21 Janari Prokuroria ankimon vendimin e 3 pafajësive, dosja në Apel

0
185

Sonja Caka

prokuroriProkurorët shpjegojnë në 10 faqe apelim arsyet pse kontestojnë vendimin e Gjykatës së Tiranës, argumentet kundër, kundërshtitë për analogjinë me vendimin e Strasburgut dhe akuzuat për manipulime të ekspertizës nga eksperti Ndoc Çardaku

 

Prokuroria ka depozituar dje apelimin e vendimit të Gjykatës së Tiranës për çështjen e 21 Janarit. Qysh në fillim të ankimimit të vendimit të dy pafajësive, prokuroria lëshon akuza të forta ndaj trupës gjyqësore, duke deklaruar se “gjykata në kundërshtim të plotë me provat e paraqitura nga organi i akuzës gjatë shqyrtimit gjyqësor, duke u referuar në fakte e prova inekzistente dhe në tejkalim me kompetencat që i njeh ligji procedural-penal për çmuarjen e provave, vlerësimin e analizën e tyre sipas kërkesave të neneve 152 e 380 të Kodit të Procedurës Penale, ka deklaruar të pafajshëm dy të pandehurit Ndrea Prendi e Agim Llupo, për këto shkaqe e “argumente” të paraqitura në vendim”. Më tej, në 10 faqe ankim, Prokuroria argumenton pse kundërshton dy pafajësitë, provat ku mbështet akuzën ndaj të pandehurve, kundërshtitë për analogjinë me vendimin Strasburgut, si dhe akuzuat për manipulime të ekspertizës nga ana e ekspertit Ndoc Çardaku.

Argumentet kundër të prokurorisë

Në ankimimin për të pandehurit Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, prokurorët paraqesin 7 argumentet pse kreu i Gardës dhe vartësi i tij janë fajtor, duke rrëzuar në këtë mënyrë me kundërargumente vendimin e gjykatës. Prokuroria hedh poshtë akuzat e gjykatës për mungesë të plotë hetimesh për ngjarjen, duke deklaruar se organi i akuzës ka kryer hetime të plota, të gjithanshme për këto elementë të faktit objekt akuze, në kuadër të hetimeve për procedimin penal nr. 285 të v. 2011 të filluar në dt. 21.1.2011. “Hetimet e organit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, nuk kanë qenë të fokusuara vetëm për veprimet dhe mosveprimet e punonjësve e efektivave të Gardës së Republikës, por në kuadër të hetimit të plotë të procedimit penal nr. 285 të v. 2011, ato kanë përfshirë veprat penale që lidheshin me organizimin dhe pjesëmarrjen në grumbullimin e manifestimin e paligjshëm, veprimet e dhunshme ndaj punonjësve të policisë e efektivave të Gardës së Republikës për shkak të detyrës, shkatërrimin e pronës, etj. Megjithatë pavarësisht këtij vlerësimi të gjykatës në tejkalim të kompetencave që i njeh ligji, theksojmë se gjykata nuk ka të drejtë të gjykojë e të marrë vendim jashtë fakteve objekt akuze dhe provave të verifikuara gjatë shqyrtimit gjyqësor, çka përcaktohet qartësisht në nenin 3/2 të Kodit të Procedurës Penale. Së dyti, sipas prokurorëve, nëpërmjet provave të paraqitura në gjykim, si për sa u përket provave me dëshmitarëve okularë, këqyrjeve e sekuestrimeve të provave materiale, CD-e e DVD-ve me pamje filmike, fotove të printuara në përmasa të zmadhuara, ekspertimeve të ndryshme, ekzekutimit të letërporosive të autoriteteve të huaja, akuza ka provuar plotësisht se çfarë veprimesh të dhunshme ka kryer turma e protestuesve, momentet e dhunës, mjetet me të cilat është ushtruar kjo dhunë, vendin se ku është ushtruar, personat që janë bërë objekt i kësaj dhune, dëmtimet që u janë shkaktuar. Përveç këtyre momenteve ku provohet dhuna e protestuesve ndaj efektivave të gardës, është provuar se nga ana e viktimave gjatë gjithë kohës që është zhvilluar demonstrata, kanë qenë të paarmatosur, nuk kanë kryer asnjë veprim të dhunshëm ndaj efektivave policore jashtë rrethimit të objektit, apo efektivave të Gardës së Republikës brenda rrethimit të objektit të Kryeministrisë. Lidhur me momentin e mungesës së anës subjektive tek i pandehuri Ndrea Prendi, në kundërshtim me këto “argumente” të paraqitura nga gjykata në vendim, vjen teoria e së të drejtës penale shqiptare, si për sa i përket formës së dashjes, synimit, qëllimit kriminal, apo mungesës së motivit në veprimin e kundërligjshëm të pandehurit Ndrea Prendi. Orientimi i veprimit konkludent të pandehurit Ndrea Prendi, i shprehur në gjuajtjen drejt turmës së protestuesve në të paktën 5 raste (predha e gjetur tek viktima Faik Myrto, në pemë dhe 3 predha tek UNHCR), konsiston dhe shpreh shtytjet e brendshme të të pandehurit në atë moment, shpreh më së miri qëndrimin e tij psikik ndaj pasojave që do shkaktonte, si dhe domosdoshmërinë e shkaktimit të tyre. Së katërti, Gjykata nuk aplikon nenin 375 për ndryshimin e cilësimit juridik të veprës, ndërkohë që sipas akuzës, qëndrimi i gjykatës bie ndesh me këtë nen, vendimin nr.50 dt. 30.7.199 të Gjykatës Kushtetuese, si dhe vendimin Unifikues të Gjykatës së Lartë, nr. 5/2003, në të cilat përcaktohen rastet dhe kushtet kur duhet të aplikohet neni 375 i K.Pr.Penale, që bën fjalë për ndryshimin e cilësimit juridik të veprës. Në asnjë rast si në K.Pr.Penale, ashtu edhe në vendimet e sipërpërmendura, nuk konfondohet që gjykata të kryejë hetime, pra të marrë një rol aktiv në ndryshim nga pozicioni i saj procedural e kushtetues, por vetëm përcaktohen kushtet se kur mund të kryhet ky ndryshim cilësimi, qoftë edhe për një vepër penale më të rëndë, mjafton që të jetë në kompetencë të asaj gjykate.

