Prishi shtëpinë-muze, Dashamir Peza kallëzohet në prokurori

0
243

Elton Qyno

shtepiNjë banor i fshatit Pezë ka paditur deputetin e PS-së për “Shkatërrim të veprave të kulturës”. Prokuroria mbylli hetimet

Kallëzuesi Sokol Peza: Banesa humbi vlerat historike e monumentale, deputeti e ktheu në pronë private

 

Një banor i fshatit Pezë ka kallëzuar penalisht në Prokurorinë e Tiranës deputetin e Partisë Socialiste, Dashamir Peza, duke e akuzuar këtë të fundit për veprën penale të “Shkatërrimit të veprave të kulturës”. Sokol Peza, vitin e kaluar, i është drejtuar me një kallëzim prokurorisë, duke pretenduar se i afërmi i tij, deputeti Dashamir Peza, ka shkatërruar banesën historike, ku është zhvilluar Konferenca e Pezës, në të cilën u hodhën hapat e parë të krijimit të Luftës Nacional-Çlirimtare kundër pushtuesve nazistë dhe fashistë. Sipas kallëzuesit Peza, deputeti i PS-së e ka shkatërruar banesën historike dhe më pas e ka ndërtuar atë nga e para, gjë e cila ka humbur vlerat historike dhe muzeale dhe e ka kthyer në një banesë tërësisht private. Lidhur me këtë kallëzim në Prokurorinë e Tiranës, është marrë në pyetje deputeti Dashamir Peza, i cili ka treguar se banesa ka qenë pronë e babait të tij, mirëpo pas nxjerrjes nga lista si monument kulture dhe degradimit të plotë të saj, Dashamir Peza ka vendosur që në vitin 2001 të prishë banesën, duke e rindërtuar objektin pa prishur vlerat historike dhe formës planimetrike të shtëpisë muze. Mirëpo pas disa veprimeve hetimore, Prokuroria e Tiranës ka vendosur të pushojë hetimet, duke i dhënë të drejtë deputetit Dashamir Peza, dhe jo kallëzuesit Sokol Peza. Duke mos qenë dakord me vendimin, ky i fundit ka ankimuar çështjen në Gjykatën e Tiranës, por në 25 janar të këtij viti edhe gjykata ka vendosur t’i japë të drejtë prokurorisë dhe Dashamir Pezës.

Kallëzimi i Sokol Pezës

Nga aktet që ndodhen në fashikullin e paraqitur nga organi i prokurorisë dhe nga pretendimet e palëve në proces, rezulton se kërkuesi Sokol Peza ka paraqitur një kallëzim penal kundër shtetasit Dashamir Peza dhe disa personave të tjerë, duke pretenduar se kanë kryer veprën penale “Shkatërrim i veprave kulturore” parashikuar nga neni 160/2 i Kodit Penal. Në kallëzimin e tij dhe në shpjegimet e dhëna para oficerit të Policisë Gjyqësore, kallëzuesi ka pretenduar se shtetasi Dashamir Peza dhe punonjës të strukturave shtetërore kanë dëmtuar me dashje Muzeun e Konferencës së Pezës, të ndodhur në Komunën Pezë, Tiranë. Kallëzuesi nuk ka pretendime pasurore apo interes të drejtpërdrejtë vetjak lidhur me këtë objekt, por ka pretenduar se Muzeu i Konferencës së Pezës është shtëpi-muze dhe monument kulture i kategorisë së parë. Pavarësisht sa më sipër, sipas kallëzuesit, i kallëzuari dhe persona të tjerë kanë ndërhyrë në këtë shtëpi, kanë kryer punime, duke filluar që nga themelet e saj, nuk kanë ruajtur gjendjen e saj, pamjen e jashtme, madje kanë ndryshuar edhe destinacionin. Gjithashtu, kallëzuesi ka pretenduar se të kallëzuarit kanë dëmtuar edhe sendet (objektet) me rëndësi historike, që ndodheshin në këtë shtëpi-muze.

Hetimet e prokurorisë

Kallëzimi i mësipërm është regjistruar nga organi i prokurorisë me nr. 2091, datë 21 mars 2012. Pasi ka kryer veprimet e nevojshme procedurale dhe ka marrë provat e vlerësuara si të domosdoshme, organi i prokurorisë, me vendimin e datës 2 gusht 2012, ka vendosur “mosfillimin e procedimit penal në lidhje me kallëzimin penal nr. 2091…” Në pjesën arsyetuese të vendimit të mësipërm, organi i prokurorisë ka pretenduar se faktet objekt kallëzimi nuk përbëjnë vepër penale. Sipas prokurorisë, veprimet rindërtuese të shtëpisë-muze nuk kanë sjellë shkatërrimin apo dëmtimin e saj, por janë kryer në funksion të ruajtjes dhe përtëritjes së destinacionit të këtij objekti. Kallëzuesi nuk ka qenë dakord me vendimin e mësipërm dhe i është drejtuar gjykatës me kërkesë për kundërshtimin e vendimit të prokurorisë. Nga ana procedurale, gjykata nuk konstaton shkaqe papranueshmërie të kërkesës, si lidhur me legjitimimin, ashtu edhe me afatet e paraqitjes së saj. Kërkuesi, pavarësisht se nuk ka paraqitur pretendime pronësie apo të jetë person i dëmtuar drejtpërdrejt nga faktet objekt kallëzimi, konsiderohet kallëzues përderisa procedimi ka nisur mbi bazën e kallëzimit të tij. Duke qenë kështu, kërkuesit i lind e drejta, që bazuar në nenin 291 të K. Pr. Penale, të paraqesë edhe ankim ndaj vendimit të mosfillimit të organit të prokurorisë. Ky ankim rezulton të jetë paraqitur brenda afatit 5 ditë nga marrja dijeni, ashtu siç parashikon edhe neni i mësipërm i K. Pr. Penale. Nga shqyrtimi gjyqësor, rezulton se vendimi i prokurorisë është i drejtë dhe se nisur nga kjo situatë, sipas gjykatës, kërkesa duhet të rrëzohet.

