Ervin Kaduku
Hyn në fuqi ligji i ri “Për prokurimin publik”. Nenet e diskutueshme, ndryshimet dhe risia e vijimit të tenderit, edhe pse është paraqitur një ofertë e vetme
Në ditët e fundit të vitit 2012, Kuvendi i Shqipërisë diskutoi ndryshimet e një projektligji, për të cilin Agjencia e Prokurimit Publik kishte punuar gjatë. Drejtuesit e APP sqaruan se ndryshimet janë bërë duke u konsultuar me grupet e interesit, por më së shumti, duke u bazuar me direktivat e BE-së. “Amendamentet nuk synojnë vetëm përafrimin në 100% të rasteve me direktivën, por edhe përmirësimin e situatës aktuale në prokurimet publike, reagimin dhe reflektimin në raport me shqetësimet e ardhura nga praktika apo me përdorimin e sistemit elektronik të prokurimeve”, – thotë Klodiana Cankja, kryetare e APP.
Ndryshimet janë të shumta dhe prekin 35 nene, duke nisur nga përkufizimet, e deri te sanksionet. Me ligjin e ri i humb funksionet Avokati i Prokurimeve, shkurtohen afatet e disa procedurave, nga 10 në 5 ditë, qartësohen disa akte, reduktohet numri i kompanive pjesëmarrëse dhe më e rëndësishmja, vazhdimi i garës, edhe pse në tender është paraqitur vetëm një ofertë.
Eliminimi i bllokimit
Drejtuesit e APP e shikojnë me mjaft optimizëm faktin e vijimit të garës në tender, pavarësisht se është paraqitur vetëm një kompani, ndërsa shprehen se nuk cenon asnjë konkurrencë apo krijimin e kushteve për abuzim.
“Vazhdimi me një ofertë është përsëri diçka pozitive, e cila është e përafruar dhe në përputhje me direktivën. Arsyeja se pse vjen në këto momente e nuk ka ardhur më parë është se para aplikimit të prokurimit elektronik ishte e vështirë, pasi do të kishte probleme në konkurrencë. Me aplikimin e prokurimit elektronik, ku asnjë nga operatorët ekonomikë nuk ka informacion se kush do të paraqesë një ofertë në platformën elektronike, sa oferta do të jenë dhe cila do të jetë kjo ofertë, vazhdimi me një ofertë është absolutisht i drejtë”, – thotë Klodiana Cankja.
Sipas saj, është momenti që edhe Shqipëria të përafrohet në këtë pikë me direktivën, pasi dhe një ofertë në këtë rast ka mundësinë potencialisht të jetë konkurruese. Cankja shton se për aq kohë që ftesa për të marrë pjesë në tender është publike dhe transparente, nuk mund të cilësohet për mungesë konkurrence.
Tjetër ndryshim për numrin e pjesëmarrësve përcaktohet në nenin 40 të ligjit të ri. Me ligjin e vjetër, pika 4, thuhet se, “Autoriteti kontraktor, kur përdor procedurën e kufizuar dhe procedurën me negocim, nuk mund ta kufizojë numrin e kandidatëve që ftohen për të paraqitur ofertën. Për procedurën e kufizuar, numri minimal i kandidatëve të ftuar duhet të jetë jo më pak se 5, ndërsa për procedurën me negocim, jo më pak se 3 operatorë ekonomikë. Kur numri i kandidatëve, që kanë shprehur interes është më i vogël se minimumi i përcaktuar, atëherë autoriteti kontraktor mund të vazhdojë procedurën e prokurimit vetëm kur janë të paktën dy kandidatë. Në njoftimin për tender, autoriteti kontraktor duhet të përcaktojë kriteret objektive, jo diskriminuese, rregullat që do të zbatohen, si dhe numrin minimal të kandidatëve që do të ftohen”.
Me ligjin e ri, kjo pikë bëhet. “Autoriteti kontraktor, kur përdor procedurën e kufizuar dhe procedurën me negocim, fton për të paraqitur ofertë të gjithë kandidatët që kualifikohen në fazën e parë të procedurës. Autoriteti kontraktor mund të vazhdojë procedurën e prokurimit vetëm kur janë të paktën 2 (dy) kandidatë me përjashtim të procedurës me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit. Në njoftimin për tender, autoriteti kontraktor duhet të përcaktojë kriteret objektive, jodiskriminuese si dhe rregullat që do të zbatohen”.
Ankesat në momentet e fundit
Moment tjetër që projektligji sjell është ankimi për dokumentet e tenderit. Nëse deri tani, në praktikë ndodhte që operatorët ekonomikë synonin të ankoheshin për dokumentet e tenderit në momentet e fundit, shpeshherë duke zvarritur edhe procedurën, në ligjin e ri sillet një përmirësim i ri. Në bazë të parimit të së drejtës, operatorëve ekonomikë u fillon e drejta për t’u ankuar në momentin e publikimit të dokumenteve të tenderit, pra në momentin që ata marrin dijeni për këto dokumente. Në këtë formë, u lihet një afat 7-ditor për t’u ankuar, por shmangen ankesat e minutës së fundit për dokumentet e tenderit.
Tjetër ndryshim lidhet me shpalljen e fituesit, sipas pikëve dhe jo vetëm duke u bazuar te çmimi. “Aktualisht kemi vlerësimin për ofertën më të ulët, që i referohet vetëm çmimit, kemi dhe vlerësimin për kritere të tjera veç çmimit. Mënyra e përllogaritjes deri tani është mbi baza të një sistemi monetar, pra çdo kriter tjetër, veç çmimit, duhet të përkthehet në terma monetarë, kur institucioni vendos këtë mënyrë vlerësimi. Me ndryshimet e reja, kjo mënyrë përafrohet me direktivën dhe sistemi i vlerësimit do të jetë me pikë, duke e bërë më të thjeshtë aplikimin për autoritetet konktraktore, pasi i pari ka rezultuar jo praktik për ta”, – thotë Cankja.
Tek afatet, ndryshim kemi te neni 24, sipas të cilit, autoriteti kontraktor boton njoftimin për anulimin e procedurës së prokurimit, në të njëjtën mënyrë siç është botuar njoftimi i kontratës, brenda 5 ditëve nga marrja e vendimit për anulim (ishte në ligjin e vjetër 10 ditë).
Debat ka pasur edhe për nenin 26, konflikti i interesit për anëtarët e komisionit të tenderit dhe firmave pjesëmarrëse në garë. Deri tani, në momentin kur për një operator ekonomik që ofertonte një procedurë prokurimi, pasi hapeshin ofertat, evidentohej një konflikt ndërmjet operatorit ekonomik dhe njërit prej anëtarëve të komisionit, ligji në fuqi parashikonte menjëherë skualifikimin e operatorit ekonomik pa dhënë asnjë mundësi zgjidhje të situatës. Me ndryshimet që sjell ligji, për hir të reagimit të biznesit për këtë pikë, duke konsideruar skualifikime të padrejta në këtë rast, pavarësisht parashikimit ligjor, është sjellë përmirësimi, duke i dhënë mundësinë e zgjidhjes së situatës së konfliktit. Pra anëtari i komisionit mund të japë dorëheqjen nga komisioni i vlerësimit dhe të zëvendësohet me një anëtar tjetër, duke e zgjidhur në këtë mënyrë situatën e konfliktit dhe nuk penalizohet më operatori ekonomik.
Kur anulohet tenderi
Neni 24, pika 1 (ishte)
1. Autoriteti kontraktor lejohet që, në çdo kohë, të anulojë procedurën e prokurimit, për arsye të interesit publik, duke respektuar parimet e barazisë dhe të transparencës.
Autoriteti kontraktor, në asnjë rast nuk është i detyruar të shpallë fituesin për një kontratë.
Bëhet
Autoriteti kontraktor anulon procedurën e prokurimit vetëm:
a) për shkaqe që dalin jashtë kontrollit të autoritetit kontraktor dhe të paparashikueshme në kohën e fillimit të procedurës së prokurimit, duke respektuar parimet e barazisë dhe të transparencës, sipas përcaktimit në rregullat e prokurimit publik;
b) nëse nuk është paraqitur asnjë ofertë brenda afateve;
c) kur në fazën e parë të procedurës së kufizuar dhe me negocim me shpallje paraprake të njoftimit kualifikohen më pak se 2 (dy) kandidatë;
ç) nëse asnjë nga ofertat e paraqitura nuk përputhet me kriteret e përcaktuara në dokumentet e tenderit;
d) nëse të gjitha ofertat e pranuara përmbajnë çmime që e tejkalojnë buxhetin e autoritetit kontraktor, të parashikuar për një kontratë të caktuar;
dh) kur Komisioni i Prokurimit Publik vendos anulimin, sipas parashikimit të shkronjave “b” dhe “ç”, të pikës 3, të nenit 64, të këtij ligji.
Tenderët
Në fillim të vitit
Ndryshimi që lidhet me fillimin e procedurës me miratimin e buxhetit, është një hap pozitiv, i cili do të përmirësojë jo vetëm procedurat dhe efikasitetin e përdorimit të fondeve, por, nga ana tjetër, do të kursejë fondet, pasi do të eliminojë shumë procedura negocimi pa publikim për mbulimin e nevojave të fillimvitit nga autoritetet kontraktore, të cilat janë të detyruar të përdorin atë lloj procedure, për sa kohë nuk është bërë efektive çelja e fondit në llogaritë e tyre.
Hiqet Avokati i Prokurimeve
Ligji i ri ka sjellë shfuqizimin e dispozitave në lidhje me funksionimin e institucionit të Avokatit të Prokurimit Publik (pas katër vjetësh operimi). Në këto ndryshime, funksionet monitoruese i jepen Agjencisë së Prokurimit Publik, ndërkohë që funksionet e rishikimit i ka Komisioni i Prokurimit Publik. Pra janë dy kompetenca, të cilat mbivendoseshin nga Avokati i Prokurimit Publik respektivisht me Komisionin e Prokurimit Publik. Rishikimin e merr Agjencia e Prokurimit Publik, sikurse e ka pasur më parë, shpjegon APP.