Berisha: Më 23 qershor, Ramën e pret fati politik që tiranasit i dhanë Ramiz Alisë

0
197

Blerta Mrishaj

bashaBasha: Sot, pas 93 vitesh kryeqytet, Tirana është e autoktonëve, por edhe e të ardhurve, një qytet bujar që lejon, madje bashkëjeton çdo ditë me të ndryshmen

 

 

Tirana sot, “streha” e kulturave dhe besimeve të ndryshme fetare, dukej se e kishte të paracaktuar fatin, kur 93 vite më parë u vendos të ishte kryeqyteti i Shqipërisë. Në përkujtim të 11 shkurtit 1920, Akademia e Shkencave, e cila shërbeu edhe si Parlamenti i parë në kryeqytetin shqiptar, organizoi dje një takim, “Qeveria e parë në Tiranën kryeqytet”, ku të pranishëm ishin Kryeministri Sali Berisha, kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, si dhe përfaqësues të qeveritarëve të asaj kohe. Me këtë rast, historianë të njohur kanë risjellë edhe një herë para familjeve autoktone tiranase faktin e shpalljes së Tiranës kryeqytet dhe kur qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës u drejtua për në Tiranë për ta zhvilluar mbledhjen e saj të parë në godinën ku sot ndodhet Akademia e Shkencave. Duke folur në nderim të kësaj dite të shënuar, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, deklaroi se Rama përdori bashkinë për “katapultë” politike apo për “lulëzim” financiar të një grupimi. Teksa kreu i qeverisë, Berisha, kujtoi me mirënjohje dhe nderim të thellë të gjithë ata burra të shquar, shtetarë të viteve ‘20, të cilët mes përpjekjeve të jashtëzakonshme dhe rreziqeve të panumërta ndërmorën nga Lushnja, marshimin drejt Tiranës dhe vendosën aty qeverinë e Kongresit të Lushnjës. Ai tha: “Do të mbetet në mbetet në memorien e kohërave, vota e 31 marsit e viti 1991, kur qytetarët Tiranës në zonën ku diktatori i fundit komunist shqiptar ishte më i sigurt, e nxorën jashtë politike me votën e tyre”.

