Blerta Mrishaj
Eterniti gjendet në Voskopojë, Theth, Llogora etj., ndërsa në ndërtimet e reja, sakaq gjendet azbest/amiant i paneleve që përdoren në tavanet e varura
Amianti, lëndë kancerogjene, i cili përdoret në mbulimin e banesave, për izolimin e stufave të ngrohjes, e përdorur gjerësisht prej viteve 1960 në vendin tonë, është një produkt i cili ka shkallën e kancerogjenitetit nga më të lartat, konfirmuar nga shkenca botërore. Lënda e amiantit apo azbesti përbën të ashtuquajturat eternite për mbulesën e ndërtesave, por është prezent në sobat e drurit, furnela apo elektroshtëpiake të importuara nga Kina dhe Turqia. Për këtë arsye amianti është rreptësisht i ndaluar dhe me ligj, në Evropë e më gjerë, vitet e fundit edhe në Shqipëri, pasi është shkaktari kryesor i kancereve shumë të egër, siç është mezotelioma dhe kanceri i mushkërive. Sipas të dhënave në Shqipëri raportohen çdo vit rreth 60 raste të reja të sëmurësh, që kanë shkak prezencën e amiantit në organizim. Nisur nga ky fenomen i pranishëm edhe në vendin tonë, një grup specialistësh të mjekësisë dhe ambientit i kanë kushtuar një studim të detajuar, ku shtrojnë domosdoshmërinë e zhdukjes nga përdorimi të produkteve të amiantit apo azbestit, siç njihet ndryshe.
Rreziku
“Është e rëndësishme që Shqipëria ka adaptuar një qëndrim bashkëkohor, duke e ndaluar produktin, por ka rrugë për të bërë për eliminimin e pasojave të trashëguar të tij. Monografia tregon qartë që ne kemi një histori dhjetëravjeçare të akomulimit të një fenomiologjie negative me risk shumë të lartë në territor. Shkenca ka dilemat e saja. E vetmja pjesë e saj ku ajo shprehet qartë dhe pa dilema është pikërisht ndikimi i amiantit në shëndet”, – u shpreh Petrit Vasili, bashkautor i librit “Amianti, asbesti, vrasës i fshehtë kancerogjen”. Sipas nënkryetarit të Bashkisë, Petrit Vasili studimi hedh dritë qartë mbi gjendjen e amiantit në Shqipëri, i cili është akumuluar ndër vite dhe ashtu siç edhe studimi tregon qartë, në periudhën 1960 ka pasur një intensifikim të përdorimit të tij. “Pra, ne kemi trashëguar në kuptimin negativ të fjalës një mbetje të rrezikshme nëpër territorin e vendit dhe studimi ynë tregon qartë rrezikshmërinë por edhe mënyrën se si duhet trajtuar, duke krijuar njëkohësisht edhe vëmendjen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila ka promovuar, sponsorizuar botimin e një libri të tillë, për të mbajtur qëndrime konkrete dhe eliminimin, parandalimin e të gjithë formave të futjes së mëtejshme të tij në Shqipëri. Duke qenë monografia e parë dhe unike, ka përdorur kriteret më të mira jo vetëm studimore e shkencore, por edhe përgjithësimeve legjislative që ka Evropa, e cila është shprehur qartë për këtë çështje. Në këtë mënyrë qëndrimet e shpejta dhe të menjëhershme do të thonë kursim të jetëve të njerëzve më shumë”, – ka theksuar Vasili.
