Driçim Çaka
Kandidatët e viteve të kaluara, proces të ngatërruar
Menjëherë pas publikimit të programeve orientuese, maturantët janë futur zyrtarisht në procesin e Maturës Shtetërore 2013. Ndryshimet kryesore që paraprinë Maturën 2013, do të jenë zgjedhja e lëndëve që do të jetë vetëm 2, si dhe llogaritja e pikëve, e cila do të bëhet me një formulë tjetër.
Data dhe regjistrimi i kandidatëve
Deri në 15 shkurt, MASH do të miratojë formularin A1 dhe A1Z, si dhe udhëzuesin e plotësimit të formularit. Po në këtë datë do të bëhet dhe publikimi i koefiçentëve të shkollave dhe të lëndëve me zgjedhje për vitin 2012-2013. 20 shkurt-10 mars maturantët do të bëjnë aplikimin për formularin A1 dhe A1Z.
Aplikimi për formularin A1 dhe A1Z do të bëhet pranë shkollave të mesme ku ka mbaruar çdo maturantë ose në komisionet e Maturës Shtetërore nëse në këtë shkolla nuk kryhet aplikimi. Nëse gjatë vitit të mundur do të ketë kandidatët mbetës atëherë Komisioni për Maturën Shtetërore do të bëjë verifikim të të gjitha listave dhe brenda datës 20 maj do të çregjistrojë automatikisht mbetësit.
Kandidatët e viteve të kaluara
Kandidatët e viteve 2006-2012 aplikojnë bazuar në rezultate e viteve të mëparshme, nëse nuk janë shpallur fitues, nëse janë shpallur fitues dhe nuk kanë qenë fitues dhe nëse janë shpallur fitues dhe janë çregjistruar gjatë vitit të parë.
Kandidatët nuk lejohen të japin provimet me zgjedhje të detyruar, nëse kanë rezultuar kalues në maturat e viteve të mëparshme me përjashtim të rasteve kur nota ka qenë më pak se 4.5.
Në rast se kandidati ka dhënë më shumë se 1 herë provimet me zgjedhje atëherë i njihet vetëm rezultati i marrë në provimin e fundit. Ajo që duhet theksuar se në momentin që do të bëhen llogaritjet e pikëve atëherë kandidatëve do t’u merret për bazë koefiçenti i vitit shkollor 2012-2013.
Në rastet kur lënda, rezultati i së cilës kërkohet të mbartet nuk gjendet në listën e lëndëve me zgjedhje të këtij viti, për llogaritjen e pikëve do të merret koefiçenti i lëndës analoge ose të përafërt me të.
Kandidatët që kanë mbaruar jashtë shtetit
Shtetasit shqiptarë dhe të huaj që kanë mbaruar shkollën e mesme jashtë shtetit, kanë të drejtë të konkurrojnë në provimet e maturës me kushtin që të njohin gjuhën shqipe në një nivel të pranueshëm. Shtetasit që kanë mbaruar jashtë shtetit por që nuk kanë dhënë provimet e maturës duhet që të japin provimet e detyruara të Matematikës si dhe provimin e Gjuhës dhe Letërsisë. Shtetasit që rezultojnë të mos kenë detyrime ndaj Maturës Shtetërore pasi kanë kryer arsimin e mjaftueshëm jashtë shtetit plotësojnë formularin A1Z deri në datën 10 maj. Për të gjithë kandidatët që kanë mbaruar jashtë duhet që më parë të aplikojnë pranë MASH njohjen e dëftesës ku kanë mbaruar si dhe do të bëhet përllogaritja e mesatares me të cilën do të konkurrojnë për në shkollën e lartë.
Zgjedhja e lëndëve
Shuma e krediteve të lëndëve me zgjedhje duhet të jetë jo më pak se tetë dhe do të jenë vetëm dy lëndë me zgjedhje. Kandidatët e shkollave artistike kanë të drejtë të zgjedhin vetëm një nga lëndët me zgjedhje. Maturantët kur zgjedhin një lëndë të thelluar nuk mund të zgjedhë të njëjtën lëndë bërthamë, përveç rasteve të dy provimeve të detyruara. Për sa u përket gjuhëve të huaja edhe këtë vit do të jetë mundësia e përzgjedhjes së dy të gjuhëve me kushtin që njëra të jetë si gjuhë e parë (10 kredite) dhe tjetra të jetë si gjuhë e dytë (6 kredite).
Izrael – Shqipëri, së shpejti punësime mes dy vendeve
Shumë shpejt Shqipëria dhe Izraeli do të kenë punësime të ndërsjella mes tyre. Ky është rezultati i një takimi të bërë mes ambasadorit të Izraelit në Tiranë, David Cohen, dhe ministrit të Punës, Spiro Ksera. Ministri Ksera e informoi ambasadorin Cohen për përpjekjet e qeverisë dhe, në mënyrë të veçantë, Ministrisë së Punës për të hartuar dhe zbatuar politika dhe lidhur marrëveshje që nxisin dhe garantojnë punësimin e shtetasve shqiptarë jo vetëm në tregun vendas të punës, por edhe të vendeve të tjera që kanë kërkesë për krahun e punës që ofron tregu shqiptar.
“Gjatë 2012 nga zbatimi i Marrëveshjes së punësimit me Italinë përfituan mbi 400 shtetas shqiptarë dhe ne ia dolëm të riaktivizojmë edhe Marrëveshjen e Punësimit me Gjermaninë, duke i hapur rrugën punësimit të infermierëve të parë shqiptarë në këtë vend. Vetëm dy javë më parë, në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave, u miratua marrëveshjen në fushën e punësimit me Katarin dhe jemi shumë të kënaqur të diskutojmë sot rreth mundësisë së nënshkrimit të një marrëveshjeje dypalëshe në fushën e punësimit edhe me shtetin e Izraelit”, – deklaroi Ksera gjatë takimit me ambasadorin. Ambasadori Cohen, bëri me dije se tregu izraelit i punës ka nevojë për punonjës të kualifikuar në fushën e ndërtimit dhe shprehu besimin se punëdhënësit izraelitë do të gjejnë tek punëkërkuesit shqiptarë punonjës jo vetëm të kualifikuar, por edhe tepër energjikë dhe që e duan punën.
Bashkëbiseduesit pranuan se kjo marrëveshje vjen në kohën e duhur për të dyja vendet, pasi kërkesat për punë të shqiptarëve të cilët kanë punuar në fushën e ndërtimit në Greqi dhe si pasojë e krizës kanë humbur vendet e punës do të mund të plotësohen në një masë të konsiderueshme nga ofertat e punës që do të ofrohen nga tregu izraelit i ndërtimit.
Ministri Ksera dhe ambasadori Cohen ranë dakord për ngritjen e menjëhershme të një grupi të përbashkët me ekspertë nga të dy vendet, të cilët do të hartojnë draft-marrëveshjen, e cila do të diskutohet dhe miratohet sipas procedurave përkatëse të të dy vendeve.
Korçë, ortodoksët “të fyer”, ndërpritet shfaqja e Namik Dokles
Shfaqja “Shën Maria e Beratit” në teatrin “Andon Zako Çajupi” të Korçës ka bërë që ortodoksët e Korçës të ndihen të fyer si dhe të kërkojnë ndërprerjen e shfaqjes. Ndërprerja e dramës së vënë në skenë nga Namik Dokle është bërë pas reagimit të Mitropolisë së Korçës, e cila në një deklaratë të saj shprehet se kjo shfaqje fyen ortodoksët korçarë. “Kjo drame blasfemuese ndaj ndjenjave të komunitetit ortodoks dhe institucionit të Kishës Ortodokse, u luajt me paturpësinë më të madhe në nivele artistike mediokre, përpara qytetarëve të Korçës. Me një skenar bazuar tërësisht mbi gënjeshtra historike, të tipit PPSH”, – thuhet në deklaratën e ortodoksisë së Korçës. Më tej ortodoksia i kërkon z. Dokle që të mos fyejë më këtë komunitet si dhe të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij. “Patriarkana Ekumenike është institucioni më i lartë i Kishës Ortodokse dhe nuk mundet të përgojohet nga një lloj Dokle, ndërsa sa për Shën Kozmain është një nga figurat më të larta dhe të nderuara në këto treva dhe në gjithë ortodoksët. Ju me paturpësinë tuaj dhe tendencat tuaja jo vetëm komuniste nuk mund ta trajtoni si një njeri që zgjon djajtë dhe për më shumë si hajdut ikonash, sikundër jeni ju dhe raca juaj e politikës që e kini vjedhur, rrjepur dhe grabitur këtë popull”, – thekson deklarata. Sipas ortodoksëve, drejtorja e teatrit duhet të japë dorëheqjen së bashku me këshillin artistik të bashkisë.