Elton Qyno
Dëshmia e Xhemal Kotares: Si na i grabitën 25 milionë lekë brenda 1 minute
Kambisti që u vra dy ditë më parë në Durrës, u është kundër përgjigjur me të shtëna arme dy grabitësve, por sërish nuk i ka ndaluar ata, që ishin nisur për t’i marrë shumën prej 25 milionë lekësh të vjetra. Fatmir Kotarja ka qëlluar dy herë me çiften që e mbante në makinë, ndërkohë që nga ana tjetër, dy autorët kanë qëlluar në drejtim të tij me automatik, duke e plagosur në këmbë dhe më pas 47-vjeçari ka gjetur vdekjen si pasojë e pushimit të zemrës nga emocionet e forta që pësoi. Burime pranë policisë së Durrësit bëjnë me dije se e gjithë ngjarja ka ndodhur në 1 minutë dhe se gjatë kësaj kohe, mes viktimës dhe dy autorëve që ishin veshur me të zeza, ka ndodhur një përplasje me armë. Megjithëse rruga ishte me kalimtarë si dy personat edhe viktima, ka qëlluar me armë, ku 47-vjeçari qëllonte nga ana e brendshme e makinës, ndërsa dy personat nga jashtë rrugës. Sapo kanë plagosur Fatmir Kotaren, njëri prej tyre ka hapur me shpejtësi derën e makinës dhe ka marrë prej andej, dengun me shumën financiare prej 25 milionë lekë të vjetra. Ndërkohë ai që ka transportuar me shpejtësi Fatmir Kotaren, ka qenë vëllai i tij, Xhemal Kotarja, i cili në momentin kur ka ndodhur krimi ka qenë, duke hapur derën e shtëpi për të futur makinën brenda në oborr.
Dëshmia e të vëllait
Personi që ka parë me detaje vrasjen e vëllait, por që nuk ka arritur të njohë dy agresorët, pasi, sipas tij, mbanin në kokë maska dhe ishin të veshur tërësisht me të zeza, ka treguar në policinë e Durrësit se ditën e diel e kanë mbyllur me shpejt pikën e këmbimit valutor, pasi së bashku me vëllain kanë zgjedhur që pasdite të shkonin për gjah. Xhemal Kotarja ka treguar se sapo ka zbritur nga makina dhe është drejtuar për të hapur derën e shtëpisë, ka vënë re dy persona me maska që po afroheshin me vrap, në drejtim të makinës aty ku dhe ndodhej vëllai i tij së bashku me sasinë e lekëve. Pikërisht në këtë moment, Xhemali e ka njoftuar të vëllanë se në drejtim të tij, po afroheshin dy persona të maskuar, dhe se i ka bërtitur që të qëllonte me çiften që kishte në makinë. Sipas tij, i vëllai ka mundur të qëllojë vetëm dy herë, ndërkohë që nga ana tjetër autorët janë kundërpërgjigjur me breshëri kallashnikovi, duke e plagosur në këmbë. Xhemal Kotarja, ka treguar se dy autorët kanë qenë të pajisur me automatikë të shkurtës dhe se kanë shumë të ftohtë në veprimet që kryenin. Pas marrjes së lekëve dy personat me maska janë larguar në drejtim të paditur, duke mos rënë në pranga nga policia e Durrësit.
Mbi 60 të shoqëruar
Më shumë se 60 persona janë shoqëruar gjatë këtyre dy ditëve në policinë e Durrësit, por asnjëri prej tyre nuk është identifikuar si autor i krimit të rëndë. Pas marrjes në pyetje të gjithë personat janë lënë të lirë, ndërkohë që sipas burimeve të policisë janë duke punuar në rrugë operative me qëllim arrestimin e autorëve të këtij krimi, i cili ndodhi në derën e shtëpisë së viktimës. Dyshimet e para flasin për dy persona të cilët kanë mbajtur në vëzhgim dy vëllezërit dhe se në momentin kur automjeti i tyre ka qëndruar ata me një ndërhyrje të shpejtë kanë arritur të marrin sasinë e parave dhe vrarë, poseduesin e tyre Fatmir Kotarja.
Ngjarja në Vlorë
Arrestohet bashkëpunëtori i agresorit të gjyqtares
Policia e Vlorës ka vënë në pranga Ledio Kamberin, 19 vjeç, si të dyshuar në pjesëmarrjen në sulmin ndaj gjyqtares Mirela Mishgjoni. Sipas uniformave blu, i riu Kamberi ka ndihmuar shtetasin Nertil Zotaj, në sulmin me acid të gjyqtares Mirela Mishgjoni, duke i treguar autorit banesën e gjyqtares. Policia e Vlorës bëri me dije se 19-vjeçari kishte njohje me autorin e krimit dhe se gjatë një takimi mes tyre, Nertil Zotaj, i ka kërkuar 19-vjeçarit që ta ndihmonte rreth vendndodhjes së banesës së Mirela Mishgjonit. Pas ka mësuar banesën e gjyqtares, 25-vjeçari ka pritur poshtë pallatit deri në momentin kur gjyqtarja ka dalë nga banesa, duke e sulmuar më pas atë me acid banjash në fytyrë. Si rezultat i këtij sulmi, gjyqtarja Mishgjoni, pësoi dëmtime në njërin sy por edhe në pjesën e gojës.
Ngjarja në Jemen
Pranga tre shqiptarëve në anijen me armë
Një anije e ngarkuar me municion dhe armë, nisur nga Mali i Zi, është kapur në portin e Al Mukallës, në bregdetin e Jemenit. Anija drejtohej nga kapiteni Arif Bakillari, i cili udhëtonte bashkë me oficerin e parë Mihal Cangonji dhe kryemekanikun Nezir Shahaj. Ndërkohë, në bord ndodheshin edhe tre marinarë të tjerë, dy indianë dhe një grek. Anija EOS ndaloi në datën 16 dhjetor të vitit që kaloi në këtë port për furnizim, karburant dhe ushqime dhe në 19 dhjetor të gjashtë marinarët u arrestuan nga policia portuale në Al Mukalla. Sipas agjencive të lajmeve Jemenite, të hënën marinarët kanë dalë para gjykatës në rajonin e Hadramaut në Jemen. Agjencia e lajmeve jemenite ka paraqitur edhe fotot e gjyqit, kapitenin Arif Bakillari kur po bën betimin, duke i dhënë dorën gjykatësit Abdu Ali Aeadi. Nga grupi i të arrestuarve kapiteni është i vetmi që komunikon në anglisht. I kontaktuar në telefon, Arif Bakillari ka treguar se anija EOS ishte nisur nga Greqia dhe ai mori drejtimin e saj në Durrës, më pas në Malin e Zi u ngarkua sasia e armatimit e kontraktuar.
Ngjarja në Tiranë
Sulmohet gruaja, hajdutët i marrin çantën
Një grua është bërë pre e grabitësve mbrëmjen e djeshme në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur në qendër të qytetit, në afërsi të Bankës së Shqipërisë. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se gruaja ishte duke pritur autobusin, kur dy të rinj me motor i janë afruar dhe i kanë tërhequr çantën që mbante në dorë, brenda së cilës ndodhej një laptop. Forcat e komisariatit numër 3 mbërritën në vendin e ngjarjes dhe shoqëruan disa persona, që dyshohet se kanë dijeni për autorët. Ngjarja ka shkaktuar panik tek qytetarët e shumtë që ishin duke pritur autobusin në qendër të Tiranës.
Analiza e policisë, zbulueshmëria mbi 80 për qind
Burgaj: Kush fsheh denoncimet dhe shifrat
ndiqet penalisht për “Shpërdorim detyre”
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, tha se çdo efektiv i policisë duhet të evidentojë veprat penale, duke mos i anashkaluar ato. Në analizën njëvjeçare të policisë së kryeqytetit, Burgaj tha se mosmarrja e çdo kallëzimi apo telefonate nga qytetarët përbën “Shpërdorim detyre”, ndaj dhe kjo nuk duhet neglizhuar, nëse kërkojmë arritjen e standardeve ndërkombëtare. “Në këtë pikë, nuk duhet të ndalemi dhe të frenohemi nga konceptet dhe mentalitetet e vjetruara për të fshehur veprat penale. Çdo thirrje telefonike për ndihmë, 90 për qind e tyre janë vepra penale dhe kam shprehur dhe në analizat e tjera të mëparshme, dhe këmbëngul në këtë pikë për evidentim, regjistrim të çdo vepre penale që ndodh në drejtorinë e Tiranës apo në të gjithë Shqipërinë. Mosmarrja e kallëzimit dhe mosregjistrimi, evidentimi dhe ndjekja e tyre për mua përbën vepër penale, “Shpërdorim detyre” të punonjësit të policisë”, – tha Hysni Burgaj, drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Ndërkohë, në një vit, policia e kryeqytetit ka referuar në prokurori 7939 vepra penale, nga të cilat janë zbuluar 6962. Sipas kreut të policisë së kryeqytetit Bernard Çaushaj, sektori kundër Krimeve të Rënda ka evidentuar gjithsej 323 vepra penale, zbuluar 215, ku janë proceduar gjithsej 299 autorë, nga të cilët 200 autorë janë arrestuar e ndaluar, 28 autorë janë proceduar në gjendje të lirë. Nga këto struktura janë realizuar 18 operacione policore, ku do të veçonim operacionin më të suksesshëm “Banka” me arrestimin e shtetasit Viktor Gushi, i akuzuar për 15 “Vjedhje me armë”. Ndërkohë që janë sekuestruar përgjatë një viti mbi 10 milionë euro asete.