 

Dëshmia e Dashamir Pezës

Shtëpia u hoq nga lista e monumenteve

e rregullova, dy dhoma i lashë si muze

Rreth hetimeve të zhvilluara nga ana e prokurorisë është marrë në pyetje edhe deputeti i kallëzuar Dashamir Peza, i cili është pyetur si person që ka dijeni për ngjarjen. Sipas procesverbalit të datës 15 qershor 2012, rezulton që ka dhënë deklarime shtetasi Dashamir Peza me cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale. Sipas deklarimeve të tij, rezulton se ky shtetas në periudhën shtator 1999 deri 2001, me shpenzimet e tij ka rindërtuar nga fillimi (nga e para) shtëpinë ku është zhvilluar Konferenca e Pezës, në Komunën Pezë, Tiranë, duke ruajtur karakteristikat, vlerat muzeale, formën dhe materialet që ishin përdorur në shtëpinë ekzistuese. Deklaruesi ka pretenduar se shtëpia ka qenë pronë e babait të tij dhe ishte degraduar plotësisht. Gjithashtu, deklaruesi ka pretenduar se ka vënë në dispozicion për qëllime muzeale dy dhoma në katin e dytë me hyrje më vete, të cilat janë oda e miqve dhe dhoma ku është zhvilluar Konferenca, pavarësisht se që nga viti 2006 shtëpia është hequr nga lista e objekteve që gëzojnë mbrojtje dhe nuk ka asnjë status të veçantë nga shteti. Nisur nga kjo situatë, deputeti Peza e ka kthyer objektin në banesë private, duke qëndruar vetë aty. Disa vite me radhë, në këtë banesë, ka qëndruar dhe ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës, njëherësh kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama. Pikërisht për shkak të qëndrimit të tij në këtë banesë, Kryeministri Sali Berisha e ka akuzuar kundërshtarin e tij se flinte në banesat e shokëve, ndërkohë që mashtronte duke pohuar se pasurinë e kishte vetëm 3 milionë lekë.

 

Droga në Fier

Bllokohen 340 kg kanabis, në kërkim transportuesi

Efektivët e sektorit të Luftës kundër Trafikut të Lëndëve Narkotike në Drejtorinë e Policisë së Fierit kanë sekuestruar dje në mesditë 340 kg kanabis. Pasi kanë marrë informacione në rrugë operative, është organizuar aksioni për ndalimin e mjetit ku mendohej se po transportohej droga. Pranë zonës së quajtur liqeni i Levanit, është bërë i mundur bllokimi i drogës në mjetin “Mitsubishi”, ndërkohë që drejtuesi është larguar në drejtim të paditur, teksa ka pikasur uniformat blu. Lidhur me këtë ngjarje, policia ka bërë identifikimin e personit dhe se tashmë përpjekje janë duke u kryer për arrestimin e tij. Sasia e drogës është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërsa dosja në ngarkim të personit të identifikuar do t’i kalojë Prokurorisë së Fierit.

 

Ngjarja në Korçë

Plagosën 54-vjeçarin, arrestohen dy persona

Policia e Korçës ka vënë në pranga dy persona për plagosje të rëndë me dashje. Andon Gjoni, 58 vjeç, dhe Ilir Hamzallari, 31 vjeç, në gjendje të dehur kanë goditur me mjete të forta një 54-vjeçar në lokalin e Gjonit. A. M. është dërguar në Spitalin Ushtarak në Tiranë në gjendje të rëndë shëndetësore. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa mbi dy personat rëndon akuza e plagosjes së rëndë me dashje e kryer në bashkëpunim. Sipas dëshmitarëve që kanë qenë në vendin e ngjarjes, mes dy personave autorë të krimit dhe të dëmtuarit ka lindur një debat për motive të dobëta. Pas kësaj ata kanë filluar të debatojnë me fjalë dhe më pas u përplasën fizikisht njëri me tjetrin, ku mësohet se pikërisht në këtë moment njëri nga të arrestuarit ka qëlluar disa herë me thikë 54-vjeçarin, duke u larguar më pas me vrap.