Kategoria Superiore Vllaznia luan “sezonin” ndaj Kukësit

0
183

Altin Vorpsi

vllaznia “Loro Boriçi” do të jetë sot arena ku Vllaznia dhe Kukësi do të masin forcën. Vendasit, pas fitores që morën në Korçë, do t’u duhet që sot të kërkojnë vazhdimësinë. Kukësi është një rival për t’u respektuar jo vetëm se ndodhet katër vende para në renditje

 

 

Viti i ri ka nisur mjaft mirë për Vllazninë. Skuadra që gjatë janarit ndërroi vetëm teknikun, vendin e Duros e zuri Bushati, ka mundur që të marrë tri pikë në fushë ku askush më parë nuk kishte bërë aq mirë. Triumfi ndaj Skënderbeut i ka dhënë një marsh më shumë ekipit verior, që sot do të jetë përballë një sfide edhe më të vështirë. Edhe pse Kukësi nuk është Skënderbeu, Vllaznisë do t’i duhet që sot të tregojë se ka vazhdimësi pasi vetëm kështu mund të arrijë objektivin minimal… vendin e dytë ose të tretë, që do ta çonte në kupat e Evropës.

 

Vllaznia

Artan Bushati po skicon formacionin që do të hedhë në fushën e lojës për takimin me Kukësin. Rikthimi i Vuajdinoviçit në portë ka qetësuar trajnerin në prag të këtij dueli. Ndërsa mësohet se edhe Begaj që u dëmtua në stërvitjen e së mërkurës, nuk rrezikon aktivizimin. Nisur edhe nga lojërat e zhvilluara në stërvitje, pritet që 11-shja të jetë e ngjashme me atë që luajti në Korçë. Pikëpyetja e vetme është sulmi, pra kujt do t’i besohet. Rexha dhe Gjini janë në balotazh. Në fakt, e njëjta dilemë ekzistoi edhe kundër Skënderbeut. Në atë takim, Bushati i besoi të riut Gjini, por në pjesën e dytë aktivizoi kosovarin. Por ky i fundit ndaj Skënderbeut ka qenë i dëmtuar, por tashmë që është gati, mendohet të luajë titullar. Sa i përket repartit të mbrojtjes, pritet të rreshtohen nga e djathta Smajli, Semina e Belisha në qendër, ndërsa Begaj nga e majta. Gjithmonë nëse ky i fundit do të jetë totalisht i gatshëm për formacion. Në rast të kundërt vendin e tij do ta zërë Marku. Në të djathtë të këtij reparti do të luajë Dragoi, në qendër do të jenë Nallbani, Tafili e Bardulla, ky i fundit i spostuar pak më përpara. Ndërsa në të majtë do të jetë Hajdari.

 

Kukësi

Asnjë prej lojtarëve nuk është i ndëshkuar nga kartonët apo ka probleme shëndetësore. Kështu, numri një i pankinës kuksiane do të ketë mundësi të përzgjedhë pa dyshim më të mirët ndaj kuqebluve. Stafi dhe presidenca nuk heqin asnjë presje nga pretendimi për të marrë tri pikët ndaj Vllaznisë. Ndërkaq, nuk përjashtohet mundësia që skuadra të ketë dhe një premio të mundshme, në rast të një fitoreje. Trajneri i veriorëve, Cungu, që e njeh më mirë se çdokush tjetër ekipin e vendlindjes, por edhe ish-ekipin, që sot do ta ketë kundërshtar, ka provuar në fushën e stërvitjes të gjithë skemat dhe rreshtimet e mundshme që mund të përdorë ndaj Vllaznisë.

 

 

Sot

Teuta 14:00 Luftëtari

Tomori 14:00 Besa

Vllaznia 17:00 Kukësi

 

Nesër

Shkumbini 14:00 Tirana

Laçi 14:00 Flamurtari

Bylis 14:00 Kastrioti

Apolonia 14:00 Skënderbeu

 

Renditja         Nd.      Pikë

1 Skënderbeu           14        33

2 Teuta           14        26

3 Tirana         14        25

4 Kukësi        14        24

5 Laçi             14        24

6 Flamurtari 14        22

7 Bylis                        14        21

8 Vllaznia      14        20

9 Kastrioti      14        18

10 Besa         14        16

11 Shkumbini           14        12

12 Luftëtari    14        11

13 Apolonia 14        8

14 Tomori      14        6

 

 

 

