Sonja Caka
Mblidhet KLD, Fatri Islamaj zgjidhet kryetar i Gjykatës së Tiranës. Mbledhja, diskutime për transferimet e gjyqtarëve magjistratë
I prerë dhe mjaft i ashpër ndaj sulmit të disa ditëve më parë ndaj një prej togave të zeza të Gjykatës së Shkallës së Parë në Vlorë, kreu i KLD-së e ka quajtur një akt të papranueshëm dhe kriminal këtë sulm. Në fjalën e tij, në fillim të mbledhjes së radhës së Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Presidenti Nishani e cilësoi sulmin ndaj gjyqtares Mirela Mishgjoni një akt të papranueshëm dhe kriminal, duke shprehur besimin e plotë që ky akt kriminal do të zbardhet dhe do të marrë dënimin më të ashpër nga organet e drejtësisë. Kreu i shtetit deklaroi prerë se askush nuk mund të cenojë personalitetin, sigurinë, integritetin, dinjitetin dhe jetën e gjyqtarit të Republikës dhe siguroi se askush nuk do t’i shpëtojë reagimit më të ashpër të organeve të drejtësisë. Duke i uruar shërim të shpejtë gjyqtares Mirela Mishgjoni, Presidenti Nishani shprehu solidaritetin e tij me të gjithë gjyqtarët e vendit duke i garantuar ata për mbështetjen e fuqishme të Kreut të Shtetit në përmbushjen e detyrës. “Jam pranë gjyqtarëve në përmbushjen e misionit të tyre të nderuar, ashtu siç ky Këshill dhe tërë opinioni publik, janë të preokupuar për të pasur një drejtësi të pavarur, një drejtësi profesionale, një drejtësi jashtë ndikimeve të palëve, jashtë akteve korruptive. Por, po me aq forcë, jemi pranë çdo gjyqtari për ta mbështetur fuqishëm atë, në përmbushjen e detyrës dhe misionit të tij. Dhe po aq ngushtësisht, jemi pranë tyre për të ruajtur integritetin dhe sigurinë e tyre. Më lejoni edhe njëherë, që këtë solidaritet t’ia përsërisim gjyqtares Mishgjoni, por edhe të gjithë gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë!”, – nënvizoi Presidenti Nishani.
Mbledhja
Më pas, mbledhja e Këshillit ka vijuar me procedurën e emërimit të kryetarit të ri të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Kandidatë për këtë post ishin kryetari aktual i komanduar, gjyqtari Fatri Islamaj; Brunilda Kadi, edhe kjo gjyqtare pranë kësaj gjykate dhe Petrit Kaja, ky i fundit i rrëzuar si kandidaturë, pasi nuk është në pozicionin e gjyqtarit, aq më tepër pranë kësaj gjykate. Më tej është vijuar me shpalosjen e platformës nga dy kandidatët, Islamaj dhe Kadi para anëtarëve të KLD-së dhe risitë e tyre në mbarëvajtjen e punës në gjykatën më të madhe në vend. Pas këtij momenti, anëtarët kanë votuar emërimin e gjyqtarit Islamaj në këtë pozicion, si numri një i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Mbledhja vijoi më pas me rendin e ditës, ku u diskutua për transferimet e magjistratëve në pozicionet vakante në disa gjykata të vendit. Sipas tyre, vetëm një nga magjistratët do të emërohet gjyqtar në Gjykatën e Tiranës, për shkak të nivelit të lartë në përfundim të Shkollës së Magjistraturës.
Vendimi
Mungoi avokati, shtyhet gjyqi për Ilir Xhaken
Mungesa e avokatit bëri që të dështonte seanca e parë në ngarkim të të pandehurit Ilir Xhakja, i akuzuar për vrasjen e kryekomisarit të Shijakut, Adem Tahiraj. Gjykata e Krimeve të Rënda e gjendur përballë këtyre kushteve vendosi të ndërpresë shqyrtimin gjyqësor të çështjes dhe të shtyjë seancën për në datën 29 janar. Shkak për shtyrjen u bë mungesa e mbrojtësit të të pandehurit, avokatit Andi Duraj, i zgjedhur prej vetë të pandehurit. Pasi u konstatua mungesa e avokatit Duraj, vetë Xhakja ka kërkuar që gjyqi të shtyhet për në një datë tjetër, pasi donte që në seancë të ishte i pranishëm edhe avokati i tij. Meqenëse kjo ishte seanca e parë e këtij gjykimi dhe mbrojtësi mungon për herë të parë, nisur edhe nga fakti që data e seancës gjyqësore është caktuar me vendimin e gjykatës pa u marrë paraprakisht pëlqimi i palëve të këtij gjykimi, gjykata nuk çmoi të bëjë zëvendësimin e mbrojtësit të zgjedhur. Gjykata vendosi të pezullojë edhe afatet e paraburgimit për të pandehurin Xhakja, duke qenë se ka qenë avokati i tij shkaku i shtyrjes së procesit gjyqësor.
Vlorë
Bie nga skela, humb jetën punëtori 41-vjeçar
Një 41-vjeçar, punëtor ndërtimi, ka humbur jetën mesditën e djeshme në qytetin e Vlorës. Ngjarja ka ndodhur në rrugën transballkanike, ku 41-vjeçari Edmond Alushi është rrëzuar aksidentalisht nga skela dhe për pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Sipas burimeve policore, 41-vjeçari Alushi ka qenë duke punuar në një nga pallatet që po ndërtohet pranë kryqëzimit me rrugën trasballkanike, kur ka humbur ekuilibrin dhe ka rënë nga skela, nga ku si pasojë e dëmtimeve të rënda të marra nga përplasja me tokën, ka ndërruar jetë. Ka qenë e menjëhershme ndihma e dhënë nga kolegët e tij, por Edmond Alushi, ka mbërritur në spital pa jetë. Tashmë i është nënshtruar ekspertizës mjekoligjore për të përcaktuar shkaqet e vdekjes, ndërkohë që policia në vendngjarje, sqaron se aksidenti ka ndodhur si pasojë e mungesës së kushteve teknike në kantierin e ndërtimit ku ai po punonte. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkaqeve të vdekjes së 41-vjeçarit, ndërsa ka marrë në pyetje drejtuesit e punimeve të pallatit ku ndodhi ngjarja.
Shkodër
E përplas treni, plagoset rëndë drejtuesi i një automjeti
Tenton të sfidojë shpejtësinë e trenit me automjet, duke tentuar të kalojë shinat. Por, nuk ka mundur dhe është përplasur nga treni. Një aksident i rëndë ka ndodhur pasditen e djeshme në Shkodër. Treni i linjës Tiranë – Shkodër ka përplasur një automjet, duke plagosur rëndë drejtuesin e saj. Nga hetimet paraprake mësohet se automjeti ka hyrë në shinat e trenit për të kaluar rrugën me shpejtësi, por pa mundur dhe për pasojë është aksidentuar nga treni. Si pasojë e përplasjes me trenin ka mbetur i plagosur shoferi i makinës, i cili është transportuar në gjendje të rëndë në spitalin e Shkodrës. Ende nuk ka shumë të dhëna për rrethanat e vërteta të aksidentit, por policia ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes.