Elfried Jelinek
Pjesë e shkëputur nga romani “Dashnorët”, përkthyer nga Afrim Koçi, shtëpia botuese “Skanderbeg books”
tani pra, dashuria është këtu, ka ardhur për të satën herë, mirëpo jeta më e mirë ende nuk ka filluar për paulën. koha kur, më së fundi, do të vinte jeta dhe zhvillimi në këtë gjendje të dëshpëruar. paula nuk mund gjithsesi të gëzojë siç duhet dashurinë e saj të madhe, sepse i duhet të ngrihet që në orën 5 dhe t’i përgatisë mëngjesin babait. paula e di se një dashuri e madhe, kërkon kohë për t’u rritur dhe për t’u bërë më e madhe. paula nuk ka kohë. në të njëjtën kohë mëmëpaula, me krehrin e barit në sup, ngjitet në livadhin e malit për të mbarështruar pasurinë e saj të vogël. mëma vështron pareshtur mbretërinë e saj, prej një sinori të pasurisë grarore në tjetrën. nëna zgjat kokën sa në njërën anë, në tjetrën, në kërkim të shkelësve ilegalë të sinorit.
mëma vështron pareshtur nga njëri cep i mbretërisë së saj, në cepin tjetër, gjithnjë tutje-tëhu dhe gëzohet ndërkaq. që ka një mbretëri grarore. të tjerë, mbase, kanë edhe më shumë, të tjerë janë, mbase, marangozë, elektricistë, karpentierë, muratorë, orëndre-qës, kasapë! apo shitës mishi të tymosur. por ama, gjithçka në familje është e shëndetshme. kur mëma ka pasur një ditë të keqe, ajo mendon se gruaja e mishshitësit, fjala yjen, ka një mbretëri të saj grarore, por mbase edhe një shitore të vetën mishi të tymosur. atëherë nëna ia ngjesh krehërin e mprehtë nipit franc, ulërima dhe qarja e francit e ngushëllojnë nënën nga inati që gruaja e shitësit të mishit të tymosur ka dy mbretëri grarore, një si shtëpiake dhe një si shitëse mishi. ulërima e francit e kthen mëmën përsëri në thelb të çështjes, pikërisht, të faktit se ajo vetë i ka të gjitha ç’mund të dëshirojë një grua. dhe të gjithë janë të shëndetshëm. u harrua gruaja e shitësit të mishit të tymosur. franci merret me të mirë. çfarë mund të dëshirojë më tepër mëma? asgjë. mëmëpaula nuk mund të dëshirojë më tepër, sepse ajo e ka konsumuar tashmë fatin e saj, pa arritur ndërkaq asgjë prej tij.
duke qenë pra, se mëmëpaula nuk mund të dëshirojë më, sepse tashmë është tepër vonë, ajo është e lumtur pa dëshira.
e lumtur pa dëshira, mëma shkon në fushë. ajo mban vesh brenda vetes nëse jehon ndonjë këngë, apo nëse këndon ndonjë bors, por gjithçka që dëgjon aty brenda është vetëm kanceri që po e bren dhe po e gërryen. kundër kancerit mëma nuk përdor dot as alkoolin si kundërhelm. kanceri ka parë mishra edhe më të bukur nga ky baqth i shkatërruar, i cili gjatë viteve të gjata të martesës, ka parë e përjetuar jo pak. pa folur pastaj për seancat ulur galiç përmbi ujët e valuar për të dështuar. atë që zoti doktor nuk duhej ta shihte, ka mbetur tani pre e kësaj sëmundjeje të rrezikshme vdekjeprurëse. a thua se gjatë jetës kishte kursyer edhe pikat më të vogla të energjisë për t’u mbytur dhe për t’u shkretuar tani me ngadalë dhe me dhimbje.
për kë, fundi fundit, e shpartalloi babi këtë baqth? për sëmundjen. sëmundja po korr atë që mund të korret. por edhe shumë nuk ka mbetur.
prej kohësh mëma ka lexuar shumë për këtë sëmundje tinëzare nëpër revistat e fundjavës, por tani frika e pushton me një forcë të veçantë. edhe pse ajo e di që frika vetëm i përkeqëson gjërat dhe duhet ruajtur baraspeshimi, atë e zë një panik i frikshëm dhe e humbet plotësisht baraspeshimin.
