtoi qetësia. Nuk u dëgjua asnjë zhurmë, asnjë kërcitje karrigesh e asnjë shenjë mërzitjeje. Kjo, sigurisht vjen nga që filmi pothuaj në të gjithë komponentët e tij, ishte i realizuar. Episodet kalonin rrjedhshëm njeri pas tjetrit. Ato ishin të ndërthurura bukur, duke i dhënë filmit ritëm dhe ndjenjë. Mendoj se kjo vinte nga që xhirimet ishin të menduara mirë, se si do e pasonin njeri tjetrin. Fotografia kishte gjallëri brenda përbrenda dhe kuadri ishte i pastër.
Mendoj se ishte interesante dhe gjetja që djaloshi ecte nëpër objekte. Ai edhe pse nuk fliste, nuk komentonte, sepse regjisori nuk ia kishte dhënë këtë detyrë, por hapat, ecja, figura e tij simpatike, që na paraprinte të shkonim në një episod të ri, na jepte ndjesinë e bukur të kalimit në vende të ndryshme shqiptare, e që lidhej bukur dhe harmonishëm me tekstin që zinte vend mirë, jo vetëm duke komentuar, por kishte marrë përsipër të na e thoshte bukur komentin. E, këtu duhet lavdëruar zëri i ëmbël i znj. Antigoni Papastasi. Ajo nuk ishte një lexuese e zakonshme, por ndihej që tekstin e kishte përvetësuar dhe e kishte bërë të vetin. Zëri i saj “këndonte”.
Një komponent tjetër që i dha vlerë filmit, ishte muzika që regjisori nuk zgjodhi rrugën më të shkurtër, atë të formulimit muzikor, por zgjodhi bashkëpunimin me kompozitorin dhe kitaristin Hushi Kantarxhi, i cili krijoi enkas muzikë për filmin e që tingëlloi bukur, duke i shtuar kështu vlerat emocionale.
Ky film, i cili për regjisorin Ilir Lena është fillimi i një cikli dokumentarësh për Shqipërinë, jep mjaftueshëm një informacion të plotë historik i transmetuar artistikisht për çka i ka vënë vetes detyrë regjisori, pa frikë mund të vlerësohet edhe si një film shkencor popullor si dhe turistik për nga përmasat e informacionit që na transmeton. Dokumentari “Mrekulli shqiptare”, ishte një film për të njohur jo vetëm viset shqiptare, por edhe me një mision të fortë, atë të njohjes së historisë. Dhe kur bashkohet historia me peizazhin, të jep kënaqësi të madhe artistike. Kur del nga salla, të ndjek vlaga e mbresave, e krenarisë për stafin që ka ditur të paraqesë Shqipërinë kaq bukur.
Mashu – Mashu
Duke shëtitur nëpër rrugët e Torontos me makinë, më ra në sy një tabelë që nuk arrita ta lexoja të gjithën, por munda ta fiksoja “Mashu…” Mendimi i parë më shkoi tek ndonjë emër ose fjalë në gjuhën japoneze ose të ndonjë vendi aziatik. Por, një ditë mësova se këtu është restoranti i dy shqiptarëve. Restoranti ishte plot. Personeli drejtonte me qetësi dhe mirësjellje. Aty mësova se Enri Rexhmetaj, 27 vjeç, lindur në Durrës, i cili ka ardhur në Kanada në vitin 2000, dhe Agim Tutulani, që erdhi dy vite më vonë nga Tirana, drejtonin lokalin. Prindërit e Enrit, të dy agronomë të lartë, zgjodhën Kanadanë për emigrim dhe aplikuan nga dëshira se këtu do të gjenin veten në profesionet e tyre. Dhe sa nisën të ingranoheshin me jetën dhe punën në këtë vend, pas një viti u ndodhi fatkeqësia. Një tumor në kokë mori jetën e babait të Enrit. Shumë mendime, shumë halle, shumë dilema për nënën e tyre dhe për Enrin, që ishte fëmija më i madh dhe fare i ri. Edhe pse kishin të afërt këtu në Kanada, i dukej se e kishin të vështirë mbijetesën. Por, nuk u tërhoqën. Vendosën të qëndronin.
Enrit iu desh që krahas vazhdimit të shkollës së mesme, edhe të punonte. Kuptohet që ndiente vështirësi, sepse ende nuk ishte ambientuar në jetën arsimore të këtij vendi, duke filluar nga gjuha, njohuria kompjuterike dhe vetë sistemi i shkollave.
Pas dy viteve, një izraelit, pronar restorantesh, e pranoi të punonte si kamerier. E së bashku me Agimin punuan me përkushtim dhe mbi të gjitha – më tregon Enri – ishte sinqeriteti. Pronari jo vetëm i vlerësoi, por edhe i deshi. E, fati u dha mundësinë që pas pesë vitesh punë, ishin kandidatët e parë për të blerë këtë restorant që pronari e vuri në shitje. Morën kredi dhe tani kanë tri vite që punojnë në pronën e tyre. Sinqeriteti dhe besimi ishte prioriteti i tyre. Në restorant, kanë aktivizuar edhe njerëzit e familjes, por edhe të punësuar të tjerë. Bashkëpunimi -thotë Enri – i ka ndihmuar të kenë sukses. Ata kanë krijuar lidhje të besueshme si të ishin dy vëllezër. “Po pate dëshirë për punë, për shkollim, mundësitë i ke të hapura, mjafton të jesh kërkues, të kesh iniciativë, të jesh i afrueshëm dhe i komunikueshëm me njerëzit, – ngul këmbë Enri. – Këtu, mund të bëhesh i suksesshëm po të kesh intuitë”. Enri vazhdon edhe shkollën e lartë, është në vitin IV për biznes. Ndërsa shoku i tij, Agimi, ka hapur paralelisht edhe një biznes tjetër. Më tregon që pothuaj të gjithë fëmijët shqiptarë janë të dalluar në mësime. Edhe në arsim të lartë shquhen. Dy nga dhjetë studentët më të suksesshëm të një universiteti e që punojnë në një nga bankat më të mëdha, janë shqiptarë.
U largova nga qyteti i Torontos, ku jetojnë e punojnë shumë shqiptarë, me përshtypjet më të mira. Në vizitën e parë që bëra në këtë qytet para dy viteve, ishte muaji maj, që kudo shihje gjelbërim dhe lule të shumta të gjithfarë varieteteve, shtëpi njëra më e bukur se tjetra dhe të shumëllojshme. Por edhe tani në dimër, edhe pse kanë kaluar pakë javë, i kujtoj me kënaqësi dhe ende nuk më janë shlyer mbresat. Pse më ndjekin ende ato emocione? Mos vallë të qenit larg vendit tënd të bën më të ndjeshëm? Edhe këto mund të shtojnë emocionet. Por mendoj se pashë, të paktën në rrethin e njerëzve të mi, një shoqëri të bukur dhe të mirë mes tyre. Më bëri përshtypje, e që e kishin kthyer në traditë: kur ndonjërit i vinin prindërit, miqtë e tyre shkonin për mirëseardhjen e takoheshin, siç më ndodhi edhe mua me mikeshat e mbesës sime: Entela dhe Ilda, apo edhe dreka e këndshme tek shtëpia e Semit.
*Ish-kineaste