Guxholli: Pse taksa e sheshtë është më pozitive për ekonominë shqiptare

0
260

Ervin Kaduku

energjiaËshtë suksesi i qeverisë “Berisha” që pagën mesatare të cilën gjeti në Shqipëri në 2005-ën prej 24 mijë lekësh sot e ka bërë 57 mijë lekë

 

Heqja e taksës së tatim-fitimit, e cila aplikohet në masën 10% do të thotë krijim i më shumë të ardhurave për familjet shqiptare e rrjedhimisht do të sjellë shpenzime në rritje dhe qarkullim më të madh të parave në treg. Zana Guxholli, këshilltarja e politikave ekonomike e Kryeministrit, deklaron se me këtë nismë qeveria është duke rritur pagat me 10% për më shumë për se 200 mijë të punësuar. “Rritja e të ardhurave jo vetëm rrit sasinë e parave në xhepin e tyre, por ju mundëson atyre të jenë më të lirë në konsum, në shpenzimin e këtyre të ardhurave. Në kohë krize nxitja e konsumit dhe rritja ekonomike nuk mund të realizohet ndryshe veçse me rritjen e të ardhurave, përmirësimin e klimës së biznesit, pra shtim të bizneseve dhe investimeve të huaja, të cilat do të punësojnë më shumë njerëz dhe këta të punësuar me të ardhura gjithnjë e më të mëdha kontribuojnë në rritjen ekonomike dhe përmirësimin e standardeve të jetesës”, – shprehet Guxholli.

Ajo shtoi se ky është një hap tjetër i qeverisë “Berisha” në ndihmë të popullsisë dhe njerëzve në nevojë dhe në përmirësimin e standardeve të jetesës. Sipas saj, në kuadrin e krizës mbarë botërore, ku ekonomitë e mëdha pësojnë tkurrje dhe përballen me papunësinë dhe me uljen e të ardhurave personale, uljen e konsumit dhe me mungesën e financimeve të mëdha të investimeve në ekonomi, ekonomia shqiptare falë politikave, strategjisë dhe reformave të marra nga qeveria arriti t’i rezistojë kësaj krize dhe të mbajë rritjen ekonomike.
Më tej, ajo theksoi se për të forcuar akoma më shumë ekonominë dhe për t’i bërë qytetarët akoma më imunë ndaj krizës dhe pasojave negative të saj, qeverisja Berisha vazhdon hapat për uljen e barrës për biznesin dhe qytetarët dhe njëkohësisht shtimin e të ardhurave në xhepat e tyre.

 

Ndryshimet

 

“Është suksesi i qeverisë Berisha që pagën mesatare që gjeti në Shqipëri në 2005-ën prej 24 mijë lekësh e ka bërë 57 mijë lekë. Megjithatë në këtë kohë krize çdo lloj hapi, çdo lloj reforme e vendimi që lehtëson barrën fiskale dhe mundëson shtimin e të ardhurave s’është gjë tjetër veçse shenjë e kujdesit të qeverisë për popullsinë, për të plotësuar premtimet e dhëna dhe për t’i shërbyer atyre”, – tha Guxholli.
Sipas saj, duke qenë se kufiri minimal i pagës nga 20 mijë që u gjet në vitin 2005 tani është rritur, kuptohet që për t’iu përgjigjur politikave ndihmuese për njerëzit me të ardhura minimale u ndërmor kjo nisëm. “Pagat që janë nën 30 mijë lekë nuk do të tatohen, nuk do të paguajnë 10%, që do të thotë se këto paga do të rriten me 10%, përveç rritjes vjetore që u bëhet nga qeveria këtyre pagave. Dhe kjo gjithmonë për të vaksinuar dhe imunizuar shqiptarët dhe ekonominë nga kriza dhe për të treguar se qeverisja Berisha vazhdon hapat përpara dhe të shpejta për të bërë Shqipërinë nga një vend në zhvillim, në një vend të zhvilluar”, – shprehet këshilltarja e Kryeministrit, duke shtuar se kjo nismë është një mbështetje e fuqishme që i bëhet biznesit. “Rimbursimi i kapitalit dhe rritja e të ardhurave krijojnë kushte për rritjen e punësimit në vend”, – thekson ajo.
Kjo Guxhollit, nuk arrihet ndryshe, veçse duke rritur të ardhurat dhe duke rritur mirëqenien. Në këtë kuadër të politikave mbrojtëse dhe uljes së barrës fiskale, vijon ajo, qeverisja Berisha vazhdon të thellojë paketat dhe reformat e ndërmarra kohë më parë. Sipas saj, dyfishimit të pagave dhe rritjes së përvitshme të tyre i shtohet edhe kjo politikë.
Po kështu, shprehet ndër të tjera ajo, për të lehtësuar biznesin qeveria hoqi dhe taksën mbi makineritë dhe kapitalin. Nga kjo rritje taksash, thekson Guxholli, përfiton edhe industria dhe bizneset, sepse në industrinë fason janë të punësuar me mijëra qytetarë. “Afërsisht 120 mijë të punësuar në këtë industri përfitojnë nga kjo nismë e qeverisjes Berisha”, – deklaron znj. Guxholli.
Pak ditë më parë, kryeministri Berisha informoi se shumë shpejt do të vijë për miratim në qeveri vendimi për heqjen e taksës së tatim-fitimit prej 10% për pagat e të gjithë të punësuarve nën 30 mijë lekë. Kjo nismë e qeverisë është mirëpritur nga të gjitha grupet e biznesit, por edhe nga të punësuarit e administratës publike e private, të cilët përfitojnë direkt.

 

 

Shkurt 2013, nis ndërtimi i Unazës energjetike të Jugut me financim qeveritar gjerman

Gjermania mbështet ndërtimin e linjës 110 kV të energjisë në Jugun e Shqipërisë me një kredi prej 49 milionë euro. Në një nga projektet më të mëdha të asistencës financiare në historinë gjermano-shqiptare

 

Në muajin shkurt do të nisë ndërtimi i linjës unazore 110 kv te furnizimit me energji të Jugun e Shqipërisë. Ky është një nga projektet më të mëdha të financuar për Shqipërinë nga Gjermania.

“Gjermania mbështet ndërtimin e linjës 110 kV të energjisë në Jugun e Shqipërisë me një kredi prej 49 milion Euro. Ky është një nga projektet më të mëdha të asistencës financiare në historinë gjermano-shqiptare. Punimet e kësaj linje do të nisin në mesin e muajit shkurt dhe pritet të përfundojnë brenda vitit. Nga kjo linje energjetike do të përfitojnë qindra mijëra qytetarë shqiptare dhe biznese falë furnizimit me energji elektrike”, – u shpreh ambasadorja gjermane në Tiranë, Carola Muller-Holtkemper.

Projekti do të realizohet nga Kompania fituese e ndërtimit të kësaj linje Energoinvest e cila nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit me Operatorin e Sistemit të Transmetimit.

Drejtori i OST Arben Ibro u shpreh se ndërtimi i linjës 110 kv në Jugun e Shqipërisë do të ketë një impakt pozitiv në zhvillimin e turizmit. Nga ana e tij, edhe drejtori i Enrgoinvest ka premtuar se projekti do të përfundojë brenda aftit të përcaktuar. “Është nder për ne që kemi fituar këtë tender me një konkurrencë kaq të madhe nën kujdesin e qeverisë gjermane. Në këtë projekt do të bashkëpunojnë edhe kompani shqiptare. Do të përpiqemi që së bashku ta kryejmë sa më parë këtë projekt”, – vlerësoi drejtori Enes Çengiç.

Punimet për ndërtimin e linjës janë ndarë në dy lote. I pari përfshin linjën bregdetare Sarandë-Vlorë me një gjatësi prej 105 km ndërsa loti tjetër do të kalojë në pjesën lindore të Shqipërisë, Korçë, Përmet Tepelenë.

 

Kosova

Vendimi për ndërtimin e linjës së interkonieksionit mes Shqipërisë dhe Kosovës do të merret së shpejti. Kështu është shprehur ambasadorja gjermane në Shqipëri, Carola Muller-Holtkemper, e cila ka pohuar se po vazhdojnë bisedimet me qeverinë shqiptare për zgjidhjen e kësaj çështjeje. “Pata mundësinë që më herët të bisedoj me ministrin e Ekonomisë, Edmond Haxhinasto në lidhje me këtë çështje. Nga ai mora premtimin se së shpejti do të merret një vendim për zgjidhjen e kësaj problematike dhe fillimin e punimeve për ndërtimin e linjës së interkoneksionin 400 kv Tiranë-Prishtinë”, – tha Holtkemper.

 

 

 

Olldashi: Bosnje-Shqipëri, së shpejti njihen patentat reciproke

 

Shqipëria dhe Bosnja do të intensifikojnë marrëdhëniet e tyre në fushën e transportit, sikurse do të shkëmbejnë eksperienca në sektorin e ndërtimit të infrastrukturës rrugore. Kjo u diskutua dje në takimin që ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi, pati me Kryeministrin e Federatës së Bosnje-Hercegovinës, Nermin Niksiç.

Kryeministri Niksiç deklaroi se Bosnja po përpiqet të implementojë modelin e Shqipërisë në zhvillimin e infrastrukturës rrugore, ndërkohë që ministri Olldashi ofroi gatishmërinë e institucionit që drejton për të vënë në dispozicion të gjithë eksperiencën e mbledhur prej stafeve teknike të MPPT dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar në këto 8 vite.

Për sa i përket njohjes reciproke të lejeve të drejtimit të automjeteve mes të dy vendeve, të dy zyrtarët u angazhuan të përshpejtojnë procedurat, nisur edhe nga fakti që shkëmbimet turistike mes Shqipërisë dhe Bosnjës kanë nisur të konsolidohen. Sipas statistikave zyrtare, vitin e fundit 29 mijë qytetarë shqiptarë vizituan Bosnjën dhe 31 mijë boshnjakë vizituan Shqipërinë. Ky numër pritet të rritet veçanërisht gjatë verës, për shkak të interesimit në rritje të operatorëve turistikë boshnjakë për plazhet dhe infrastrukturën turistike të Shqipërisë.