Shitja nën dorë e aboneve të përgjithshme dhe të studentit, nis hetimi

0
212

Blerta Mrishaj

aboneteAutoriteti i Konkurrencës fillon hetimin e thelluar në shërbimin e transportit rrugor qytetas në Tiranë

 

Mungesë e aboneve në treg, shitje nën dorë, kryesisht e aboneve të studentëve. Nisur nga kjo situatë Komisioni i Konkurrencës do të nisë një hetim. Situata paraqitet tejet problematike, po të kihet parasysh se ndër tri llojet që gjenden në shitje të lirë, më të kërkuarat janë abonetë e përgjithshme dhe të studentit, kjo edhe për shkak të numrit të lartë të studentëve që ndjekin arsimin e lartë në kryeqytet. Lajmi është bërë i ditur nga Komisioni i Konkurrencës, i cili ka vendosur hapjen e një hetimi të thelluar për të shqyrtuar nëse ka ose jo shenja të kufizimit të konkurrencës në tregun e transportit qytetas në Tiranë. Ndërhyrja e Autoritetit të Konkurrencës në këtë treg ka filluar pas ankesave të disa operatorëve për shpërndarjen dhe tregtimin e aboneve.

Hetimi

“Në këtë treg ndërmarrjet anëtare të shoqatës (SHKTQ) kanë tregtuar një numër më të vogël të aboneve të studentit sesa numri i aboneve të studentit të caktuara nga Bashkia e Tiranës për çdo ndërmarrje. Kjo sjellje mund të përbëjë kufizim apo shtrembërim të konkurrencës në treg. Për këto arsye Komisioni i Konkurrencës vendosi hapjen e procedurës së hetimit të thelluar në tregun e tregtimit të biletave të pajtimit mujor (aboneve) të përgjithshme dhe studentit në shërbimin e transportit rrugor qytetas të udhëtarëve në qytetin e Tiranës, ndaj ndërmarrjeve që ushtrojnë veprimtarinë në këtë treg”, – thuhet në njoftimin e Autoritetit të Konkurrencës.

Shitja

Çdo muaj shitja e aboneve në Tiranë rezulton të jetë me probleme. Edhe pse në shitje janë disa tipa abonesh, duke nisur që nga ato të përgjithshme, të linjave dhe studentit, probleme ka në mënyrën e shitjes së tyre. Ndër më problematiket vijojnë të jenë abonetë e studentëve, për të cilat tregu asnjëherë nuk pajiset me sasinë e duhur, madje dalja e tyre në treg bëhet në mënyrë abuzive, pasi shitja nuk u bëhet studentëve, të paktën siç shprehen një sërë studentësh. Ndërkohë, transporti urban në vendin tonë përballet me probleme të shumta, nisur edhe nga fakti se ka kërkesë të vazhdueshme nga Shoqata Kombëtare e Transportit Urban për rritjen e çmimit të aboneve dhe biletës, me motivacionin e kostos tejet të lartë të shërbimit. Sakaq, vetëm pak muaj më parë kjo shoqatë i pati parashtruar kërkesë Bashkisë së Tiranës për rritjen e çmimit, por bashkia para marrjes së vendimit ka kërkuar një studim të thelluar të situatës në të cilën ndodhet ky shërbim në qytetin e Tiranës.

 

 

Aborti ilegal

Pipero: Do t’i heqim licencën klinikës

Një klinike private në Laprakë, ku është kryer abort i paligjshëm i një foshnje 6-muajshe, do t’i hiqet përfundimisht licenca, pasi prokuroria të mbarojë hetimet. Për Ministrinë e Shëndetësisë, ky është një krim i rëndë, jo vetëm për faktin ngaqë klinika nuk ishte e licencuar për të kryer aborte, por edhe sepse periudha për ndërprerjen e shtatzënisë duhet të mos jetë më shumë se 12 javë. “Në Tiranë është vetëm një klinikë e licencuar deri në datën 3 shkurt, nuk ka asnjë klinikë tjetër. Kjo klinikë tjetër që ka bërë aborte, e ka bërë në kundërshtim me ligjin dhe si e tillë është një vepër penale. Përmes jush inkurajoj organet e drejtësisë të nisin menjëherë hetimin për rastin në fjalë. Asnjë mjeke e licencuar apo jo nuk mund të thyej ligjin, aq më tepër të bëjë një abort”, – tha Pëllumb Pipero, drejtor i Politikave, MSH. Hetimet mbi klinikën në fjalë nisën pasi pak ditë më parë pranë në një kazani mbeturinash në zonën e Laprakës është gjetur trupi i pajetë i një foshnje 6-muajshe. Policia më pas arriti deri te klinika ku ishte kryer ky abort i paligjshëm, duke vënë nën hetim mjeken dhe administratoren e saj. Gjatë marrjes në pyetje, nëna e foshnjës ka thënë se arsyeja e vetme që ka kryer abort kanë qenë kushtet e vështira ekonomike në familjen e saj.

 

Abu Dabi

Basha siguron financimin për lumin e Tiranës

Abu Dabi siguron mbështetjen financiare për rehabilitimin e lumit të Tiranës. Lajmi është dhënë nga kryebashkiaku Lulzim Basha. Deklarata është bërë gjatë shpalljes së një investimi prej 52 milionë lekësh, nisja e punimeve për ndërtimin e rrugës “Llazar Shapatini”, e cila fillon tek shinat e trenit, vazhdon deri tek rruga “Reshit Maloku” dhe shtrihet në një zonë informale në njësinë bashkiake nr. 9. Kryebashkiaku Basha, së bashku me deputeten e zonës, Majlinda Bregu, dhe kryetarin e njësisë bashkiake numër 9, Indrit Fortuzi, inspektuan nisjen e punimeve të kësaj rruge, e cila u shërben rreth 4 mijë banorëve. “Kjo rrugë me gjatësi 600 metra linearë, e pashtruar dhe e paprekur asnjëherë, do t’i nënshtrohet një ndërtimi të plotë, duke filluar nga kanalizimet e ujërave të zeza, ujërave të shiut, ujësjellësit, ndërtimi i trotuareve, gjelbërim e ndriçim, ndërkohë që do të merren masa edhe për rehabilitimin e mureve rrethuese të shtëpive, atje ku është e mundur me modelin e kangjellave dhe atje ku nuk është e mundur nëpërmjet mureve mbajtëse. Kjo rrugë u shërben 4000 qytetarëve të Tiranës dhe unë e kam vizituar në muajt maj e qershor, në muajt e verës, të mbuluar nga pluhuri dhe sot e vizitoj të mbuluar nga balta, shenjë e qartë e mungesës totale të vëmendjes për këtë pjesë të qytetit, me përjashtim të disa “hijeve” që vijnë e zhduken natën, por që nuk japin llogari për të kaluarën dhe nuk kanë se përse të japin, pasi qytetarët kanë zgjedhur tashmë projektin e së ardhmes”, – u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Projekti i ndërtimit të kësaj rruge, e cila pritet të përfundojë brenda 10 muajsh, parashikon edhe vendosjen e 25 shtyllave të ndriçimit, mbjelljen e 190 pemëve dhe zëvendësimin e mureve rrethuese me kangjella. Kryebashkiaku Basha tha se vendosja e një standardi evropian në gjithë Tiranën është prioriteti i bashkisë. Basha ka preferuar të mos u përgjigjet akuzave të ardhura nga opozita, të cilët, sipas kreut të bashkisë, nuk bëjnë gjë tjetër, veçse evidentojnë dështimin e tyre në qeverisjen e Tiranës.