Pse nuk duhet marrë për analogji vendimi i Strasburgut

Prokuroria kundërshton marrjen në referencë të vendimit të Strasburgut në dhënien e pafajësisë për Prendin dhe Llupon. Lidhur me referencën në vendimin e Strasburgut për çështjen Giuliani kundër Italisë, sipas prokurorëve përbën një tjetër shkelje të rëndë të parimeve të zbatimit të ligjit penal, parim i përcaktuar në nenin 1/”c” të Kodit Penal. Megjithatë në vendime të tjera të Gjykatës së Strasburgut, në zbatim të nenit 2 të KEDNJ referohet: “..Përdorimi forcës vdekjeprurëse nga ana e shtetit…sipas nenit 2 të KEDNJ, lejon përjashtime të së drejtës së jetës, vetëm kur ajo është “absolutisht e domosdoshme”. Pavarësisht këtij momenti të zbatimit të ligjit material, duhet thënë se rasti të cilin gjykata e merr për bazë, pra “çështja Giuliani dhe Gaggio, kundër Italisë”, nuk ka asnjë lidhje me rastin në shqyrtim, pra çështjen në ngarkim të pandehurve Ndrea Prendi, Agim Llupo për një sërë faktorësh si: a)Karabinieri italian ka qenë brenda automjetit, i rrethuar nga një turmë e madhe protestuesish të dhunshëm, ndërsa të pandehurit Ndrea Prendi e Agim Llupo, kanë qenë brenda rrethimit të ndërtesës, në “Sektorin Verior”, të pozicionuar dhe nuk u kanosej ndonjë rrezik real për jetën; b)Karabinieri italian është goditur dy herë në trup, një herë me gur në kokë dhe një herë me fikse zjarri në këmbë, ndërsa i pandehuri Ndrea sikundër u provua nga shqyrtimi gjyqësor, ka qëlluar me pistoletën e tij para se të dëmtohej në pjesën e vetullës, ndërsa i pandehuri Agim Llupo ka qenë në një pozicion ku ishte e mjaft e vështirë që t’i shkaktoheshin dëmtime; c) Në momentin që karabinieri ka qëlluar me armën e tij të zjarrit, ishte bërë objekti i një sulmi me fikse zjarri nga ana e viktimës Giuliani, i cili në momentin që është gjuajtur, ka qenë para kryerjes së një tjetër veprimi, ndërsa dy të pandehurit nuk u vërtetua se në momentin që kanë qëlluar, kanë qenë objekt i një sulmi të drejtpërdrejtë; d)Protestuesi italian dhe bashkëprotestuesit që ishin afër tij, kishin të vendosur në kokë maskë për të mos u identifikuar, kishin në duar dërrasa e kazmë, kurse viktimat Hekuran Deda, Ziver Veizi etj. dhe të plagosurit nuk kishin asgjë të paligjshme në duar dhe ishin lehtësisht të identifikueshëm.

Kontestimet për ekspertizën e Çardakut, akuzë për manipulime

Një moment të veçantë në ankimimin e prokurorisë zë momenti i kontestimit të ekspertizës së Ndoc Çardakut, fillimisht i marrë nga akuza si ekspert dhe më pas i akuzuar si manipulues provash nga ana e prokurorëve të çështjes. Sipas akuzës, gjykata në kundërshtim të plotë me aktet e provat e verifikuara gjatë shqyrtimit gjyqësor, përshkruan në mënyrë të tepër të pasaktë të dhënat nga ekzaminimet në dy aktet që lidhen me ekspertimin e predhës, që është gjetur në trupin e të ndjerit Ziver Veizi (Nr. 975 dt. 7.2.2011) dhe aktin e ekspertimit mjeko-ligjor nr. 26 dt. 21.1.2011, për ekzaminimin e kufomës së të ndjerit Ziver Veizi. Përshkrimi në mënyrë jo të saktë, që u bën gjykata të dhënave e konkluzioneve të këtyre dy akteve, e ka çuar pashmangshmërisht gjykatën në një konkluzion të gabuar, sa i përket lidhjes shkak-pasojë midis veprimit të pandehurit Agim Llupo dhe vdekjes së të ndjerit Ziver Veizi, e rrjedhimisht edhe në deklarimin e tij të pafajshëm. Prokurorët kundërshtojnë faktin që predha në majë ishte dëmtuar, ndërsa në asnjë moment sipas tyre nuk ka pasur ashkla të drunjta në kohën kur ka përfunduar në trupin e viktimës Veizi. “Nga administrimi i akteve të tjera të ekspertimit balistik të kësaj predhe si, akti ekspertimit tekniko-balistik me numër 163G-SP-215 çështjeje, dt. 5.1.2012 dhe Numër Laboratori, 110726012PFKG; 110915009PFKG, i Laboratorit të FBI, në Quantico Virginia 22135, SHBA., si dhe akti i ekspertëve Gani Jahelezi e Dritan Zoto gjatë gjykimit, në asnjë rast nuk u evidentua dhe përshkrua që kjo predhë të kishte një dëmtim në pjesën e majës” bëjnë me dije në apelimin dërguar Gjykatës së Apelit përfaqësuesit e akuzës. “Mungesa e papastërtive përreth vendeve të dëmtuara përforcon faktin se 2(dy) ashklat e drurit të cilat nuk ekzistonin në momentin e parë të këqyrjes në dt. 21.1.2011, sikundër përshkruan eksperti Dritan Zoto, jo vetëm që nuk kanë qenë në vrimën e këmishës, por tregon qartazi se veprimi i ekspertit Ndoc Çardaku, nuk është një veprim aspak profesional, por ai është një veprim tejet i qëllimshëm(në videon e prezantuar në gjykim, duket qartësisht veprimi i ekspertit Ndoc Çardaku, që shtyn me gisht një ashkël për në vrimën e hyrjes në këmishë dhe e ngjesh aty. Më vonë eksperti, kërkon një “klemë” për ta hequr atë e për ta administruar si provë)” akuzon prokuroria ekspertin mjaft të kontestuar prej tyre, Ndoc Çardaku.