Portieri

Ujkani: nga gjithçka mëson shumë

Në faqet e “Gironale di Sicilia”, Samir Ujkani pranoi për herë të parë që të fliste për eksperiencën e tij tek skuadra e Palermos. I larguar prej kësaj skuadre si fajtori kryesor për rezultatet e munguara, shqiptari u tregua mjaft diplomat, duke mbrojtur ish-trajnerin Gasperini që vetëm pak javë më parë u shkarkua nga detyra. “Më vjen shumë keq që Gasperinin, që e shkarkuan nga posti i trajnerit të Palermos. Për mua ai është një trajner i madh. Me të në krye ekipi ynë ka luajtur shumë mirë, edhe pse nuk konkretizonte. Gasperini ishte i pafat”, – tha Ujkani. Më tej portieri i Kievos së Veronës tregoi se nuk kishte marrë mëri asnjërin prej atyre që vetëm pak javë më parë e “ndërruan” me Sorentinon: “I detyrohem shumë Gasperinit dhe teknikut të portierëve Paleari. Që kur fillova që të punoja me ata, ndihem më i fortë si nga ana mendore edhe nga ana teknike. Dua të them se Gasperini më ka mbështetur në momentet më të këqija që kam kaluar”. Në fund të intervistës Ujkani tregon për mbresat që i ka lënë Palermoja: “Për ndeshjet që i kam luajtur shumë mirë jam krenar. Të tilla kanë qenë ato përballë Xhenoas dhe Torinos. Ndërkohë që edhe përballë Milanit mendoj se kam bërë mirë, por nga ana tjetër kam kaluar edhe kohëra të këqija. Këtu dua të përmend kur u përplasa me Munjozin në Romë. Unë ngrita zërin, duke e lajmëruar se po kapja sferën, ndërkohë që ai nuk me dëgjoi. Në përgjithësi, si gjërat negative edhe ato pozitive të japin eksperiencë”.

 

Deklarata

Mançini: Nëse shkarkohem unë, duhet të ikin të tërë

Roberto Mançini ka hedhur poshtë spekulimet rreth së ardhmes së tij, duke insistuar se çdo trajner në Angli duhet të frikësohet për vendin e punës, nëse Mançester Siti e shkarkon nga puna. Ish-mbrojtësi Deni Mills ka deklaruar një ditë më parë se Mançini do të humbë vendin e punës, nëse eliminohet nga Lidsi në Kupën FA dhe përgjigjja e Mançinit ishte mjaft polemizuese. “Me siguri këtë e kanë thënë lojtarët që kanë fituar shumë trofe në historinë e klubit, – ishte komenti i tij ironik. – Ne e kemi filluar projektin tonë tri vite më parë. Në tri vite, ne jemi gjithmonë në krye, luftojmë për titull, kemi fituar tre trofe dhe kemi shanse për të fituar të tjerë në këtë vit. Të gjithë njerëzit që flasin rreth shkarkimit tim nuk e kuptojnë futbollin. Nëse Mançester Siti më shkarkon nga puna, atëherë edhe 20 skuadrat e tjera në kampionatin anglez duhet të mbeten pa trajner”, – ishte deklarata e Mançinit që duket se nuk ka hequr dorë nga lufta për titullin kampion, edhe pse ka një diferencë mjaft të ndjeshme nga Mançester Junajtid që kryeson renditjen. “Nuk mendoj se ka mbaruar. Nuk e mendoj kështu, kurrë. Unë kam një mentalitet tjetër, të mendoj gjithmonë se mund të fitoj gjithçka. Kemi 12 ndeshje të mbetura dhe nuk e meritojmë të jemi 12 pikë larg. Mendoj se Junajtid e meriton të jetë në krye por gjërat mund të ndryshojnë shumë shpejt në futboll, mjaftojnë 3-4 ndeshje”, – ishte paralajmërimi i tij ndaj Mançester Junajtid.

 

Afrikë e Jugut

Pistorius ka qëlluar me dashje

Oskar Pistorius ka qëlluar me dashje me pistoletë të dashurën e tij. Policia e Pretorias nuk i ka besuar rrëfimit të atletit dhe e ka akuzuar atë për vrasje të qëllimshme të së dashurës. Atleti u paraqit dje para gjyqit me shpresën se do të lirohej me kusht, deri në momentin kur të shfaqej përsëri para gjykatës, por akuza ka treguar disa nga detajet e vrasjes, duke shtyrë gjykatësin që të urdhëronte arrestimin e tij të paktën deri në seancën e dytë që do të mbahet të martën. Sipas shtypit vendas, policia nuk beson aspak në versionin e dhënë nga atleti se e ka ngatërruar modelen 30-vjeçare me një hajdut për dy arsye shumë të thjeshta. E para është se komshinjtë e kanë dëgjuar duke u zënë gjatë të gjithë natës me modelen Riva Stenkamp, dy orë para se ta qëllonte me armë zjarri. Ndërsa e dyta është se viktima ka qenë e mbyllur në tualet ndërsa atleti e ka qëlluar nga jashtë derës duke e goditur për vdekje. Ndonëse pala mbrojtëse ka refuzuar menjëherë akuzën e vrasjes së qëllimshme, Pistorius është shfaqur shumë i tronditur para gjyqit dhe ka shpërthyer në të qara në momentin kur është lexuar vendimi. Më pas, ai është shoqëruar nga policia në një komisariat ku do të qëndrojë të paktën deri të martën, kur të zhvillohet seanca tjetër.