Elton Qyno
Pronari i një lokali qëllohet pas shpine me dy plumba, autorët largohen me shpejtësi me motor
Ngjarja, në tregun ushqimor të lagjes “Zdrale”. Kujtim Vajushi ishte dënuar me 5 vite burg
Pronari i një lokali në Shkodër është qëlluar për vdekje me dy plumba, teksa ecte në trotuar. Dy persona me motor, të cilët në kokë mbanin skafandra, i janë afruar shumë afër 46-vjeçarit Kujtim Vajushi, duke e qëlluar atë dy herë me pistoletë dhe më pas janë larguar me shpejtësi, duke mos u arrestuar deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme nga ana e policisë së qytetit. Vrasja ka ndodhur në orët e mëngjesit në mes të tregut që ndodhet në lagjen “Zdrale”. Shumë tregtarë panë momentin e vrasjes së 46-vjeçarit, por që në fakt asnjëri prej tyre nuk mundi të njihte autorët, pasi dy personat që ndodheshin në motor, mbanin në kokë skafandër. Dëshmitarët i thanë policisë vetëm disa karakteristika të personave që qëlluan me armë, duke u përshkuar veshjen dhe gjatësinë e tyre. Lidhur me këtë ngjarje të rëndë aktualisht policia po heton në dy drejtime kryesore si ajo e hasmërisë dhe të një sherri të disa ditëve më parë që ka pasur viktima në lokalin e tij në Shkodër. Policia bën me dije se Kujtim Vajushi njihej si person me precedentë penalë dhe se në vitin 2002 është arrestuar nga blutë e qytetit, pasi ka vrarë aksidentalisht 13-vjeçaren Jetmira Molla, teksa ajo ishte duke kaluar në rrugën përballë radio “Shkodrës”. Vrasja e minorenes erdhi si rezultat i një përplasjeje me armë mes Kujtim Vajushit dhe shtetasit Mir Kopçiu, ku nga të shtënat mbeti e vdekur në vend 13-vjeçarja Molla. Sipas policisë, hasmëria e familjarëve të 13-vjeçares së vrarë mbetet një ndër pistat e hetimit, megjithëse prej disa kohësh nuk ka pasur asnjë konflikt mes dy familjeve.
Vrasja në mëngjes
Në orën 09:20,46-vjeçari Vajushi sapo kishte zbritur nga makina e tij dhe ishte duke u drejtuar në disa dyqane ushqimore të tregut në lagjen “Zdrale” për të bërë disa furnizime për lokalin e tij. Mirëpo teksa ka ecur disa metra në brendësi të tregut, dy persona të cilët mendohet se e kanë survejuar prej disa ditësh, i janë afruar me një motor të vogël, dhe njëri prej tyre ka hapur zjarr dy herë. Goditja është bërë nga prapa, në momentin kur biznesmeni ishte duke parë disa artikuj ushqimorë. Njëri nga plumba i ka hyrë në kokë, ndërsa tjetri në shpatull, gjë e cila i ka sjellë dhe vdekjen e menjëhershme në mes të trotuarit. Policia bën me dije se vrasja është bërë në ecje e sipër dhe se autorët nuk kanë ndaluar fare, duke mos i lënë dhe personave të pranishëm në tregun ushqimor, të shikojnë ndonjë karakteristikë identifikuese. Duke përfituar dhe nga një fesë shi që ishte duke rënë në ato momente, dy autorët janë larguar, pa arritur të lokalizohen dhe arrestohen në kohë nga ana e policisë së Shkodrës. Tregtarët kanë qenë ata që kanë tentuar t’i japin ndihmën e parë 46-vjeçarit, por që në fakt nuk kanë mundur t’i shpëtojnë jetën atij, pasi një plumb i kishte hyrë në kokë dhe për pasojë i shkaktoi hemorragji të menjëhershme të gjakut në tru. Lidhur me këtë vrasje është njoftuar dhe policia e Shkodrës, ku specialistë të sektorit të vrasjeve kanë mbërritur në vendngjarje, duke kryer veprimet hetimore, me qëllim zbardhjen e shkaqeve dhe autorëve të kësaj vrasje. Në vendngjarje policia sekuestroi vetëm dy gëzhoja pistolete, të cilat tashmë i ka dërguar në laboratorin kriminalistik për ekzaminim.