një ditë paula kishte thënë se do të shkonte te gjinekologu për të marrë një recetë për pilula po të arrinte puna deri aty, që të mos kishte shumë fëmijë. dosë, i kishte thënë atëherë e ëma, ta lesh burrin e huaj të bëjë ç’të dojë me plaçkën tënde. përsa kohë jeton në mbretërinë e saj paula, nuk do ta bëjë këtë.
paula është e qetë, sepse së shpejti ajo nuk do të jetojë më në mbretërinë e së ëmës, por në mbretërinë e vet. mirëpo erihu nuk po e vë fare ujët në zjarr. rrobaqepësia po e nervozon dhe po e shqetëson me të vërtetë tani paulën. rruga për vendin ku është zonja mësuese, është tashme vetëm shmangie nga erihu. paula mezi pret deri të vijë koha për t’u kthyer në shtëpi. mëkat që ne nuk mund të kemi të dhëna për eksperimentin paula. paula dëshiron të tërhiqet në jetën private. mirupafshim, paula, në një rrafsh të rehatshëm dhe më tepër privat! me t’u kthyer nga mësimi i rrobaqepësisë, paula vesh fustanin e saj të kuq më të mirë dhe lëshohet përpjetë malit, drejt erihut. atje lart paula do të kapet si një
bumerang, para se të jetë mbushur mirë me frymë nga vrapi, do të kthehet mbrapsht, një shkelm në bythë dhe vajza nxiton tashmë” drejt shtëpisë së vet.
paula vrapon malit përpjetë, rrotullohet rreth boshtit të saj dhe vrik përsëri tatëpjetë, si një detektor zjarri. si të thuash, më kot.
atje lart komandojnë nëna e erihut dhe gjyshja e erihut. vendimet e vërteta i merr burri i vetëm në shtëpi, njerku i erihut, një ish-nëpunës dhe ato nuk mund të thonë shumë
gjëra kur vjen punë për hesapin e madh. astma, njerku, se kështu i thërrasin, sepse është astmatik, i vë në lëvizje të dyja gratë sharabajka, dhe kjo i sjell gëzim.
për astmën është gëzim. për të dyja gratë është një gëzim më i vogël, por, sidoqoftë, gëzim. ai e bën këtë në një mënyrë të përpiktë, në një mënyrë nëpunësi.
ai e bën këtë pa fjalë fare, vetëm me personalitetin e tij. pensionisti i sëmurë astmë, rri si një breshkë në strofullën e tij dhe kërkon për të ngrënë, për të pirë dhe për të parë
televizor. me gërhitje të shëmtuara, astma qëndron si një makth i lig përmbi gjithçka.
astma i ka absolutisht të gjitha nën kontroll, siç kishte pasur dikur nën kontroll segmentin e tij të vogël, por të rëndësishëm të hekurudhave federale. shpesh astma rrëfen për këto kohë dhe atëherë mbretëron një heshtje e nderë. ndërkohë që astma, i ndërprerë nga gërhitjet, rrëfen më se miri ngjarje të pabesueshme, por të vërteta, nga jeta e tij hekurudhore, nënokja pastron dhe kërret brenda tij dhe jashtë tij, prej tij dhe nën të, dhe ky është një qejf i madh. qejfin nënokja ka vite që nuk e shijon më.
qejfin që nënokja e pati shijuar herë-herë më parë, asaj iu desh ta paguajë shtrenjtë, me një tufë fëmijësh. nga qejfi, sidoqoftë, erdhi një lumturi e vazhdueshme, një lumturi që nuk qe edhe aq e gëzueshme, por, sidoqoftë, e vazhdueshme: lumturia e atij që ka fëmijë.
astma i shijon plot gaz përkujdesjet, si një pulë livornoje.
astma do të dëshironte që nënokja ta fshinte nga mendja çdo kujtim të gëzimeve të shkuara. më tepër atij do t’i pëlqente të shihte se si ajo gërryen me thonj pisllëkun
nga dyshemeja. mirëpo, mjerisht, vetëm vdekja e nënokes do të mund të fshinte gjithçka të papastër që ajo pati bërë. astma e trajtoi me rreptësi gruan e tij të lajthitur shumë shpesh në të kaluarën. astma dhe e shoqja janë tashmë në rragën e duhur, ata janë tashmë me një këmbë në varr. ja, edhe pako gjë!
astma sodit atmosferën malore paqësore të së shoqes gjatë punës. kofsha e sëmurë e nënokes proteston, duke kërkëllitur ndaj këtij trajtimi të vrazhdë. por kjo nuk e
ndihmon. dikush duhet ta bëjë atë punë, dhe ky dikush, është nënokja. mirënjohja e ndihmon. mirënjohja shtrydh për të një pece të lagur. kësaj i gëzohet reumatizma e kyçeve. nënokja është si një kavanoz bosh fasulesh, apo si një çantë e zbrazur pazari, prej së cilës janë nxjerrë prej kohësh të gjitha gjërat. si një çantë që, për më tepër, edhe është shpuar. paula ngjitet ndërkohë malit përpjetë.
kur autobusi i postës i bie borisë, kjo është një shenjë për nënën e erihut se paula u kthye nga puna. ajo pret tashmë lart, nënokja, aha, tani paula do të veshë të brendshme të pastra, tani ajo do të krehë ato dy fije flokësh ngjyrëmiu, tani do të marrë të kuqtë e buzës dhe tani do të veshë këpucët plastike, të lira vërtet, por të bukura. tani edhe çantëzën, doemos të bardhë, që të shkojë me të tjerat. tani: marsh! te erihu.
tani vihet edhe nënokja në lëvizje, me ngadalë, doemos, pa ngutje, kjo është deviza për sot. ja tek del edhe paula që pas kthesës, shkumëzon kundër plakës, me inat dhe mllef. kur është fjala për burrë, atëherë lëviz, kur është fjala për punë, ngec. mendon nënokja me hidhërim dhe plot urrejtje.
paula vrapon drejt nënokes së erihut, siç fluturon zogu drejt xhamit të dritares, drejt një muri betoni dhe efekti është i njëjti: më tej nuk shkohet.
prapaktheu. teposhtë, në drejtim të kundërt dhe pakëz më e gjallë, të lutem.
nënokja thotë se paula nuk ka se ç’kërkon aty. Ndërkohë që paula ka lënë zemrën aty!
nënokja dëshiron që erihu të kujdeset për lopën e vetme që jep qumësht për kafenë e babit dhe përveç kësaj, t’i japë edhe derrit për të pirë. nënokja ka tuberkuloz në kockë, çka është një fat i keq që erihu duhet t’ia lehtësojë. për jetën që ka bërë, nënokja meritonte diçka më të keqe se tbc-ja, por megjithatë mori një nëpunës për burrë. Paula meriton diçka edhe më të keqe, që edhe ajo do ta marrë. erihu përdoret për punët e rënda, por edhe për të imëtat, përsa kohë që i mjafton truri për këtë.
mirëdita, kam ardhur te erihu, mund të cicërojë paula, por jo më shumë. që nuk ka turp, nuk ka, të rendë pas erihut. erihu është prona e saj gjithëprodhuese. tani, si një kafshë-lodër “e çkurdisur, paula zbret sërish tatëpjetë malit dhe çdo hap e largon gjithnjë e më tepër nga qëllimi i saj, erihu.
kur nuk punon, nëna qëndron gjithmonë duke parë pareshtur nga dritarja rrugën e rrëpirtë malore. kur nuk punon, edhe paula qëndron gjithmonë në fund të malit dhe vështron duke u dridhur rrugën e rrëpirtë lart. edhe gjyshja rri në pozicion vëzhgimi në dhomën e saj, gjyshja është kaq e vjetër, sa tani ajo është më e durueshme dhe plotësisht e humbur pa të bijën dhe astmën, dhëndrin bijëmbajtës. ekzistenca e gjyshes varet në një fill mëndafshi, sepse një gojë më shumë, është një gojë më tepër në kushtet kur astma i ha i vetëm thuajse të tëra. gjyshja dhe nënokja vigjilojnë me turne, që askush të mos e marrë erihun e tyre. astmën, sidoqoftë. nuk ua merr njeri, ai do t’u mbetet përherë. tani jo vetëm, që secili urren secilin, por tani të gjithë së bashku e me një unitet të mrekullueshëm, urrejnë paulën, e cila mund të dhurojë vetëm dashuri dhe veten e saj. çka është pak.
paula, me siguri, do të shfrytëzonte fuqinë punëtore të erihut për qëllimet e saj të ndyra, për një shtëpizë, për fëmiçka, për nja dy fëmijë dhe një makinë. të mirat që paula do të kishte prej erihut, nuk do të shlyheshin aspak nga druri që erihu do t’i jepte paulës. druri nuk e balancon kurrë paranë, paraja peshon gjithmonë më rëndë së druri. paula, përkundër, mund të dhurojë vetëm vetveten dhe dashurinë e saj. çka është pak.