Nënoficeri shpërdoroi 24 mijë plumba, ushtria: Kthe 13.6 milionë lekë

0
483

Elton Qyno

gardaKomanda e Forcës Tokësore padit nënoficerin e Zall-Herrit Olsi Kërpi, i kërkon dëmshpërblimin në gjykatë

Zbardhet padia e ushtrisë, Kërpi neglizhoi mbajtjen e shënimeve. 24 mijë plumba u qëlluan nga 84 ushtarë

 

Një efektiv i ushtrisë, me gradën “Nënoficer”, ka shpërdoruar plot 24 mijë e 826 fishekë, pistolete dhe automatiku, gjatë shërbimit të tij në repartin e komandove të Zall-Herrit. Olsi Kërpi, me detyrë administrator i depos së armatimit dhe municionit, është dënuar vitin e kaluar nga seksioni ushtarak me 1.6 vite burg për veprën e “Shpërdorimit të detyrës” dhe se tashmë ndaj tij në Gjykatën e Tiranës është hapur një tjetër proces gjyqësor, por këtë herë gjyqi është civil dhe ka si qëllim pagimin e dëmit të shkaktuar. Bëhet fjalë për një shumë prej 13.6 milionë lekësh të vjetra që Komanda e Forcës Tokësore i kërkon nënoficerit të ushtrisë, pasi, sipas padisë civile të regjistruar në gjykatë, vetëm nëpërmjet kësaj shume mund të kompensohet dëmi financiar i harxhimit të mbi 24 mijë fishekëve të repartit special të Zall-Herrit. Padia mban numrin 8141 dhe është firmosur nga gjenerali i Komandës së Forcës Tokësore, si dhe drejtuesi i repartit ushtarak 1001 në Zall-Herr. Objekti i padisë bën fjalë për pagimin e detyrimit prej 13.6 milion lekë të vjetra, dhe se lidhur me këtë çështje palët priten që shumë shpejt të përballen në Gjykatën e Tiranës, ku dhe do të japin konkluzionet përfundimtare. Mësohet se padia civile e ngritur nga ana e Komandës së Forcës Tokësore, erdhi në një kohë, ku gjykata penale kishte marrë një vendim fajësie ndaj nënoficerit, duke e dënuar Olsi Kërpin me 1.6 vite burg dhe shumën financiare prej 15.7 milion lekë të vjetra, para këto që duhet të derdhen detyrimisht në arkën financiare të ministrisë së Mbrojtjes.

Padia e plotë

Olsi Kërpi është ushtarak aktiv me gradën “Tetar”. Me urdhrin nr. 336, datë 23.6.2010, ai është emëruar me detyrë “Nënoficer për furnizimin në kompaninë e zbulimit në Forcën Tokësore”, ku në administrim ndër të tjera ka pasur edhe depon e armatim-municionit të kësaj kompanie. Më datë 20 mars 2012, në depon e armatim-municionit, bazuar në planin e kontrollit nr. 20 regj, datë 20 mars 2012 të komandantit të kompanisë major Ilir Latifi, grupi i kontrollit i përbërë nga komandanti i kompanisë, komandanti i togës së dytë, kapiten Klodian Llakaj dhe analisti i informacionit toger Albion Alimerko, ka ushtruar kontroll, ku si rezultat janë konstatuar mangut 1411 fishekë kal. 7.62 mm, mod.54 (pistolete) dhe 20 000 fishekë kal. 7.62, mod.56 (automatiku), ku për këtë fakt është mbajtur edhe procesverbali i datës 20 mars 2012, i cili është nga ana e grupit të kontrollit dhe të pandehurit Olsi Kërpi. Pas konstatimit të mangësive të municionit në depon e armatim-municionit me urdhër të komandantit të Forcës është ngritur komisioni për inventarizimin fizik të depos, kjo e krahasuar edhe me gjendjen në llogarinë e armatim municionit të Komandës së Forcës Tokësore, ka rezultuar se në këtë depo, e cila administrohej nga Olsi Kërpi, mungonte sasia prej 1411 fishekë kal. 7.62 mm, mod.54 (pistolete) dhe sasia prej 23 415 fishekë kal. 7.62, mod.56 (automatiku), ku sipas shkresës nr. 790/7 prot., datë 31 maj 2012 të Komandës së Forcës Tokësore, dëmi i shkaktuar nga i pandehuri është në shumën 1.366.674 lekë. Nisur nga kjo situatë, në konstatim të këtij dëmi janë marrë të gjitha masat ligjore duke depozituar padi penale në prokurori, për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”. Pas përfundimit të gjykimit tashmë kërkohet shuma prej 13.6 milionë lekësh në formën e dëmshpërblimit.

Qitjet e 84 ushtarakëve
Destinacioni final i 24 mijë e 826 fishekëve të pistoletës dhe automatikut ka qenë qitja në poligonet e repartit ushtarak të Zall-Herrit. Në dëshminë e dhënë në prokurori gjatë fazës së hetimit, i padituri Olsi Kërpi është mbrojtur duke pohuar se janë plot 84 ushtarakë, të cilët çdo ditë kryejnë qitje në poligon, për shkak të rritjes së performancës ushtarake. Kërpi ka pranuar se kishte thyer rregullat dhe se ky konsumim kaq i madh i fishekëve është bërë për shkak të neglizhencës së tij, dhe jo e ndonjë veprimtarie kriminale. Sipas Prokurorisë së Tiranës, por edhe padisë civile të ngritur ndaj nënoficerit, magazinieri i armatim-municionit ka për detyrë të njohë të gjitha dispozitat ligjore dhe kërkesat që kanë të bëjnë me ruajtjen, mirëmbajtjen dhe administrimin e materialeve të armatim-municionit. Të mbajë llogari të saktë e të plotë për të gjitha materialet që ka në depo, për lëvizjen e tyre dhe të kuadrojë në afatet e caktuara me llogarinë, të kryej veprimet brenda ditës në librat e llogarisë dhe t’i dorëzojë dokumentet në llogari në afatet e caktuara. Çdo ditë sa herë hap depon kontrollon armët në armaturë dhe vulat e tyre, gjendjen e municioneve dhe të materialeve të tjera. Mirëpo një gjë e tillë sipas padisë civile dhe dosjes së prokurorisë nuk është bërë për disa muaj me radhë nga ana e nënoficerit Olsi Kërpi.
Bilbil Cjapi vritet në mes të kullotës

Vritet me çifte 50-vjeçari nga
Roskoveci, punonte si bari në Tepelenë

Bilbil Cjapi, një bari nga zona e Roskovecit, është gjetur i pajetë në malet e Tepelenës, teksa ishte duke kullotur tufën e deleve. Cjapi është qëlluar me një plumb në gjoks dhe autorët e krimit janë larguar nga vendngjarja, duke mos u arrestuar deri në orët e vona të ditës së djeshme. Nga hetimet e kryera, 50-vjeçari kishte shumë pak kohë që kishte udhëtuar nga zona e Roskovecit në drejtim të fshatit Izvor të Tepelenës, duke u punësuar tek Hetem Çela, person që administronte qindra kokë dele dhe dhi. Lajmi për vrasjen e 50-vjeçarit është bëri i ditur rreth orës 14:00, kur në sallën operative të policisë së Tepelenës ka mbërritur një telefonatë nga dy djemtë e Hetem Çelës, të cilët informonin se kishin gjetur të pajetë, në mes të kullotës, çobanin e tyre, të cilit kishin shkuar t’i dërgonin bukën. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar me shpejtësi ekspertë të Policisë Kriminale dhe gjatë këqyrjes së vendit dhe të kufomës, janë konstatuar shenja gjaku si dhe një plagë në gjoks e shkaktuar me armë zjarri. Lidhur me këtë ngjarje, policia e Tepelenës ka marrë në pyetje dhjetëra persona, mes tyre edhe punëdhënësit e çobanit Bilbil Cjapi. Ata kanë treguar se 50-vjeçari kishte shumë pak ditë që ishte punësuar dhe dyshimet e para i kanë ngritur për ndonjë konflikt të mundshëm me sipërfaqet e kullotave apo ndonjë sherr të çastit me ndonjë nga banorët e fshatit Izvor të Tepelenës. Nga verifikimet e imtësishme në trupin e viktimës, janë gjetur saçma, duke ngritur dyshime të forta se Cjapi është qëlluar me një armë gjahu, çifte. Nisur nga kjo situatë, policia ka kryer disa kontrolle banesash në fshatin Izvor, ndërkohë që për sa u përket dëshmitarëve, në momentin e vrasjes nuk ka pasur asnjë të pranishëm.
Vendimi për 21 Janarin, protesta përpara gjykatës

Lëvizja “Mjaft”, përfaqësues të shoqërisë civile, gazetarë e qytetarë u mblodhën në një protestë paqësore përpara Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për të dënuar vendimin e dy ditëve më parë që shpalli të pafajshëm të akuzuarit për vrasjet e 21 Janarit. Të rinjtë kanë dënuar qëndrimin e gjykatës dhe qeverisë që, sipas tyre, janë të lidhura ngushtë. Ata kanë akuzuar Kryeministrin si urdhëruesin e shpalljes së pafajësisë dhe kanë kërkuar drejtësi. Ndërkohë, nga ana e lëvizjes “Mjaft”, u është bërë thirrje edhe qytetarëve të reagojnë për të nxitur institucionet e drejtësisë për të dënuar autorët e vrasjeve dhe për të vënë në vend dinjitetin e viktimave. Kjo protestë vjen në një kohë kur ditën e enjte, Gjykata e Tiranës shpalli të pafajshëm ish-komandantin e Gardës së Republikës Ndrea Prendi dhe gardistin Agim Llupo, të cilët akuzoheshin për vrasjen e tre demonstruesve: Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda.

Durrës, gjendet i mbytur një 53-vjeçar nga Tirana

Një kufomë e seksit mashkull ka dalë në bregun e detit mëngjesin e djeshëm në Durrës. Kufoma është gjetur në zonën e Bërrylit, në fund të shëtitores “Taulantia”. Trupi ka qenë i zhveshur dhe në një shkallë të lartë dekompozimi. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur efektiva të policisë si dhe prokurori i gatshëm i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës. Burime nga Drejtoria e Policisë kanë bërë të ditur se kufoma i përket shtetasit Shefik Hysa, i moshës 53-vjeçare dhe nga hetimi paraprak nuk janë konstatuar shenja dhune. Hysa rezulton të jetë banor në lagjen Shkozë të Tiranës dhe mendohet se para një muaji ai kishte udhëtuar në drejtim të Durrësit, ku sipas policisë, ka shumë gjasa që të jetë futur në det dhe si pasojë e temperaturës së ulët të ujit, ai ka pësuar pushim zemre.

Elbasan, përplasen dy makina, pesë të plagosur

Pesë persona janë plagosur si pasojë e përplasjes së dy automjeteve në rrugën nga qyteti i Elbasanit drejt ish-Kombinatit Metalurgjik. Tre prej të plagosurve ndodhen në gjendje kritike për jetën në spitalin e qytetit. Të dëmtuarit janë Jani Shuteriqi, Altin Hasa, Durim Sadushi, Goart Sina dhe Bledar Liçaj. Përplasja e dy autoveturave ka qenë tepër e fortë dhe si pasojë e deformimit ka qenë tepër e vështirë nxjerrja e të plagosurve prej tyre. Është dashur ndërhyrja e zjarrfikëseve të Elbasanit, të cilat pas 30 minutash pas aksidentit mundën të nxirrnin të dëmtuarit nga automjetet për t’i dërguar më pas për kurim. Të dyja autoveturat kanë qenë me targa të Elbasanit. Nga hetimet e Policisë Rrugore rezulton se shkak i aksidentit ka qenë shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor.