Përgatiti Altin Vorpsi
Në një intervistë për “Sky Sport News HD”, Uli Hënes zbuloi disa prej “prapaskenave” që pati kalimi i Pep Guardiolës tek Bajerni
Ajo çka ndodhi pak ditë më parë duket si kurorëzim i një dashurie të vërtetë. Guardiola zgjodhi Bajernin e Mynihut si strehën e tij për tri vitet e ardhshme. Një fakt i tillë duhet të bëjë krenar të tërë. Ishte kjo thirrja që bëri dje presidenti i bavarezëve, Uli Hënes, për mikrofonat e “Sky Sport News HD”: “Tek Bajerni duhet të jenë krenar. Ky është një triumf ndërkombëtar. Fakti që në kemi marrë një trajner të këtyre përmasave na bën krenarë”.
Zgjedhja
Më tej 61-vjeçari tregoi edhe disa detaje të tjera të kësaj marrëveshjeje. Sipas Hënesit, Guardiolës i ka “kushtuar” disi që të stërviste Bajernin: “Besoj se për të ardhur tek ne, i është dashur të heqë dorë nga shumë para, po kjo nuk e bën atë një rast social. Më ka pëlqyer tej mase shumë që kjo nuk ka qenë një çështje primare, e cila mund të pengonte arritjen e dakordsisë”.
Në fund të edicionit
Në fund të fjalës së tij, Hënesi zbuloi edhe një tjetër prapaskenë të Pep Guardiolës. 42-vjeçari, sipas presidentit të Bajernit, ka “studiuar” kohë më parë këtë skuadër: “Unë e di se ai i ka ndjekur të gjitha ndeshjet e Bajernit prej gushtit që shkoi duke i analizuar ato. Kur u takuam, ai mund të më fliste me hollësi për çdo lojtar tonin”. Më tej presidenti i lavdishëm bavarez zbuloi se Pep nuk do të vijë në Mynih para përfundimit të sezonit. Përjashtim këtu bën e shoqja (Kristina Serra) që, sipas tij: “Do të vijë natyrisht të zgjedhë shtëpinë dhe shkollën e fëmijëve”.
Bajerni fiton alla-Pep
Pas pushimeve Bundesliga gjermane është rikthyer me ndeshjet e para për këtë vit, ku Bajerni i Mynihut fitoi 2-0 në fushën e vet përballë miqve modestë të Grojther Fyrthit. Golat për bavarezët e u shënuan që të dy nga kroati Mandzukiç, fillimisht në minutën e 26-të e më pas në të 61-ën. Në këtë takim nga minuta e 69-të e deri në fund gjeti aktivizim edhe futbollisti me origjinë shqiptare Xherdan Shaqiri. Në këtë takim spikati edhe përqindja e mbajtjes së topit nga ana e bavarezëve që në një moment të pjesës së parë preku kuotën e 83%.
Angli
“Qytetarët” u bëjnë presion “djajve”
Dy gola në çdo pjesë nga David Silva i siguruan Mançester Sitit një shëtitje kundër Fulhemit në “Etihad Stadium”. Mesfushori spanjoll e zhbllokoi rezultatin pas vetëm dy minutash, ndërsa në minutën e 69-të mbylli njëherë e mirë llogaritë me londinezët, duke iu afruar në vetëm 4 pikë rivalëve të Junajtidit. Skuadra e Roberto Mançinit dukej e sigurt që nga minuta e parë kundër një skuadre aspak të lehtë në letër, sepse djemtë e Martin Jolit e kishin mundur vetëm 2 herë në 14 përballjet e fundit në Premier Ligë. Shkëndijat e para i dha Edin Xheko, pas një gjuajtjeje nga 25 metra. Topi i pritur nga Shvarcer gjen këmbët e Silvës, i cili lëshon një silurë të pakashëm. Goli i dytë është një perlë më vete, që finalizohet pas kombinimit me Tevezin. Silva shpërdoron dhe tripletën, ndërsa Aguero rikthehet të luajë disa minuta pas dëmtimit muskulor. Ndërkohë, Liverpuli shëron plagët e humbjes me Junajtidin me një uragan ndaj Noruiçit. “Kanarinat” nuk duan t’ia shohin emrin Luis Suarezit, ndërsa uruguaiani ishte edhe një herë tjetër protagonist. Ai u shënoi golin e 7-të në 3 përballjet e fundit (36’), ndërsa dha edhe një dorë në golin e parë të Hendersonit (një kryevepër për nga realizimi 26’). Shkëlqen edhe Starixh, i cili hyn në histori që në ndeshjen e tretë me 18 herë kampionët e Anglisë. Ish-sulmuesi i Çelsit shënon golin e tretë në po kaq ndeshje me fanellën e kuqe (59’). 23-vjeçari u bë lojtari i parë që prej Rei Kenedit (1974) që shënon në të tria ndeshjet e para. Për të vulosur rezultatin mendon Xherard (66’) dhe autogol i Benet (74’).
Spanjë
Barça “prezantohet” me humbjen
U desh nisja e ndeshjeve të fazës së dytë të La Ligës që të shihnim humbjen e parë të Barcelonës se Tito Vilanovës. Katalanasit u mposhtën 3-2 në transfertë nga skuadra e Real Sociedadit. Mesi kaloi që në minutën e 7 në epërsi skuadrën e tij, ndërsa Pedro dyfishoi në minutën e 25-të. Deri këtu u duk e thjeshtë për Barcelonën, por goli i Kastros në minutën e 41-të për vendasit ishte paralajmërimi i parë për katalanasit. Rinisja e takimit gjen Barcelonën sërish në sulm, por ndëshkimi me kartonin e dytë të verdhë për Pikenë ndihmoi vendasit që gjejnë golin e barazimit falë një gafe të kombinuar mes Maskeranos dhe portierit Valdes. Minutat kalojnë dhe atëherë kur dukej se takimi do të përfundonte në barazim 2-2, vendasit tronditin kryesuesen e La Ligas. Agerritxe gjen rrjetën në sekondat e fundit të takimit dhe thyen pathyeshmërinë e Barcelonës, që gjithë fazën e parë të kampionatit e mbylli me 18 fitore dhe vetëm 1 barazim. Pas kësaj humbjeje, Barcelona vazhdon të mbetet në kuotën e 55 pikëve, ndërkohë që vendi i dytë është Atletiko e Madridit me 11 pikë më pak, distancë kjo që mund të shkurtohet, në qoftë se madrilenët fitojnë sot në takimin ndaj Levantes.
Australi
Del Piero bën “poker”
Sidnej FC poshtëroi me rezultatin tenistik 7-1 Uellingtonin dhe protagonisti absolut i takimit ishte Alesandro del Piero, ish-kapiteni i Juventusit, që shënoi plot 4 herë në portën kundërshtare. Në 19 vite karrierë tek bardhezinjtë, Aleksi nuk kishte mundur asnjëherë të shënonte katër gola në një ndeshje të vetme, edhe pse iu afrua 9 herë kësaj mundësie, pasi 9 janë ndeshjet ku Del Piero ka shënuar nga 3 gola për Juventusin. “Në fund mora topin në shtëpi, siç ndodh gjithmonë për atë që shënon tre gola në një ndeshje. Unë shënova +1”, – shkroi në profilin e tij në rrjetin social “Twitter”, ish-kapiteni bardhezi.
Pas kësaj fitoreje, Sidnej FC braktis zonën e ftohtë të A-League, duke u ngjitur në vendin e shtatë me 20 pikë, 15 pikë larg kryesuesve të Sentral Kostit.