Përgatiti Altin Vorpsi
Europoli ka në dorë një dosje hetimore voluminoze ndaj basteve të paligjshme në futboll. Në këtë dosje dyshohet se të paktën 680 ndeshje janë trukuar nga një organizatë mafioze me bazë në Azi që merret me fiksimin e ndeshjeve.
Për të gjithë ata që mendojnë se në arenën kryesore të futbollit të klubeve evropiane luhen vetëm ndeshje “të vërteta”, e kanë gabim. Nga raporti i pjesshëm që bëri dje publik Europoli është marrë vesh se dy takimet të vlefshme për Ligën e Kampioneve janë trukuar. Organizmi që ka hetuar një rrjet të fuqishëm kriminal, ka ngushtuar shumë “rrethin”, duke treguar se njëra prej këtyre dy ndeshjeve është luajtur pikërisht në Angli, pra sfida e dyshuar ka pasur si protagoniste një skuadër të madhe angleze.
Të implikuarit
Europoli nuk tregoi “identitetin” e takimit që ata mendojnë se është trukuar në Angli. Agjencia e zbatimit të ligjit e Bashkimit Evropian pohoi se ka zbuluar një organizatë kriminale që kishte bazën e saj në Azi. Sipas tyre kjo organizatë ka “korruptuar” 425 veta që janë “xhaketa të zeza”, drejtues klubesh, lojtarë dhe kriminelë. Rob Uainrajt, drejtori i i Europolit, tha: “Kjo është puna e një organizate të dyshuar kriminale që kishte bazën në Azi dhe që operonte me anë të rrjeteve kriminale nëpër Evropë. Për ne ky ishte investigimi më i madh që i është bërë fenomenit të trukimit të ndeshjeve në Evropë. Tani kemi nxjerrë përfundimin se integriteti i futbollit në Evropës është cenuar shumë. Ne zbuluam një rrjet të gjerë kriminal”. Pas hetimit 18-mujor Europoli zbuloi se mes takimeve të trukuara ka edhe nga ato të Kupës së Botës, eliminatoret e Kupës së Evropës, dy takime të Ligës së Kampioneve dhe “disa prej sfidave të ligave të Evropës”.
Shifrat
Përpos 13.8 milionë paundve të dhënë për trukimin e ndeshjeve të luajtura në Gjermani, personave të përfshirë u janë paguar edhe 1.73 milionë paund të tjerë.
Detaje financiare nuk janë dhënë për vendet e tjera që mendohet se janë përfshirë, përveçse pagesa më e majme është bërë në Austri në një shumë prej 121.000 paund. Europoli mendon se një organizatë kriminale me qendër në Singapor kishte shtrirë degët në Evropë duke shtuar së trukimi i ndeshjeve kishte ndodhur në 15 shtete dhe 50 persona janë arrestuar deri tani. Janë marrë në shqyrtim rreth 700 ndeshje në 30 vende. Objekt i këtij shqyrtimi kanë qenë ndeshje të ligave minore në Evropë. Policia gjermane përshkruan një rrjet global që përfshin korrierë ryshfetesh deri në 86.000 paund për ndeshje nëpër botë duke korruptuar lojtarë dhe arbitra. Shumica e rasteve janë zbuluar në Gjermani, ku 14 persona janë dënuar me 39 vjet burg. Dënime janë dhënë në Finlandë, Hungari, Slloveni dhe Austri.
Për Anglinë
I pyetur specifikisht për hijet e trukimit të sfidës ta mbajtur në Angli të vlefshme për Ligën e Kampioneve, Uainrajt refuzoi të ngushtonte rrethin pasi sipas tij “procedurat gjyqësore janë ende në zhvillim”. Ndër të tjera ai shpjegoi se ky takim është mbajtur në tre-katër vitet e fundit: “Dua të shtoj se vëmendja jonë ra në shtetet të tjera jo në Britaninë e Madhe. Gjithsesi dua t’iu informoj se jemi habitur me faktin se sa i shpërndarë ishte ky rrjet. Do të ishte shumë naive nga ana jonë që të mendonim se Mbretëria re Bashkuar do të ishte vendi i vetëm ku ky krim nuk ka prekur futbollin”, vazhdoi më tej numri një i Europolit. Pas këtyre deklaratave një zëdhënës i UEFA-s tha se qeveria e futbollit në Evropë do të bashkëpunojë me Europolin: “Ne do të ketë bashkëpunojmë me Europolin nëse ata do të na raportojnë për trukime ndeshjesh në kompeticionet evropiane”.
Përfitimet
Rrejti kriminal që u zbulua nga Europoli kishte investuar në trukimin e ndeshjeve rreth 16 milionë euro. 8 janë kthyer në xhepat e kriminelëve si përfitime ndërsa për të trukuar ndeshjet janë investuar 2 milionë euro. Paga më e lartë që ka marrë një njeri që ka pranuar të trukojë një ndeshje shkon në 140 mijë euro.
Investigimi i Europolit në shifra
18 muaj më parë filluan hetimet.
Në fillim vendet ku nisën hetimet ishin Gjermania, Finlanda dhe Hungaria, më pas ato nisën edhe në Slloveni dhe Austri.
680 ndeshje janë vëzhguar në 30 vende të ndryshme.
13.000 e-mail-e janë analizuar.
Janë identifikuar 425 të dyshuar.
50 persona janë arrestuar
80 paralajmërime apo shpallje në kërkim
Si trukoheshin ndeshjet?
Zëdhënës të policisë kanë bërë me dije se anëtarë të bandave kriminale ishin të detyruar që të mbanin lidhje me lojtarët e korruptuar dhe drejtuesit e klubeve. Laszlo Angjeli, një prokuror hungarez, ka dhënë një shembull se si ky mekanizëm funksiononte: “Anëtari hungarez i kësaj organizate, që vinte menjëherë pas kreut të Singaporit, kishte kontakte me arbitrat hungarez që mund të ndryshonin drejtimin e një sfide sipas udhëzimeve që kishin marrë. Ndërkohë që bashkëpunëtorët mund të vinin baste nëpërmjet internetit ose me celularë me bastexhinjtë në Azi ku kuotat ndryshe nga Evropa ishin të ligjshme”.
“Anglezja” e implikuar
Policia evropiane ka zbuluar më shumë se 380 ndeshje të dyshimta në 15 vende të ndryshme, ku përfshihet edhe një ndeshje e Ligës së Kampioneve e luajtur në Angli në 3-4 vitet e fundit. Ndeshja specifike nuk është përmendur për arsye ligjore, por vetëm 6 skuadra angleze kanë luajtur në këtë turne gjatë kësaj periudhe. Ato janë Mançester Junajtid, Arsenal, Liverpul, Totenhem, Mançester Siti dhe Çelsi.