Florenc Drizari
Philip Reeker: Zgjedhjet shqiptare në qershor janë një shans i rëndësishëm për të dëshmuar se vendi ka arritur një nivel tjetër
Zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker, gjatë që zhvilloi një ditë më parë në Bruksel, shprehu keqardhjen e tij që klasa politike shqiptare nuk votoi tri ligjet e integrimit. Philip Reeker e quajti zhgënjyese mosvotimin e ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë, ndërkohë që, sipas tij, vota pro tyre do të ndihmonte Shqipërinë për të marrë statusin e kandidatit. “Është e një rëndësie jetike, jo vetëm për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, siç u nënvizua edhe në konkluzionet e Këshillit dhe në raportin e progresit të Komisionit Evropian, që Shqipëria të vijojë punën në një numër fushash dhe reformash për të konsoliduar demokracinë. Ishte zhgënjyese që nuk qenë të aftë të miratonin disa ligje dhe të ndërmerrnin disa veprime që ishin përcaktuar për të marrë formalisht statusin kandidat”, – deklaroi Philip Reeker. Deklarata e tij u bë gjatë një takimi me mediat në Bruksel, në kuadër të bashkëpunimit dhe koordinimit të politikave të SHBA-së me BE-në për vendet e rajonit të Ballkanit.
Për zgjedhjet
Duke folur për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit,zv.ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker, tha se klasa politike shqiptare ka mundësi për të treguar se di të zhvillojë zgjedhje brenda standardeve demokratike.“Mendoj se edhe më e rëndësishme për perspektivën evropiane të Shqipërisë, madje edhe më thelbësore për vetë të ardhmen e Shqipërisë e të popullit të saj, është që këto zgjedhje të jenë të mira dhe duhet të jenë të lira dhe të ndershme. Ato duhen parë si zgjedhje të lira e të ndershme jo vetëm nga komuniteti ndërkombëtar, por nga vetë populli shqiptar, nga qytetarët shqiptarë, për të cilët organizohen këto zgjedhje. Ata kanë nevojë që të kenë besim tek liderët e tyre e ky do të jetë një sinjal i rëndësishëm për të garantuar se zgjedhjet janë organizuar mirë, janë të lira e të ndershme dhe me standardet që pret çdokush në këtë moment të historisë së Shqipërisë”, – tha Reeker. Sipas tij,zgjedhjet shqiptare në qershor janë një shans i rëndësishëm për të dëshmuar se Shqipëria ka arritur një nivel tjetër, pasi zgjedhjet nuk kanë qenë një prej pikave të forta në historinë e vendit.
Reeker për Kosovën
Në takimin që zhvilloi me gazetarët në Bruksel, Philip Reeker foli edhe për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se është arritur një përparim i jashtëzakonshëm mes dy vendeve për dialog. Ai ka thënë se muajt e ardhshëm do të jenë jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe duhet të shfrytëzohen në mënyrë maksimale, duke përmendur kështu edhe kërkimin e një zgjidhjeje për situatën në veri të Kosovës, dhe shpërbërjen e strukturave paralele. I pyetur për platformën dhe rezolutën e Serbisë për këtë dialog dhe për veriun e Kosovës, Reeker nuk ka dashur të komentojë në mënyrë konkrete, por ka thënë se është me rëndësi se çfarë thotë Bashkimi Evropian dhe ajo që po bëhet në vendimet e BE-së, të cilat bëjnë të qartë se çfarë pritet të ndodhë rregullimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe shpërbërjes së strukturave paralele në veri të Kosovës. Reeker ka thënë se me rëndësi është që Serbia dhe Kosova të jenë të fokusuara dhe të përkushtuara seriozisht për vazhdimin e dialogut.
Takimi me trupin diplomatik, Nishani: Zgjedhjet, politika të marrë përgjegjësitë
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, zhvilloi një takim dje pasdite në mjediset e Presidencës me trupin diplomatik të akredituar në Tiranë. Gjatë fjalës së tij të gjatë kreu i shtetit i shprehu angazhimin e tij përfaqësisë diplomatike për mbështetjen e klasës politike në vend me qëllim përmbushjen e kritereve evropiane, por edhe zhvillimin e zgjedhjeve të pakontestueshme dhe demokratike. “Klasa politike duhet të dëshmojë marrjen përsipër të përgjegjësive. Për këtë kërkoj dhe do mbështes angazhimin e aktorëve për rezultate konkrete. Që nga përmbushja e BE-së për tri ligjet, por edhe për zgjedhjet të liria dhe të pakontestueshme për 23 qershorin”, – theksoi Nishani. Ndërkaq, përfaqësues të lartë ndërkombëtar kanë rritur tonet e deklaratave të tyre duke i bërë thirrje klasës politike shqiptare që të zhvillojë zgjedhje të lira dhe brenda standardeve demokratike.
