Propozimi për referendumin, Berisha: Qytetarët e mbështesin masivisht

0
153

Ina Jano

referendumKryeministri: Mbështetja juaj e fuqishme buron nga dëshira juaj legjitime për të parë flamurin tonë kombëtar të valëvitet sa më shpejt në selinë e BE-se, siç valëvitet në selinë e NATO-s në Bruksel

 

 

Propozimi i ardhur vetëm tri ditë më parë nga vetë Kryeministri Berisha për të realizuar referendum në lidhje me tri ligjet që duhen miratuar për të marrë statusin e vendit kandidat, duket se ka gjetur një mbështetje të madhe qytetare, të cilët kanë komentuar në rrjetin social “Facebook”. Vetë kreu i qeverisë në një tjetër postim mesditën e djeshme u shpreh se në fakt e gjithë mbështetja vjen nga dëshira legjitime e secilit shqiptar që do të shohë në selinë e Bashkimit Evropian të valëvitet flamuri i kombit të tyre. “Së pari dua t’ju shpreh mirënjohjen më të thellë për mbështetjen tuaj të fuqishme, në rrjetin tonë social, të idesë së thirrjes së referendumit për miratimin e tre ligjeve që kërkohen nga BE që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat për anëtare në BE. Mbështetja e juaj e fuqishme është një detyrim madhor për mua, që me referendumin për statusin e vendit kandidat të ecim të sigurt përpara”, – ndau numri një i qeverisë më miqtë në Facebook. Shefi i mazhorancës ka vënë në dispocizion edhe disa shifra të cilat vetë rrjeti shoqëror i bën publike për ndjekësit e tij. “Nga dita e shtunë në dreke gjer sot në mëngjes, statusi për referendumin (sipas insights të tij) u pa nga mbi 154 mijë vetë, u komentua nga mbi 2200 anëtare të rrjetit tonë, gjeti mbështetjen më masive dhe vetëm 143 vetë patën reagim negativ ndaj tij. Mbështetja juaj e fuqishme buron nga dëshira juaj legjitime për të parë flamurin tonë kombëtar të valëvitet sa më shpejt në selinë e BE-se, siç valëvitet në selinë e NATO-s në Bruksel”, -shkroi dje Berisha. Kryeministri është ndalur edhe në përfitimet që do të ketë vendi ynë, nëse ai do të bëhet një vend i Bashkimit Evropian, duke përfshirë këtu miliona investime, por edhe vende pune të hapura për të gjithë qytetarët. Në lidhje me këtë ai u shpreh:”Me marrjen e statusit të vendit kandidat, Shqipëria do marrë qindra e qindra milionë euro investime nga Komisioni Evropian dhe sektori privat i vendeve anëtare, do hapen dhjetëra mijëra vende të reja pune dhe të rinjtë shqiptarë do fitojnë mijëra e mijëra të drejta studimi në vendet anëtare të BE”. Të dielën e kaluar kreu i qeverisë hodhi për diskutim në Facebook idenë për të mbajtur një realizim për votimin e tre ligjeve. Ai u shpreh se do të dëshironte të dinte opinionin e shumicës së njerëzve, në lidhje me një referendum të mundshëm për votimin e tre ligjeve. Lideri i mazhorancës u shpreh se kjo është mënyra e vetme për të çliruar vendin nga bllokimi që kreu i opozitës Rama, është duke i bërë vendit dhe të ardhmes evropiane të shqiptarëve. Ndërkohë edhe një ditë më parë nga mbledhja e grupit parlamentar demokrat, u shpreh se Rama është duke përgatitur një skenar për zgjedhjet e qershorit.

