S’i pagoi rrogën dhe sigurimet Zv.ambasadori padit ministrinë

0
192

Elton Qyno

xhevatiXhevat Mustafa, ish-zv.ambasadori në Kosovë, akuzon ministrinë për mospagim për 5 vjet të siguracioneve

 

Ish-zv.ambasadori ynë në Kosovë ka paditur në Gjykatën e Tiranës Ministrinë e Punëve të Jashtme, me pretendimin se kjo e fundit nuk i ka paguar pagën mujore, kontributet shoqërore dhe shëndetësore, gjatë kohës së shërbimit pranë zyrës diplomatike të shtetit shqiptar në Kosovë. Xhevat Mustafa i është drejtuar me një padi civile Gjykatës së Tiranës, duke kërkuar detyrimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të paguajë të gjitha shumat financiare, si kontribute shëndetësore, gjatë periudhës 5-vjeçare që ai ka shërbyer në Ambasadën Shqiptare në Prishtinë. Në padinë e tij, ish-zv.ambasadori thekson se janë rreth 5 vjet që nuk janë paguar dhe nisur nga legjislacioni shqiptar, për marrëdhëniet me punën, një gjë e tillë është e kundërligjshme dhe abuzive. Nisur nga kjo situatë në datën 16 janar, Xhevat Musatafa i është drejtuar sekretarisë së Gjykatës së Tiranës, duke dorëzuar në të padinë civile, e cila pas hedhjes së shortit elektronik tashmë i ka rënë gjyqtares Majlinda Doga për shqyrtim gjyqësor. Pritet që shumë shpejt përballja mes tij dhe Ministrisë së Jashtme të bëhet në Gjykatën e Tiranës, ku rreth muajit shkurt është parashikuar seanca e parë e kësaj padie civile.

Objekti i padisë

Në padinë që mban numrin 8159 të depozituar rreth një javë më parë, kërkohet vetëm pagimi i detyrimeve financiare, lidhur me kontributet shëndetësore dhe shoqërore për një periudhë 5-vjeçare. Sipas padisë, janë katër momente kur Ministria e Punëve të Jashtme nuk i ka paguar kontributet shoqërore zv.ambasadorit njëherësh dhe këshilltarit në Ambasadën Shqiptare në Kosovë. Në objektin e padisë thuhet se kërkohet detyrimi i të paditurit MPJ për pagimin e shumës së kontributeve shoqërore dhe shëndetësore të papaguar prej tij në periudhën 13 gusht 1994, gjithsej 5 muaj. Detyrimin e të paditurit MPJ për pagimin e shumës së kontributeve shoqërore dhe shëndetësore, të papaguar prej tij në periudhën 1 prill deri në 31 dhjetor 1996, gjithsej 9 muaj. Detyrimin e të paditurit MPJ për pagimin e shumës së pagës mujore dhe të kontributeve shoqërore dhe shëndetësore të pa paguar prej tij në periudhën 1 gusht 31 dhjetor 2010, gjithsej 5 muaj, kur paditësi u mbajt në listë pritje pa pagesë, në pritje për emërim të ri, pas kthimit nga Kosova, me përfundimin e mandatit 4-vjeçar në detyrën e këshilltarit dhe zv.ambasadorit. Detyrimin e të paditurit MPJ për pagimin e shumës së kontributeve shoqërore dhe shëndetësor të papaguar prej tij për periudhën 1 korrik 2006 deri në 31 qershor 2010 gjithsej 4 vjet, në nenin 46 të ligjit për shërbimin e jashtëm diplomatik. Veç të tjerash në kërkesë padinë, Xhevat Mustafa kërkon nga gjykata dhënien e vendimit me ekzekutim të menjëhershëm.

Mospagimi i pagës mujore

Institucioni i diplomacisë shqiptare ka shkuar edhe më tej, ku veç mbajtjes së lekëve të kontributeve shoqërore dhe shëndetësore, ka vendosur të mos e paguajë për një periudhë 5-mujorë diplomatin shqiptar Xhevat Mustava. Sipas padisë së këtij të fundit, një gjë e tillë është bërë në kohën kur Mustafa ka qenë në listën e pritjes për ta emëruar diku tjetër në ndonjë zyrë diplomatike. Qëndrimi në listë mësohet se ka zgjatur rreth 5 muaj me radhë dhe se nisur nga kjo situatë asnjë pagesë në këtë kohë nuk është derdhur në llogarinë bankare të diplomatit shqiptar që kishte shërbyer në Kosovë. Nisur nga kjo situatë, ai ka vendosur t’i hyjë rrugës ligjore, me qëllim përfitimin e të ardhurave financiare, që duhet të paguheshin nga Ministria e Punëve të Jashtme gjatë kohës kur Mustafa ka qenë në shërbimin diplomatik.

