Komisioni i Ligjeve Miraton dy kandidaturat për kreun e ILDKP-së, PD: Plotësojnë kriteret. PS abstenon: Janë politike

0
211

Florenc Drizari

ildkpPS kritikon Presidentin në përzgjedhjen e dy kandidaturave për kreun e ILDKP-së

Komisioni Kuvendor i Ligjeve miratoi mes debatesh dy kandidaturat për kreun e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP), ndërsa përfaqësuesit e opozitës abstenuan. Zana Xhuka zv.ministre e Mbrojtjes dhe Shkëlqim Ganaj inspektor në ILDKP, iu propozuan të mërkurën Kuvendit të Shqipërisë për postin e inspektorit të Përgjithshëm të ILDKP-së, nga Presidenti Bujar Nishani, ndërsa dje ata kaluan testin e parë në Komisionin e Ligjeve me votat e mazhorancës. Përzgjedhja për kreun e Inspektoratit do të bëhet ditën e hënë në seancën e pasdites dhe votimi në Kuvend parashikon që dekreti i kreut të shtetit, kalon edhe me shumicë të thjeshtë votash.

Prezantimi i dy kandidaturave të lartpërmendura në Kuvend riktheu edhe debatet e para në komisione mes mazhorancës dhe opozitës. Deklarata e deputetit Fatmir Xhafaj për përzgjedhje politike nga ana e mazhorancës për këtë post solli edhe reagimin e deputetët e të djathtë. Në fjalën e tij, nënkryetari i Komisionit të Ligjeve Fatmir Xhafaj kritikoi Presidentin Nishani për përzgjedhjen e bërë. “Në raport me pritshmëritë, kandidaturat e sjella nuk e ruajnë standardin dhe nuk janë një hap para, përkundrazi. Jo rastësisht bëra një pyetje të natyrës që ka të bëjë me pozicionimin dhe përkatësinë politike për kandidatët, sepse mendoj që kjo është shumë e rëndësishme, kriter bazë që duhet ishte marrë në konsideratë nga Presidenti i Republikës, por edhe në gjykimin që duhet ti bënte ku komision dhe Kuvendi kandidaturave”, – tha Xhafaj. Më tej ai shtoi se funksioni i kryeinspektorit të ILDKP-së ka një rëndësi të veçantë në luftën kundër korrupsionit dhe nuk mund të jetë një përzgjedhje e motivuar politikisht. Por deklarata e tij shkaktoi edhe reagimin e deputetëve të Partisë Demokratike të cilët mbrojtën dy kandidaturat dukë vënë theksin tek kualifikimet profesionale dhe mos përfshirja në organizata politike. Deputeti Tritan Shehu vuri theksin tek zbatimi i procedurave ligjore që po ndiqen në rastin konkret. “Nuk shoh ndonjë arsye për të mos miratuar relacionin e miratuar nga relatori dhe më pas parlamenti do të vendosë. Të dy kandidatët janë serioz dhe nuk kanë elementë negativ në karrierën e tyre profesionale dhe nuk kanë asnjë pengesë për t’u votuar në Kuvend. Të dy kandidatët nuk vijnë nga ndonjë forcë politik dhe ata kanë qenë në administratën shtetërore përpara se të vijë në këto pozicione të larta”, – tha Shehu.

Nga ana e tij, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, tha se metodologjia e ndjekur nga presidenti për përzgjedhjen e kandidaturave nuk është në kompetencën e Komisionit. “Ky komision vlerëson se të dy kandidatët i plotësojnë kriteret e përcaktuara nga ligji për kandidaturat. Debati dhe diskutimi ynë, krejtësisht i natyrshëm, ne përfaqësojmë opinione të ndryshme politike, u përqendrua në metodologjinë e përzgjedhjes nga Presidenti i Republikës. Nuk është objekti i debatit tonë, objekt është vlerësimi i plotësimit të kritereve. E dyta, ne edhe objektivisht nuk kemi mundësi të debatojnë metodologjinë e përzgjedhjes sepse ne na mungon informacioni bazë për këtë metodologji. E lemë debat politik ketë dhe shkojmë me konsensus me propozimin në Kuvend që kandidaturat plotësojnë kriteret”, – deklaroi Ilir Rusmali.