Hetimet në dy pista
Pas marrjes në pyetje të dhjetëra tregtarëve dhe disa prej familjarëve të viktimës, policia e Shkodrës ka nisur hetimet ndaj vrasjes së 46-vjeçarit Kujtim Vajushi në dy pista kryesore si ajo e hakmarrjes dhe e një sherri të çastit të ndodhur mes viktimës dhe disa personave të tjerë disa ditë më parë. Policia sqaron se viktima njihet si person me precedentë penalë, pasi në vitin 2002 është arrestuar si autor i vrasjes në mënyrë aksidentale të një vajze 13-vjeçare në Shkodër. Nisur nga kjo situatë, mendohet se familjarët e 13-vjeçares Jetmira Molla, mund të kenë organizuar një hakmarrje të mundshme ndaj autorit të vrasjes së vajzës së tyre, megjithëse Vajushi ishte shpallur nga gjykata fajtor, duke u dënuar me vetëm 5 vite burg. Gjatë ditës së djeshme në Drejtorinë e Policisë së Shkodrës janë shoqëruar disa persona të familjes së minorenes së vrarë, por gjatë dëshmisë së tyre të dhënë në polici ata kanë treguar se prej disa vitesh nuk kanë pasur konflikte me 46-vjeçarin, duke hedhur poshtë autorësinë e vrasjes së Vajushit. Shoqërime janë bërë edhe në disa banesa të tjera në Shkodër, ku pasi janë pyetur dhjetëra persona, ata janë lënë sërish të lirë. Të shoqëruar në polici kanë qenë edhe personat e tjerë me të cilët ka pasur debat 46-vjeçari disa ditë më parë, të cilët gjatë marrjes në pyetje, kanë mohuar të jenë autorë të vrasjes.
Familjarët: S’kemi më besim tek drejtësia
21 Janari, policia merr masa për
tubimin homazh të opozitës në bulevard
Sot shënohet përvjetori i dytë i 21 Janarit, ditës së vrasjes së katër personave në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Ziver Vezi, Faik Myrtaj, Aleks Nikaj dhe Hekuran Deda u qëlluan për vdekje, teksa ishin duke demonstruar përpara Kryeministrisë. Lidhur me përkujtimin e katër viktimave nga ana e Partisë Socialiste, gjatë ditës së sotme, policia e Tiranës ka marrë një sërë masash, me qëllim garantimin e sigurisë së tubimit paqësor në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Tubimi do të nisë nga sheshi “Austria”, pranë Partisë Socialiste, dhe deri tek Kryeministria, aty ku në 21 janar të vitit 2011, u ekzekutuan me armë zjarri katër shtetasit e mësipërm. Policia bën me dije se tubimi do të zgjasë deri në orën 14:00 dhe se gjatë kësaj periudhe, disa nga rrugët në Tiranë do të jenë të bllokuara, me qëllim zhvillimin e tubimit paqësor, ku në vendet ku mbetën të vrarë katër demonstruesit, do të vendosen buqeta me lule. Ndërkohë, mësohet se në tubim do të jenë dhe familjarë të viktimave të 21 Janarit, të cilët do të marrin pjesë në tubimin homazh që do të organizohet nga Partia Socialiste. Gjatë ditës së djeshme, familjarët e viktimave janë shprehur se nuk kanë më besim tek drejtësia, e cila, sipas tyre, ka venitur çdo shpresë të vetme për dënimin e fajtorëve kryesorë të vrasjes së të afërmve në demonstratën e 21 Janarit.