Tirana

“Sot, pas 93 vitesh kryeqytet, Tirana është e autoktonëve, por edhe e të ardhurve, një qytet bujar që lejon, madje bashkëjeton çdo ditë me të ndryshmen. Tirana është “streha” e kulturave dhe besimeve të ndryshme fetare. Kjo ka ndodhur sepse Tirana ka trashëguar genin dhe shpirtin tiranas që është mikpritja, respekti dhe dashuria për dijen dhe lirinë”, – u shpreh z. Basha. Sipas kryebashkiakut, sa më shumë vlerësojmë sakrificën e patriotëve që themeluan Tiranën kryeqytet, aq më shumë ndriçojmë të ardhmen e fëmijëve dhe të rinjve tanë. “Tirana është në krye të integrimit evropian të vendit por kjo nuk mund të funksiononte nëse bashkia dhe administrata e saj do të ishte “e shurdhët” para zërit të qytetarëve dhe kërkesave të tyre. Nuk mund të funksiononte nëse bashkia dhe administrata përdoreshin për “katapultë” politike apo për “lulëzim” financiar të një grupimi. Ne kemi ndryshuar mënyrën se si qeveriset qyteti. Tirana ka për herë të parë një plan të zhvillimit urban, një “kushtetutë” urbane që garanton respektimin e pamohueshëm të së drejtës së pronës, që garanton transparencë dhe nuk lejon arbitraritet në kurriz të askujt. Kryeministri Berisha e vlerësoi shpalljen e Tiranës kryeqytet, si një prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar. Kryeministri u shpreh se kjo ditë është para së gjithash një kujtesë dhe mirënjohje për të gjithë qytetarët e Tiranës, për virtytin, për atdhetarinë dhe për krenarinë e tyre të dëshmuar, në shndërrimin e qytetit të tyre, në kryeqytetin e vendit. Kryeministri kujtoi me mirënjohje dhe nderim të thellë të gjithë ata burra të shquar, shtetarë të viteve ‘20, të cilët mes përpjekjeve të jashtëzakonshme dhe rreziqeve të panumërta ndërmorën nga Lushnja, marshimin drejt Tiranës dhe vendosën aty qeverinë e Kongresit të Lushnjës. “Në historinë tonë kombëtare është qeveria më reformatore që shqiptarët kanë pasur ndonjëherë, qeveria e cila me një guxim të jashtëzakonshëm hodhi poshtë të gjitha traktatet që parashikonin copëtimin përfundimtar të trojeve shqiptare. Tirana ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në proceset demokratike dhe ne çfarëdo që të bëjmë për këtë qytet nuk arrijmë të bëjmë atë që qyteti ka bërë për ne, për Shqipërinë. Do të mbetet në memorien e kohërave vota e 31 marsit e vitit 1991, kur qytetarët e Tiranës, në zonën ku diktatori i fundit komunist shqiptar ishte më i sigurt, e nxorën jashtë politike me votën e tyre. Sot ka një fat shumë të hidhur. Njeriu që qeverisi Tiranën për 11 vjet, si shpërblim për votën e qytetarëve të këtij qyteti të mrekullueshëm u mbyll derën e integrimit, e la Tiranën në mënyrën më të paimagjinueshme jashtë familjes së kryeqyteteve të vendeve anëtare dhe të vendeve me status të familjeve evropiane. Megjithatë, unë shpreh bindjen më të madhe se më 23 qershor me mençurinë e tyre, qytetarët e Tiranës do të votojnë për 93-vjetorin si kryeqytet, por do të votojnë edhe për qindra vitet e ardhshme si lokomotivë e këtij kombi drejt zhvillimit dhe Evropës”, – u shpreh Kryeministri Berisha. Pjesë nga historia e hyrjes së qeverisë në kryeqytet solli edhe historiania Valentina Duka. Pasardhës të Sulejman Delvinës, imzot Luigj Bumçit, Hoxhë Kadriut etj. sollën copëza kujtimesh nga qeveria e parë e vendosur në Tiranën kryeqytet.

 

 

Delvina: Kryeministri vizionar dhe diplomat

Ndërsa përfaqësuesi i familjes të Kryeministrit të parë të qeverisë në Tiranën kryeqytet, Sherif Delvina, e cilësoi Sulejman Delvinën si vizionar i cili i ngjasonte me këto cilësi Ismail Qemalit. Atdhedashuri të zjarrtë, vizion të shkëlqyer, përmasa ndërkombëtare në diplomaci. Në 8-9 muaj qeveri u bënë mrekulli. Janë të panumëruara mrekullitë që kjo qeveri ka bërë. Hapi 528 shkolla, bëri përparime në administratë, një administratë të efektshme, rregulloi një ushtri, një xhandarmëri”.

 

Nika: Kryeqyteti me kontribut të veçantë të familjeve tiranase

Drejtorja e Arkivit të Shtetit dhe pinjolle e familjes Hoxhë Kadriu, në fjalën e saj vlerësoi kontributin e familjeve tiranase, të cilët mirëpritën vendimin e Kongresit të Lushnjës. “Kur Tirana u bë kryeqytet, kuptohet se erdhën edhe nga krahina të tjera të Shqipërisë. Tirana u bë, sepse deshën familjet e Tiranës të bëhej, deshën ata, deshën edhe ata që e bënë Shqipërinë. Kongresi i Lushnjës dhe qeveria e dalë nga ai kongres është me gjithë mend një rilindje e dytë e Shqipërisë”.