Situata
Për sa i përket situatës dhe përdorimit aktual në Shqipëri, z. Vasili tha se amianti përdoret kryesisht në mbulimin e banesave, për izolimin e stufave të ndryshme të ngrohjes etj. “Pra, ka mjaft produkte të cilat potencialisht mund ta kenë amiantin. Ka qenë përdorur dikur edhe për veshjet e autobusëve, vagonëve të trenit, pra gjithkund. Studimi ka hedhur dritë mbi shumë mundësi ku ka qenë i mundshëm të akumulohet, por fusha e hulumtimit për gjetjen e tij duhet të vazhdojë akoma me intensitet më të lartë dhe ideja kryesore është trajtimi i këtij produkti me kujdes dhe profesionalizëm. Jo gjithmonë ai mund të shkatërrohet, duhet të kapsulohet. Pra, metodikat dhe se si bëhet i padëmshëm janë shkencërisht të qarta dhe të provuara dhe mbi to ne duhet të ecim dhe jo në mënyra të tjera, sepse në mënyra të këqija të eliminimit të tij, mund të shkaktojë një dëm të shtuar”, – ka përfunduar Vasili. Romeo Hanxhari, drejtor i Politikave të Mjedisit në Bashkinë Tiranë tha se “amiantin/azbest e kemi në dy burime; e para nga trashëgimia e përdorimit të tij për rreth 60-70 vjet, që prej viteve 1930. Është kjo problematikë e trashëgimisë, e cila duhet trajtuar me kujdes. Eterniti që zakonisht mbulon çatitë e shumë impianteve industriale apo të objekteve të tjera, duhet të hiqen sipas një protokolli strikt-teknik, përndryshe lëshojnë fibra dhe ka pasoja. Së dyti, shpesh herë nga mosdija e organeve doganore por edhe nga kostoja e lirë e këtij materiali me origjinë nga vendet në zhvillim, e kemi gjetur të futur edhe gjatë këtyre viteve në formën e paneleve të tavaneve të varura apo në forma të tjera. Pra, do shumë kujdes në të gjitha strukturat e mjedisit, strukturat doganore, strukturat e kujdesit në punë, strukturat e shëndetit publik dhe të edukimit etj. Ne e kemi gjetur edhe në shkolla të reja, për shkak se mësuesit nuk e dinin që azbesti është i ndaluar edhe në Shqipëri prej vitesh. Është rreptësisht i ndaluar në Bashkimin Evropian prej vitit 2005 dhe ne e gjejmë edhe sot në shkollat tona, si mjet pune në laboratorët e kimisë”, – tha Haxhia. Ndërkohë, problematike mbetet gjendja edhe në zonat turistike ku gjejmë eternitin, si në Voskopojë, Theth, Llogora etj., ndërsa në ndërtimet e reja duhet të kemi kujdes nga përmbajtja me azbest/amiant të paneleve që përdoren në tavanet e varura.
Shkolla e mesme
Rikonstruksioni i “E. Çabejt”, Basha: Dyfishojmë numrin e nxënësve
Në Tiranë bashkia ka filluar investimet për rikonstruksionin e shkollave. Siparin e tyre për vitin 2013 e hap shkolla e mesme “Eqrem Çabej”, pjesë e njësisë bashkiake numër katër. “Që prej viteve ‘40, në këtë shkollë nuk është bërë asnjë ndërhyrje”, – tha kryetari i bashkisë, Lulzim Basha, i cili u shpreh se rikonstruksioni i saj zgjidh problemin e mbipopullimit në klasa, pasi do të ketë edhe shtim të ambienteve. Ndërkohë godinës së kësaj shkolle pritet t’i bashkohen edhe disa ambiente të QSUT-së, të cilat do të shërbejnë për aktivitete sportive. “Ne do ta shndërrojmë shkollën “Eqrem Çabej” në një qendër jo vetëm për gjimnazistët, për të gjithë ata që janë në moshë për shkollën e mesme në këtë zonë duke e rritur me 50 për qind kapacitetin me 900 nxënës, por duke i dhënë dhe elemente të forta të bashkëveprimit komunitar, nëpërmjet ndërtimit të një palestre me standarde moderne, ndërtimit të një qendre multifunksionale”, – tha Lulzim Basha, kryetar i bashkisë. Rikonstruksioni i shkollës së mesme “Eqrem Çabej” pritet të përfundojë pas dhjetë muajsh dhe vlera e këtij investimi që vjen nga qeveria dhe bashkia, kap shifrën e 126 milionë e 600 mijë lekëve. Projekti parashikon riorganizimin e ambienteve të brendshme ekzistuese të shkollës, klasave, nyjave higjieno-sanitare, ambientit për mjekun, psikologun, sekretarinë dhe ambientin e mbyllur për kaldajën, instalimi i sistemit të ngrohjes qendrore. Me një investim prej 126.6 milionë lekësh, kjo shkollë do të ketë kapacitete të mjaftueshme për akomodimin e 900 nxënësve, nga 600 që ka aktualisht. Projekti i shkollës parashikon ndërtimin e 6 laboratorëve e 19 klasave. Gjithashtu, nëpërmjet shtesës së re, përfitohen ambiente të reja, si biblioteka, salla polivalente, administrata, palestra e mbyllur, dhomë mjeku, psikologu dhe një terren sportiv prej 368 m2.