Akuza tërheq EKO-t dhe pyet mjekët pritet dërgimi i letërporosisë në Austri

0
177

Elton Qyno

Florije PeciKërkohet marrja në pyetje e familjes kosovare. Prokuroria: Florije Pecin do ta pyesim në prani të psikologes

 

Prokuroria e Tiranës, ka nisur zyrtarisht hetimet lidhur me zbardhjen e misterit të shtatzënisë së Florije Pecit. Kallëzimi i bërë nga vëllai i Florijes, Gazmend Peci, që prej ditës së djeshme është regjistruar si procedim penal dhe një grup prokurorësh është ngarkuar nga prokurori i rrethit, Adnand Kosova, për kryerjen e verifikimeve në Shqipëri, por edhe në shtetin austriak, me qëllim zbardhjen e të vërtetës së shtatzënisë 22-javëshe të studentes së degës së Gjuhë-Letërsisë, që mbeti e aksidentuar rëndë në aksidentin tragjik të 21 majit në Himarë. Sipas burimeve të prokurorisë, hetimi tashmë do të përqendrohet në disa nga vizitat gjinekologjike që Florije Peci ka bërë në spitalet e Shqipërisë dhe më pas hetimet do të shtrihen edhe në shtetin austriak, ku do t’u kërkohet organeve hetimore të këtij shteti, fillimin e verifikimeve në klinikën ku është kuruar për disa muaj me radhë pacientja Florije Peci, si dhe marrja në pyetje e tre anëtarëve të familjes kosovare ku ka qëndruar Peci, gjatë kohës së rehabilitimit. Pritet që në ditët në vijim, në Prokurorinë e Tiranës, të thirret për të dëshmuar vëllai dhe motra e Florije Pecit, ku Gazmend Peci do të pyetet në cilësinë e personit që ka depozituar kallëzimin penal, ndërkohë që motra e Florijes do të pyetet, pasi ka qenë ajo që ka shoqëruar Florijen në Austri, gjatë kohës kur ajo ka qenë e shtruar në gjendje kome në spital.

Letërporosi në Austri

Hetimi i nisur nga ana e Prokurorisë së Tiranës ka bërë që në spitalin e Librazhdit dhe në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, të sekuestrohen disa nga kopjet e EKO-ve gjinekologjike, që pacientja Florije Peci ka bërë në dy spitalet respektive. Në mbrëmjen e djeshme, janë marrë dhe deklarimet e mjekëve që kanë vizituar të aksidentuarën e Himarës, të cilët i kanë konfirmuar prokurorisë së Tiranës, se ngjizja e fetusit në mitrën e Florije Pecit është bërë rreth datës 20 deri 25 shtator të vitit të kaluar. Një gjë e tillë, sipas mjekëve qartësohet nga aparatet shkencore të EKO-s, të cilat janë projektuar për përcaktimin e kohës së ngjizjes së fetusit, peshës së tij në mitër, dhe detajeve të tjera. Pas sekuestrimit dhe administrimit të këtyre provave në dosje, pritet që në ditët në vijim prokuroria e Tiranës, ti drejtohet me një letërporosi autoriteteve austriake, duke i kërkuar këtyre të fundit të kryejnë hetime lidhur me rastin e përdhunimit të Florije Pecit, në ambientet e klinikës Neorologisches Therapiezentrum Gmundenerberg, në Almunster, në Austri. Burimet pranë prokurorisë thanë për gazetën “Standard” se nuk mund të kryejnë vetë ata hetime në Austri, kjo për shkak se nuk i lejohen nga legjislacioni. Nisur nga kjo situatë, zgjidhja e vetme është dërgimi i letërporosisë, ku në të do i kërkohet marrja në pyetje e stafit drejtues të klinikës ku është kuruar Florije Peci, marrja në pyetje e tre anëtarëve të familjes Kosovare, ku ka qëndruar për disa ditë Florije Peci, si dhe disa detyra të tjera që do të shërbejnë për hetimin.

Pyetja e Florije Pecit

Megjithëse me një kujtesë jo të mirë, ku hera-herës i vjen dhe më pas i ikën, e dëmtuara Florije Peci do të merret në pyetje nga ana e prokurorisë së Tiranës. Burime pranë organit të akuzës thanë se pyetja e Pecit do të bëhet në praninë e një psikologeje, me qëllim lehtësimin e dhimbjes së saj dhe gjendjes së rënduar psikologjike, në të cilën ajo ndodhet që pas marrjes së lajmit të shtatzënisë misterioze. Anëtarët e hetimit që kanë marrë në dorë këtë çështje, do të synojnë që të mësojnë të vërtetën nga goja e vajzës së dëmtuar, duke ia lehtësuar dhimbjen asaj dhe krijuar kushtet që ajo të rikujtojë atë që i ka ndodhur gjatë qëndrimit në klinikën mjekësore në Vjenë, por edhe gjatë vizitave të bëra çdo të shtunë në shtëpinë e familjes Kosovare. Dëshmia e saj, mund të orientojë prokurorinë që të shkojë tek autori që ka abuzuar seksualisht me Pecin, megjithëse deri tani hetimi dhe zbardhja e personave përgjegjës të kësaj çështje nga ana e prokurorisë së Tiranës duket tepër i vështirë.

 

Flet drejtori i Spitalit Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”

Kosova: Në gjendje kome mund të jetë truri

por jo mitra, ngjizja u bë në periudhë rehabilitimi

Nuk ka dyshim, Florije Peci ka ngelur shtatzënë në muajin shtator. Këtë fakt e ka konfirmuar vetë drejtori i Spitalit Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, Halim Kosova, i cili theksoi se shtatzënia ka ndodhur gjatë muajin shtator. “Sipas llogarive, shtatzënia ka ndodhur në shtator. Nuk besoj se ka qenë në gjendje kome, por rehabilitimi. Pacientja, pas traumës, nuk ka një kujtesë shumë të qartë, por mjetet dhe ekzaminimet nuk lënë të dyshojnë veç një gabimi 2-3 ditë. Është një paciente e pafuqishme. Nuk është vendosur ende për abort”, – sqaroi Halimi. Aktualisht, Florije Peci po mbahet e shtruar në Spitalin Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” ku dhe pritet të vendoset nëse do të abortohet fëmija apo studentja e aksidentuar në Himarë do të vazhdojë me historinë mister. Familjarët denoncuan se Florija ka mbetur shtatzënë në spitalin austriak ku kishte vajtur për t’u mjekuar disa ditë pas aksidentit së bashku me Eriselda Guberen. Peçi u nis në Austri më 22 maj në gjendje kome dhe i vëllai i saj në një kallëzim penal drejtuar prokurorisë shkruante se motra e tij është përdhunuar. Sipas Kosovës ngjizja mund të ketë ndodhur në fazë rehabilitimi, dhe jo në koma, megjithatë shpreh rezerva pasi thotë se duhen shqyrtuar dokumentet. Kosova nuk përjashton mundësinë e një përdhunimi në rastet kur pacientja është në koma. Sipas drejtorit të spitalit “Mbretëresha Geraldinë” në gjendje kome mund të jetë truri, jo mitra”.