Sequi: KQZ të mos ndikohet politikisht
Ambasadori i BE-së, Ettore Sequi, gjatë një komunikimi që zhvilloi me gazetarët pas hapjes së seminarit për lirinë e medias, vuri theksin tek rëndësia që ka puna e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në mbarëvajtjen e procesit elektoral për vendin. “Cilësia e zgjedhjeve është çështje tepër e rëndësishme, për këtë arsye është më se e qartë që nuk flasim vetëm për ditën e zgjedhjeve, por edhe për kohën e parapërgatitjes. Mendojmë që përgatitja shkon tek cilësia. Është tepër e qartë që KQZ ka rol një ky në cilësinë e zgjedhjeve. Në fund të vitit të shkuar jam takuar me kryetaren e KQZ-së dhe kam tepër besim në profesionalizmin e tyre”, – tha ambasadori. Sipas ambasadorit Sequi, vendimet në KQZ duhet të merren me konsensusin e të gjithë anëtarëve. Sequi apeloi ndër të tjera që këto vendime të mos jenë të ndikuara politikisht. “Është e qartë që vendimet e KQZ janë tepër me rëndësi për zgjedhjet, vendimet në KQZ kërkojnë edhe konsensus, dhe për rolin e vetë KQZ në këndvështrimin e BE duhet të mos ndikohet nga presionet apo ndërhyrjet politike. Prandaj ne kemi besim që KQZ do të marrë të gjitha masat në mënyrë që të kemi zgjedhje të lira e të ndershme sipas të gjitha standardeve. BE mendon se Shqipëria meriton pikërisht këtë”, – përfundoi ai.
Eduard Halimi: Keqardhje për mosmarrjen e statusit, shkak opozita
Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi i rikthehet akuzave ndaj opozitës lidhur me mosvotimin e tri ligjeve. Gjatë takimit që zhvilloi një ditë më parë me Vassilis Maragos, përgjegjës për Shqipërinë në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit të Komisionit Evropian si dhe me shefin e operacioneve në Delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Brusa, Halimi shprehu tha se shkak për mosmarrjen e statusit të vendit kandidat u bë qëndrimi i opozitës kundër tri ligjeve, draftit për Gjykatën e Lartë, projektligjin për nëpunësin civil dhe rregulloren e parlamentit. “Ministri Halimi e falënderoi, zotin Maragos për kontributin që Komisioni Evropian ka dhënë për integrimin e vendit si dhe shprehu keqardhjen për mos marrjen e statusit për shkak të mosvotimit të ligjit të Gjykatës së Lartë nga ana e opozitës. Halimi theksoi se Ministria e Drejtësisë do të vazhdojë reformat e nisura në drejtësi me qëllim rritjen e eficencës së sistemit gjyqësor”, – thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të ministrisë së Drejtësisë. Më tej ministri e informoi Maragos, rreth hapave që do të ndërmerren për realizimin e reformës në sistemin Gjyqësor; rishikimin dhe përmirësimin e pagave të gjyqtarëve sipas modeleve të BE-së; reformimin e Kodit Civil, ligjit për noterinë dhe Kodit të Procedurës Civile për kalimin e dëshmive të trashëgimisë tek noterët dhe lehtësimin e lëshimit të urdhrave të ekzekutimit; forcimin e politikës penale, nëpërmjet reformimit të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale për ashpërsimin e sanksioneve të veprave penale të dhunës në familje dhe kundër autoriteteve shtetërore, si dhe për zgjerimin e juridiksionit të Gjykatës për Krime të Rënda për veprat e korrupsionit.
Presidenti dekreton dy kandidaturat për kreun e ILDKP-së
Presidenti Nishani dekretoi një ditë më parë emrat e dy kandidatëve për kryetar të ILDKP-së, pasi ky post ka mbetur vakant me largimin e Adriatik Llallës, aktualisht Prokuror i Përgjithshëm. “Zonja Zana Xhuka dhe zoti Shkëlqim Ganaj i propozohen Kuvendit të Shqipërisë për postin e Inspektorit të Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive”, – thuhet në njoftimin e Presidencës. Dy të dekretuarit, Zana Xhuka dhe Shkëlqim Ganaj do t’i kalojnë Kuvendit për miratim. Do të jenë deputetët ata që do zgjedhin me votë se kë prej të dyve do të çojnë në krye të ILDKP-së. “Në mbështetje të nenit 93 të Kushtetutës dhe nenit 11, pika 2, të ligjit nr. 9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar. Dekretoj: Zonja Zana Xhuka dhe zoti Shkëlqim Ganaj i propozohen Kuvendit të Shqipërisë për postin e Inspektorit të Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive”, – shkruhet në dekretin e Presidentit.