Elton Qyno
Kryeparlamentarja Topalli nuk u jep lekët për periudhën e bojkotimit të Parlamentit shtator 2009 deri në maj 2010
Zbardhet padia në Gjykatën e Tiranës, deputetët kërkojnë dietat dhe pagesat për të gjitha ditët e munguara
Mosdhënia e rrogës dhe e dietave financiare nga ana e Kuvendit të Shqipërisë për dy deputetët e Partisë Socialiste, Arta Dade dhe Alfred Dalipi, ka bërë që këta të fundit t’i drejtohen me një padi civile Gjykatës së Tiranës, ku edhe kanë paditur kuvendin. Dy deputetët pretendojnë se nuk kanë marrë shumat financiare, si dhe disa shpërblime dhe dieta, të cilat i takojnë në bazë të ligjit të statusit të “Deputetit”. Herë pas here, Arta Dade që përfaqëson Qarkun e Gjirokastrës dhe kolegu tjetër i saj Alfred Dalipi që përfaqëson zonën e Ersekës, i kanë kërkuar në mënyrë zyrtare administratës së Kuvendit të Shqipërisë, por edhe Kryeparlamentares Jozefina Topalli, që të shlyejnë detyrimit financiare të cilat janë të sanksionuara me ligj. Në kërkesat e dy deputetëve, bëhet fjalë për një periudhë prej 9 muajsh nga shtatori i vitit 2009 deri në muajin maj 2010. Pikërisht në këtë periudhë, dy deputetët mësohet se kanë qenë me shërbime, por në disa raste kanë bojkotuar prej disa ditësh Parlamentin, duke bërë që tashmë administrata e Kuvendit t’u shkurtojë rrogën, por edhe pagesat e tjera dy deputetëve të Partisë Socialiste.
Padia në gjykatë
Dy deputetët e PS-së i janë drejtuar sekretarisë së Gjykatës së Tiranës, në të njëjtën ditë, duke depozituar padinë civile. Në objektin e padisë thuhet se kërkohet detyrimi i Kuvendit të Shqipërisë të paguajë të gjitha përfitimet financiare që burojnë nga legjislacioni për statusin e “Deputetit” dhe që lidhen me ushtrimin e funksionit për periudhën shtator 2009 deri në maj 2010. Pikërisht në këtë periudhë, dy deputetët kanë munguar në shumë raste gjatë seancave plenare dhe për pasojë, administrata ka vendosur heqjen e pagesës financiare. Sipas padisë së Arta Dades dhe Alfred Dalipit, bëhet fjalë për disa detyrime, duke filluar nga pagesa mujore, dietat e udhëtimeve, shërbimeve të kryera në punën e komisioneve parlamentare si dhe një sërë udhëtimesh jashtë shtetit. Mirëpo pavarësisht pretendimit të dy deputetëve të opozitës, Kryeparlamentarja Jozefina Topalli, ka refuzuar t’i dorëzojë shumat financiare, me justifikimin se gjatë periudhës 9-mujore, që nga shtatori 2009 dhe deri tek maji 2010, dy deputetët nuk kanë kryer detyrën e tyre ligjore, duke mos marrë pjesë në shumë seanca plenare.
Bojkoti në Kuvend
Pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, deputetët e opozitës kanë refuzuar të marrin pjesë në punimet e Parlamentit, por edhe në komisionet parlamentare. Madje ata kanë refuzuar të bëjnë dhe betimin në kohën që parashikonte ligji, duke bërë që administrata e Kuvendit të marrë masa, duke penalizuar financiarisht disa prej deputetëve të PS-së. Mes të penalizuarve kanë qenë edhe dy deputetët që tashmë kanë depozituar padi civile në gjykatë, të cilëve u janë mbajtur rrogat si dhe shuma financiare të tjera që rrjedhin nga shërbimet që parashikon ligji për statusin e deputetit. Pak kohë më parë shtatë deputetë të PS-së, iu drejtuan gjykatës për të kërkuar dëmshpërblimin nga ana e Kuvendit të ditëve të hequra nga paga për kohën që nuk morën pjesë në Kuvend. Ish-deputetja Ermelinda Meksi kërkon që Kuvendi të përmbushë të gjitha detyrimet ndaj saj për periudhën nga shtatori 2009 gjer në maj 2010. Gjashtë deputetët e tjerë socialistë, Olta Xhaçka, Shegush Ligori, Valentina Leskaj, Erion Braçe, Mimi Kodheli dhe Qemal Minxhozi, kërkojnë përmbushjen e detyrimit të Kuvendit për periudhën shtator 2009 – maj 2010.
Vjedhja e TEC-it Fier
Në pranga 5 persona, në kërkim drejtori i uzinës
Tre punonjës të OST-së dhe dy roje të TEC-it të Fierit janë vënë në pranga për vjedhje, ndërkohë që drejtori i TEC-it është shpallur në kërkim nga ana e policisë së Fierit. Sipas burimeve zyrtare të policisë së qarkut, Ermal Yzeiraj, 29 vjeç; Arjan Zhupa, 47 vjeç; Nuri Hoxha, 63 vjeç; punonjës pranë OST-së, janë kapur në flagrancë duke prerë kavo alumini, pesë kampata në ambientet e TEC-it. Hetim në gjendje të lirë ka nisur dhe për 60-vjeçarin Y. I., pasi ka qenë në afërsi të vendit ku po kryhej prerja e kavove të aluminit. Gjithashtu janë arrestuar dhe Ilir Zgjana, 31 vjeç, dhe Islam Islamaj, 60 vjeç, roje në TEC-it, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre. “Pasi kanë shpërdoruar detyrën si punonjës të SHRSF pranë TEC me mosveprim duke mos kryer detyrën funksionale për të mos lejuar vjedhjen e sasisë së aluminit”, – thotë policia e Fierit. Ndërkaq, në kërkim është shpallur dhe Qemal Vrenozi, 38 vjeç, drejtori i TEC, pasi sipas policisë ai ka dhënë urdhër të paligjshëm për prerjen e kavove të aluminit, duke u akuzuar për vjedhje duke shpërdoruar detyrën. Për kapjen e tij janë aktivizuar disa forca policie, ku kontrolle janë ushtruar në disa banesa por ende nuk është bërë arrestimi i drejtorit. Në shumë raste TEC-i, i Fierit ka rënë preh e grabitësve të skrapit dhe se në pjesën më të madhe kanë qenë vetë punëtorët ata që kanë bërë grabitjen e pjesëve të ndryshme, duke i shitur ato tek pikat e grumbullimit të skrapit.
Arrestohet i riu në Shkodër, abuzoi seksualisht me të miturën
Policia e Shkodrës ka vënë në pranga një të ri, nën akuzën e abuzimit seksual me të mitura. Koland Berloka, 23 vjeç, është arrestuar nga blutë e qytetit verilindor, pasi gjykata ka lëshuar urdhër-arrestin ndaj tij nën akuzën e kryerjes së marrëdhënieve seksuale me dhunë me të mitura. Po sipas bluve, Berloka akuzohet edhe për zotërim të lëndëve narkotike. Ndërkaq, materialet i janë referuar prokurorisë së qarkut për ndjekje të mëtejshme të rastit. Mësohet se 23-vjeçari ka abuzuar me një vajzë të mitur, e cila banon jo shumë larg banesës së tij. Ai së bashku me të miturën kanë qenë në oborrin e shtëpisë dhe më pas janë drejtuar në një vend të mbyllur, ku edhe ka abuzuar seksualisht me të miturën. Pas kësaj, 23-vjeçari është larguar, ndërkohë që e mitura ka shkuar në banesën e saj dhe se për shkak të sjelljeve të çuditshme, që janë vënë re nga prindërit e saj, është zbuluar dhe abuzimi nga ana e dy prindërve. Pasi kanë biseduar me vajzën e tyre, e mitura ka treguar se ishte gënjyer nga një 23-vjeçar, i cili më pas kishte abuzuar me të seksualisht. Kaq ka mjaftuar që dy prindërit t’i drejtohen policisë së Shkodrës, ku edhe kanë bërë kallëzim penal ndaj 23-vjeçarit Koland Berloka. Gjatë marrjes në pyetje, ky i fundit ka treguar se kishte kryer marrëdhënie seksuale me vajzën, për shkak se vetë ajo i kishte kërkuar një veprim të tillë. Ndërsa për sa i përket moshës së saj të mitur, Berloka është shprehur para oficerëve të policisë se nuk ka pasur dijeni rreth moshës së saj. Në prani të një psikologu është marrë në pyetje dhe minorenia, e cila ra pre e abuzimit seksual. Ajo ka rrëfyer në polici se 23-vjeçari e ka dhunuar seksualisht, duke përdorur forcën dhe kërcënimet, ndërkohë që në asnjë moment s’ka pranuar se ajo ka shkuar vetë me dëshirën e saj. Pritet që në ditët në vijim policia dhe prokuroria e Shkodrës të njihen me aktin e ekspertimit mjekoligjor, për të mësuar nëse minorenia ka pasur marrëdhënie seksuale me 23-vjeçarin e arrestuar ose jo.