Ina Jano
21 Janari, festë kombëtare? Kryeministri: Do ta shqyrtoj me seriozitet
Reformat e suksesshme, i mbijetuam krizës ekonomike
Kryeministri i vendit Sali Berisha ka siguruar të gjithë demokratët e Lushnjës dhe të gjithë Shqipërisë se fitorja e PD-së në 23 qershor është e sigurt. Duke nënvizuar faktin se kjo forcë politike i mban premtimet e saj, kryetari i Partisë Demokratike u shpreh se fitorja do të vijë e thellë dhe me një diferencë shumë të madhe. “Për sa i përket PD-së, unë jam shumë optimist që 23 qershori do ti japë në Lushnjë, Partisë Demokratike fitoren më të thellë, por kjo arrihet kur të gjithë mbështetësit e saj, të gjithë simpatizantët e saj të trokasin njerëzisht në çdo zemër, në çdo derë dhe jo me salltanete dhe eufori, por me arsyetim dhe mirëkuptim. Ta dëgjojmë zërin e çdo qytetari dhe të bëjmë çdo sqarim . Një gjë është shumë e vërtetë, ne mbajmë premtimet. Dje ju e patë tunelin e Elbasanit. Ju garantoj se në vitin 2005 nuk e kisha menduar ndonjëherë se mund ta bënim ne, por ja u bë”, – shtoi Kryeministri. Në takimin, i cili vijoi konsultimet me qytetarët, Berisha priti me interesim dhe iu përgjigj një sërë pyetjesh dhe shqetësimesh, nga ana e tyre, me premtimin se mandati i ardhshëm qeverisës do ta bëjë Shqipërinë, ashtu si çdo qytetar e ëndërron atë. “Të dashur miq, erdha sot tek ju me qëllimin më kryesor të dëgjoj vërejtjet sugjerimet, opinionet, mendimet tuaja për projektin e 4 viteve që vijnë, “Lushnja e zhvilluar, Lushnja evropiane”, “Shqipëri a e zhvilluar, Shqipëria evropiane”, – nënvizoi numri një i qeverisë. Më tej ai u shpreh se qytetarët do të jenë Kryeministri që do të drejtojë atë deri në zgjedhjet e 23 qershorit.
Kongresi i Lushnjës
I pyetur se përse 21 Janari, data e mbajtjes së Kongresit të Lushnjës nuk është shpallur ende festë kombëtare, Kryeministri tha se bllokim ka qenë roli i Mbretit Zog. Kreu i qeverisë tha se do ta shqyrtojnë këtë propozim. “Të flasim haptas, Kongresi i Lushnjës e meriton 100% të jetë festë kombëtare, por dhe kjo nuk ka pengesë për të ndodhur, por i vetmi problem për ne është që fatkeqësisht jemi të detyruar të kemi festa ndërkombëtare më shumë se të tjerët. Mirëpo ditët e shumta të pushimit rëndojnë mjaft sipërmarrjen private, jopublike. Ne do e shqyrtojmë me shumë vëmendje dhe do gjejmë një zgjidhje. Sepse ngjarja është absolutisht mrekullia shqiptare. Është bërë një përpjekje e madhe në ato data ndaj meriton ta vemi në piedestal. U la në hije se aty kishte luajtur një rol thelbësor Zogu, që kishte pjesë të rëndësishme si ministër i Brendshëm. Enver Hoxha e vështroi gjithë këtë në këtë kontekst. Por shqiptarët e kanë të qartë se kjo është ngjarje më madhore në historinë tonë kombëtare”, – tha kreu i qeverisë.
Fermerët
Në qendër të diskutimeve ishin fermerët dhe problemet që ata mendojnë se duhet që të zgjidhen për të përmirësuar ndjeshëm jetën e tyre. “Shqipëria rurale ka marrë investimet më të mëdha në rrugë dhe në infrastrukturë. Kemi ndërtuar dhe asfaltuar me qindra rrugë në zonat rurale për tu dhënë zhvillim. Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për zhvillimin e investimeve të fermerëve”, – u shpreh kreu i qeverisë. Kryeministri shtoi se në vendi i rëndësishëm për fermerët ka qenë dhe heqjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për importet e makinerive.
I pyetur me akuzat e opozitës, Kryeministri Berisha theksoi se është bërë i pandjeshëm ndaj sulmeve. “Opozita sulmon dhe është në tagrin e saj të sulmojë, por tani do them një gjë, meqë jam para qytetarëve, sulmet i konsideroj të pandejshme ndaj meje. Sekreti i jetëgjatësisë sime politike qëndron në një fakt para së gjithash. E kam nisur karrierën time me një apartament me 83 m2, tani jetoj në një apartament të dytë me 125 m2. Dhe kurrë nëse do ndiqja rrugën e parave do kishe ndjekur rrugën e të tjerëve, do hapja klinikë private si doktor e të tjera me radhë. Unë kam bërë një zgjedhje dhe do i qëndroj kësaj zgjedhjeje”, – vlerësoi kreu i ekzekutivit. Kryeministri Berisha theksoi më tej se reformat e ndërmarra nga qeveria kanë qenë një histori suksesi ndërsa kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për të vijuar me suksesin e tyre. “Ne kemi prirje t`i korrigjojmë gabimet dhe të mos i përsërisim gabimet tona. Nga dita që nisa konsultat dhe deri më datën 23 qershor ju dhe vetëm ju do të jeni kryeministri im”, – shtoi Berisha.