Vidhnin bagëti e i shisnin tek kasapët, pesë në pranga
Pesë persona janë arrestuar nga policia e Tiranës si autorë të vjedhjes së dhjetëra bagëtive në fshatra të ndryshme të kryeqytetit. Pesë të ndaluarit, sipas policisë, janë autorë të disa vjedhjeve të njëpasnjëshme dhe se në të gjitha rastet bagëtitë, pasi i vidhnin, i shisnin në kasapët e ndryshëm në Tiranë dhe Kamëz. Të arrestuarit e operacionit policor të koduar “Kasapi” janë shtetasit Sokol Pergjegaj, 22vjeç nga Laçi; Simon Pergjegaj, 18 vjeç nga Laçi; Agron Cana, 21 vjeç, nga Zall-Herri; A. Vata, 17 vjeç, banues në lagjen Çekrezë, Tiranë; dhe Mikel Bregu nga Kamza. Këta shtetas janë kapur në flagrancë përgjatë momenteve të vjedhjes së banesës në pronësi të një shtetasi e ndodhur në Kamëz, Tiranë. Hetimet në ngarkim të tyre kanë filluar afro 6 muaj më parë, nga ku është konkluduar se këta shtetas, në kohë e vende të ndryshme, duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin, janë implikuar tërësisht në një sërë vjedhje banesash dhe bagëtish në zonën Kamëz, Valias, Bërxullë, Laknas, Babrru, Zall-Herr, Paskuqan, Sauk, Farkë, Bërzhitë, Petrelë, Tiranë, si dhe një sërë vjedhjesh të ndodhura në qytetin e Krujës, të Laçit dhe të Kurbinit. Në cilësinë e provës materiale këtyre shtetasve iu sekuestruan një sërë aparaturash, të cilat shërbenin për vjedhjen e banesave, po ashtu u sekuestruan edhe dy automjete tip furgon me targa TR 0341 K dhe TR 8795 R si dhe armë të ftohtë thikë e të tjera pajisje. U kryen të gjitha veprimet e duhura procedurale dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për hetime të mëtejshme për veprën penale të “Vjedhjes në bashkëpunim” e parashikuar nga neni 134/2 i K. Penal.
Aksidenti, vdes kryefamiljari, rëndë djali dhe nëna
Një aksident me pasojë vdekjen e një personi dhe plagosjen e dy të tjerëve ka ndodhur rreth orës 17:00 në aksin rrugor Fier – Patos. Automjeti tip “Mercedes-Benz”, me targa FR 0879 D, që drejtohej nga Bledar Resuli, 32 vjeç, ka dalë nga rruga për shkak të lagështirës dhe shpejtësisë tej normave të lejuara duke u përplasur me dy kolona betoni. Si pasojë ka gjetur vdekjen babai i Bledarit, Refati, 67 vjeç, dhe është plagosur rëndë nëna e tij, Leonora. Trupat janë dërguar nga kalimtarët në spitalin rajonal të Fierit. Sipas bluzave të bardha, mësohet se Refati ndërroi jetë gjatë rrugës për në spital, ndërsa shoferi i makinës dhe nëna e tij janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Familja po shkonte në Patos tek të afërmit për vizitë. Gjatë ecjes, Bledar Resuli ka humbur kontrollin e mjetit, duke bërë që makina të përplasej me shumë forcë në një beton që ndodhej buzë rrugës, dhe për pasojë ka sjellë dëmtimin e shumtë të kabinës. Lidhur me këtë aksident të rëndë në vendngjarje kanë shkuar efektivat e Policisë Rrugore të Fierit, të cilët kanë bërë matjet e nevojshme me qëllim përcaktimin e shkakut të saktë të këtij aksidenti. Ndërkohë, në vendngjarje është sekuestruar mjeti i aksidentuar, i cili do t’i nënshtrohet një ekspertize teknike, për të mësuar nëse sistemi i drejtimit të makinës ka qenë në rregull ose jo. Sipas policisë, dy të plagosur ende vijojnë të qëndrojnë në urgjencën e Fierit, në gjendje të rëndë shëndetësore.