Kushtrimi KRIZË an-e-m’anë Shqipnisë…

0
232

krizaKrist Maloki

Kushtrimi Krizë! po vlon nëpër Shqipní… Krizë! thërrasin katundet, Krizë! bërtasin qytetet… Krizë! thërret Shqipnia mbarë, dhe nëpër kushtrimin e saj të përvluem përzihen brithmat e fëmijve për bukë, përzihen vajtimet e përlotueme të grave, përzihen krismat e pushkëve vetvrasëse të sa e sa burrave shqiptarë…

S’ka dyshim: trupin e popullit dhe të shtetit shqiptar po e tundin dridhmet e etheve të forta. Porse, ah! se këto ethe nuk janë ato të rinisë, ethe biologjike, të cilat pervëlojnë nji herë çdo trup e organizëm të ri brënda zhvillimit apor rritjes së tij, jo, ethet e krizës sonë janë ethe shkatërrimi, ethe çprishjeje, ethe kah – skëterra!…

Shkaku?…..

Me nji naivitet të foshnjeve po pyetshin nji ditë gazetat e Tiranës kah shkaku i krizës sonë. E dijtun: deri vonë ato kanë qenë zanë aq fort me vertime personale e polemike kundra shoqja-shoqes sa s’kan pasë ngê me i falë nji vështrim sado të vogël nevojave të popullit… Dhe mos të kishte qenë “Ora” me disa artikuj të saj në kohën e fundit, ky kushtrim i pikëllueshëm i gjithë popullit shqiptar do të kishte mbetë edhe sot i pandigjuem ndër qarqet e nalta qeveritare… Sidokjoft: kemi punë ma të randsishme!… Porse m’anë tjetër vet zgjidhjet e problemit, a ma mirë: shkaket e krizës që na i parashtron gazeta “Ora” na rrëfejnë kjart se sa larg nga faktet gjenden edhe ata që interesohen sadopak edhe me të vertetë rreth problemeve ekonomike shqiptare… Dhe si nji sarkazëm diabolike na duket që disa artikuj të fletores “Shqipëri e Ré” (Gjikam, Bubani), të shkruem qysh para nji vjeti me mjaft zell, kompetencë e me statistika në dorë që me ia hapë sytë çdo qorri e me ia tundë kafazin e mendjës çdo qeveritari e gazetari, nuk ia kanë tërhjekë vërejtjen askujt andej kah Tirana… Sot fjala Krizë âsht bâ modë në Tiranë… sidomos mbasi dha urdhën fori ma i nalt i shtetit tonë që të formohet nji komision i veçantë e ta studjojë me vëmendje problemin e krizës… Dhe namëta: sot po vlojnë kafehanet e Tiranës me kompetenta t’ekonomisë… dhe namëta: kushtrimi Krizë ka leje të vlojë haptas nëpër gjithë Shqipninë mbarë…

Apor, jo?…

Jo, ashtu fare jo! Sepse në Tiranën zyrtare kriza kuptohet vetem si nji çâshtje e bilancit tregtar, si nji problem financiar, e hiç gja tjeter… Ashkollsun!… Dhe nuk i shkon kujt nëpër mend, apor nuk do t’a dije kush, se mbrapa njasaj mospërputhje mes importimit e eksportimit fshehet nji hyder krizore, nji shpirt sketerre, nji lugat shpirtnuer që po ia zatetë frymën gjithë popullit shqiptar… Nuk i shkon kujt ndër mend, apor nuk guxon kush ta dijë, se kriza shqiptare âsht nji kompleks krizash (ekonomike, financiare, psikologjike, sociale, politike etj.) dhe se bilanci tregtar ka pak a shumë nji randsi inferiore… Kështu pra, s’ka shpresë që gazetat e Tiranës apo kompetentët ekonomista të qeverisë shqiptare të merren sot o aty shpejt me shkaket e verteta të krizës dhe me zgjidhjen e problemit të saj… ashtu si e lypte nevoja e orës së dymbëdhjetë të shtetit të lirë shqiptar…

