Apeli: Pronat e Elton Deliut të ngelen nën sekuestro

0
208

Sonja Caka

gjykata e apelitVendimi, pas ankimimit nga trashëgimtarët e të vrarit disa vite më parë. Pronat nën sekuestro në vlerën e 3 milionë eurove

 

Gjykata e Apelit vendosi pro kërkesës së organit të akuzës për vendosjen e sekuestros për pronat e Elton Deliut, i vrarë në dhjetor të vitit 2008 në banesën e tij së bashku me të ëmën, Flutura Deliu. Ky vendim erdhi pas ankimimit të një vendimi të mëparshëm të dhënë nga gjyqtarët e Shkallës së Parë, bërë nga familjarët e të ndjerit dhe shoku i ngushtë i tij, konkretisht nëna e vajzës së Deliut, A. Musaraj, njëri nga dajat e të vrarit, si dhe ish-shoferi i tij Admirim Sako, ky i fundit i vrarë dy javë më parë. Por, përfaqësuesi i akuzës ka argumentuar pse këto prona në vlerën e 3 milionë eurove duheshin vendosur nën sekuestro, duke penguar përfituesit e saj përmes një procesi gjyqësor, që të tjetërsojnë atë gjatë kësaj kohe. Vendimi për bllokimin e pasurisë së Deliut dhe nënës së tij, Flutura Deliu përcakton lënien nën sekuestro preventive të rreth 36 pasurive të paluajtshme, mes tyre dhe dy llogarive bankare që kapin një shifër prej 650 dhe 954 mijë euro. Mes pasurive të shumta janë disa apartamente, një vilë në plazhin e Durrësit, një furgon i blinduar, disa sipërfaqe toke në Tiranë dhe Durrës, si dhe disa lokale në rrugën “Myslym Shyri”, në Rrugën e Dibrës dhe në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet. Hetimi ka treguar se të gjitha këto pasuri kanë qenë të regjistruara në emër të ish-bashkëjetueses së shtetasit Elton Deliu, shtetases A. Musaraj, të ish-shoferit të tij personal, Admirim Sako, nënës së tij, Flutura Deliu, dhe dajës A. Çaushi. Mirëpo, katër vjet pas vrasjes së 32-vjeçarit, njësia task-forcë pranë Prokurorisë së Tiranës ka vendosur të marrë nën hetim dy shtetasit e mësipërm, duke i akuzuar ata për akuzën e “Pastrimit të produkteve penale”. Sipas Prokurorisë së Tiranës, shtetasi Deliu është marrë me aktivit kriminal, kryesisht me trafikun e heroinës në drejtim të Italisë dhe se për këtë veprimtari kriminale është dënuar me disa vite burg nga drejtësia Italiane.

Dosja

Për shkak të informacioneve të ardhura nga disa banka, por edhe nga agjentët të Policisë së Shtetit, janë krijuar dyshime të arsyeshme rreth vënies së pasurisë së 32-vjeçarit Elton Deliu dhe dy shtetasve A. Musaraj dhe Admirim Sako, të cilët janë bashkëjetuesja e tij dhe shoferi personal. Nisur nga kjo situatë është vendosur regjistrimi i procedimi penal nr. 4737 i vitit 2012, regjistruar në ngarkim të familjarëve dhe rrethit shoqëror të shtetasit Elton Deliu, për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale, parashikuar nga neni 287 i K. Penal. Me vendimin e gjykatës të datës 26 dhjetor 2012 u vendos sekuestro preventive për sekuestrimin e pasurive të paluajtshme, të luajtshme dhe llogarive bankare, të vendosura në emër të vetë Elton Deliut, familjarëve dhe rrethit shoqëror të tij, konkretisht rreth 36 pasuri të paluajtshme të llojit arë dhe apartament me sipërfaqe totale rreth 50.000 m2 të ndodhura në Tiranë, 5 automjete dhe 20 llogarive bankare në bankat e nivelit të dytë në monedhat USD, euro dhe lekë. Pasuritë e luajtshme e të paluajtshme, si dhe vlerat monetare të depozituara në banka, dyshohet se janë krijuar mbi bazën e të ardhurave të siguruara nga aktiviteti kriminal i shtetasit Elton Deliu, pra, produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike të kryer nga shtetasi Elton Deliu. Kjo duke pasur parasysh aktivitetin kriminal të këtij shtetasi, shumat e mëdha të investuara për blerje të pasurive të paluajtshme e të luajtshme apo në biznese të mundshme, shumat e mëdha të depozituara në banka dhe transaksionet e kryera me ato, të cilat nuk justifikohen nga pikëpamja ekonomike sepse nuk identifikohen burime të ligjshme të ardhurash për të siguruar këto pasuri, transaksionet e kryera me pasuritë e paluajtshme dhe llogaritë bankare, si dhe të gjitha këto veprime pasurore rezultojnë se janë kryer afërsisht në të njëjtën periudhë kohore midis tyre dhe aktivitetin kriminal, për të cilin dyshohet shtetasi Elton Deliu.

