Nuk provohen akuzat, mbyllet me tri pafajësi 21 Janari

0
287

Sonja Caka

GJYKATAGjykata: Nuk ka elementë të vrasjes me dashje direkte apo indirekte, prokurorët nuk arritën të provonin akuzën. Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i Llupos nga burgu dhe i Prendit nga masa “Arrest shtëpie”. Precedencë, vendimet e Kolegjeve të Bashkuara dhe vendimi i Strasburgut në vitin 2009 për rastin Xhuliani në Itali

 

Pafajësi. Nuk ka elementë të vrasjes me dashje direkte apo indirekte, prokurorët nuk arritën të provonin akuzën. Kjo ishte fjala e fundit e trupit gjykues, i cili për afro 41 seanca ka dëgjuar dëshmi të akuzës dhe të mbrojtjes, është vënë përballë provash filmike dhe fotografike të të dyja palëve, u njoh me tri ekspertiza me dy përfundime dhe më pas dëgjoi fjalën e fundit të avokatëve dhe vetë të pandehurve. Pas afro gjysmë ore vonesë në fillimin e seancës, vetëm 5 minuta i janë dashur kryesuesit të trupit gjykues Besnik Hoxha të sqarojë pse dha pafajësi për tre të pandehurit, dy vendimeve që iu referua dhe faktit se nga prokuroria nuk është provuar akuza e ngritur. Vendimi u prit me duartrokitje nga gardistët e shumtë që kanë shoqëruar dy shefat e tyre në këta muaj proces, ndërkohë që procesi gjyqësor u asistua nga dy përfaqësues të Ambasadës Amerikane, të cilët kanë qenë të pranishëm në pjesën më të madhe të këtij procesi gjyqësor.

Dispozitivi i plotë i gjykatës

“Gjykata mori në shqyrtim duke analizuar në harmoni të gjitha provat dhe materialet. Krijoi bindjen se akuza e prokurorisë për veprën penale të “Vrasjes me dashje në rrethana cilësuese ndaj dy apo më shumë personave” nuk qëndron, pasi nuk u arrit të provoheshin të gjithë elementët e veprës penale objekt i akuzës. Së pari, ana objektive e veprës penale. Prokuroria pretendoi se të pandehurit kanë konsumuar veprën penale me dashje, parashikuar në nenin 79 të Kodit Penal për të cilën janë akuzuar të pandehurit. Kërkon domosdoshmërisht elementin me dashje direkte, pasi kjo vepër nuk mund të kryhet me dashje indirekte. Lidhur me dashjen direkte, nga provat e paraqitura nga prokuroria qartësisht nuk ekziston. Në këto rrethana nuk provohet akuza e prokurorisë në drejtim të të pandehurve për këtë vepër. Gjykata, sipas vendimeve të Kolegjeve të Bashkuara, nuk mund të krijojë akuzë të re për të pandehurit tej fakteve dhe pretendimeve të parashtruara nga organi i akuzës për të cilët nuk është hetuar ky organ. Në këto kushte, gjykata pas këtij vendimi i përgjigjet akuzës së ngritur për faktin nëse provohet ose jo. Gjykata nuk mund të shprehet dhe për faktin e pahetuar nga prokuroria për këta dy të pandehur. Gjykata, me marrjen e këtij vendimi, ka parasysh vendimin e 25.8.2009 të Strasburgut kundër Italisë dhe jurisprudencën e kësaj gjykate në zbatim të Konventave Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe në mënyrë të veçantë nenit 2 të saj, e drejta e jetës. Gjykata sqaron se jurisprudenca e Gjykatës së Strasburgut është bazë ligjore dhe i detyrueshëm për gjykatat, në bazë të Kushtetutës. Së treti, akuza e ngritur nga prokuroria nuk qëndron, duke pasur parasysh dhe institutin e mbrojtjes së nevojshme të detyrimit ligjor të Gardës së Republikës për mbrojtjen e institucioneve dhe personaliteteve zyrtare. Si përfundim, gjykata vendosi deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Ndrea Prendi për “Vrasjen me dashje të kryer në mënyrë të rrezikshme për jetën e më shumë personave”, parashikuar nga neni 79 i Kodit Penal dhe lirimin e tij nga masa “Arrest shtëpie”. Gjykata vendosi deklarimin e pafajshëm të “Vrasjes me dashje në rrethana cilësuese” të Agim Llupos, parashikuar nga neni 79, germa dh e Kodit Penal dhe urdhëron lirimin e menjëhershëm të tij. Deklarimin e pafajshëm të Margatit Kumes, për veprën penale të “Veprimeve që pengojnë zbardhjen e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal. Kundër këtij veprimi bëhet ankimim 10 ditë nga dhënia e vendimit” përfundoi leximin e diapozitivit të vendimit gjyqtari kryesues i trupit gjykues, Besnik Hoxha.

 

Avokatët

Vendimi nuk lë vend për koment, do të kërkojmë dëmshpërblim

Pas vendimit të gjykatës, kanë reaguar për mediat dy avokatët e të pandehurve kryesorë të çështjes së 21 Janarit. Avokati i gjeneral Ndrea Prendit komentoi për mediat se vendimi nuk lë vend për asnjë koment. Madje, avokati Genc Gjokutaj shtoi se klienti i tij do të kërkojë dëmshpërblim për kohën e kaluar në paraburgim. Më tej, në prononcimin e tij jashtë ambienteve të gjykatës, avokati Gjokutaj e cilësoi vendimin e gjykatës si të drejtë, pasi, sipas tij, komandanti i Gardës, Ndrea Prendi, ashtu edhe gardisti Agim Llupo ishin në mbrojtje të institucioneve. I njëjtë ka qenë reagimi edhe nga ana e avokatit Besnik Çerekja, i cili u shpreh se vendimi i gjykatës për klientin e tij Agim Llupo dhe komandantin e Gardës Prendi ishte i drejtë. Veprimet e akuzës janë konsideruar të njëanshme dhe nuk kanë hetuar si duhet ngjarjet e dhunshme të 21 Janarit.

 

Reagimi

Prokurorët: Ka 10 ditë kohë për ankimimin

Nuk kanë qenë aspak të kënaqur me vendimin e gjykatës dy prokurorët e çështjes, Blerim Tominaj dhe Adriatik Cani, të cilët të pyetur nga mediat në fund të seancës, kanë deklaruar se kanë 10 ditë kohë për ta ankimuar vendimin. “Kemi 10 ditë kohë për ta ankimuar këtë vendim”, – janë shprehur duke dalë nga salla e gjyqit përfaqësuesit e akuzës. Ndërkohë, edhe nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme është deklaruar po e njëjta gjë, pra që ka kohë për ankimimin.

 

Burgu 302

Gardisti Llupo lirohet në ditën e 2-vjetorit të arrestimit

Vetëm pak sekonda i janë dashur gardistit Agim Llupo për të dalë nga dera e hekurt e paraburgimit 302 dhe të futet në automjetin tip “Golf” me xhama të zinj, i cili e priti për afro gjysmë ore i ndezur para këtij institucioni. I vetmi person prapa hekurave, gardisti Llupo, i ka lënë këto ambiente në orën 16:25, pas mbërritjes së urdhrit të ekzekutimit të vendimit të gjykatës nga Prokuroria e Tiranës. Tri orë pas vendimit të gjykatës, prokuroria ka marrë vendimin e gjykatës dhe ka përgatitur urdhrin e ekzekutimit, i cili iu dorëzua për zbatim autoriteteve të burgut 302. Një orë e gjysmë pas mbërritjes së këtij vendimi, pas përfundimit të të gjitha procedurave brenda këtij institucioni, Llupo ka dashur të shmangë çdo kontakt me median, duke llogaritur kohën e mbërritjes me shpejtësi të makinës që do ta transportonte për në shtëpi me atë të daljes nga dera e burgut 302. Agim Llupo u lirua në ditën e 2-vjetorit të arrestimit të tij, ndërsa dy ditë më parë iu drejtua gjykatës me fjalët: “Kërkoj drejtësi dhe pafajësi nga ju. Nesër (dje) mbush dy vjet nga dita e arrestimit dhe vetëm kuraja për marrjen e drejtësisë më ka mbajtur pas këtyre hekurave në këtë gjendje”.

 

Precedenti

Rasti analog në Xhenova dhe vendimi i Strasburgut

Në datat 19, 20 dhe 21 korrik 2001 u mbajt në Xhenova i ashtuquajturi takim i G8. Në qytet u organizuan një sërë demonstratash «no-global» dhe autoritetet italiane aktivizuan një aparat sigurie të fuqishëm. Ligji nr. 349, datë 8 qershor 2000, autorizonte prefektin e Xhenovas t’i drejtohej personelit të forcave të armatosura. Me një rrjetë metalike u kufizua një “zonë e kuqe”, në atë pjesë të qytetit, ku zhvilloheshin takimet e G8-ës (duhet thënë se ajo ishte qendra historike e qytetit), aq sa të mundësonte vetëm kalimin e banorëve dhe të ngarkuarve me punë. Hyrja në port ndalohej dhe aeroporti ishte i mbyllur për trafikun. “Zona e kuqe” ishte futur në një zonë të verdhë, e cila nga ana e saj, rrethohej nga një zonë e bardhë (zonë normale). Në ngjarje, për shkak të reagimit nga disa grupe pjesëmarrëse në demonstratë kundër forcave të zbatimit të ligjit, që vepronin duke marshuar me objektivin për të shkuar drejt “zonës së kuqe” të sigurisë së lartë, një karabinier në detyrë (Mario Placanika), i pushtuar nga paniku për veprime në dukje shumë agresive mbi automjetin ku ndodhej së bashku me dy kolegë të tij, ka qëlluar me armën e tij, ku dhe mbeti i plagosur rëndë një demonstrues që më pas ndërroi jetë. Nga ana e prokurorisë italiane është filluar procedimi penal dhe është hetuar mbi ngjarjen, pa ndaluar dhe arrestuar asnjë nga personat me detyrë ligjore në ngjarje, me gjykimin se edhe nëse ekziston hipoteza se karabinieri e dinte se nga përdorimi i armës se dikush do të vdiste, përdorimi legjitim i armës në ushtrimin e detyrës apo përdorimi për vetëmbrojtje në këtë ngjarje (pasi karabinieri është në detyrë ligjore në vendngjarje) e përjashton ligjërisht nga përgjegjësia penale (neni 53 i Kodit Penal). Çështja i kaloi GJ E D NJ në Strasburg, e cila me vendimin e saj konkludoi se përdorimi i armës nga karabinieri ishte në përputhje me ligjin.