Vëzhgimi

Nëse shikon statusin ky Kryeministri ka propozuar referendumin, komentuesit janë të shumtë dhe nga të gjitha moshat. Ajo që vlen për tu theksuar është fakti se mes komentuesve është edhe vetë, lideri i qeverisë i cili u kthen përgjigje shqetësimeve dhe pyetjeve të qytetarëve. Kështu një komentues shprehet:“Së pari ju uroj shëndet! Sa për referendumin gjithmonë më është dukur një mënyre super demokratike! Nëse ti z. Kryeministër e sheh referendumin si një mundësi e vullnetit të popullit shqiptar. Do mbeteni në histori si njeriu që gjeti mënyrën se si të dëgjojë zërin e popullit të tij!! Duke e quajtur si të mbyllur dhe të miratuar këtë referendum! Shpresoj se së shpejti do na njoftoni për referendumin e shumë pritur, për ëndrrën e gjithë shqiptarisë kudo janë!! Respekte!” Ndërsa për tu nënvizuar është edhe përgjigjja që Berisha i kthen një qytetari. Ndër të tjera ai shprehet për të anët pozitive që miratimi i ligjeve do të sillte: “Miratimi i ligjeve dhe pas tyre marrja e statusit të vendit kandidat do të thotë qindra e qindra milion euro më shumë investime direkte nga Komisioni Evropian dhe nga sektori privat i vendeve anëtarë të BE-së si dhe mijëra e mijëra vende pune të reja për të papunët, kurse pretendimet tuaja tjera janë një propagandë ditore e Edi Ramës dhe zëdhënësve të tij saqë druaj se as ata që i përdorin edhe vetë nuk i besojnë. Natën e mirë – sb”.

 

 

 PD: Në pallatin e gruas, Rama ka larë gjobat që u vinte ndërtuesve

Partia Demokratike, me anë të zëdhënëses së saj Laura Vorpsi, ka deklaruar dje se Rama në pallatin e gruas së tij ka përfshirë paratë e gjobave që u ka vënë ndërtuesve. “Zoti Rama, ka dyshime të forta se në pallatin-pajë, ju personalisht keni larë paratë e gjobave që u keni vënë ndërtuesve, prandaj ju ftojmë që në përputhje me kodin tatimor dhe ligjin e lëvizjes së vlerave monetare, të bëni publike faturat tatimore dhe numrin e llogarisë dhe bankën në të cilën kanë qenë të depozituara paratë e pallatit në pajë, në rast se ato nuk janë para të pista gjobash të vendosura nga ju ndërtuesve të Tiranës apo përfitime tuajat nga grupe kriminale”, – thuhet në deklaratën për mediat. Sipas Vorpsit, Rama nuk mund të qëndrojë mbi ligjet e vendit. “Zoti Rama, Partia Demokratike ju rikujton se ligji për deklarimin e pasurive, kërkon nga ju të tregoni çmimin e vërtetë të blerjes së 8 mijë metër katrorë tokë në malin e Dajtit, pasi çmimi qesharak prej 1,3 euro metrin katror apo 200 lekë në një zonë në të cilën toka është blerë nga qytetarë të tjerë sipas dokumenteve zyrtare, jo 2 dollarë siç e deklaroni se e keni blerë ju, por së paku 22 e më shumë dollarë, dëshmon se ju i fshihni para tatimeve të vendit dhe ILDKP-së, shumën e vërtetë të parave të blerjes së truallit të sarajeve tuaja. Dhe kjo vetëm e vetëm se keni frikë nga origjina e parave me të cilat keni blerë truallin e rezidencës suaj verore. Edhe një herë zoti Rama! Partia Demokratike ju rikujton se transparenca është detyrim i prerë ligjor”, – përfundon deklarata. Selia blu është e gatshme që të vërë në dispozicion të gjitha dokumentet që ajo disponon në mënyrë që të bëjë transparencë për veprimet e kreut të opozitës shqiptare.

 

 

 

Bregu në PPE: Do të shpjegoj pse shqiptarët mbeten peng i opozitës

Ministrja e integrimit Evropian, Majlinda Bregu, mori dje pjesë në konferencën e 3-të të PPE (Partive Popullore Evropiane) mbi Ballkanin Perëndimor dhe të ardhmen e tij në BE, e cila mbahet në Bruksel. Ministrja Bregu komentoi në rrjetin social “Facebook” se do të duhet të shpjegojë në Bruksel pse shqiptarët mbetën peng i opozitës, e cila sipas saj, ka bllokuar për të tretin vit radhazi statusin e vendit kandidat. “Në mesazhin tim drejtuar pjesëmarrësve në takim do të shpreh qartë vullnetin e padiskutueshëm e 94% të shqiptarëve për t’u integruar në Bashkimin Evropian. Do të prezantoj edhe njëherë arritjet tona të pamohueshme në kuadër të këtij procesi dhe do të theksoj rëndësinë e Shqipërisë në rajon për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit”, – shkruan ministrja Bregu në Facebook. Nga ana tjetër, zonja Bregu thekson se do ti duhet të shpjegoj edhe njëherë përse shqiptarët po mbeten peng i opozitës. Përse opozita shqiptare del kundër vullnetit të qytetarëve të këtij vendi, duke bllokuar për të tretin vit radhazi statusin e vendit kandidat. Në këtë konferencë do të jenë të pranishëm kryetari i PPE në Parlamentin Evropian, Joseph Daul, komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule, kryetari i Komisionit të Jashtëm të PE, Elmar Brok, kryetari i Delegacionit të PE për Ballkanin Perëndimor, Eduard Kukan e përfaqësues të lartë të qeverive të Maqedonisë, Bosnjës, Kroacisë dhe Serbisë.

 

 

 

Fule në Tiranë, votoni tre ligjet

Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule, deklaroi në konferencën për Ballkanit të organizuar nga Partia Popullore Evropiane në Bruksel, se Komisioni është i gatshëm të raportojë në prill për statusin e kandidatit për Shqipërinë, por do të ishte vërtet keq, nëse nuk do të tregohet edhe hapësira më e vogël për ta ndihmuar vendin që të plotësojë tre kushtet. Komisioneri për zgjerimin Stefan Fule do të vijë së shpejti në Tiranë për të diskutuar meliderët politikë për votimin e tre ligjeve të integrimit. “Ne do të hartojmë raport për Shqipërinë nëse aktorët shqiptarë gjejnë konsensusin për të përmbushur tre kushtet që mbeten. Këto tre kushte përbëjnë kërkesën minimale për t’i rekomanduar shteteve anëtare statusin e vendit kandidat për Shqipërinë. Këto janë tre kushtet që mbeten, ndërkohë që Shqipëria ka plotësuar në mënyrë të habitshme një numër kushtesh të tjera. Sa keq do të jetë nëse këto tre kushte mbeten të pazgjidhura! Sa keq do të jetë nëse nuk do të tregohet edhe hapësira më e vogël për të mbështetur ata të shumtë që duan shumë ta ndihmojnë Shqipërinë që të hedhë hapat e fundit”, – deklaroi komisioneri për zgjerimin. Duke prezantuar raportet për zgjerimin në mesin e prillit, Komisioni Evropian i jep kohë të mjaftueshme vendeve anëtare që të marrin vendime të rëndësishme për zgjerimin në samitin e 27 dhe 28 qershorit, ku mund të përfshihet edhe statusi i vendit kandidat për Shqipërinë nëse plotësohen 3 kushtet e lëna si detyrë për Shqipërinë. Ndërsa për vendet e Ballkanit Perëndimor u shpreh edhe Tanja Fajon. Ajo tha se të gjitha këto shtete kanë bërë përparim të dukshëm. “Dialogu midis qeverisë dhe opozitës në Shqipëri solli deri në fund të bllokadës politike, ndërsa miratimi i reformave zgjedhore dhe parlamentare me të madhe do ta sendërtonte këtë progres”, – theksoi Fajon gjatë fjalës së saj.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency