CEZ: ERE vendosi shpronësim kundër standardeve ndërkombëtare dhe ligjeve shqiptare

0
178

“Nuk mund të kuptohet se si ERE vendos të shpronësojë asetet dhe të drejtat e aksionerit të shumicës të një kompanie në kushtet e ekonomisë së tregut”

 

Grupi CEZ në Pragë ka deklaruar dje zyrtarisht me anë të zëdhënëses së tij Barbora Pulpanova se e konsideron vendimin e marrë nga Enti Rregullator i Energjisë në Shqipëri për të hequr licencën e shpërndarjes së energjisë elektrike dhe caktimin e një administratori shtetëror si një veprim në kundërshtim, jo vetëm me standardet ndërkombëtare, por edhe me vetë ligjet në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ndaj këtij veprimi, që, sipas CEZ Group, ERE nuk duhej ta kishte marrë e vetme, kompania çeke mendon të ndërmarrë hapa ligjorë ndërkombëtarë, që do të përbëjnë fillimin e një procesi arbitrazhi.

Nuk mund të kuptohet se si ERE vendos të shpronësojë asetet dhe të drejtat e aksionerit të shumicës të një kompanie në kushtet e ekonomisë së tregut, theksoi Pulpanova.

Enti Rregullator i Energjisë (ERE) vendosi dje unanimisht për heqjen e licencës për furnizimin me energji elektrike dhe shpërndarjen e saj për konsumatorin, kompanisë çeke CEZ Shpërndarje. ERE po ashtu i kërkoi Këshillit të Ministrave të procedojë për shpronësimin e aseteve të kompanisë çeke CEZ. Bordi i ERE-s njëkohësisht miratoi me 4 vota pro dhe 1 kundër edhe Sahit Dollapin si administrator të Operatorit të Shpërndarjes së energjisë elektrike.

 

Vendimi
Kompania çeke CEZ kishte 76% të aksioneve ndërsa 24% i kishte qeveria shqiptare. CEZ u largua pasi nuk përmbushi kushtet e kontratës për importin e furnizmin me energji të konsumatorëve si dhe uljen e humbjeve.
Më herët në nisje të mbledhje së bordit, Kryetari i Entit, Sokol Ramadani, bëri të ditur se për shkak të mos kryerjes së funksionit bazë të kompanisë CEZ që ka të bëjë me importin e energjisë elektrike për furnizimin e qytetarëve, do të shqyrtohet heqja e licencës operatorit të shpërndarjes. “Në shtator, CEZ shtyu importin e energjisë, që në fakt ishte detyre e kësaj kompanie”, – tha Ramadani. Sipas tij, megjithëse u bënë përpjekje me Sekretariatin e Energjisë për gjetjen e një zgjidhjeje, CEZ nuk kishte ndër mend që të kryente funksionet e tij. “CEZ madje na bëri të ditur në shkresa se mund të mos furnizonte qytetarët me energji”, – tha Ramadani.
Drejtorja e Licencave në ERE, Erjola Sadushi, prezantoi edhe raportin e përgatitur nga ERE për aktivitetin e CEZ-it. Sipas këtij raporti, ekzistojnë akte ligjore në fuqi për rregullimin e tregut të energjisë, ku një prej më të rëndësishmëve është ai për furnizimin pa ndërprerje me energji. Sipas Sadushit, me këtë privatizim shteti kishte si qëllim gjetjen e një investitori strategjik, që të menaxhonte në mënyrë eficiente sistemin, ndërkohë që pas privatizimit u miratua dhe deklarata rregullatore. Në bazë të kësaj të fundit CEZ duhet të ulte humbjet, duhet të bëhej një studim për borxhet e këqija për vitet 2008, 2009 dhe 2010 si dhe kompania duhet të paraqiste planin e investimeve. Drejtori Juridik në ERE, Eduart Elezi tha se Enti ka të drejtë që të heqë licencën, kur CEZ nuk respekton kontratën, duke përmendur se importi i energjisë për të mbuluar humbjet ishte kusht i kontratës.
Kjo mbledhje vjen në zbatim të nenit 7 të ligjit nr. 9072, datë 22.5.2003, “Për sektorin e energjisë elektrike”; Rregullores për Organizimin dhe Funksionimin e Brendshëm të ERE-s dhe Rregullave të praktikës dhe procedurave të ERE-s.
Kompania çeke CEZ e filloi administrimin zyrtarisht të shpërndarjen e energjisë elektrike në Shqipëri më 30 mars 2009.

 

Problemet ligjore

 

Problemi që del në këtë mes është se, sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nuk parashikohet shtetëzimi i një prone, përveçse me pagesë. Asetet e CEZ-it i janë blerë nga kjo kompani shtetit shqiptar dhe vetëm nëpërmjet kësaj rruge mund të ndryshohet pronësia.

Nga ana tjetër, për kompaninë CEZ nuk parashikohet mundësia ligjore e një falimenti, pasi kjo përjashtohet në rastin e subjekteve që operojnë në sektorët me rëndësi strategjike.

Por, veç këtyre, çdo veprim, që është shkaktuar kryesisht si pasojë e paaftësisë së ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës në marrëdhënie me këtë kompani të madhe ndërkombëtare investitorësh të huaj, po ashtu si të paaftësisë së ERE-së për të menaxhuar situatën, do të kishte dhe një faturë të kripur financiare.

Nga ana tjetër, tingëllon shumë e vështirë për t’u besuar që ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe Enti Rregullator i Energjisë i shkuan deri në fund tentativave të dëmshme për të larguar një nga investitorët më të mëdhenj evropianë, që kanë shkelur deri tani në tokën shqiptare. Por, problemet, në këtë mënyrë zgjidhjeje, vetëm sa kanë filluar dhe janë shumë larg mbarimit.

 

 

Nis afishimi publik i regjistrimit të pasurive të paluajtshme për qytetin e Lezhës

Në rast se gjatë kësaj faze konstatohen mangësi në informacionin e afishuar, atëherë pronari, si dhe personat që kanë interesa të tjera mbi pasurinë, duhet të bëjë plotësimet e nevojshme dhe t’i paraqesë vetë ato

 

Qeveria shqiptare ka iniciuar Projektin e Administrimit dhe Menaxhimit të Tokës (LAMP-A2.2/TS/FR/ICB-01). Si pjesë e këtij projekti, në Shqipëri po ndërtohet Sistemi i Ri i Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme bazuar në ligjin nr. 33/2012, i datës 21.3.2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”. Baza e këtij sistemi krijohet nëpërmjet procedurës së Regjistrimit Fillestar të Pasurive të Paluajtshme nën drejtimin e kryeregjistruesit të Shqipërisë.

Në vijim të ndërtimit të Sistemit të Ri të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZQRPP) njofton se ka filluar Afishimi Publik i Regjistrimit Fillestar të Pasurive të Paluajtshme për Zonën Kadastrale nr. 8631, Lezhë. Ky afishim bëhet respektivisht në territorin e Zonës Kadastrale nr. 8631, saktësisht në adresën, lagjja “Skënderbeg”, te Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZVRPP ) Kati i I, Lezhë.

Periudha e Afishimit Publik do të vazhdojë 45 ditë kalendarike.

Të gjitha subjektet private dhe shtetërore që kanë të drejta pronësie, ose të drejta të tjera reale mbi pasuritë e paluajtshme në Zonën Kadastrale Nr. 8631, janë të ftuar të verifikojnë Regjistrimin Fillestar të pasurive të tyre.

Në këtë fazë të këtij procesi, është e rëndësishme bashkëpunimi i ngushtë i të gjithë personave, që kanë të drejtë mbi pasurinë, me ekspertët, duke verifikuar të dhënat në listat e afishuara.

Në rast se gjatë kësaj faze konstatohen mangësi në informacionin e afishuar, atëherë pronari, si dhe personat që kanë interesa të tjera mbi pasurinë, duhet të bëjë plotësimet e nevojshme dhe t’i paraqesë vetë ato, brenda afatit të afishimit publik, në ambientin e afishimit, pranë specialistëve të ngarkuar me këtë detyrë te Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Lezhë.

Të gjitha pretendimet do të shqyrtohen dhe do të paraqiten në listat e afishuara brenda periudhës së Afishimit Publik.

Procesi i Regjistrimit Fillestar është FALAS për të gjithë pronarët dhe personat që kanë të drejta mbi pasuritë e paluajtshme.

 

 

Transporti detar në ekspansion, 3.5 mln tonë mallra kaluan më 2012 nga porti Durrës

Mbi 3.5 milion tonë mallra janë përpunuar gjatë vitit të kaluar në portin detar të Durrësit, ndërsa statistikat dëshmojnë një rritje të eksporteve nga porti me anije, porti më i madh i vendit. Burime zyrtare nga drejtoria e Autoritetit Portual, bënë të ditur se gjatë vitit 2012 ka pasur një rritje prej mbi 41 mijë ton mallra të përpunuara, dhe kjo rritje i detyrohet kryesisht mallrave të eksportit. Burimet bënë me dije se gjatë vitit të kaluar janë përpunuar afro 1,35 milion tonë produkte vendase, të cilat janë nisur më pas me anije në vendet e tjera të Evropës. Anijet e specializuara kanë transportuar afro 88 mijë kontejnerë me rreth 1.2 milion ton mallra gjithsej, nga të cilat 45 për qind i përkasin eksporteve drejt vendeve të tjera të Mesdheut e më gjerë.

Tragetet gjatë vitit të kaluar kanë kryer 1290 lundrime dhe përveç 800 mijë udhëtarëve kanë transportuar afro 700 mijë ton mallra, që kanë vijuar më pas “udhëtimin” drejt destinacioneve të fundit me kamionë dhe trajlera.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency