Hakmarrja për lekët e humbura në skedina, tritol llotos tek Selvia

0
188

Elton Qyno

tritolPolicia, skaner bastexhinjve që kanë humbur paratë. Shpërthimi i fuqishëm, në orën katër të mëngjesit

Dyshime dhe për konkurrencën, banorët: Ishim në gjumi kur shpërtheu, llotoja ishte hapur deri pas mesnate

 

Një sasi tritoli ka shpërthyer në ambientet e një pike bastesh sportive, duke sjellë dëme të konsiderueshme materiale, por fatmirësisht jo në njerëz. Rreth 300 gramë tritol, është vendosur në derën e pikës së “Xhoi-Lloto-s” që ndodhet buzë Rrugës së Dibrës në zonën e Selvisë në Tiranë, e cila në orën e para të mëngjesit ka alarmuar të gjithë banorët që në ato momente ishin në gjumë. Policia që ka shkuar në vendngjarje, ka konstatuar vetëm dëme materiale, ndërkohë që dyshimet e para janë ngritur se vendosja e tritolit është bërë nga persona që kanë humbur shuma të konsiderueshme lekësh ose për shkak të konkurrencës. Pikërisht në këtë zonë ku ka ndodhur shpërthimi, ushtrojnë aktivitet tregtar në baste sportive, disa shtetas të tjerë, por nga marrja në pyetje e administratorit të pikës së llotos së dëmtuar, ai ka treguar në polici, se me personat konkurrentë, nuk ka pasur asnjë konflikt. Nisur nga kjo situatë policia e Tiranës ka shtrirë hetimet tek disa persona, klientë të pikës së basteve, të cilët pak kohë më parë kanë humbur një sasi të konsiderueshme lekësh, gjatë vënies së skedinave për disa ndeshje futbolli.

Skaner bastexhinjve

Shpërthimi i fuqishëm është regjistruar rreth orës 04:00 të mëngjesit, kur teksa të gjithë banorët e zonës ishin duke fjetur, ata janë zgjuar nga një shpërthim, gjë e cila ka bërë që disa prej banorëve të zonës të njoftojnë sallën operative të policisë. Disa prej dëshmitarëve, kanë treguar se pika e basteve “Xhoi-Lloto”, ka qëndruar hapur deri në orët e vona të natës, për shkak se gjatë mbrëmjes së të Martës, luheshin ndeshjet e Champions Ligës. Nisur nga kjo situatë, policia e Tiranës, gjatë ditës së djeshme ka marrë në pyetje disa nga bastexhinjtë besnikë të pikës sportive, si dhe persona të tjerë, për të mësuar nëse ata kanë gisht në këtë ngjarje. Disa prej tyre kanë pranuar se kanë humbur shuma të konsiderueshme lekësh, gjatë vënies së skedinave sportive, por që nuk kanë pranuar të jenë autorët apo organizatorët e vendosjes së tritolit. Vetë pronari, i pikës së basteve ka treguar në polici se vendosja e tritolit mund të jetë vendosur nga ndonjë klient që ka humbur para në baste, duke rrëzuar kështu pistën e konkurrencës së mundshme me disa nga pikat e tjera të basteve sportive që ndodhet në zonën ku ndodhi krimi i rëndë. Lidhur me këtë ngjarje deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, policia e Tiranës, nuk arriti të identifikojë dhe arrestojë asnjë nga personat, ndërkohë që në komisariatin nr. 4 janë shoqëruar rreth 20 personave, por sërish ata janë lënë të lirë, pas dhënies së dëshmive.

Dëmet materiale

Shpërthimi i tritolit ka sjellë dëmtime të shuma, për sa i përket dëmeve materiale. Sipas dëshmisë së pronarit të dhënë në policinë e Tiranës, bëhet fjalë për një dëm mbi 2 milion lekë të vjetra, për shkak se nga shpërthimi janë dëmtuar muret e pikës së basteve, xhamat, disa prej tavolinave si dhe disa prej televizorëve plazma. Në dëshmisë e tij, pronari i pikës së basteve “Xhoi-Lloto”, nuk ka dhënë asnjë emër personi, se ku mund të dyshonte, duke pretenduar se vendosja e tritolit mund të ketë lidhje vetëm me ndonjë hakmarrje të mundshme nga personat që kanë humbur lekët e tyre gjatë luajtjes së llotove. Pikërisht ditën e martë, kur dhe kishte ndeshje të Champions Ligës, sipas tij ka pasur shumë punë, dhe se shumë nga klientët kishin humbur para, për shkak të mos kapjes së rezultatit përfundimtar të ndeshjeve sportive.

 

Sulmohet për herë të dytë kryqi në Qafë-Kërrabë

Dinamit kryqit në Elbasan

autorët duan ta vjedhin për skrap

Kryqi i çelikut i vendosur nga institucioni i kishës buzë aksit rrugor Elbasan-Tiranë, sërish është sulmuar nga persona të pa identifikuar me tritol, me qëllim rrëzimin e tij dhe më pas shitjen për skrap. Ngjarja e ripërsëritur ka ndodhur në mbrëmjen e së Martës kur një shpërthim i fuqishëm ka tronditur xhamat e banesave përreth dhe që fillimisht u mendua si një tronditje e ardhur nga shpërthimet e zakonshme në Metalurgjik. Vetëm në mëngjesin e të Mërkurës, është konstatuar vënia e eksplozivit në kryqin ortodoks, mbi fshatin Fikas të Komunës së Bradasheshit. Kisha ortodokse e Elbasanit në një notë proteste e lidh këtë ngjarje edhe me shkatërrimin e afreskeve murale të Kishës së Valshit në komunën e Gjinarit, pak ditë më parë. “Ne jemi të shqetësuar sepse është në vazhdën e disa veprimeve të rënda dhe arbitrare kundër vlerave të kishës. Kemi vlerat shpirtërore të besimit tonë ortodoks prandaj prishet dhe harmonia fetare me këto veprime”,-u shpreh at Stavri Çipi. Sipas ekspertëve të policisë, shpërthimi ka dëmtuar rëndë bazën e kryqit, rreth 60 cm nga toka dhe afër tij janë gjetur fitila kapsollash, çka e vërteton përdorimin e eksplozivit. Paraprakisht mendohet se tentativa e shkatërrimit të kryqit është bërë për t’u shitur për skrap. Kryqi në Qafë-Kërrabë është vendosur në këtë shpat mali tetë vjet më parë dhe kjo është tentativa e dytë për ta shkatërruar atë.

 

Ngjarja tek “21 Dhjetori”, Haxhi Ruka e ndoqi minorenen nga shkolla

I moshuari sulmon minorenen në ashensor, e

prek në vende intime, kërkon ta puthë me forcë

Shënohet një tjetër rast abuzimi seksual ndaj të miturve, ku gjatë mbrëmjes së djeshme një fëmijë 13-vjeçare, është sulmuar brenda ashensorit të pallatit, nga një 71-vjeçar që ka tentuar ta pudtë dhe prekë në pjesët intime. Rasti i rëndë i pedofilisë është regjistruar në një pallat që ndodhet në zonën e “21 Dhjetorit”, ku i moshuari Haxhi Ruka, baba i tre fëmijëve të rritur, ka sulmuar brenda një ashensori vajzën 13-vjeçari të komshiut të tij, duke e prekur atë në organet intime dhe tentuar ta puthë në buzë. Sulmit të të moshuarit, e mitura i është kundërpërgjigjur me klithma, gjë e cila ka sjellë reagimin e banorëve të pallatit, që ndodheshin në shkallë. Mësohet se 13-vjeçari me inicialet K.G, sapo kishte dalë nga shkolla dhe ishte duke ecur në rrugë për në banesën e saj, që ndodhet në një pallat 12-katësh në Tiranës. Teksa ka ecur, 71-vjeçari e ka ndjekur nga prapa duke ruajtur momentin kur e mitura të mbetej vetëm në një vend, ku nuk do të kishte mundësi të shihej nga persona të tjerë. Pasi ka ecur disa minuta prapa saj, 71-vjeçari Haxhi Ruka, ka shfrytëzuar momentin e hipjes në ashensor të minorenes, ku së bashku me të ka hipur dhe i moshuari. Pikërisht në këtë moment, Haxhi Ruka, ka shtënë në dorë 13-vjeçaren, të cilët ka filluar ti thotë fjalë të ëmbla dh eta prekë me duar në pjesët e intime. Pas këtyre veprimeve e mitura ka filluar t’i shmanget, por i moshuari Ruka sipas policisë ka përdorur forcën, duke tentuar ta puthë në buzë vajzën 13-vjeçare. Klithmat e kësaj të fundit kanë bërë që të dëgjohen nga banorë të pallatit, të cilët kanë qenë në shkallë, në ato momente. Pas hapjes së ashensorit, i moshuari është larguar, duke pohuar se nuk kishte ndodhur asnjë gjë mes tij dhe vajzës 13-vjeçare. Ruka është larguar i qetë për në banesën e tij, ndërkohë që minorenia ka shkuar në apartament ku dhe u ka treguar prindërve rreth asaj që i kishte ndodhur në ambientin e ashensorit. Kanë qenë prindërit e minorenës ata që kanë denoncuar të moshuarin në policinë e Tiranës, ku pas disa orësh kërkime është bërë arrestimi i 71-vjeçarit Haxhi Ruka. Ky i fundit gjatë marrjes në pyetje ka treguar se nuk kishte asnjë veprim seksual ndaj minorenes, por kjo e fundit në prani edhe të një psikologu, ka treguar me detaje të gjithë ngjarjen që i kishte ndodhur në ambientin e brendshëm të ashensorit të pallatit. Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, policia e Tiranës pritet të sekuestrojë pamjet filmike të ashensorit, nëse në të ka patur, për të mësuar të vërtetën se çfarë ka ndodhur mes 13-vjeçares dhe 71-vjeçarit tashmë të arrestuar nga forcat e policisë së kryeqytetit. Ndaj tij është ngritur akuza e “Ngacmimit seksual ndaj të miturve”.