Altin Vorpsi
Lika: Të them të drejtën, disa klube u vonuan shumë për të më bërë ofertën dhe nuk kishin kontakte me mua. Oferta e Tiranës është më konkrete dhe tashmë mbeten vetëm disa detaje të vogla për firmën
Gilman Lika duket se ka bërë zgjedhjen e tij. Mesfushori i talentuar shkodran me shumë mundësi do të firmosë sërish një kontratë për klubin më të titulluar në Shqipëri. Tirana, që prej kohësh ka qenë shtëpia e tij, do të vazhdojë të ketë në dispozicion njërin prej futbollistëve të pakët që bëjnë diferencën në kampionatin tonë.
Pranë marrëveshjes
Futbollisti shkodran konfirmoi për “Sport News” se ka rënë dakord për shumë pika të kontratës me administratorin Salih Tagani, por mbeten për t’u vendosur vetëm disa detaje, për të zyrtarizuar marrëveshjen. “Kemi diskutuar shumë gjëra dhe në shumë pika kemi rënë dakord. Kanë mbetur disa gjëra të vogla për të diskutuar, të shohim tani nëse do të biem përfundimisht dakord apo jo. Oferta që më kanë bërë drejtuesit e Tiranës është më bindëse se ajo që më kanë bërë disa klube të tjera të Superligës. Të them të drejtën disa klube u vonuan shumë për të më bërë ofertën dhe nuk kishin kontakte me mua. Oferta e Tiranës është më konkrete dhe tashmë mbeten vetëm disa detaje të vogla për firmën”, – theksoi mesfushori.
Detajet
Pikat që po diskuton klubi bardheblu dhe 25-vjeçari dhe që nuk kanë rënë ende dakord janë kohëzgjatja e kontratës dhe klauzola e largimit jashtë Shqipërisë. “Kohëzgjatja e kontratës së re me Tiranën është një nga ato pika që ende po diskutoj me drejtuesit e klubit. Është dhe një tjetër pikë që po diskutojmë, ajo nëse më vjen ndonjë ofertë nga jashtë, por edhe gjëra të tjera”, – pohoi Gilman Lika.
Jo vetëm Lika
Tifozët bardheblu duket se do të “shijojnë” tjetër Tiranë në këtë fazë të dytë. Përveç firmës me Likën bardheblutë janë shumë afër edhe një tjetër “bombe”. Flasim për sulmuesin nga Haiti, Herbi Fortunat, që është çështje orësh, pasi menaxheri i lojtarit dhe drejtuesit e klubit kanë rënë parimisht dakord për nënshkrimin e kontratës.
Merkato
Ujkani mund të shkojë tek Interi
Edhe pse ende nuk është zyrtarizuar asgjë e ardhmja e Samir Ujkanit është e destinuar të jetë larg Palermos. “Mungojnë vetëm disa detaje të vogla teknike, akordi mbi cemin tashmë u gjet. Mendoj se gjithçka ka marrë fund”. Është Maurisio Zamparini, presidenti i Palermos, ai që sqaroi gjithçka dje duke treguar se numri një i ardhshëm i Palermos do të jetë tjetër kush. Për sajtin “blogsicilia.it” numri një i Palermos siguroi se “në këmbim” askush nuk do të lërë ekipin. Kështu për Ujkanin është hapur mundësia që të largohet drejt Milanos atje ku Interi e pret për të zëvendësua Kastelacin. Sipas shtypit italian, dhe në veçanti “Gazzetta dello Sport”, ardhja e Sorrentinos do të largojë portierin e përfaqësueses shqiptare. Nëse deri dje blerja e Sorrentinos nga Kievo ishte thjesht një hipotezë, në orët e fundit presidenti i Palermos, Mauricio Zamparini ka bërë të ditur se është arritur akordi me portierin, dhe kanë mbetur vetëm detajet për t’u përcaktuar. Ky afrim do të mbyllet për 4.1 milion euro, ndërsa Kievo bën gati ofertën për Bizarrin ose Karrizon e Lacios. Kjo lëvizje pritet të vendosë në merkato Samir Ujkanin i cili ka përfunduar në orbitën e Interit, pasi zikaltrit janë në kërkim të dyti për Handanoviç duke qenë se Kastelaci është i dëmtuar. Por zikaltrit nuk janë të vetmit që kanë shfaqur interes për portierin e përfaqësueses shqiptare, pasi për të po lëvizin Fiorentina dhe Lacio. Vjollcët po mendojnë seriozisht shitjen e Vivianos, dhe shohin tek Ujkani portierin e dytë që mund të konkurrojë me brazilianin Neto. Ndërkohë Lacio nëse largon Bizarri dhe Karrizon, do të kthejë sytë tek Ujkani si zëvendësues për Marketin, çka do të bënte që numri i kuqezinjve tek bardhekaltrit të rritej. Por lista e skuadrave të interesuara për Ujkanin nuk përfundon këtu. Po sipas shtypit italian Bolonja dhe Kievo qëndrojnë në pritje. Emilianët nuk janë të bindur nga paraqitja e Aliardit ndërsa veronezët kërkon të zëvendësojë Sorrentinon. Megjithatë në këtë listë qëndron edhe vetë Palermo, e cila mund të vendosë të mbajë Ujkanin, edhe në rolin e portierit rezervë.
