Investimet, Basha: Kombinati, furnizim me ujë brenda 4 muajsh

0
157

Blerta Mrishaj

basha

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Projekti parashikon sistemimin e ambienteve para pallateve, gjelbërim, ndriçim dhe stola për pushim si edhe ambiente e kënde lojërash për fëmijë

 

Ndërhyrje në rrjetin infrastrukturor dhe punim të rrjetit të ujësjellësit për të siguruar furnizimin me ujë të pijshëm brenda 4 muajsh për zonën e Kombinatit. Investimi i radhës prek njësinë 6 në Tiranë, ku Bashkia e Tiranës ka nisur punimet në rrugën “Hamdi Cenojmeri”, e cila do të lidhë Kombinatin me Komunën e Vaqarrit, në të njëjtën kohë me një investim prej 39 milionë lekësh do të ndërhyhet në rrjetin e ujësjellës-kanalizime, si dhe vendosjen e ndriçimit. Kryebashkiaku Lulzim Basha, dje gjatë inspektimit të punimeve në këtë zonë, deklaroi vendosmërinë e bashkisë për t’i sjellë standardin e munguar çdo centimetri katror të këtij qyteti, pavarësisht se ku shtrihet ai.

Investimi

Pjesa e parë prej 450 metrash po rikonstruktohet me buxhetin e vitit 2012 dhe pjesa në vazhdim është parashikuar të rikonstruktohet në buxhetin e vitit 2013, deri në kufi me territorin e Komunës Vaqarr. Pjesa e parë e rrugës ku dhe po punohet ka gjerësinë 6 metra dhe trotuare nga të dy krahët me nga 1 metër. Me një investim prej 39 milionë lekësh po realizohen edhe punimet e kanalizimeve të ujërave të bardha e të zeza, ndriçimi rrugor ku do të vendosen 32 copë shtylla, vetëm në segmentin e parë dhe do të mbillen 148 pemë të llojit bli. “Ne presim që brenda dy muajsh të nisë vazhdimi i rrugës, deri në përfundim të saj. Kjo është një vepër e parashikuar në buxhetin e vitit 2013 dhe e konsideruar prioritare nga vetë banorët e Kombinatit, gjatë konsultimeve të buxhetit. Ndërkohë, dua të informoj banorët e kësaj zone, që brenda 3-4 muajve të ardhshëm, Ujësjellësi do të përfundojë rrjetin shpërndarës për të gjithë zonën dhe asnjë shtëpi nuk do të mbetet jashtë mbulimit të këtij rrjeti. Projekti tashmë ka përfunduar dhe po merren masat për zbatimin e tij, sikundër siguroj dhe banorët në anën perëndimore të kësaj rruge, se rikualifikimi urban i zonës së tyre është po kështu një projekt i buxhetit të vitit 2013, zbatimi i së cilit do të nisë po këtë vit. Projekti parashikon sistemimin e ambienteve para pallateve, gjelbërim, ndriçim dhe stola për pushim si edhe ambiente e kënde lojërash për fëmijë”, – u shpreh Kryebashkiaku Basha. Kryetari i bashkisë, z. Basha, theksoi se me FSHZH do të realizohet vazhdimi i kësaj rruge deri në qendër të komunës së Vaqarrit, që funksionon në një farë mënyre si një “park natyror” për zonën e Kombinatit. Kjo rrugë nuk është shtruar asnjëherë më parë.

Infrastruktura

“Në një bashkëbisedim me drejtorin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, z. Beci, kemi diskutuar edhe në emër të Komunës së Vaqarrit, mundësinë e vazhdimit të rrugës deri në pikë takimin me rrugët rajonale brenda Komunës së Vaqarrit. Kjo rrugë pikë së pari do të kthehet në një rrugë me parametra modernë evropianë, për t’u shërbyer banorëve të kësaj zone, banorëve që kanë shtëpitë në të dy anët e rrugës dhe që e përdorin si arterie kryesore dhe së dyti të kthehet nga një arterie që sjell baltë në dimër e pluhur në verë, nga Komuna rurale e Vaqarrit, në një arterie e cila përshkon bashkinë dhe Komunën e Vaqarrit, duke e bërë aspektin e gjelbër të kësaj komune, “të shijueshëm” për qytetarët e Kombinatit”, – theksoi z. Basha. Kryebashkiaku ka rishprehur vendosmërinë e Bashkisë së Tiranës për t’i sjellë standardin e munguar çdo centimetri katror të këtij qyteti, pavarësisht se ku shtrihet ai. “Sado periferike të jetë, asnjë pjesë e kryeqytetit nuk do të mbetet jashtë vëmendjes së Bashkisë së Tiranës, ndaj si kjo rrugë, si vazhdimi i kësaj rruge, si sistemimi i bllokut të pallateve (këtu djathtas), por edhe vepra të tjera të cilat po ndërtohen në zonën e Kombinatit, Laprakë, Allias, Kinostudio apo Kodër-Kamëz, janë pjesë e përkushtimit tonë që standardi evropian, standardi i Tiranës moderne evropiane të shtrihet në çdo centimetër katror të qytetit tonë”, – u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.

 

 

Berat

Virusi te fëmijët, 5 vogëlushë në terapi intensive

Një virus i rrezikshëm, i përhapur ditët e fundit në qytetin e Beratit, ka bërë që 5 foshnja 0-2-muajshe të shtrohen në repartin e Reanimacionit të Pediatrisë Berat në terapi intensive pasi janë në gjendje të rëndë respiratore, me çrregullime të ritmit dhe të oksigjenimit. Bluzat e bardha bëjnë me dije se ditët e fundit shfaqur ditët e fundit një virus i rrezikshëm që shoqërohet me komplikacione të aparatit respirator tek fëmijët. Kjo për shkak të virozave stinore që tek fëmijët e porsalindur janë manifestuar me temperaturë të lartë, bllokim në frymëmarrje dhe ndryshime të ngjyrës së lëkurës. Shefi i repartit të Pediatrisë në Spitalin Rajonal të Beratit, mjeku Vladimir Kumaraku, sqaron se fëmijët ndodhen nën kujdesin e mjekëve teksa thotë se gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetën. Mjekët bëjnë thirrje që të kihet kujdes, pasi viroza e shfaqur ditët e fundit është e rrezikshme, sepse në të gjitha rastet shoqërohet me komplikacione të aparatit respirator,që janë shumë të vështira për t’u kuptuar edhe nga vetë mjekët me anë të dëgjimit nëpërmjet stetoskopit.

 

Ndërhyrja

Tavo: Transplanti i veshkave, me buxhet të shtetit

“Realizimi i transplantit të mëlçisë në vendin tonë është një arritje e madhe që zgjidh përfundimisht problemin e të sëmurëve me insufiçencë hepatitis”, – tha dje ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, gjatë një vizite në spitalin ku edhe u realizua kjo ndërhyrje. Tavo u njoh nga afër me gjendjen shëndetësore të fëmijës 3-vjeçar që iu nënshtrua ndërhyrjes së parë kirurgjikale në vendin tonë për transplantin e mëlçisë. “Ky transplant ka një të veçantë, sepse kryhet për herë të parë në vendin tone, ndaj dhe e fut Shqipërinë në vendet që tashmë kryhet transplant. Por, ka edhe një tjetër të veçantë që kryhet tek një fëmijë i vogël, gjë që na bën ne si vend, krahasuar me shumë vende të tjera të rajonit, të jemi avangardë”, – tha Tavo. Duke u ndalur në rinisjen e ndërhyrjeve të tilla edhe në sistemin publik, Tavo garantoi se në të ardhmen këto ndërhyrje do të kenë vazhdimësi dhe do të mbulohen nga buxheti i shtetit. “Ne kemi alokuar nga buxheti i shtetit këtë vit fondin për të mbuluar transplantin e veshkës, por shpresoj se edhe transplanti i mëlçisë do të mbulohet nga fondet e buxhetit të shtetit”, – theksoi më tej ministri Tavo. Sipas tij, “është planifikuar që ndërhyrjet, të cilat do të realizohen për transplantin e veshkës do të mbulohen 100% nga buxheti i shtetit”. “Ky fond është bërë realitet, ndaj dhe në muajin mars do të përfundojnë të gjitha procedurat që do të lejojnë nisjen dhe vazhdimësi e një procesi rutinë për transpantin e veshkës, për të gjithë ata pacientë që e kanë të nevojshëm pas gjetjes së donatorit”, – nënvizoi ministri i Shëndetësisë.

 

Rreziku nga interneti

UNICEF: Mbroni fëmijët nga pornografia!

Rrjetet sociale gjithnjë e më shumë po përdoren edhe nga persona që abuzojnë me fëmijët. Konstatimi është bërë nga ekspertë ndërkombëtarë gjatë një konference për sigurinë e fëmijëve nga përdorimi i internetit. Ambasadori i UNICEF-it në Shqipëri tha se interneti po përdoret gjithnjë e më shumë për të abuzuar me të miturit, ndërsa përdorimi i shpeshtë i tij cenon edhe privatësinë. “Një pjesë e fëmijëve kanë gjetur forma të reja komunikimi në internet. Është e domosdoshme të detektohet përmbajtja e papërshtatshme dhe kriminale e faqeve që instalohen aty. Shkolla, mësuesit dhe autoritetet lokale duhet t’i kontrollojnë dhe parandalojnë futjen në këto faqe pornografike të fëmijëve, pasi nuk duhet të ketë asnjë tolerancë për shfrytëzimin pornografik të fëmijëve. Edhe qeveria shqiptare është pjesë e deklaratës së nënshkruar për dënimin dhe çuarjen para drejtësisë së personave që përdorin këto rrjete dhe kanë në dorë pornografinë e fëmijëve”, – thotë Detlef Palm, ambasador i UNICEF-it në vendin tonë. Edhe ambasadori amerikan, Alexander Arvizu, dhe ai i Bashkimit Evropian, Ettore Sequi, thanë se legjislacioni shqiptar duhet të jetë më i efektshëm në luftën ndaj abuzimeve me fëmijët në internet. Duke shprehur gatishmërinë për të ndihmuar në këtë fushë, ambasadorët kërkuan nga qeveria që të marrë masa për të rritur sigurinë nga rrjetet sociale. Sipas ministrit të Teknologjisë dhe Informacionit, rreth 60 për qind e popullsisë në Shqipëri është përdoruese e internetit. Mosha që frekuenton më shpesh rrjetet sociale, është ajo nën 24 vjeç, ndërsa rreth 6 për qind e përdoruesve janë të moshës nga 13-15 vjeç. Abuzimet me fëmijët në internet pohohen edhe nga një studim i “World Vision”. “Ka pasur raste, – thonë drejtuesit e kësaj organizate, – që personat kanë bërë presione për të lënë takime, duke bërë shantazh me hedhjen e fotografive në rrjetet sociale”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency