Vrasja e 21-vjeçarit në Fier pranga shokut, e mori me motor

0
225

Elton Qyno

priftiPolicia e Fierit arreston Genti Shahinajn si të dyshuar. Andi Prifti do të takonte të dashurën

 

Andi Prifti, studenti i Juridikut i vrarë dy ditë më parë në Fier, ka qenë duke shkuar për të takuar të dashurën e tij në qytetin e Fierit. Një copë rrugë ai është parë ta ketë bërë me shtetasin 25-vjeçar Genti Shahinaj, të cilët së bashku janë parë të hipur në një motor në pronësi të Shahinajt. Sipas policisë, ky ka qenë personi i fundit që ka takuar, 21-vjeçari Andi Prifti dhe nisur nga kjo situatë, uniformat blu të urdhëruar dhe nga prokuroria e Fierit, kanë bërë arrestimin e 25-vjeçarit gjatë orës 19:30 të pasdites së djeshme. Së bashku me të janë shoqëruar edhe katër persona të tjerë, të cilët pasi janë marrë në pyetje kanë treguar se viktimën e kishin parë duke ecur në rrugë në orët e mbrëmjes me shtetasin Genti Shahinaj. Mirëpo ky i fundit gjatë marrjes në pyetje ka kundërshtuar dëshmitë e tyre, duke ngritur një alibi se 21-vjeçarin e kishte marrë në motor, pasi një gjë të tillë ia kishte kërkuar vetë ai, duke e lënë në një vend, ku vetë viktima i kishte kërkuar të ndalonte. Fill pas kësaj, 25-vjeçari ka treguar në polici se është larguar në drejtim të banesës së tij, ndërkohë që nga verifikimet e bëra nga ana e policisë, ka rezultuar se ai nuk ka qenë në shtëpi, por jashtë saj.

Takimi me të dashurën

Fitimi i shumës financiare prej 600 mijë lekë të vjetra nëpërmjet një skedine sportive, ka bërë që këtë sukses 21-vjeçari ta ndajë edhe më të dashurën e tij, në qytetin e Fierit. Thirrjet e fundit të numrit të 21-vjeçarit janë bërë në drejtim të telefonit të së dashurës së tij, emri i të cilës nuk jepet nga ana e policisë së Fierit. Dy të rinjtë kanë vendosur të takohen, ku mendohet se Andi Prifti mund t’i jepte dhe një pjesë të parave të fituara në loto të dashurës së tij. Një takim të tillë e ka aprovuar dhe ajo, ku gjatë marrjes në pyetje në polici ka treguar se Andi Prifti i ka kërkuar që të dilte nga banesa me qëllim që të takoheshin, pasi kishte fituar një skedinë sportive me shumën 600 mijë lekë. Vetë ajo ka pohuar se e ka pritur për disa minuta me radhë, por i dashuri i saj nuk ka bërë asnjë sinjal për mbërritjen e tij. Nisur nga kjo situatë, ajo e ka telefonuar disa herë madje dhe i ka dërguar mesazhe, por që në fakt s’ka arritur të marrë një përgjigje nga Andi Prifti.

Rrëzimi i alibisë

Fakti që 21-vjeçari nuk është takuar me të dashurën e tij si dhe fakti që ai momentet e fundit të jetës është parë mbi motorin e shtetasit 25-vjeçar Genti Shahinaj, ka ngritur dyshime të forta mbi pozicionin e tij. Rrëzimi i alibisë se Shahinaj ka qenë në shtëpi si dhe dhënia e deklaratave kontradiktore në polici kanë bërë që uniformat blu të bëjnë arrestimin e tij. Ndalimi i Shahinajt është bërë në kuadër të operacionit të koduar “Kulla e Ujit”, duke marrë shkak edhe nga vendi ku u gjet trupi i pajetë i 21-vjeçarit Prifti. Ndaj tij është ngritur akuza e “Vrasjes me paramendim” për motive të dobëta. Ndërkohë që për sa i përket grabitjes së parave, policia e Fierit nuk ka ngritur asnjë akuzë ndaj 25-vjeçarit Shahinaj, i cili është djali i vetëm i familjes Shahinaj që banon në Sheq.

 

Droga në Kakavijë

Bllokohen 10 kg, në kërkim autori i krimit

Policia kufitare e Kakavijës ka sekuestruar një sasi prej 10 kg lëndë narkotike e llojit kanabis në një prej autobusëve të linjës Gjirokastër-Athinë. Droga ka qenë në një valixhe të një prej pasagjerëve, i identifikuar si Klemend Buxja, nga fshati Asim Zeneli në Gjirokastër. Ai e kishte mbështjellë kanabisin e ndarë në pako me rrobat e tij personale. Menjëherë sapo ka pikasur gjetjen e drogës ai është larguar me shpejtësi në drejtim të kufirit jeshil. Policia shqiptare në bashkëpunim me atë greke vijojnë ndjekjen e poseduesit të drogës. Ndërkohë që ndaj tij është ngritur akuza e trafikut tënarkotikëve të mbetur në tentativë, dhe se materialet hetimore i kanë kaluar prokurorisë së Krimeve të Rënda.

 

Takimi Llalla-Leskaj

Dy drejtuesit, bashkëpunim kundër korrupsionit

Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, priti në një takim të veçantë kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, ku diskutuan mbi prioritetet e përbashkëta të dy institucioneve për luftën kundër korrupsionit dhe veprave të tjera penale që lidhen me ushtrimin e detyrave nga funksionarët publikë. Kryeprokurori Llalla garantoi kreun e KLSH-së se organi i prokurorisë do të ndjekë me vëmendje çdo rast të referuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, si dhe do të bashkëpunojnë ngushtësisht për të ndjekur dhe vendosur para përgjegjësisë ligjore çdo zyrtar që abuzon me pushtetin publik. Nga ana e tij, Kryetari i KLSH, Leskaj shprehu gatishmërinë e institucionit që drejton për koordinim të vazhdueshëm me organin e prokurorisë për të luftuar bashkërisht korrupsionin në administratën shtetërore