Kolaboracionisti, tradhtar apo atdhetar?

Abedin Preza

 

atdhetarEdhe tradhtar, edhe atdhetar, por përcaktimin nëse është tradhtar apo atdhetar, nuk mund ta japin kundërshtarët politikë apo historianët e brumosur me nji ideologji të caktuar, por vetëm studimi i hollësishëm dhe objektiv i të gjithë veprimtarisë tij.

Kur një vend i vogël si i yni pushtohet, nga nji shtet i fuqishëm, përpara popullit të pushtuar që fillon të vuaj rrjedhojat e zgjedhës, lind pyetja: Ç’duhet bërë? Dikush pranon të bëhet shërbyes i pushtuesit për hir të interesave të tij t’ulta; të tjerë, kapin armët dhe fillojnë kryengritjen duke sakrifikuar jetën e tyne për lirimin e vendit; dikush tjetër, pranon të njollosë emrin e tij për hir të interesave të larta të vendit duke u futur në strofkën e ujqërve, vendos pra të bashkëpunojë me armikun për të krijuar mundësinë e dialogimit me pushtuesin mbrenda strofkës tij, si një nga mjetet e dobishme, nga përdorimi i të cilit, mund të arrihet, në rrethanat e vështira ku gjindet vendi, shmangja e shumë veprimeve që drejtohen kundër interesave të popullit dhe të shpëtohet ajo që mund të shpëtohet. Gjatë historisë sonë, për të liruar vendin nga pushtimi i të huajve, kanë qenë të shumta kryengritjet e armatosura, sepse kurrë populli ynë nuk e ka kursyer gjakun e tij për lirinë, por edhe bashkëpunimi me mençuri i të parëve tanë të urtë me pushtuesin, duke vënë si qëllim të bashkëpunimit interesat e larta kombëtare, është pranuar në kohra të ndryshme dhe, në sajë të këtij kombinimi të luftës dhe bashkëpunimit me pushtuesin, ne arritëm të kemi sot Shqipërinë e pavarur.

Në historinë e vendit tonë gjejmë kolaboracionistë tradhtarë dhe atdhetarë.

Ballaban Pasha, shqiptari që arriti, në sajë të aftësive të veta dhe besnikërisë që tregoi ndaj Sulltanit, të bëhet pasha i njohur i perandorisë turke dhe armik i vendit tij. Esat Pasha që Shqipërinë e konsideronte si nji çiflik të tij dhe ia shiste kujtdo, mjafton që të plotsonte ambicjet e tij personale. Por nga ana tjetër shkëlqen figura e Skënderbeut, e heroit të pashoq që, ndonse si Ballaban Pasha, arriti të bëhej pasha i perandorisë turke, ndryshe nga ai, porsa e ndjeu veten të fortë në sajë të karizmës që kishte fituar si pasha i sulltanit, i shpalli luftë perandorisë turke dhe shkrojti atë histori aq të lavdishme sa rrallë mund të gjendet në historitë e vendeve të tjera.

A do tarrinte Skënderbeu të bënte nji gjë të tillë sikur ai mos t’kishte pranuar të bashkëpunonte me sulltanin, por të vazhdonte jetën e nji turku të thjeshtë ashtu si bënë vëllezërit tij? Kurrë.

S’po përmendim emra të tjerë, që nuk janë të pakët, se do të zgjateshim shumë, por po kalojmë tek Ismail Qemali, babai i kombit tonë.

Ismail Qemali, ati i pavarësisë sonë që për shumë vjet kishte mbuluar poste të larta në perandorinë turke, edhe ai, si Skënderbeu i madh, kur erdhi koha iu vu punës shumë të vështirë të përgatitjes së kushteve dhe të shpallte pavarësinë e vendit tonë. A do të mundëte Ismail Qemali të na sillte këtë ditë të shenjtë, sikur ma parë mos t’kishte fituar famën dhe autoritetin e një politikani t’urtë dhe të sukseshëm duke i shërbyer perandorisë turke? Kurrë.

Viti 1939, solli pushtimin e vendit tonë nga Italia fashiste, e cila shpalli bashkimin e Shqipërisë me Italinë dhe Viktor Emanuelin si mbret të Shqipërisë.

Viti 1941 bie në skenën politike dy personazhe që do të luanin nji rol të madh në historinë tonë: Enver Hoxhën me një të kaluar plot pikëpyetje, që në krye të një partie komuniste do të sundonte si diktator i plotfuqishëm deri në vdekjen e tij dhe Mustafa Krujën, firmuesin e aktit të shpalljes së pavarësisë me 1912, i cili, si kryeministër qëndroi në fuqi nga dhjetori i vitit 1941 deri në janar të vitit 1943. Në ditarin e tij, Konti Çano, ministër i jashtëm i atëhershëm i Italisë, shkruante se kishte qenë kundër emrimit të tij, sepse sipas të dhënava që kishte ai, Mustafa Kruja ishte nji atdhetar i paepur. Dhe Mustafa Kruja, shumë shpejt e tregoi atdhedashurinë e tij. Porsa erdhi në fuqi, i bashkoi Shqipërisë Plavën dhe Gucinë dhe pastroi flamurin tonë kombëtar nga sëpatat e liktorit që regjimi fashist ia kishte vënë në dy krahët shqiponjës dykrenare. Protestoi atëhere fuqishëm dhe vazhdimisht rinia e jonë në sheshe dhe shkolla, por flamuri ynë vazhdonte të valëvitej gjithnji me dy njollat fashiste. U desh ardhja e Mustafa Krujës si kryeministër që ta lironte shkabën dy krenare nga njollat e fashizmit. Kurse Enver Hoxha, si vasal i jugosllavëve, heq dorë nga Kosova dhe njollos përsëri flamurin tonë, këtë herë me yllin, simbolin e diktaturës komuniste.

Në vitin 1942, Mustafa Krujës iu bë një atentat. U plagos lehtë. Për këtë atentat nuk u dënua asnjë se, atentatorët, sipas shërbimit sekret të kohës, ishin bashkuar me çetat partizane.

Kur e pyetën Mustafa Krujën pse nuk u dënua asnji, ai u përgjigj se nuk mund të pranonte kurrsesi të vriste shqiptarë të pafajshëm vetëm e vetëm për të kënaqur ndjenjën e tij t’hakmarrjes.

Ç’do t’bënte Enver Hoxha po t’ishte bërë një atentat kundër tij? Sigurisht gjysma e Shqipërisë do vritej, do burgosej dhe do të internohej. Për vrasjen e Bardhok Bibës, Mehmet Shehu i thotë Mëhill Bibës, tatit të Bardhokut, se do ta merrnin hakun shumë shpejt dhe se kishin përgatitur nji listë prej 100 burrash për t’i pushkatuar. Por Mëhill Biba, si mirditor i ndershëm dhe shqiptar i vërtetë, i thotë Mehmet Shehut që t’i linte të qetë mirditorët se ishin shqiptarë të mirë dhe të ndershëm dhe n’se donte të hakmerrej, të shkonte në mal dhe të merrte hakun atje, sepse atje ishin vrasësit e vërtetë. Megjithëse i ati i Bardhokut nuk pranoi që të vriteshin mirditorët e pafajshëm për të marrë hakun e të birit, Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu urdhëruan ekzekutimin e 14 mirditorëve të pafajshëm.

Po në kohën kur Mustafa Kruja ishte kryeministër, 300 familje hebreje kishin hyrë në Kosovë për t’i shpëtuar persekutimit nazist. Për qenien e këtyre familjeve hebreje në Kosovë, filloi të kërkonte informata konsulli gjerman në Tiranë, të cilit Mustafa Kruja, ia fshehu ekzistencën e hebrejve në Kosovë dhe në bashkëpunim me Jakomonin që ishte mëkëmbës i mbretit Viktor Emanuel në Shqipëri, i pajisi me pasaporta shqiptare dhe i vendosi në qytete të ndryshme të vendit, duke i strehuar dhe caktuar edhe nga nji pension se nuk kishin asnjë burim tjetër jetese.

Ç’bëri Enver Hoxha me kosovarët që po pritnin të luftonin kundër ushtrisë jugosllave për të mbrojtur vendin e vet? Me urdhër të Titos, dërgoi brigadat partizane me në krye Ramiz Alinë, që mbasi i çarmatosi kosovarët, i arrestoi dhe ia dorzoi Rankoviçit, i cili i detyroi të marshonin drejt Tivarit duke kaluar nëpër tokën shqiptare me lejen e Enver Hoxhës. Gjatë marshimit pjesa më e madhe e tyre u masakrua, kurse pjesa që mbeti u ekzekutua në Tivar. Po me kosovarët që arratiseshin nga Kosova për t’i shpëtuar persekutimit jugosllav, ç’bëri Enver Hoxha? I burgosi, i internoi dhe shumë nga ata ia dorëzoi xhelatëve jugosllavë.

Në të gjithë botën e qytetëruar, armiku i vdekur nderohet. Nderohet kur vdes në luftë, nderohet edhe kur ekzekutohet për veprimet e tij kundër interesave të regjimit në fuqi të nji shteti. Ndërsa në luftë armiqtë e vrarë varrosen me nderime nga fitimtarët, shpesh edhe nën tingujt mortorë të trombave, dhe vendet e varrimit shënohen në harta për t’i dhënë mundësi gjetjes së tyre pas mbarimit të luftës, kur ekzekutohet si armik i regjimit, kufomën e merr familja për t’i dhënë mundësi familjarve të tij që ta varrosin me të gjitha nderimet.

Me 1942, u vra Qemal Stafa. Trupin e vdekur të Qemalit e mori familja e tij për t’i dhënë lamtumirën e fundit dhe për ta varros me nderimet e duhura. Kështu u veprua edhe me të gjithë të dënuarit me vdekje. Dhe në sajë të këtij akti human, eshtrat e tyre prehen sot në varrezat e dëshmorëve.

Po Enver Hoxha ç’bëri me mijrat e dënuar me vdekje me apo pa ndonjë proçes gjyqsor? Urdhëroi që të ekzekutoheshin në qoshet më të humbura të vendit, në mënyrë që mos të gjendeshin eshtrat edhe pas vdekjes.

Mbas kapitullimit të Italisë, në shtator të vitit 1943, në vendin tonë erdhën gjermanët. I dërguari i posaçëm i Ministrisë së jashtme të Gjermanisë për Europën juglindore ku përfshihesh edhe Shqipëria, Herman Nojebaher, elitës politike të kohës i kërkon që, në të mirë të vendit të tyre, të krijonin nji qeveri kombëtare të qëndrueshme për qeverisjen e vendit, dhe se hyrja e forcave ushtarake gjermane në Shqipëri ishte bërë e domosdoshme për Gjermaninë, jo nga dëshira për të pushtuar Shqipërinë, por nga nevoja për të përballuar ndonji përpjekje zbarkimi të forcave aleate. Nëse nuk do të pranohesh krijimi i nji qeverie shqiptare, atëhere ndërhyrja nga ana gjermane në administratën dhe ekonominë e vendit do t’ishte e pashmangshme, dhe kjo do të sillte shpalljen e regjimit të pushtimit si në të gjithë vendet e tjera europiane të pushtuara nga gjermanët. Ç’ishte një regjim pushtimi për një vend të pushtuar nga gjermanët? Një regjim ku banorët s’kishin asnjë të drejtë dhe për fatin e tyre vendosnin vetëm pushtuesit, të cilët kishin të drejta të pakufishme mbi popullin e pushtuar, për ta burgosur, ta vrarë, ta çuar nëpër kampe internimi apo për ta dërguar nëpër kampet e shfarosjes dhe për këto veprime nuk i jepnin llogari askujt.

Përpara një tardhmeje kaq të zezë për vendin, dhe nji mundësie për të shpëtuar vendin nga regjimi i pushtimit, politikanët e kohës vendosën të marrin në dorë fatet e vendit të tyre duke krijuar qeverinë provizore, e cila në Asamblenë Kombëtare, në tetor të vitit 1943 shpalli Pavarësinë e Shqipërisë duke u shkëputur kështu nga bashkimi me Italinë që ishte bërë nga qeveria e Vërlacit në 1939. Kjo pavarësi u njoht nga Gjermania dhe për të treguar se ky vend për gjermanët ishte i pavarur, nuk u ngrit asnjëherë ndonjë flamur gjerman në godinat e administratës shqiptare apo në rrugët e qyteteve tona, siç ndodhte në kohën e fashizmit kur rrugët ishin plot flamuj të fashizmit.

Me qeverinë e krijuar, gjermanët firmuan edhe një marrëveshje, sipas së cilës administrimi i vendit do t’ishte në duart e qeverisë shqiptare dhe se nga ana e tyre nuk do të kishte asnjë ndërhyrje.

Në Shqipëri, n’atë kohë, kishte shumë hebrej që kërkuan strehim dhe e gjetën menjëherë në shumë familje shqiptare, se shqiptarët kanë qenë gjithnjë të gatshëm për të shpëtuar jetën e njerëzve në rrezik (pas kapitullimit të Italisë, nga shqiptarët u strehuan edhe shumë italianë për t’i shpëtuar nga persekutimi nazist). Hebrejt u mbrojtën edhe nga popujt e vendeve të tjera ku ishte shpallur regjimi i pushtimit, por gjermanët duke u ndihmuar edhe nga spiunët që fatkeqsisht nuk mungojnë asnjiherë, i kërkuan, i gjetën ku ishin strehuar dhe me brutaltetin që i karakterizonte i dërguan në kampet e shfarosjes. Vetëm nga Shqipëria nuk u dërgua as edhe nji hebre në kampet e shfarosjes, (megjithse edhe këtu nuk mungonin spiunët) dhe kjo në sajë të marrëveshjes që kishte bërë qeveria shqiptare me gjermanët. Dhe kur flitet për mbrojtjen e hebrejve në Shqipëri sot, përmendet me të drejtë gatishmëria e shumë shqiptarëve për strehimin e tyre, por për çudi nuk përmendet ndihmesa e asaj qeverie shqiptare që ka qenë vendimtare për shpëtimin e hebrejve këtu.

Nji natë, në verën e vitit 1944, në shtëpinë ku banonte Ministri i Financave Et’hem Cara, paraqitet nji oficer i lartë gjerman, i shoqëruar nga disa ushtarë me mitralozë në dorë. I thotë se është komandant i një reparti gjerman dhe se tregtarët tiranas nuk pranojnë t’i shesin mallrat e tyre duke u paguar me marka gjermane, prandaj, i kërkon ministrit që të urdhërojë emetimin e nji shume të madhe lekësh, për t’i dhënë mundësi gjermanëve që t’i këmbenin markat në lekë dhe të blinin kështu gjërat e nevojshme për repartet e tyre. Ministri Cara i përgjigjet se nuk është e mundur një gjë e tillë, se kjo do të shkaktonte një inflacion që do t’ishte në dëm të ekonomisë shqiptare, dhe këtë qëndrim mban edhe pas kërcënimeve se mund t’ia vriste dy djemt që ishin përpara tij, duke iu përgjigjur se ai i donte shumë djemt e tij, por ma shumë donte Shqipërinë. Et’hem Cara, u dënua me burgim të përjetshëm nga Enver Hoxha, sepse mbrojti ekonominë e vendit n’ato kohë të vështira, kurse ai, Enver Hoxha, me urdhër të Titos, qysh nga viti 1945, dërgonte në Jugosllavi mallrat e shumta industriale dhe ushqimore që ishin me bollëk në magazinat e tregtarve shqiptarë, derisa u boshatisën plotsisht kur u barazua leku me dinarin jugosllav, barazim që solli vrasjen e Nako Spirus që guxoi ta kundërshtonte nji veprim të tillë tradhtar.

Por s’duhet të lemë pa përmendur edhe ekonominë e sigurtë të viteve, gjatë qeverisjes së tyre. Papunësia pothuajse nuk ekzistonte, tregu ishte plot me prodhime të vendit dhe të importuara. Tregtarët në sajë të punës së tyre i kishin mbushur dyqanet dhe magazinat e tyre plot e përplot me lloj lloj prodhimesh industriale dhe ushqimore, ashtu siç janë të mbushura edhe sot. Fshatarësia ishte në gjendje të mirë ekonomike, meqë konsumi ishte i lartë dhe prodhimet e tyre nuk mbetshin pa u shitur. Qe pikërisht kjo fshatarësi në gjendje të mirë ekonomike, që mbajti, gjatë viteve të luftës, partizanët me bukë. Ç’far buke mund t’u jepnin partizanëve kooperativistët e Enver Hoxhës? Në popull qarkullon shprehja: “Qetësia në kohën e Zogut, bollëku në kohën e Italisë, dajaku dhe mjerimi në kohën e Enver Hoxhës” dhe kur e thotë populli e ka thënë Zoti vetë.

Duke lexuar këto të vërteta të pamohueshme, lind natyrshëm pyetja: Cili ishte interesi i kësaj elite intelektuale dhe politike të vendit tonë t’asaj kohe, me një të kaluar të gjatë atdhetare, të pranonte njollosjen e emrit të vet, pikërisht n’atë kohë kur humbja e luftës nga Gjermania ishte e afërt dhe karriera e tyre do të merrte fund? Cili qe fitimi i tyre? Ata nuk ndërtuan vila dhe nuk grumbulluan flori se korrupsioni ishte i huaj për ta, por ata ishin të vetëdijshëm se po sakrifikonin namin e tyre të mirë për të mirën e vendit të tyre sipas shembullit të të parëve tanë të mëdhenj.

Po, si përfunduan ata? Një pjesë e tyre u arratis dhe falë humanizmit amerikan u strehuan dhe iu dha çdo ndihmë për jetesë nëpër kampet e ngritura për refugjatët politikë. Ata nuk brodhën nëpër kazinotë e Europës se nuk e kishin grabitur vendin e tyre. Po ata që nuk u arratisën? Ndonse e dinin mirë historinë e krimeve të panumërta të komunistëve, duke qenë të ndërgjegjshëm se kishin punuar vetëm për të mirën e vendit, qëndruan këtu dhe patën si shpërblim, përveç plumbit dhe burgut të tmerrshëm, edhe përçmimin dhe mjerimin e pafund bashkë me familjet e tyre, të cilave, pasi ua konfiskuan shtëpitë dhe gjithçka që kishin brenda, i nxorën me forcë nga shtëpitë e tyre dhe i strehuan nëpër kasolle. Shumë familje u internuan, fëmijve nuk iu dha e drejta e studimit dhe u detyruan të punojnë në vendet më të vështira për të nxjerrë bukën e gojës.

Historia është e vërteta jo bardhë e zi siç është hartuar nga historianët e komunizmit, por shumëngjyrëshe. Në rast se zhduken ngjyrat që ndihmojnë për ta paraqitur historinë ashtu siç ka qenë, atëhere zhduket edhe vetë e vërteta historike dhe nuk kemi të bëjmë më me histori, por me sajesa historike që vlejnë vetëm për të kënaqur dëshirën e madhështisë së fitimtarëve apo të sunduesve diktatorë që mundohen të mbulojnë qeverisjen brutale dhe korrupsionin e tyre. Sajesa të tilla historike njëra pas tjetrës përfundojnë në koshin e plehrave. Tashti, atyre që komunizmi i shpalli si tradhtarë, po i ngrihen buste e monumente, po u jepen tituj nderi, me emrat e tyre po nderohen rrugët, sheshet, shkollat, veprat e tyre po botohen njëra pas tjetrës dhe po vërtetohet thënia popullore se e vërteta vonon, por nuk harron.

 

Qipro së shpejti me një federatë futbolli?

Kërko