Sonja Caka
Kërkesa nga Prokuroria e Mynihut, vendimi nga Krimet e Rënda. Shtetasi Klaudjo Dervishi akuzohet për përfshirje në vjedhje me vlerë 3.1 milionë euro
Një hotel 5-katësh në bregdetin e Sarandës është sekuestruar nga Gjykata e Krimeve të Rënda, duke kaluar në administrim të shtetit. Bëhet fjalë për hotel “Piccolino” në plazhin e “Pllakat” në Sarandë, në pronësi të shtetasit Klaudjo Dervishi, nën hetim nga autoritetet gjermane. Shkak është bërë nisja e hetimeve dhe dyshimet e arsyeshme të hetuesve gjermanë se Dervishi së bashku me shtetas të tjerë shqiptarë dhe gjermanë janë të përfshirë në vjedhje që kapin vlerën e 3.1 milionë eurove. Për këtë arsye, nga Prokuroria e Mynihut në Gjermani ka mbërritur te Krimet e Rënda një letërporosi, në të cilën kërkohej të konfiskoheshin të gjitha pronat që ndodheshin në emër të shtetasit Klaudjo Dervishi, pasi ky akuzohet si një person mjaft i spikatur në aktivitetin kriminal të vjedhjeve. Pas shqyrtimit të letërporosisë, gjykata mori vendim të vendoste nën sekuestro konservative këtë pronë të identifikuar në emër të Dervishit, ndërsa është duke hetuar për të tjera pasuri në emër të këtij shtetasi.
Vendimi
Prokuroria e Përgjithshme konfirmon vendimin e gjykatës për sekuestrimin e një hoteli në plazhin e Sarandës, pas një hetimi në bashkëpunim me Prokurorinë e Mynihut. Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda, me kërkesë të prokurorisë pranë kësaj gjykate, ka vendosur sekuestro konservative për një hotel 5-katësh në plazhin “Pllakat” të Sarandës, pronë e shtetasit shqiptar Klaudjo Dervishi, i dyshuar nga autoritetet e shtetit gjerman si i përfshirë në veprimtarinë kriminale të vjedhjes në vlerë rreth 3.1 milionë euro. Prokuroria e Krimeve të Rënda, në zbatim të kërkesës për ndihmë juridike të autoriteteve gjermane të drejtësisë, përkatësisht të Prokurorisë së Mynihut, ka ofruar mbështetjen në hetim, si edhe ka kryer veprime procedurale në prani të ekspertëve të huaj. Në objektin e kërkesës së letërporosisë kërkohej konfiskimi i aseteve, si dhe ushtrimi i kontrollit dhe sekuestrimit të sendeve në kuadër të procesit hetimor kundër shtetasit Klaudjo Dervishi.
Hetimi
Nga studimi i akteve ka rezultuar se Prokuroria e Mynihut në Gjermani është duke kryer hetime lidhur me shtetasin shqiptarë Klaudjo Dervishi, lindur dhe banues në Sarandë, si dhe për disa shtetas të tjerë shqiptarë dhe gjermanë, si të dyshuar se kanë kryer veprat penale të vjedhjes së pasurisë më shumë se një herë dhe në përmasa të mëdha në kuadër të një bande kriminale, të parashikuara këto nga nenet 242, 243, 244 dhe 245 të Kodit Penal Gjerman. Nga hetimet e autoriteteve gjermane të drejtësisë ka rezultuar një veprimtari e spikatur kriminale e kryer nga shtetasi Klaudjo Dervishi e bashkëpunëtorët e tij. Personi nën hetim se bashku me disa persona të tjerë janë bashkuar për të kryer një seri veprash penale të vjedhjes me thyerje. Në përfundim të hetimit, më 30.1.2013, Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda pranoi kërkesën e prokurorisë pranë kësaj gjykate që të vendosë sekuestron konservative ndaj hotelit në pronësi të shtetasit Klaudjo Dervishi. Gjatë kontrollit në këtë hotel janë sekuestruar me cilësinë e provës materiale, dokumentacione të ndryshme, telefona celularë, pasaporta të falsifikuara, një kamerë, municione luftarake, celularë, karta telefonash etj.
Vendimi
Rigjykim 25-vjeçares greke, akuzoi disa shqiptarë si shfrytëzues prostitucioni
Konfliktet personale me disa shtetas shqiptarë e kanë shtyrë një shtetase greke të të niste një valë ndëshkimi kundër tyre, duke hapur një proces penal dhe duke i akuzuar për shfrytëzim prostitucioni kundër dëshirës së saj. Dha emra konkretë personash, vende, orë dhe data, por asnjë fakt nuk rezultoi i vërtetë, aq sa në fund u dorëzua dhe tregoi të vërtetën, se nuk kishte ndodhur në gjë e tillë por kishte dashur të hakmerrej ndaj njërit prej tyre se e kishte mbajtur në Shqipëri kundër dëshirës së saj. Gjykata e dënoi në mungesë me 9 muaj për “Kallëzim të rremë”. Ndërkohë që, dy ditë më parë, Gjykata e Tiranës ka vendosur t’i japë mundësinë e ankimimit të një vendimi të gjykatës 25-vjeçares greke Natali Kyrkala, e cila nuk kishte pasur mundësi të mësonte më tepër rreth procesit. Rezultoi se e reja nga Selaniku kishte mashtruar policinë duke dashur të ndëshkojë disa shtetas shqiptarë, të cilët i akuzonte se e kishin shfrytëzuar si prostitutë. Nga hetimet rezultoi se shtetasja greke kishte mashtruar duke dhënë fakte të rreme dhe për këtë arsye u dënua me 9 muaj burg. Në pamundësi për ta ankimuar këtë vendim, pasi ishte mbrojtur në mungesë dhe me avokat kryesisht, gjykata vendosi t’i japë mundësinë e animimit të vendimit të 3 muajve më parë. Sipas gjykatës, e pandehura me dashje ka paraqitur kallëzim penal duke deklaruar kryerjen e një krimi që e dinte se nuk është kryer, si edhe duke akuzuar persona konkretë. E pandehura jo vetëm ka paraqitur kallëzimin, por sa herë që është pyetur ka sajuar rrethana të pavërteta me qëllimin e vetëm inkriminimin e personave konkretë, me të cilët kishte pasur konflikte personale. Duke qenë në këto rrethana, e pandehura ka kryer veprën penale të kallëzim i rremë parashikuar nga neni 305 i Kodit Penal. Sipas gjykatës, e pandehura Natali Kyrkala është shtetase greke dhe banon në zonën e Selanikut, Greqi. Në shtetin grek, e pandehura është njohur edhe me shtetas shqiptarë si Agron Picaku, Lekë Picaku, Kujtim Frroku etj. Me datë 7.11.2010, e pandehura është paraqitur para oficerëve të policisë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë Tiranë dhe ka paraqitur kallëzim penal ndaj shtetasve shqiptarë Agron dhe Lekë Picaku, duke pretenduar se është shfrytëzuar nga ana e tyre si prostitutë. Në kallëzimin e saj e pandehura ka dhënë shpjegime të detajuara lidhur me kohën e ardhjes në Shqipëri, datat dhe vendin e hyrjes, personat që e kanë shoqëruar, qëndrimin e saj në qytetin e Rrëshenit, Shqipëri, dhunën e pësuar, kontaktet dhe qëndrimin me familjarë të shtetasve të kallëzuar, largimin prej tyre, etj. Mbi bazën e këtij kallëzimi, nga ana e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë dhe Prokurorisë për Krime të Rënda ka filluar procedimi penal ndaj shtetasve të kallëzuar nga e pandehura dhe është kryer një hetim i shtrirë në kohë dhe hapësirë, mjaft i detajuar duke verifikuara të gjitha të dhënat e të pandehurës Natali Kyrkala. E pandehura është pyetur edhe disa herë të tjera me datë 18.11.2010, 15.4.2011 dhe 23.6.2011. Ndërkohë dhe paralelisht me deklarimet e të pandehurës janë kryer edhe të gjitha veprimet e nevojshme për verifikimin e fakteve të pretenduara prej saj si kqyrja e vendeve ku e pandehura ka pretenduar se ka qëndruar, pyetja e personave të ndryshëm të deklaruar nga e pandehura, pyetja e babait të të pandehurës, verifikimi i hyrjeve dhe daljeve nga pikat e kalimit kufitar të të gjithë personave, këqyrja e telefonave të përdorur dhe e kohës dhe vendit të telefonatave etj. Nga të gjitha hetimet e kryera ka rezultuar se faktet e deklaruara nga e pandehura në kallëzimin e saj nuk kanë qenë të vërteta, por e pandehura ka gënjyer në shumicën e tyre. Pasi është ballafaquar edhe me provat e mbledhura nga organi i prokurorisë, në deklarimin e datës 14.7.2011 e pandehura e ka pranuar që ka bërë kallëzim të rremë duke deklaruar veç të tjerave: “…Siç mund ta kuptoni fare qartë unë nuk jam shfrytëzuar si prostitutë, për asnjë moment as nga Leka dhe as nga ndonjë prej anëtarëve të familjes së tij. Arsyeja pse unë kam gënjyer në procesverbalin e kallëzimit të krimit dhe në deklarimet e mëparshme kanë qenë dy. E para sepse Leka ishte personi që po më mbante në Rrëshen kundër dëshirës time… E dyta, sepse Leka ka kryer marrëdhënie seksuale me mua kundër dëshirës sime… Ndihem e penduar dhe e turpëruar për atë që kam bërë…”