 

 

Ngjarja në autostradë

Zjarri shkrumbon magazinën e tregtimit të automjeteve

Një zjarr i madh ka rënë në një biznes makinash në autostradën Tiranë-Durrës. Në vendngjarje kanë shkuar tre mjete zjarrfikëse dhe forca të shumta policie. Pas shuarjes së flakëve është konstatuar se nuk ka të lënduar në njerëz ndërkohë që dëmet përllogariten të mëdha. Ka nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e shkaqeve të rënies së flakëve ndërkohë që nga veprimet e para mësohet se shkak është bërë një shkëndije elektrike. Zjarri është përhapur me shpejtësi në të gjithë magazinën ku tregtoheshin automjete dhe pjesë këmbimi të makinave, gjë e cila solli dëmtimin e një pjesë të madhe të tyre. Shërbime të repartit zjarrfikës kanë shkuar me shpejtësi në vendngjarje duke luftuar për disa minuta me radhë me flakët. Të ndihmuar dhe nga reshjet e shiut të stuhishme që filluan në ato momente, zjarrfikësit kanë mundur të shuajnë në kohë flakët, por pa mundur të shmangin dot dëmet që sollën në ambientin e brendshëm të magazinës ku tregtoheshin automjetet e një marke shumë të njohur. Sipas shërbimeve zjarrfikëse, shkak i rënies së flakëve është bërë një furnelë e cila nga qëndrimi i gjatë në prizë ka provokuar dhe shkëndijat elektrike, duke bërë që ambienti të përfshihet nga flakët e zjarirt. Lidhur me këtë ngjarje pritet ekspertiza e fundit që do të kryhet në ditët në vijim nga specialistët zjarrfikës.

 

 

I sëmuri mendor i vë zjarrin kishës, arrestohet nga policia e Fierit

Një 33-vjeçar është arrestuar nga policia e Fierit, pasi i ka vënë zjarrin kishës katolike. Klaudio Lamaj, banor i këtij qyteti, është arrestuar në flagrancë, pasi ka djegur rreth orës 16:30 sallën ku zhvillohej mesha në kishën katolike në lagjen “1 Maji” në Fier. Sipas policisë, Lamaj dyshohet se është me çrregullime mendore. Ndaj tij rëndon akuza e “Shkatërrimit të pronës me zjarr”. Burime pranë policisë thanë për gazetën “Standard” se 33-vjeçari është paraqitur pasditen e djeshme në kishë dhe ka filluar të ndezë qirinj. Mirëpo gjatë këtij veprimi, Lamaj ka shkuar edhe më tej duke u vënë zjarrin disa prej ikonave, perdeve të dritareve dhe tavolinave. Nisur nga kjo situatë, punonjësit e shërbimit të kishës kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve, ndërkohë që është bërë dhe neutralizimi i zjarrvënësit. Lidhur me këtë ngjarje, shërbyesit e kishës kanë njoftuar strukturat policisë rreth zjarrvënies të qëllimshme, të cilat pas marrjes së njoftimit kanë shkuar me shpejtësi në drejtim të kishës. Uniformat blu kanë bërë arrestimin dhe shoqërimin e 33-vjeçarit në ambientet e komisariatit, ndërkohë që kanë bërë dhe verifikimin e dëmeve të shkaktuar nga zjarri i qëllimshëm i vendosur nga Klaudio Lamaj. Në pyetje janë marrë punonjësit e kishës, ndërkohë që materialet hetimore lidhur me këtë ngjarje i kanë kaluar Prokurorisë së Fierit për hetime të mëtejshme. Pritet që në ditën në vijim prokuroria të kërkojë ekspertimin psikik të të arrestuarit, me qëllim mësimin nëse ai është përgjegjës ose jo për veprimet që kryen.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency