Florenc Drizari
Projektligji “Për armët” pritet të rikthehet për shqyrtim ditën e hënë sërish në Komisionin e Ligjeve
Projektligji “Për armët” ka shkaktuar përplasje qëndrimesh mes deputetëve të mazhorancës dhe të opozitës në Komisionin e Ligjeve. Sipas përfaqësuesve të mazhorancës, drafti në fjalë synon të rregullojë kushtet për blerjen, mbajtjen, prodhimin, tregtimin, shitjen, transportimin e importimin e armëve dhe municioneve brenda territorit shqiptar, si dhe eksportimin e tyre jashtë vendit. Por ndryshe mendojnë socialistët, që në komision thanë një ditë më parë së do të votojnë kundër këtij projektligji, duke e quajtur atë të panevojshëm për periudhën në të cilën ndodhet vendi.
Fatmir Xhafaj
“Ky projektligj për armët nuk ka shumë ndryshim nga ligji i parë dhe ai vjen në një kohë, kur po vriten njerëz nga armë që i kanë zyrtarë dhe shpesh nga oficerë. Për çfarë u duhen armët deputetëve, ministrave, anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese?”, – tha nënkryetari i komisionit Fatmir Xhafaj.
Edi Paloka
Në replikë me të, deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka, tha se projektligji është një përmirësim i atij ekzistues dhe se shqetësim për armët përbën ndodhja e tyre në duart e kriminelëve dhe jo ndaj zyrtarëve. “Ky është një ligj, pjesa më e madhe e të cilit ka qenë në funksion deri në ditët e sotme. Ato argumente që u ngritën për mbajtjen e funksioneve, praktikisht kanë gati 15 vjet që janë në zbatim, kanë kaluar të dyja qeveritë. Nuk kuptova argumentet e z. Xhafaj, kur tha se sot po vriten qytetarë me armë të policëve, të zyrtarëve, ne ju hapim mundësi që të mbajnë edhe të tjerë. Nuk e di, mbase z. Xhafaj ka menduar t’u heqim armën policëve, meqë nxori këtë argument. E vërteta është e kundërta. Janë policët që po vriten me armët e kriminelëve dhe jo me armët e zyrtarëve. Janë zyrtarët që po vriten nga kriminelët dhe jo kriminelët nga zyrtarët, kështu që ky është argument absurd”, – u shpreh Edi Paloka.
Tritan Shehu
Nga ana e tij, deputeti i mazhorancës, Tritan Shehu, kundërshtoi deklaratat e homologëve të tij të majtë lidhur me projektligjin “Për armët”, duke e quajtur qëndrimin e tyre populist që nuk i shërben konsensusit. “Shqipëria është në një stad të ri zhvillimi dhe ka kërkesa të reja, elementë të rij, prandaj unë nuk e shoh aspak këtë sjelljen e këtij ligji si diçka anormale. Por për të përmirësuar legjislacionin shqiptar jo vetëm me direktivat e BE por edhe me përvojën tonë të deritanishme. Është një ligj krejtësisht i përputhshëm me kërkesat tona dhe të të gjithëve bashkë. Prandaj, të mos e përdorim këtë ligj për të qëlluar me breshëri në 360 gradë dhe të përqendrohemi tek ligji vetë dhe nuk ka pse mos ta miratojmë. Unë jam krejtësisht kundër disa deklaratave populiste që bëhen këtu për deputetët, për ministrat. Unë për vete skam mbajtur ndonjëherë armë, as kur shumë të tjerë kanë pasur mitraloza në kurriz”, – deklaroi deputeti Shehu. Ndërkaq, opozita shprehu votën e saj kundër gjatë shqyrtimit nen për nen të draftit për armatimet, ndërkohë që përfaqësuesit e mazhorancës kërkuan shpjegime më të hollësishme nga ana e specialistëve të Ministrisë së Brendshme lidhur me përkufizimin e pikës 3 të nenit katër, në të cilën kërkohet kategorizimi i armëve të gjuetisë si armë zjarri. Shqyrtimi në vazhdim i këtij projektligji u la për ditën e hënë në Komisionin e Ligjeve.
Arben Ristani: Projektligji merr parasysh edhe direktivën e BE-së për kontrollin dhe blerjen e armëve
Zv.ministri i Brendshëm Arben Ristani gjatë prezantimit të projektligjit “Për armët” para Komisionit të Ligjeve shpjegoi disa nga arsyet që e kanë çuar mazhorancën të ndërmarrë një iniciativë të tillë, duke argumentuar se ndryshimet vijnë si pasojë e përmirësimit të legjislacionit dhe përshtatjes së tij me direktivat e BE-së. “Projektligji i ri është hartuar në bashkëpunim me disa institucione qeveritare dhe Prokurorinë e Përgjithshme. Është konsultuar me Ministrinë e Mbrojtjes dhe është një produkt i specialistëve të disa institucioneve. Projektligji merr parasysh edhe direktivën e BE për kontrollin dhe blerjen e armëve. Projektligji sjell të re një përkufizimi gjithëpërfshirës për armët, i ndan ato në disa kategori, fut konceptin e pronësisë private në raport me armët, përmirëson listën e personave publik që kanë të drejtë të mbajnë armë, parashikon kushtet e përgjithshme për pajisjen me licencë”, – u shpreh zv.ministri i Brendshëm Arben Ristani.