 

Bumçi: Imzot Luigj Bumçi, fetar i përkushtuar për atdheun  

Duke folur në emër të një prej përfaqësueseve kryesore të qeverisë së parë që shkeli në Tiranë, të At Luigj Bumçit, ministri i Kulturës, Aldo Bumçi, u shpreh: “Ndjenja e përgjegjësisë për ato vite të vështira që kalonte Shqipëria e thirri për t’u bërë pjesë e jetës politike. Pas njëfarë kohe, nëse drejtpërdrejt apo indirekt, nga Selia e Shenjtë iu tha se duhej të bënte një zgjedhje, ose të qëndronte meshtar, ose t’i dedikohej jetës publike dhe politike shqiptare dhe zgjodhi përsëri të ishte meshtar. Kjo dukej se ishte thirrja e tij më e fortë, thirrja së cilës i dedikoi jetën, pavarësisht se në një moment të caktuar çdo individ, pavarësisht nëse është laik, fetar apo jo, ka edhe thirrjen e kombit, detyrimin ndaj atdheut”.

 

Duka: Tirana, nga urbanizim i çrregullt drejt zhvillimit

Profesore, doktore shkencash dhe historiane, në fjalën e saj në 93-vjetorin e shpalljes së Tiranës kryeqytet, bëri një rezyme të nëpër të cilën ka kaluar historia e këtij qyteti, deri në ditët e sotme. “Në vitet e para të shpalljes së Tiranës kryeqytet, parlamenti, qeveria, institucionet e tjera shtetërore që ishin vendosur përkohësisht në godinat dhe hotelet më të mira private që ofronte qyteti i Tiranës të trashëguara kryesisht nga shekulli 19 dhe fillimi i shekullit 20, ku ky qytet tipik oriental shërbente edhe si seli verore e konsullatave të huaja, të stacionuara në Durrës, të rrezikuara nga malaria në muajt e nxehtë, kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, në momentin e shpalljes si kryeqendra e Shqipërisë karakterizohej nga një strukturë urbane e çrregullt dhe e fragmentuar, e cila ishte si rezultat i zgjerimit spontan i qytetit që prej themelimit të tij në shekullin e 17-të”. Më tej, Duka detajoi zhvillimin që mori Tirana nga viti në vit deri sot.

 

Në nderim të Zyber Hallullit

Basha: Të përkushtuar ta çojmë më tej dëshirën e shqiptarëve

Një vit pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, në 1913, Zyber Hallulli u zgjodh edhe si një prej drejtuesve klerikë në Tiranë. Kryebashkiaku Lulzim Basha dje në 93-vjetorin e shpalljes së Tiranës kryeqytet, nderoi figurën e kryebashkiakut të parë, duke vendosur një pllakatë në vendin ku ka jetuar Zyber Hallulli ka vlerësuar personalitetin dhe virtytet e tij. “Në këtë ditë të veçantë duhet të kujtojmë një person të veçantë i cili është një ndër mishëruesit më tipikë të këtyre vlerave të tiranasve, kryetarin e parë të Bashkisë së Tiranës, Zyber Hallulli i cili mishëron në personalitetin e tij dimensione të admirueshme për çdo qytetar, për çdo kryetar bashkie dhe çdo pushtetar, duke treguar se si titullin e qytetarit të parë ai e meritonte nëpërmjet virtytit që përfaqësonte. Këtë virtyt, ai e shprehu edhe më vonë kur pas lënies së detyrës ishte themeluesi i Strehës Vorfnore të Tiranës dhe jo më kot sot, jetimorja e Tiranës mban emrin e tij, duke nderuar pikërisht këtë vlerë, ndërmjet shumë vlerave që ai mishëronte dhe që janë vlerat esenciale të popullsisë autoktone të Tiranës”, – theksoi z. Basha. Kryebashkiaku Basha tha se duke u bazuar mbi vlerat e Zyber Hallullit, por edhe qindra mijëra qytetarëve autoktonë tiranas, jemi të përkushtuar ta çojmë më tej dëshirën e shqiptarëve për ta parë Tiranën çdo ditë e më mirë.