Mbyllet tragjedia e Gërdecit, vendimi i Apelit më 4 shkurt

0
197

Sonja Caka

gerdeciUshtarakët kërkojnë pafajësi, avokatët kërkojnë pushimin e gjykimit për ta. Prokuroria kërkoi rëndimin e akuzës për katër nga të pandehurit

 

Më 4 shkurt pritet që në Apel të marrë fund procesi gjyqësor për tragjedinë e Gërdecit, duke u shpallur vendimi për të pandehurit civilë dhe ushtarakë të akuzuar për këtë ngjarje të rëndë. Vendimi do të jepet nga trupi gjykues i kryesuar nga kryetari i kësaj gjykate, gjyqtar Alaudin Malaj, ndërkohë që në seancën e djeshme, pas mbrojtjes së disa prej ushtarakëve, ai deklaroi të mbyllur shqyrtimin gjyqësor. Ndryshe nga kolegët e Shkallës së Parë, gjyqtarët e Apelit e mbyllën në kohë rekord procesin gjyqësor, për shkak se në disa seanca u është lënë fjala vetëm kërkesave të prokurorëve dhe fjalës së fundit të mbrojtjes. Trupit gjykues të Shkallës së Parë u është dashur që për disa vite të administrojnë një numër të konsiderueshëm provash, dëshmish, apo dhe të durojnë mungesat pa shkak të avokatëve.

Mbrojtja

Në pak seanca, njëri pas tjetrit të pandehurit thanë fjalën e tyre të fundit, disa madje duke pretenduar pafajësi dhe duke kërkuar pushimin e gjykimit për ta. Para shpalljes së mbylljes së shqyrtimit gjyqësor nga gjyqtari Malaj, më herët u mbrojtën ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm Luan Hoxha, ish-zëvendësshefi Agim Lala, si dhe ushtarakë të tjerë. Sipas avokatit të Hoxhës, Brahim Lahi, Gjykata e Apelit duhet të pushojë çështjen për klientin e tij, pasi nuk provohet që ai të ketë kryer ndonjë vepër penale. Gjykata e Shkallës së Parë, sipas avokatit Lahi, nuk ka arsyetuar se çfarë detyre apo ligj ka shkelur shefi i Shtabit të Përgjithshëm. Mbrojtja e ish-shefit të Shtabit u bë në mungesë të tij, pasi qysh prej procesit në Shkallën e Parë, ai u largua me familjen drejt SHBA-ve. Ndërkohë që, avokati i gjeneral Agim Lalës theksoi se duhet të lihet në fuqi vendimi i Shkallës së Pare në të cilin Agim Lala deklarohet i pafajshëm. Sipas avokatit të ushtarakut tjetër të pandehur, Zija Bahjes, prokuroria në mënyrë të pajustifikueshme përgjatë këtyre pesë viteve gjykim nuk ja doli mbanë të përcaktojë se kush është kuadri komandues dhe se Zija Bahja nuk ka shkelur asnjë ligj, pasi transportin falas të municioneve e kishte vendosur Qeveria dhe ministritë përkatëse dhe jo Zija Bahja. “Për këtë, – tha avokati, – të lihet në fuqi vendimi i Shkallës së Parë ku gjenerali konsiderohet i pafajshëm”.

Akuza

Në fillim të këtij procesi gjyqësor, në muajin nëntor, dy prokurorët Shkëlqim Hajdari dhe Edmond Hyka u janë referuar provave dhe fakteve mbi të cilat Gjykata e Apelit, sipas tyre, duhet të rrëzojë vendimin e gjyqtarëve Ridvan Hado, Shefkie Demiraj dhe Fatmira Hajdari. Prokurorët u shprehën se Gjykata e Tiranës është treguar kontradiktore dhe se ka gabuar në momentin kur interpreton akuzën e “Vrasjes me dashje”, e cila, sipas kësaj gjykate, nuk është kryer as nga subjekti “Albadamil” dhe as nga të akuzuarit e tjerë. Sipas prokurorëve, Gjykata e Tiranës shprehet në vendimin prej afro 500 faqesh se do të ishte e palogjikshme të thuash se të pandehurit kishin qëllim të vrisnin në një kohë që vetë ata ndodheshin pak minuta para shpërthimit në këtë fabrikë. Lidhur me këtë moment, prokurorët e Apelit mendojnë se të pandehurit me dashje kane përdorur metoda të papërshtatshme për demontimin në Gërdec; me dashje kanë punësuar personel të pakualifikuar dhe po me dashje kanë marrë në punë edhe fëmijë të mitur. Për këto arsye, prokurorët kërkojnë që katër të pandehurit kryesorë, përkatësisht Mihal Delijorgji, Ylli Pinari, Dritan Minxolli dhe Sokol Ngjeçi, të dënohen për veprën penale “Vrasje në rrethana cilësuese”, – ndërsa nuk është shprehur mbi vendimin ndaj ushtarakë dhe civilëve të tjerë të këtij procesi. Gjykata e Tiranes shpalli dhjetë pafajësi dhe dha 99 vite burg në total, si dhe 40 milionë gjobë për të pandehurit e këtij procesi gjyqësor.

