Florenc Drizari
Konfindustria: Heqja e TVSH-së për investimet deri në 50 milionë lekë nxit investimet e huaja
Nisma e Kryeministrit Berisha për heqjen e TVSH-se për pajisjet, makineritë dhe inputet që kanë destinacion bujqësinë, blegtorinë dhe agrobiznesin, ka gjetur mbështetjen nga Konfindustria. Në një deklaratë për shtyp, Konfindustria thekson se vazhdimi i masave të ekzekutivit për heqjen e TVSH-së për investimet deri në 50 milionë lekë dhe së fundmi për sektorin bujqësor është veprim i mirëpritur në kohën kur pasojat e krizës globale po ndihen me ashpërsinë më të madhe, që nga viti 2008 në ekonominë shqiptare.
Kofindustria
“Pagesa e TVSH-së për makineri dhe pajisje ishte kthyer në një barrë të rëndë për ekonominë prodhuese vendore duke bllokuar investimet në proces, ulur fuqinë investuese të re dhe sidomos duke ulur konkurrueshmërinë e vendit në raport me vendet e tjera te rajonit për sa i përket tërheqjes së investimeve të huaja. Pagesa paraprake e TVSH në masën 20% të vleftës së plotë të faturës ishte një nga shkaqet kryesore për rënien e ndjeshme të importit të zërit të makinerive dhe pajisjeve në mënyre të përsëritur në vitet e fundit” thuhet në deklaratë.
Konfindustria vlerëson se në kushtet e gjendjes më të vështirë për ekonominë shqiptare, që nga fillimi i krizës globale në vitin 2008, heqja e TVSH-së për investimet deri në 50 milionë lekë dhe së fundi heqja e plotë për një listë të zgjeruar të makinerive dhe pajisjeve bujqësore është një mjet i fortë nxitës për tërheqjen në vend të investimeve të huaja, sidomos nga emigrantët. Këta të fundit nuk zotërojnë sasi të mëdha kapitali vetjak, por janë në numër të madh dhe në tërësi mund të përbëjnë një fluks të rëndësishëm investimesh.
“Në shumicë emigrantët sidomos ata të ardhur nga Greqia janë të prirë të investojnë kryesisht si biznese të vegjël në shërbime dhe sidomos në bujqësi, që është sektor deri më sot pothuajse i përjashtuar krejtësisht nga politikat e kreditimit të bankave dhe njëkohësisht paraqet mjaft mundësi zhvillimi me vlerë për ekonominë në tërësi dhe mirëqenien e qytetarëve shqiptare”, – përfundon deklarata e Konfindustrisë.
Nisma e qeverisë
Kryeministri Berisha propozoi të enjten e shkuar nismën e qeverisë për heqjen e TVSH-se për pajisjet, makineritë dhe inputet që kanë destinacion bujqësinë, blegtorinë dhe agrobiznesin. Sipas kreut të ekzekutivit nisma më e re e qeverisë do të jetë heqja e TVSH-së për çdo vegël, pajisje, makineri, traktor, kombajnë, çfarëdo që të jenë ato, të cilat kanë destinacion bujqësinë, blegtorinë, pemëtarinë, bletarinë, agrobiznesin, përpunimin ushqimor. Gjithashtu Berisha ka thënë se, ajo është një listë e shumë re gjatë prej rreth 110 artikujsh, makineri që përdoren në të gjithë spektrin e bujqësisë, blegtorisë, pemëtarisë, bletarisë, peshkimit etj., të cilat do të importohen pa TVSH.
Por, përveç kësaj, Berisha tha se qeveria do të ndërmarrë nismën ligjore dhe do të dërgojë së shpejti në Parlament heqjen e TVSH-së për të gjitha llojet e kimikateve, plehrave kimike, substancave të ndryshme, fidanëve, farërave dhe të gjithë çka tjetër që importohen për qëllime të zhvillimit të bujqësisë, frutikulturës, blegtorisë e të gjithë sektorëve të kësaj fushe shumë të rëndësishme për qytetarët shqiptarë. Për kryeministrin kjo masë përbën mbështetjen më të fuqishme që fermeri shqiptar ka marrë nga qeveria, në rrafshin fiskal, gjatë këtyre 20 viteve dhe se ajo synon hapësira të reja për krijimin, konsolidimin e bizneseve të vogla bujqësore, blegtorale, frutikulturë apo të tjera në fshat, krijimin e mjedisit të favorshëm dhe inkurajimin e çdo fermeri, për një ambicie më të madhe për zhvillimin e konsolidimin e fermës së tij, rritjen e prodhimit e përpunimin e tij.
