Ina Jano
Berisha: Investitorët kanë fituar imunitet nga deklaratat kërcënuese të Ramës
Kryeministri, të rinjve të PPE-së: Ju tregoj se si humbi Rama Bashkinë e Tiranës
Referendumi për miratimin e tri ligjeve do të zhvillohet pas zgjedhjeve të përgjithshme të 23 qershorit. Lajmin e ka konfirmuar vetë kreu i ekzekutivit, Sali Berisha, i cili ka shprehur qëndrimin e qeverisë në lidhje me këtë çështje. Kryeministri ka njoftuar se referendumi do të zhvillohet sipas të gjitha rregullave kushtetuese dhe janë pikërisht këto kushte që diktojnë se referendumi mund të mbahet menjëherë pas zgjedhjeve të qershorit. “Në këto kushte ne po shkojmë, pas zgjedhjeve, drejt një referendumi. Dhe referendumi do të jetë për këto tre ligje që bllokon zotëria, i cili për merita të bllokimit të këtyre tre ligjeve dhe për gjeografi u zgjodh nënkryetar i Internacionales Socialiste. Ju jeni udhëheqës të rinj, por unë ju them se kjo Internacionale herë pas herë shndërrohet sikur të ishte një repart i Komintern-it. Erdhën një herë dhe bënë një mbledhje në Tiranë. Lëshuan një deklaratë kundër meje, e cila ngjante totalisht me terminologjinë që përdorte Komintern-i kundër borgjezisë. Natyrisht, këto nuk më bëjnë përshtypje mua”, – pohoi numri një i qeverisë. I bindur në fitoren e partisë që ai drejton, kreu i ekzekutivit tha se pikërisht për shkak të reformave që mazhoranca ka ndërmarrë ajo do ti fitojë zgjedhjet e ardhshme. Nën moton “Ne jemi ndryshimi, përpara”, Berisha pohoi se PD është forcë e premtimeve të mbajtura. “Ne e kemi ndryshuar Shqipërinë, por ne nuk kërkojmë vota se kemi ndryshuar Shqipërinë, kërkojmë vota se do ta ndryshojmë më shumë Shqipërinë. Ne kemi një program ambicioz, agresiv. Gjatë këtyre javëve unë kam shpallur paktën e re të reformave për mandatin e ardhshëm, e cila bazohet, mbi të gjitha, në lirinë ekonomike dhe fiskale. Ne kemi hequr tërësisht taksën mbi kapitalin, po heqim çdo lloj takse nga importet e outputeve dhe makinerive bujqësore që u duhen fermerëve, do të heqim çdo taksë sociale për të gjithë sipërmarrësit që do të punësojnë të rinjtë, për çdo të ri për 3 vjet rresht do t’i paguajë qeveria. Do të bëjmë gjithçka për punësimin e të rinjve, do të bëjmë gjithçka për nxitjen e rritjes ekonomike, e cila në këto vite krize ka qenë 4 herë më e lartë sesa mesatarja e rajonit, sipas Komisionit Evropian. Shqiptarët kanë nevojë për rritje më të madhe ekonomike. Dhe ja pse ne po shpallim çdo ditë reformat të reja, në mënyrë që t’i japim një shtytje të fuqishme rritjes në katër vitet që vijnë”, – shtoi Kryeministri.
Investimet
Një tjetër çështje të cilën kreu i mazhorancës vendosi të diskutojë më të rinjtë e PPE-së, ishte edhe ajo e investimeve të huaja në vend. Duke u shprehur investimet e huaja janë rritur me 316 për qind, kreu i mazhorancës pohoi se Shqipëria ka mundur që me anë të elementëve të saj tërheqës të jetë si një magnet për investitorët me të cilët ka një bashkëpunim shumë të mirë. Kryeministri vlerësoi seriozitetin e tyre, ndërsa nënvizoi se qeveria është e gatshme që të vijojë me reformat për të lehtësuar të gjitha anët burokratike në mënyrë që biznesmenët të gjejnë hapësirën e nevojshme për të investuar në vend. Ndërsa tha se qëllimi i vetëm i Ramës është që të frikësojë të gjithë këta investitorë në mënyrë që ata të tërhiqen nga Shqipëria. “Për çdo zhvillim ai ngrihet kundër. Por nuk ka investitor që e dëgjon. Kanë fituar imunitet dhe unë i përshëndes. Ai ngrihet kundër çdo procesi, çdo privatizimi, çdo koncesioni, por investimet vazhdojnë dhe vazhdojmë me rritje të ndjeshme”, – u shpreh në lidhje më këtë temë Berisha.
Humbja e Ramës
Pas disa mandateve në krye të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama në maj 2011 humbi përballë kreut aktual të bashkisë, Lulzim Basha. Këtë humbje të kreut të selisë rozë shefi i qeverisë ua ka treguar edhe të rinjve të PPE-së të cilët e kanë dëgjuar me vëmendje sqarimin e Kryeministrit se si funksionon numërimi i votës në Shqipëri. Hap pas hapi, kreu i ekzekutivit përmendi të gjitha procedurat sesi realizohet numërimi i votës, ndërsa vuri theksin në pikën se Rama pas çdo disfate elektorale deklaron se i është vjedhur vota. “Ne kemi sistemin më transparent në botë të numërimit të votave. Dhe kjo i ka shpëtuar zgjedhjet tona. Sistemi ynë i numërimit është shpëtimtar kur ka persona që nuk duan të pranojnë votën. Një pjesë të tij e morëm nga Britania e Madhe, domethënë numërimin e përqendruar. Dhe të gjithë sa janë në tavolinën e numërimit, qofshin komisionerë apo vëzhgues, janë me të drejtë vetoje. Kjo do të thotë se në rast se të gjithë e vlerësojnë një fletë votimi të rregullt dhe vetëm njëri e kundërshton, duke ngritur dorën, atëherë fleta e votimit futet në një zarf që quhet zarfi i të kundërshtuarave. Kur fleta e votimit është e vlefshme, pasi është vlerësuar me sy, vendoset mbi një skaner, filmohet, fotografohet, projektohet në mur dhe transmetohet në kohë reale në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ky sistem i saktë ka bërë që çdo lloj pretendimi të faktohet nul, të faktohet i pavlerë. Kështu që zgjedhjet që vijnë do të jenë të rregullta dhe, natyrisht, përsëri zoti Rama nuk do të njohë rezultatin, sepse ai nuk njeh asnjë rezultat që i jep humbjen atij”, – tha Berisha. Ai u tregoi edhe mënyrën sesi Rama humbi zgjedhjet. “E dini ju historinë sesi humbi? Ditën e votimit para qytetarëve kishte katër kuti votimi. Kutia për kryetarin e bashkisë, për këshillin e bashkisë, këshillin e minibashkisë dhe kryetarin e këshillit të minibashkisë. Qytetarët gjatë votimit ngatërronin kutitë dhe këto quhen vota në kutinë e gabuar. Në Kodin e sjelljes së mirë të zgjedhjeve të Komisionit të Venecias, në Kodin Ndërkombëtar të Zgjedhjeve të Lira, në ligjet e të gjitha vendeve tona ato janë vota të vlefshme. Ky zotëria, zoti Rama, nuk pranonte të numëroheshin ato vota. E rrethoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve me qëllim për të bllokuar numërimin. Ajo nuk mund të ndodhte. Vota e çdo qytetari do të numërohej dhe u numërua duke u paraqitur para pesë kamerave. Dhe nuk kundërshtohej dot asnjë votë. Kandidati ynë doli me 91 vota më shumë dhe fitoi zgjedhjet. Kështu që ky problemi i zgjedhjeve është i zgjidhur”, – përfundoi lideri i mazhorancës.
Pollo: 23 qershori, fundi i politikës bllokuese për shqiptarët
Ministri i Inovacionit, Genc Pollo, nga Berati u shpreh i bindur se Partia Demokratike do të fitojë një mandat të tretë, dhe kjo sipas tij, jo në sajë të dobësisë së opozitës, por në sajë të arritjeve. Ministri Pollo u bëri thirrje qytetarëve që më 23 qershor t’i japin fund politikës bllokuese të Edi Ramës. “Nuk është dobësia e Ramës ajo që përbën kartën tonë fituese. Janë arritjet dhe mbajtja e premtimeve, është puna dhe arritjet e të gjithëve ne, si dhe programi ynë për të ardhmen. Sa për kundërshtarin, sa për Partinë Socialiste, vulën e bllokuesit, të penguesit të përpjekjes së Shqipërisë, ne i drejtohemi të gjithëve që 23 qershori të jetë dita e çlirimit të Shqipërisë nga bllokimi që ka bërë Edi Rama dhe Partia Socialiste”, – u shpreh ministri Pollo.