Por: aman mos të keqkuptohemi! S’kemi kurfarë qëllimi, direkt a indirekt, të drejtojmë akuza kundra qeverisë apor regjimit të sotshem në Shqipní. Bindja jonë âsht kryekput që kriza e sotme s’âsht tjetër veçse fryti i nji zhvillimi historik. Na të gjithë lëngojmë nëpër nji sistem të damshem e antikombtar, të cilin na e kanë lanë mirazë pikërisht kohnat ma të hershme, qysh nga byzantinët e të tjerë pas tyne. Mjaftojnë këtu të përmendim vetem vepren e Lumo Skëndos (Plagët t’ona), botue më 1924, dhe fjalën që mbajti Fan Noli në parlamentin e Tiranës me 24 Shtator 1923 (rreth pesë anarkive qé mundojnë popullin!) dhe të konstatojmë që kriza e sotshme shqiptare nuk i detyrohet vetem qeverisë apor regjimit të sotshëm. Faji i të gjithë qeverive shqiptare qysh më 1912 ka qenë e âsht: që nuk janë mundue e s’kanë dijtë me e ndryshue e me e zhdukë njat sistem të damshëm nga zemrat e popullit shqiptar. Pwrkundrazi, – e këtu qëndron akuza e jonë ma e flakët kundra tyne, – qeverinat e derisotshme shqiptare jo veç s’kan marr masa kundra njatij sistemi, a ma mirë: botëshikimi antikombtar, porse, nëpër moskujdesjen e tyne, kanë lanë me u fikë e me u zhduk edhe njato pak ndjenja kolektive dhe kombëtare që kanë vlue deri më 1912 ndër zemrat shqiptare. Dhe, (pa dashtë të lozim rolin e një Kassandre!) mund të thom me gjithë pikllimin e zemrës sonë, se me krizën ekonomike po i kërcnohet popullit edhe kriza shpirtnore kombëtare, se me falimentin ekonomik të shtetit tonë, mund t’i bahet vorri edhe gjithë kombit shqiptar!… Videant consules!!… et caveant!!… Karakteristika ma kryesore e krizës sonë, shqiptare, âsht nji fakt psikologjik: Na mungon besimi! Fati i pashpirt i sa e sa shekujve robnije dhe pasigurije na ka bâ pesimista deri në palcë; nuk i besojmë as shokut, as tregtarit, as zyrtarit, as qeveritarve, as shtetit… madje as vllaut tonë dhe bilé-bilé as Zotit e as vehtës… Tutemi, rrudhemi e shtrydhemi nder punë tona si kaçamidhi në levozhgën e vet… Jemi bâ nomadë, për mos me thanë: monomana, e ravgojmë nëpër këtë botë në nji vetmí shpirtnore të zhbraztë, secili në llogari të vet, secili n’interes të vet – e vetem sa me muejt me shkye, sa me rrëmbye nji copë varfanjake nga kjo jetë e shkretë materiale!…

Ky qendrim negativ i shpirtit tonë âsht shtue e pezmatue edhe ma fort qysh se kemi dalun shtet më vehte e qysh se i kemi humb edhe ato pak shpresa e ideale që na paten mbetun nga kohët e tiranisë së huej: pse përvojat me bashkatdhetarët tonë na duelen ma t’idhëta se ato me anmikun barbar!?… Nuk i besojmë shokut, pse na ka gënjye sa e sa herë: na ka dhanë fjalën e se ka mbajtë, na ka dhanë besën e na ka trathtue!… Nuk i besojmë tregtarit, pse na ka mashtrue sa e sa herë: na ka shit nji mall për nji tjeter, na ka puthë doren nder ditë të bardha e na ka nxjerë shpirtin nder ditë të zeza. Nuk i besojmë zyrtarit, pse na ka marrë nëpër kambë sa e sa herë: na ka sjellë me ditë e me javë vetëm për nji punë të vogël, kurse nji tjetri ia ka ndreq punën e madhe aty për aty – pse ka luejt bakshishi apor akraballëku!… Nuk i besojmë qeveritarëve pse na kanë ushqye deri më sot vetëm me profka e me premtime: dalin dekrete e ligje e nuk zbatohen, apor zbatohen vetëm për njênin a tjetrin e jo për të gjithë; m’anë tjetër bân populli lutje e ankohet dhe qeveritarët popullora nuk tunden nga kulltuku!… Nuk i besojmë shtetit, pse punët e tija dita më ditë po keqsohen: kurrnjiherë s’kemi kenë rrjepë e thithë gjaku aq fort nga disa vampira sa sot në Shqipninë e lirë, kurrnjiherë s’kemi pasë aq pak të drejta efektive (e jo vetem në letër!) sa sot në këtë shtet, të cilin e kemi ngrehë na vet me gjakun tonë!… Nuk i besojmë vllaut tonë, pse disa interesa të prunjta na e kan ndâ prej zemre!… Nuk i besojmë mâ Zotit, pse shpresat e lutjet tona duelen të gjitha të kota!… Nuk i besojmë, jo, as vehtës, pse së fundit e kuptuem se jemi nji hiç, nji zero dhe se jemi ma tepër të fjalës se të veprës, apor si thotë Pader Gjergj Fishta: ma tepër të dukës së të kênës!…

Na mungojnë ndjenjat kolektive thotë në nji vend, me mjaft disprim gazeta Ora. E vërtetë, porse ndjenjat kolektive, të cilat janë lidhun gjithmonë me njëfarë ideali, na janë shue vetem në këtë Shqipninë e lirë. A nuk qenë ndjenja kolektive ato që i shtynë shqiptarët me bâ sa e sa kryengritje madhështore nder të cilat disa na zhungllojnë nder veshë e shndrisin nder kujtime tona edhe sot, sidomos ajo e Malësisë më 1911, e Kosovës më 1912 dhe ajo e Vlonës 1920 ? A nuk qenë ndjenja kolektive ato që i shtynë shqiptarët e Stambollit, të Rumanisë, t’Amerikës etj., për me derdhë pasuninë dhe shëndetjen e tyne rreth propagandës nacionale? Dhe së fundit – sa me hy nder sfera ekonomike! – a nuk qenë ndjenja kolektive ato që i shtyn shqiptarët me e ngrehë fabrikën e çimentos në Shkodër e me e krijue shoqninë e elektrikut të Maliq-it në Korçë e sa e sa shoqniena tjera shqiptare?… Por aman! cili qê fati i të gjithë këtyne ndërmarrjeve të kolektivitetit shqiptar brënda kësaj Shqipnije të lirë?!…

Sot, jo, sot s’kemi çka kërkojmë nga ato ndjenja të përparshme kolektive nder zemrat e shqiptarëve. E genjejmë vehten në qoft se pandehim që nga gjiu i popullit tonë mund të shperthejë nji ditë përsëri nji kryengritje liridashëse nacionale. E genjejmë veten në qoftë se mbahemi mbas shprese që shqiptarët e mërgimit kanë me i dhanë Shqipnisë ndonjë ndihmë efektive materiale nder ditë zori, si bj.fj. Uhaja e Amerikës etj… E sa për shqiptarët e këndejshëm… lasciate ogni speranza!… nuk ka shka pritet gjâ e ndershme kolektive, as në pikëpamje materiale, as ideale… sepse të gjithë e kanë humbë shpresen…, sepse të gjithë e kanë humbë besimin… sepse të gjithë janë gënjye nga shteti dhe nga njaj sistem i tij byzantin e oriental, si na e kanë lanë miraz qysh kohnat ma të hershme…

Na mungon besimi! – dhe këtu po futemi mû në thelbin e problemit të krizës! Gazeta Ora – ma seriozja e Tiranës tuej pyetë nji ditë për shkaket e krizës shqiptare më çuditi masi dukjet e asajë krize nuk mund të spjegoheshin me theoritë e krizës klasike! Po i drejtohemi pra Orës: Ekonomia klasike – moj motër! – bashkë me krizën klasike kah hera janë tuej dhanë shpirt; i ka vra sociologjia moderne dhe sidomos kriza e sotshme botnore me përvojat e saja. Kriza klasike parasheh sidomos tre faktorë; supërprodhimin, moskonsumimin dhe papunësinë. Këta tre faktorë nuk çfaqen me të vërtetë, nder lëvizjet ekonomike të Shqipnisë. Porse ata nuk çfaqen as edhe nder vende tjera – po ashtu si e lypte theorija klasike – dhe me gjithë atë bota vuen krizë! Kriza klasike – moj motër tiranase! – bashkë me ekonominë klasike kanë harrue me e vuê në llogari nji faktor, por faktorin mâ të randsishëm: faktorin e shpirtit a ma mirë: faktorin e besimit. Kjo neglizhencë kaq fatale kuptohet vetem nëpër faktin që: Ekonomia dhe kriza klasike – qysh nga A. Smith-i, Ricardo-ja e sidomos Marx-i – janë bazue mbi shtylla materialiste dhe nuk i kanë vûe në llogari aspak komponentët shpirtnore. Dhe sot vjen nji politikan – ekonomist si Viscount-i d’Abernon dhe nji nga ekspertat mâ të parë të botës nder çashtje financiare – ekonomike, profesori Gustav Cassel, të cilët ia sprovojnë botës me statistika në dorë që theoritë klasike janë jangllëshe dhe se kriza e sotshme i detyrohet në piken e parë mosbesimit apor, sa me folë në dialektin e financierëve mungesës së kreditit (credo (lat)=besoj!)…

*Fragment nga dorëshkrimi origjinal që u botua për herë të parë nga revista Phoenix

Graz 1934