Tregime Dashuri dhe fate

0
245

Bilal Xhaferi

vjeshtaAtë vit vjeshta kaloi si i ka hije, pa asnjë çrregullim të motit, pa shira dhe erëra të parakohshme. Tetori ishte i qetë dhe i vagëlluar. Nga fillimi i nëntorit ranë ca shira të pakta dhe koha u hap përsëri. Pastaj, në janar, ra bora e parë, në mars çelën thanat dhe në maj lulëzoi tërë vendi…

Kështu, muajt ndoqën njëri-tjetrin.

Gjatë verës, lulet e pranverës zunë kokrra. Në vjeshtë u volën kokrrat e fundit dhe filluan të binin fletët e para… Dhe përsëri hyri janari i vitit tjetër…

…Në një nga ditët e para të Vitit të Ri, kompania ime bënte stërvitje taktike, e vendosur në pozicion luftimi buzë lumit L. Tërë kohën e stërvitjes ra një shi, një shi bore, i akullt, i ngadalshëm, i pandërprerë, që të lagte dhe të fuste drithmën deri në palcë… Si mbaroi stërvitja, u kthyem në repart. Ashtu të njomur dhe të bërë pellg nga shiu hymë në “dhomën ushtarako-politike”, ku qëndruam të pastronim armët. Ata që e mbaronin pastrimin, shkonin dhe shpinin armët në armaturë dhe, kështu, salla boshatisej pak e nga pak. Unë po vonohesha. Pecja e vajimit m’i kishte bërë duart gjithë vaj dhe gishtërinjtë e ngrirë më ishin shtrembëruar, si të paralizuar. Duke shikuar gishtërinjtë e mi, m’u kujtua se kështu më paralizoheshin ata dhe kështu më ndoteshin nga ndryshku i hekurave, kur lidhja soleta nën ndonjë shi të lehtë.

Një ushtar u kujtua dhe shkoi hapi radion.

Po mbaronte një emision me muzikë ritmike. Pastaj u bë një pauzë. Pas pak spikerja tha:

Po japim pjesë orkestrale: Klod Debysi: “Ndriçimi i hënës”.

M’u drodh zemra… Këtë pjesë e kisha dëgjuar ato ditët e fundit kur u largova nga qyteza N., katërmbëdhjetë muaj më parë. Ngjante me “Serenatën” e Shubertit, nuk ngjante po të kujtonte tërë serenatën. Sa më pëlqente! I rrëmbyer nga muzika, tërë qenia sikur më shkrihej duke m’u bërë një me tingujt, dhe në mendje fillova të sjell ato kujtime të shtrenjta që i ruaja thellë në shpirt.

            Kënga e fundit e Markos

Faik Ballanca

Armët i kam pranë, po s’luftoj dot. Kitarën e kam pranë, po s’këndoj dot. Po vdes… Këmba ime nuk do të shkelë më kurrë mbi shkrepat e Sulit. Meteorët e përgjakur s’patën vend për këtë lëng të sertë që më rrjedh nga plagët dhe që është jeta ime. Se gjaku i kombit tim është shprishur e rrjedh nëpër Evropë, kudo që ngre krye liria. Ne jemi gladiatorë që e shpërthyem arenën.

– Karpenisi! Mbi kokën time djeg dielli i huaj i Eladës. I verdhë si limon ky qiell. Mbi buzën time po rreshken kripërat e fundit. S’kam një bulë ujë dhe zemra po më çahet nga malli. Nuk mundem të këndoj. Fytyra e Krizesë dhe e tim biri buzëqeshin përtej pyllit të gjelbër me ullinj. Ku jeni? Era gënjeshtare lot me mua dhe shpërndan mall e këngë të vjetra lufte, si atëherë kur ndodheshim tek Pesë Puset, në Qafë, apo në kështjellën e Shën Venerandës.

– Ku vemi? Ky vig që lëkundet më kujton djepin e nënës që më merrte gjithmonë në shpinë. Me djepin tim e të Kostandinit, ime më u çonte barut luftëtarëve. Nga gjumi më zgjoi një krismë dhe një krismë po më vë në gjumë. Më ngadalë, ju shokë që më mbartni! S’më shpini dot në Seleidë. Eshtrat e mia do t’i presë një tokë tjetër. Po vij, Mesolongj. Është mesditë. Stërkat e dallgëve vrapojnë mbi krahët e baticës dhe rrethojnë tërë brigjet e tua me shkumë të bardhë, që mërmërit se unë po vdes. Vërtet po vdes, po mos mbani zi. Se unë nuk jam më trimi i kombit tim. Në atë arenë të vogël të huajt kanë ngjallur përçarjen e llahtarshme: vëllavrasjen. Vetëm kjo na ka prishur. Unë

jam një gladiator që e gjeta rastësisht derën hapur. Dhe u përpoqa që të mbroj këtu lirinë që gëzoja në malet e mia, në sajë të armëve që kam në trup. Gjaku im vritet akoma. Kush e di për sa kohë? Kush e di se kur liria do të trokasë mbi atë dhe të zhuritur pëllëmbë e gjak, siç po troket tani në Eladë. Shpejt. Shumë shpejt.

… Më dhemb diçka. Diçka s’e kreva…

Po mbërrijmë. Hapuni porta, paçka se qepallat e mia po mbyllen dhe shokët nuk i shquaj dot! Më varrosni pranë fortifikatës “Gjergj Kastrioti”, që hija e tij të më qetësojë…

Fragment nga “Kënga e fundit e Marko Boçarit”