Pasuritë

Gjykata ka vënë nën sekuestro preventive pronat e Elton Deliut, konkretisht 10.000 m2 sipërfaqe toke në Tiranë; 3 lokale në Tiranë (2 në rr. “Myslym Shyri” 1 në Rrugën e Dibrës); 3 apartamente në Tiranë dhe 1 vilë në Durrës; 4 automjete, njëri prej të cilëve furgon i blinduar. Gjithashtu, edhe pasuritë e të ëmës 12.300 m2 sipërfaqe toke në Durrës; llogari në dy banka, nëpërmjet të cilave ka kryer gjatë vitit 2008 transaksione në vlerat 650.000 euro dhe 954.000 USD. Vendimi i sekuestros përfshin edhe pasuritë e ish-bashkëjetueses së Deliut, konkretisht 2 automjete; 5000 m2 sipërfaqe toke, të cilat rezultojnë të regjistruara në ZRPP në emër të shtetasit Admirim Sako, por që i kanë kaluar me kontratë shitje shtetases A. Musaraj; si dhe një aktivitet privat person fizik (lokal). Në sekuestro preventive janë edhe ato nën emrin e ish-shoferit dhe dajës së Deliut, përkatësisht 3 automjete; 1 apartament; 2400 m2 sipërfaqe toke; aktivitet privat person fizik; si dhe dhjetëra pasuri bankare.

 

Përfundon hetimi për Nazime Vishën, javën tjetër dosja në gjykatë

Pritet komunikimi i akuzës “Vrasje me paramendim” për 18-vjeçaren, vrau Fiqiri Muçën

 

Prokuroria e Tiranës i ka dhënë fund hetimit për një nga vrasjet më të bujshme të vitit të kaluar, ajo e ndodhur në Kërrabë, ku 18-vjeçarja Nazime Visha vrau të dashurin e saj, Fiqiri Muça. Grupi hetimor ka përfunduar hetimet, ka dalë në përfundimet konkrete dhe pritet që javën e ardhshme të dorëzojë në gjykatë dosjen dhe kërkesën për gjykim në ngarkim të Nazime Vishës, ndërsa akuza me të cilën parashikohet të shkojë në gjykatë është ajo e “vrasjes me paramendim”. Fakti bëhet me dije nga burime pranë organit të akuzës së kryeqytetit, të cilët bëjnë të ditur për “Standard” se hetimet kanë përfunduar për Vishën, grupi hetimor dhe prokurori që drejtoi dhe ndoqi hetimet që nga momentet e para të ndodhjes së ngjarjes janë në përfundim të momenteve të fundit dhe javën e ardhshme kjo dosje do të dorëzohet në gjykatë për t’i hapur rrugë shqyrtimit gjyqësor. “Akuza me të cilën do çohet për gjykim Nazime Visha është ajo e “vrasjes me paramendim”. Kështu u konkludua pas shqyrtimit të një sërë veprimesh hetimore, marrjes në pyetje të disa personave nga të dy palët, si dhe eksperimentit të bërë për të provuar nëse 18-vjeçarja e kishte kryer vetë krimin apo jo” bëjnë me dije të njëjtat burime nga akuza.

Ngjarja

Sipas organit të akuzës, më datë 13 gusht 2012, rreth orës 00:30 Fiqiri Muça me mjetin e shtetasit Myrvet Bardhi është nisur nga qyteti i Durrësit, për të përfunduar pranë banesës së Nazime Vishës, të cilën e ka lajmëruar se do të shkonte ta merrte. Rreth kësaj ore, pasi ka trokitur në banesën e saj, personi nën hetim Nazime Visha, duke patur dijeni se do të shkonte për ta marrë, duke patur parasysh rrethanat e reja të krijuara ka marrë një armë automatike, të cilën e mbante pa leje dhe pretendonte se e ka gjetur në një tunel pranë fshatit të saj, dhe me të ka qëlluar në mënyrë të drejtpërdrejtë ndaj viktimës, i cili duke parë situatën është larguar me vrap, por është ndjekur nga Nazime Visha e cila ka qëlluar disa herë në drejtim të tij. Fiqiri Muça është gjetur në një të përpjetë ku ka gjetur dhe vdekjen. Sipas ekspertizës së kryer ka mbi pesë goditje të cilat kanë qenë në pjesët vitale të trupit duke i shkaktuar vdekjen. Pas kësaj, Nazime Visha pretendon se ka njoftuar policinë në lidhje me ngjarjen e ndodhur, dhe sipas akuzës, aty ka pritur derisa kanë mbërritur shërbimet policore dhe e kanë arrestuar. Duhet theksuar se nga kqyrja e vendit të ngjarjes, atë mbrëmje dhe të nesërmen janë sekuestruar 29 gëzhoja, një palë syze, telefona celularë, arma automatike e sende të tjera, të cilat janë dërguar për ekspertim në institutin e policisë shkencore, por ende nuk kemi marrë përfundime. Në lidhje me momentin për të cilin po flasim duhet sqaruar dhe momenti i deklarimit të shoferit të taksisë Myrvet Bardhi. Ai ka deklaruar se: “Në momentin që ka dëgjuar krisma ka parë të ndjekin viktimën Fiqiri Muça jo vetëm Nazime Visha, por edhe xhaxhai e gjyshja e saj”.

Ekspertizat

Dy kanë qenë veprimet që kanë hequr dyshimet për organin e akuzës, eksperimenti për të provuar nëse Nazime Visha kishte qëlluar vetë mbi viktimën Fiqiri Muça, si dhe ekspertizën mjekoligjore për të vërtetuar nëse 18-vjeçarja kishte pasur një abort të mëparshëm ajo jo, si frut i marrëdhënieve me viktimën. Eksperimenti vërtetoi për akuzën se Nazime Visha kishte qëlluar vetë me armën automatike, ndërsa ekspertiza mjekoligjore rrëzoi dyshimet se kishte pasur një abort. Specialistët e Mjekësisë Ligjore kanë arritur në përfundimin se Nazimja nuk ka qenë asnjëherë shtatzënë dhe se nuk ka kryer ndonjëherë ndërprerje të vullnetshme apo të pavullnetshme shtatzënie. Por kanë dalë në përfundimin se Nazimja ka pasur marrëdhënie seksuale shumë vite më parë.