Çlirohen nga TVSH-ja, hyn në fuqi udhëzimi për fondet e BE-së
Ministria e Financave ka nxjerrë një udhëzim ku përjashton këto fonde nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar. Me këtë vendim grandet e Bashkimit Evropian për projektet e shoqërisë civile, në ndihmë në shtresave në nevojë, çlirohen nga barra fiskale. Deri më tani vetëm Shqipëria nga gjithë vendet e rajonit, nuk rimbursonte TVSH-në e grandeve të BE-së. “Fondet në total nga BE për organizatat jofitimprurëse, nga dy komponentët e IPA-s e kanë kaluar shifrën e 8 milionë eurove. Një pjesë është paguar në formën e TVSH-së mbi grandet e BE-së. Marrëveshja kuadër ndërmjet Shqipërisë dhe Komisionit Evropian mbi rregullat e asistencës së ndihmës së huaj në kuadër të asistencës për aderimin dhe marrëveshje e ratifikuar nga Parlamenti shqiptar e përjashton TVSH-në mbi grandet e BE-së. Më në fund është arritur akordi i udhëzimit nr. 4 datë 22 janar i Ministrisë së Financës, i cili tashmë i konsideron TVSH-në si një shpenzim i rimbursueshëm”, – thotë Genci Pasko, drejtor i projektit TACSO. Projektet e financuara nga BE-ja, nëpërmjet Fondit të Ndihmës së Shoqërisë Civile për rajonin e Ballkanit kapin shifrën 81 milionë euro, ku Shqipëria ka përfituar 8 milionë euro prej tyre. Një pjesë e konsiderueshme e këtij fondi ka shkuar për pagesën e TVSH-së. “Nga buxheti total që u përmenda shuma e TVSH-së që ka rënduar grandet e shoqatave mund të vlerësohet me shifrat 400-500 mijë euro. Kostoja e TVSH-së deri dje është konsideruar një kosto e papranueshme, ajo e tillë vazhdon që të konsiderohet dhe sot nga komisioni”, – vijon Pasko.
Dollapi nga Korça: Do të rikthejmë besimin e konsumatorëve tek CEZ-i
Administratori i CEZ-it, Sahit Dollapi, ka garantuar qytetarët në Korçë për furnizimin pa ndërprerje me energji elektrike, duke rikthyer besimin e konsumatorëve tek kompania. Ai akuzoi ish-drejtuesit për keqmenaxhim të kompanisë, pasi paratë e arkëtuara nga qytetarët nuk shkonin për investime, por për shpenzime luksoze. Këto deklarata administratori i CEZ-it, Sahit Dollapi, i bëri gjatë prezantimit në qytetin e Korçës të drejtorit rajonal të kësaj kompanie, Pëllumb Beqiri, ku midis të tjerash u ka kërkuar drejtuesve dhe vartësve të tij që të punojnë me përgjegjësi të lartë dhe të trajtojnë me korrektësi çdo qytetar.
Shpenzimet në BE, 2 milionë euro për lapsa dhe goma
Buxheti 7-vjeçar i BE-së, i cili sapo është miratuar, pritet të hyjë në fuqi në janar të vitit të ardhshëm gjithnjë pas miratimit nga ana e Parlamentit Evropian. Por ajo që ka qenë fjala kyçe në samitin maratonë ishte “kursimi”. Ndërsa 305 mijë euro të ndara nga vetë parlamenti për të inkurajuar marrëdhëniet sociale ndërmjet anëtarëve të personelit. Ose rreth 30 milionë euro që mbulojnë organizimin e grupeve të vizitorëve. Por asnjeri nuk ka llogaritur shpenzime si për shembull për uniformat e shoferëve të anëtarëve të parlamentit, që kushtojnë plot 662 mijë euro. Kancelaria dhe materialet e konsumit kërkojnë 2 milionë e 440 mijë euro. Pullat postare 357 mijë euro. Ndërkohë që parkingjet personale kushtojnë 6 milionë e 70 mijë euro, ndërsa 4 milionë euro shpenzohen për mensat dhe restorantet. Të gjitha këto janë shifra vjetore. Por njëherë në muaj Parlamenti Evropian transferohet në Strasburg, me një kosto prej 200 milionë eurosh në vit. Dhe këto janë të gjitha të ardhura që vijnë nga taksa paguesit.