Gëzim Saliu
Kryesia do të diskutojë sot lidhur me strategjinë e fushatës për parlamentaret e 23 qershorit
Partia Socialiste mbledh ditën e sotme kryesinë e saj, në fokus të së cilës do të jenë zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit. Si një ndër forumet më të larta në selinë rozë, kryesia e PS-së do të diskutojë sot lidhur me katër pika që kanë të bëjnë me organizimin e strukturave për këto zgjedhje. Si një ndër pikat më të rëndësishme të kësaj strategjie, e cila pritet të diskutohet gjerësisht në mbledhjen e sotme të kryesisë, do të jetë fushata e Partisë Socialiste për parlamentaret e qershorit. Së bashku me të, anëtarët e kryesisë do të diskutojnë gjithashtu edhe lidhur me identifikimin e votuesve dhe monitorimin e përgatitjes së zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Strategjia
Në mbledhjen e sotme të kryesisë pritet që anëtarët e saj të shqyrtojnë detajet teknike të strategjisë elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit si edhe të përcaktojnë detyrat për strukturat e partisë. Këto të fundit pritet të jenë në qendër të diskutimit të anëtarëve të kryesisë, të cilët do të përcaktojnë edhe strategjinë që do të ndiqet në secilin qark. Në mbledhjen e kaluar të Asamblesë, ku u miratua strategjia elektorale e cila mori konsensusin më parë në Asamblenë Kombëtare, kryesia e PS-së vendosi që secili qark i vendit të ketë një shtab elektoral të vetin, i cili do të përpilojë një strategji të caktuar, bazuar gjithmonë në parimet e strategjisë kombëtare. Ndërkohë lidhur me fushatën, kryesia vendosi ngritjen e një grupi pune me drejtuesit më të lartë të Partisë Socialiste, të cilët do të monitorojnë fushatën. Grupi i punës, i cili përbëhet nga kryetari i Asamblesë Kombëtare Gramoz Ruçi, sekretari për koordinimin Fatmir Xhafa, sekretari organizativ Blendi Klosi si dhe sekretari për pushtetin vendor Bashkim Fino, ka në bazë të punës së tij koordinimin e veprimeve nga qendra deri në bazë. Detajet e ecurisë së deritanishme dhe të strategjisë së mëtejshme pritet të diskutohen gjerësisht në mbledhjen e sotme të kryesisë. Ndërkohë, rreth dy muaj më parë, PS mblodhi Asamblenë Kombëtare, ku u miratua strategjia elektorale, e cila ka si bosht të saj ekonominë, arsimimin, shëndetësinë dhe në tërësi vizionin qeverisës që pritet të ofrojnë socialistët për zgjedhjet e 23 qershorit. Në Asamble, kreu socialist Edi Rama ka kërkuar angazhimin e të gjithë anëtarëve të Asamblesë dhe drejtuesve të PS në rrethe për të nisur takimet me qytetarët derë më derë në funksion të prezantimit të programit të Partisë Socialiste. Të njëjtin thirrje Rama ua ka drejtuar edhe kryetarëve të bashkive dhe komunave që qeverisen nga përfaqësues të opozitës, për të nisur fushatën e prezantimit të programit me qytetarët. Gjithashtu, kryesocialisti ka shprehur besueshmëri për krijimin e një koalicioni të gjerë për zgjedhjet e qershorit, duke bërë të ditur se në ditët e javët në vijim, PS do të nisë kontaktet me partitë e majta dhe ato të djathta. Për këto të fundit kreu socialist ka bërë një ftesë të drejtpërdrejt, ftesë e cila është refuzuar nga kreu i FRD-së, Bamir Topi, dhe ai i AKZ-së, Kreshnik Spahiu. Sipas edhe asaj që është miratuar si platformë elektorale e PS-së, identifikimi i zgjedhësve, ruajtja e votës dhe shtimi i radhëve të koalicionit opozitar, përbëjnë boshtin kryesor të strategjisë së socialistëve për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 23 qershorit.
Reforma parlamentare, peng i fjalës “kryesore”, PS: Pa u hequr, s’e votojmë
Reforma parlamentare mbetet ende një çështje ngërçi mes palëve politike në vend. Pika kryesore për të cilat, PD dhe PS nuk kanë gjetur konsensusin mes tyre, mbetet koha e fjalës në parlament të kreut të opozitës. Bashkëkryetari i grupit të punës për rregulloren e Kuvendit, Namik Dokle deklaroi dje se kundërshtia e socialistëve qëndron tek një ndër nënpikat e variantit të demokratëve, i cili parashikon se kreu i opozitës në parlament ka të drejtë të marrë fjalën, vetëm pas fjalës kryesore të Kryeministrit. Sipas Dokles, nocioni fjalë kryesore është vendosur qëllimisht nga demokratët, për të përcaktuar në mënyrë arbitrare se kur do reagoje kryetari i opozitës në parlament. “Pasi ranë poshtë përrallat për kufizim e barazi të kohës atëherë shpiku një fjalë. Pas fjalës kryesore i jepet fjala kryetarit të opozitës. Shtohet fjala kryesore që do të thotë se ai ka të drejtën apo Kryeparlamentarja ka të drejtë të përcaktojnë se cila është fjala kryesore e kryeministrit. Një kryeministër kur vjen në Parlament nuk vjen për të treguar përralla apo thashetheme port ë mbajë një fjalë kryesore”, – tha ai për “Ora News”. Në këtë kontekst, deputeti socialist bëri të ditur se nëse nuk ndryshon propozimi i selisë blu, socialistët nuk do të japin votën e tyre për një ndër tre reformat e domosdoshme për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE. “Pikërisht kjo e pengon reformën parlamentarë. Pa hequr dorë nga kjo fjalë ne nuk heqim dorë nga qëndrimi ynë”, – theksoi bashkëkryetari i grupit të punës për ndryshimin e rregullores së kuvendit Namik Dokle.
Marrëveshje për mandatet, PS: KQZ të paraqesë propozim
Çështja e shpërndarjes së mandateve mund të marrë konsensusin e palëve politike në kuvend, por më parë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të paraqesë një propozim konkret. Kështu shprehet nënkryetari socialist për çështjet ligjore në PS, Bledi Çuçi, duke theksuar nga ana tjetër se PS nuk do të pranojë versionin e shpërndarjes së mandateve të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të vitit 2009. “Nuk është marrëveshje politike në qoftë se ai arrihet me vendim në Kuvend, por le t’ia lëmë kuvendit të shprehet për këtë gjë. Unë them që procedura ligjore ashtu siç e lexoj unë dhe si lexon shumica e juristëve është e tillë. Ka një institucion propozues dhe ka dhe një institucion miratues. Në këtë rast Kodi e përcakton qartë që institucioni propozues është KQZ-ja dhe miratuesi është Kuvendi”, – u shpreh Çuçi për “AS”. Më tej, ai theksoi se drafti i diskutuar më parë në KQZ, ku sipas së cilit hiqeshin dy mandate përkatësisht në Berat dhe Korçë, dhe i shtoheshin qarkut Tiranë e Durrës, mund të merret në shqyrtim si draft vetëm në rastin kur dy anëtarët e KQZ përfaqësues të opozitës pajisen me informacionin e kërkuar për lëvizjet e popullsisë në Kukës. “Ka pasur një tentativë për të marr vendim për shpërndarjen e mandateve, e cila është pezulluar pasi dy anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me të drejtën ligjore kërkuan informacione shtesë për disa pasaktësi në lidhje me qarkun e Kukësit dhe është refuzuar që të jepet ky informacion nga Ministria e Brendshme dhe këtu ka mbetur. KQZ duhet ta rimarr këtë çështje dhe duhet t’i japë drejtim”, – deklaroi nënkryetari socialist për çështjet ligjore në PS, Bledi Çuçi. Ditën e martë pritet që në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve në rend dite të jetë pikërisht vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. “Ditën e martë, për shkak se jemi të gjithë të përgatitur për çështjen, ne si komision përgjegjës do të marrim në shqyrtim edhe çështjen e mandateve”, – deklaroi kreu i Komisionit të Ligjeve Ilir Rusmali.