5-vjetori i pavarësisë, Berisha uron Thaçin: Kosova po konsolidohet si shtet modern
Shefi i qeverisë shqiptare ka uruar dje homologun e tij, Kryeministrin e Kosovës, zotin Hashim Thaçi, me rastin e 5-vjetorit të pavarësisë së shtetit më të ri në Ballkan. Në urimin drejtuar kryetarit të mazhorancës kosovare Berisha vlerëson të gjithë arritjet e Kosovës në këto pak vjet pavarësisë, por ndërkohë nuk le pa nënvizuar edhe përpjekjet e atyre që sakrifikuan jetën e tyre për ti dhënë vendit, pavarësinë e merituar. “Kam kënaqësinë e jashtëzakonshme, që, me rastin e pesëvjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, t’Ju përcjell, në emrin tim, të qeverisë shqiptare dhe të çdo qytetari të vendit tim përshëndetjet vëllazërore dhe urimet më të përzemërta për të ardhmen më të ndritur të Republikës së Kosovës, për forcimin, zhvillimin e vrullshëm e modernizimin e mëtejshëm të saj dhe për lumturinë e prosperitetin e popullit të Kosovës. 17 shkurti i vitit 2008 përbën një ndër ngjarjet më të mëdha e më të adhurueshme në historinë e kombit tonë, pasi ajo kurorëzoi në mënyrën më solemne e ngadhënjyese përpjekjet shekullore të shqiptarëve për liri kombëtare e dinjitet njerëzor. 17 shkurti i vitit 2008 ishte shpërblimi më i lartë për të gjithë atdhetarët shqiptarë, që, me shpirtin e dashurisë e përkushtimit për komb, atdhe e flamurin kuq e zi, derdhën ndër shekuj lumenj gjaku, mundi e djerse, shkrinë talentin, pasuritë, diturinë e urtësinë e tyre për liri. Vepra dhe sakrificat e tyre lartësohen sot në altarin më të shenjtë të kombit ku çdo shqiptar përkulet me nderimin e respektin më të thellë”, – shkruan numri një i kabinetit qeveritar. Ai shpreh lumturinë e tij se Kosova po shndërrohet në një shtet modern, me institucione të konsoliduara e një shoqëri të lirë që respekton plotësisht të drejtat e liritë e qytetarit e minoriteteve, një faktor i rëndësishëm paqeje e bashkëpunimi në rajon dhe po ecën me vendosmëri drejt projektit madhor të integrimit atlantik. Gjithashtu në urim, theksohet edhe angazhimi i qeverisë shqiptare për të punuar me Kosovën për të vijuar me ndërtimin e marrëdhënieve të shkëlqyera, duke ripohuar faktin se ky bashkëpunim duhet ti shërbejë bashkimit kombëtar dhe prosperitetit të shqiptarëve.
Olldashi: Selami nuk është larguar kurrë nga PD-ja
Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, ka deklaruar dje se Eduard Selami nuk është larguar kurrë nga Partia Demokratike dhe se ai ka pasur kontakte gjithnjë me selinë blu. Si një ish-gazetar i vjetër, zoti Olldashi ka shfaqur pakënaqësi për mënyrën se si shtypi është shprehur për çështjen në fjalë. Ai ka shpjeguar edhe procesin që ndodh me të gjithë ish-kryetarët e partisë dhe atë që statuti parashikon për ta dhe pozicionet që ata kanë. Në statusin e tij në Facebook, ministri Olldashi shprehet: “Pasdite takova një mik të vjetër, Eduard Selamin. Më vjen pak çudi me interpretimin që i është bërë në shtyp prezencës së tij në Tiranë. Po interpretohet si një rikthim i Selamit në PD. Në fakt, nëse ndodh, është vetëm një rikthim i Selamit në politikën aktive, sepse nga PD Selami nuk ka ikur. Edi është anëtar i Këshillit Kombëtar, i pranishëm në pothuajse të gjitha fushatat e PD-së. Është anëtar themelues i PD-së dhe ish-kryetar i saj. PD është parti e madhe, pikërisht sepse ka nevojë dhe hapësirë për kontributin e të gjithëve”.
Plani urbanistik, Berisha: I dha fund klientelizmit me lejet e ndërtimit
Kryeministri Berisha ka komentuar në rrjetin social “Facebook” miratimin që Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit i bëri një ditë më parë në unanimitet planit të ri urbanistik të Tiranës. Berisha nënvizon se plani i ri urbanistik parashikon zhvillimin e qytetit pa u bllokuar nga Këshilli i Bashkisë, Këshilli Kombëtar i Territorit apo nga ndonjë sekser, ndërkohë që do i japë fund betonizimit të kryeqytetit dhe klientelizmit me lejet e ndërtimit. “Ky është plani i shanseve të barabarta që zhvillon pronën, duke shpërblyer njëlloj pronarin e truallit dhe pronarin, të cilit toka i mbetet oborr apo lulishte dhe i jep fund politikës së lumturimit të klientëve me leje ndërtimi dhe ndëshkimit të qytetarëve me njollat e ndërtimit. Ai parashikon zhvillimin e qytetit pa u bllokuar nga Këshilli i Bashkisë, Këshilli Kombëtar i Territorit apo nga ndonjë sekser. Plani rregullues i Tiranës do të shërojë Tiranën nga virusi i betonit që i zhduku më shume se 4/5 e mushkërive, sipërfaqes të saj të gjelbër. Duke filluar nga ky vit, nis rritja e sipërfaqes së gjelbër nga 0.8 m katror që është tani, në 4.2 m katror për frymë, në vitet e ardhshme. Z. Rama mashtroi 11 vjet me radhë dhe nuk e bëri Planin, sepse në mungesë të tij, ai ishte i lirë të favorizonte e penalizonte këdo e kudo që i përgjigjej ose jo interesave të tij. Z. Basha e bëri atë në 18 muaj. Urime Tiranë, planin e këtij shekulli! Ne mbajmë premtimet tona!”, – komentoi Berisha.