Dyshimi

Të pandehurit e cilësuar si përgjegjës të tragjedisë së Gërdecit kanë hedhur dyshime mbi shpërthimin në fabrikën e Gërdecit, duke fajësuar gjykatën dhe organin e akuzës për mos hetim si duhet të këtij momenti. Madje, dy të pandehurit kanë shkuar edhe më tej, teksa kanë akuzuar Prokurorinë se gjatë procesit hetimor nuk kanë kryer eksperimentin për të provuar shkakun e shpërthimit, por u mjaftuan me faktin se ngrohtësia e karrocës së përdorur nga Qemal Deliu, solli shpërthimin e municioneve apo barutit të grumbulluar në fabrikë. Dyshimet e tyre lidhur me shpërthimin, Dritan Minxolli dhe Ylli Pinari e lidhin me tri dëshmi të dhëna në Gjykatën e Shkallës së Parë nga Kadri Meci, Elvira Bisha dhe Fejzo Shehu, përmes të cilave provohet koha e gjatë nga saldimi i karrocës në banesën e Deliut dhe deri në shpërthim, pra që sipas tyre provon ftohjen e karrocës dhe në këtë mënyrë edhe pamundësinë për të qenë shkak i shpërthimit. Nisur nga këto elementë, si dhe përmendja e dëgjimit të një të krisure nga njëri prej dëshmitarëve, dy të pandehurit në mbrojtjen e tyre aludojnë për një shpërthim të ardhur nga një tjetër shkak dhe jo prej ngrohtësisë së karrocës pas saldimit në oborrin e banesës private të Deliut.

Kërkesa

Katër të pandehur kërkuan të dënohen me gjykim të shkurtuar, nëse gjenden fajtorë

Një nga surprizat e fillimit të këtij procesi gjyqësor ka qenë edhe një kërkesë e parashtruar më 26 nëntor nga katër të pandehurit e konsideruar si kryesorë dhe përgjegjës për tragjedinë, të cilët kanë marrë edhe masat më të larta të dënimit. Avokatët e Delijorgjit, Pinarit, Minxollit dhe Ngjeçit kërkuan të merret në konsideratë një vendim i Gjykatës Kushtetuese për një shtetas, lidhur me pranimin e gjykimit të shkurtuar, të mohuar nga shkallët e tjera të gjyqësorit. “Kërkojmë pushimin e gjykimit dhe pafajësi. Por, nëse në fund do të konkludohet se klientët tanë janë fajtorë, atëherë kërkojmë nga gjykata të dënohen në aplikim të gjykimit të shkurtuar, duke iu referuar një vendimi të Gjykatës Kushtetuese”, – janë shprehur para gjykatës avokatët mbrojtës të të pandehurve të cilësuar si fajtorë për tragjedinë e Gërdecit. Sipas avokatëve, ekziston një vendim i Gjykatës Kushtetuese ndaj një të pandehuri, që detyron Gjykatën e Apelit që ta dënojë atë në aplikim të gjykimit të shkurtuar, një kërkesë kjo që i është rrëzuar në shkallët e tjera të gjyqësorit. Avokatët janë shprehur se në fazat e para të gjykimit në Shkallën e Parë, trupi gjykues me një vendim të ndërmjetëm u ka rrëzuar kërkesën për t’u gjykuar me gjykim të shkurtuar, ndonëse çështja zgjidhej në gjendjen që ishin aktet. Prandaj dhe, ata kërkojnë që në rast të shpalljes fajtorë nga Gjykata e Apelit, ndaj tyre të aplikohet ulja e një të tretës së dënimit.

 

Angli

Transferimi i personave të dënuar, ministri Halimi në Londër

Ministri i Drejtësisë, z. Eduard Halimi, pritet të firmosë sot në Londër marrëveshjen për transferimin e personave të dënuar. Kreu i institucionit të drejtësisë ndodhet prej tri ditësh për një vizitë pune në Londër, duke zhvilluar një sërë takimesh të nivelit të lartë. Ndërkohë që sot, z. Halimi do të firmosë me z. Jeremy Wright, ministër për Burgjet e Britanisë, marrëveshjen ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut “Mbi transferimin e personave dënuar”. Një vit më parë, midis dy vendeve tona dhe institucioneve përkatëse, nisën negociatat për nënshkrimin e një marrëveshje bilaterale për detajimin e procedurave të ekstradimit dhe të transferimit të personave të dënuarve midis dy vendeve. Gjatë ditës së djeshme, ministri Halimi është takuar me drejtues të lartë të Bordit të Shërbimit të Provës, Shërbimi Kombëtar i Menaxhimit të të Dënuarve, si dhe drejtorin Ekzekutiv të Burgjeve.