 

Ndarja e mandateve, Rusmali: Të martën në komision. Xhafaj: Zgjidhja, në KQZ

Ndarja e mandateve për Kuvendin e Shqipërisë do të shqyrtohet ditën e martë në Komisionin e Ligjeve. Deklarata e bë dje nga kreu i këtij komisioni, Ilir Rusmali, ndërkohë që nënkryetari Fatmir Xhafaj në një deklaratë për mediat tha se kjo çështje duhet të shkojë për zgjidhje në KQZ. “Ditën e martë, për shkak se jemi të gjithë të përgatitur për çështjen, ne si komision përgjegjës do të marrim në shqyrtim edhe çështjen e mandateve”, – deklaroi Rusmali. Ndërsa deputeti socialist, Fatmir Xhafaj, deklaroi: “Nëse do të ndodhë kjo, do të ishte një akt i rëndë, një precedent shumë negativ dhe një hap tejet negativ me pasoja për procesin e ardhshëm zgjedhor. Ne nuk mund të pajtohemi me një zgjidhje që është në kundërshtim me ligjin”. Sipas sekretarit për çështjet ligjore në selinë rozë, mandatet duhet t’i rikthehen dhe një herë KQZ-së dhe vetëm më pas të kërkohet vota nga deputetët në Parlament. “Në Kuvend mund të votohet me shumicë të thjeshtë por procesi i përzgjedhjes nuk është vullneti i një shumice të thjeshtë dhe nuk duhet të jetë vullneti i një shumice të thjeshtë nëse flasim për zgjedhje të lira e të ndershme”, – deklaroi Xhafaj.

 

 

Zbardhje debatesh, Sula – Fino në Komisionin e Ligjeve

Dashnor Sula: Pa dashur të bëj debat, do të doja t’u rikujtoja kolegëve të opozitës që ka përfunduar njëherë e mirë që në krye të këtyre institucioneve të pavarura kushtetuese në mënyrë absolute nuk janë persona të politizuar, persona të cilët deri dje përpara vitit 2005, kanë qenë në krye të këtyre institucioneve kanë qenë në krye të Partisë Socialiste. Për këtë mund të argumentoj dhe të jap shembuj kuptimplotë, qoftë për Gjykatën Kushtetuese ku gjyqtarë dhe kryetari i saj, kuptohet që vinin nga kryesia e Partisë Socialiste. Mund t’ju rikujtoj për kryetarin e Gjykatës së Lartë dhe anëtarët e Gjykatës së Lartë, të cilët vinin nga kryesia e PS-së, mund t’ju kujtoj Prokurorin e Përgjithshëm përpara vitit 2002, i cili vinte nga një mbështetje e fortë politike e PS-së, pra ka përfunduar njëherë e mirë që në krye të këtyre institucioneve të pavarura kushtetuese të jenë persona me mbështetje politike…
Bashkim Fino:
Ka mbaruar ajo kohë, s’ka mbaruar ajo kohë, po kjo kohë çfarë është?
Dashnor Sula:
Kur të mbaroj fjalën Bashkim, merre.
Bashkim Fino:
Preji fjalën dhe të mos flasi kështu. Të flasi për kandidaturat, s’mund të flasi ai për PS-së. Ore të laj gojën përpara se të flasi për PS-së.
Ilir Rusmali:
Z. Fino!
Dashnor Sula:
Të laj gojën, e kam larë mirë.
Ilir Rusmali:
Të respektojmë kolegun që flet! Ju lutem!
Bashkim Fino:
Jo, mbaj qëndrim ti për atë! Ne nuk fyem njëri.
Dashnor Sula:
Po s’po fyej njeri, o Bashkim! Nuk po fyej njëri.
Ilir Rusmali:
Lëre kolegun të flasë!
Bashkim Fino:
Merru me listën tënde, je apo s’je njëherë. Mos u merr me PS-n ti.
Dashnor Sula:
Me listën time, me çfarë liste e ke?
Ilir Rusmali:
Ju lutem jo diskutime me njëri-tjetrin.
Dashnor Sula:
Më qetë, më qetë të lutem.
Ilir Rusmali:
Z. Fino ju lutem mbani qetësi. Z. Sula ju lutem mbani qetësi. Jo diskutim me z. Fino, me ne diskutimin.
Dashnor Sula:
Po më ndërpret ai. Z. Kryetar unë s’po flas fare, çfarë po flas?
Bashkim Fino:
Ti merresh me PS-në, jo iku ajo kohë, jo erdhi kjo kohë.
Ilir Rusmali:
Z. Fino! Qetësi dhe respektoni kolegun.
Dashnor Sula:
U ngrit një akuzë këtu që në krye të institucioneve po vihen njerëz të politizuar, unë po ju argumentoj që nuk ka persona të politizuar, krejt ndryshe që nga dita e djeshme që ishin në krye njerëz të politizuar. Sot nuk kemi persona të politizuar, qoftë Prokurorin e Përgjithshëm, qoftë inspektoratin e deklarimit të pasurisë, qoftë në Gjykatën e Lartë, qoftë në Gjykatën Kushtetuese. Dhe ju nuk kemi argumente për çfarëdo kandidatura që është paraqitur në krye të këtyre institucioneve ju i keni kundërshtuar pa baza. Këtë po them, nuk po fyej njëri.