SHBA
Sportisti nga Shqipëria humb jetën në fushë
Hidhërimi ka pushtuar universitetin e Uejn Stejtit dhe ambientin përreth, pas ndarjes nga jeta në mënyrë të papritur të yllit të skuadrës Serxho Guraleci. Të gjithë shokët e skuadrës apo dhe miqtë e 22-vjeçarit nga Shqipëria janë ende të shokuar nga ngjarja e hidhur që ka tronditur gjithë Universitetin e Detroitit, në Miçigan. Tepër i apasionuar pas futbollit amerikan Serxho Guraleci ishte pjesë e ekipit të këtij universiteti dhe luante aty prej kohësh në mbrojtje, në rolin e defensive tackle, megjithatë 22-vjeçari i habiti të gjithë teksa gjatë një seance stërvitore u plandos përdhe. Sipas burimeve brenda këtij universiteti, lojtarët e skuadrës ndodheshin në Makomb Kaunti për të kompletuar fazën përgatitore, e ndërsa të gjithë ishin duke përfunduar programin e zakonshëm të ngritjes së peshave sportisti shqiptar humbi ndjenjat. Dy dëshmitarët e kësaj ngjarjeje të trishtueshme, një infermiere si dhe një polic jashtë shërbimit, të cilët ishin të pranishëm në Premier Treining Sentër, në Makomb Taunship, deklaruan se në këtë qendër sportive nuk kishte një defibrilator, për të bërë të mundur shpëtimin e jetës së lojtarit fatkeq, pajisje të cilën sipas ligjit amerikan duhet ta kenë që të gjithë stafet mjekësore të klubeve të këtij vendi. Trajneri I ekipit Pol Uinters menjëherë pas kësaj ngjarjeje shprehu hidhërimin e tij, për një lojtar shembullor, e tepër të dashur për të gjithë. “Që të gjithë po e vuajnë një situatë të tillë dhe Serxho do të na mungojë të gjithëve. Ai ishte një djalë shumë i mirë që adhurohej nga të tërë ne. Do të na duhet shumë kohë për të kuptuar se çfarë ka ndodhur”, – tha Uinters. Guraleci i cili e kaloi pa kurrfarë problemi testin atletik të muajit nëntor, luante prej 4 vjetësh me ekipin e Universitetit Uejn Stejt, Uorriors, duke marrë pjesë në të gjitha ndeshjet e skuadrës. Lojtari shqiptar, që numëronte 48 takime me ekipin e tij, 25 prej të cilave si titullar ishte student në degën e “kinesiology”-së (shkencë kjo që studion lëvizjet njerëzore) dhe do të diplomohej pikërisht verën e ardhshme.
Siena
Bogut nuk i mjaftojnë golat
Edhe pse pak ditë më parë u fut në fushë si zëvendësues dhe zgjidhi në mënyrën më të mirë lojën për Sienën, ai përsëri nuk e ka të ardhmen të sigurt. Erion Bogdani, që me golin që i shënoi Sampdorias u dha tri pikë toskanëve, është sërish në dyshim. Bomberi 35-vjeçar duket se është në “listën e zezë” të ekipit të Mecaromës. Pronari i i bardhezinjve këtë merkato janari ka shfrytëzuar rastin për të larguar disa lojtarë që kishin mjaft peshë në ekip. Duket qartë se familja me prejardhje nga Roma po mendojnë që të rinisin gjithçka nga Seria B. Këtë edicion Sienës iu desh që ta niste e penalizuar (iu zbritën 6 pikë) për shkak të problemeve me drejtësinë kështu objektivi kryesor, qëndrimi në Serinë A është utopi. Vetëm pak ditë më parë skuadra toskane, pasi mori Nikola Pocin, shiti sulmuesin me eksperiencë, Kalajo tek Napoli. Ndërkohë që dje Siena largoi edhe mesfushorin e talentuar Dagostino tek Peskara. Këto të fundit arritën që në formë huazimi të merrnin një futbollit që vetëm pak vite më parë u Kërkua nga Juventusi. Po e njëjta gjë mund të ndodhë edhe me Bogdanin. Si duket bomberi shqiptarë nuk bën më pjesë në planet afatgjata të sienezëve që po mendojnë ta shesin. Sipas medieve italiane deri më tani Bogu është kërkuar nga Vareze dhe Rexhina që militojnë në Serinë B. Mendohet se nigeriani i natyralizuar si zviceran, i lindur më 1989, Inosent Emeghara do të lërë Loriontin për të ardhur tek Siena. Këta të fundit do të afrojnë sulmuesin e shpejtë nëpërmjet në formë huazimi me të drejtë blerje.