23 qershori, qarqet ku pritet “lufta” mes PD-së dhe PS-së, sfidat mes drejtuesve të fushatës

0
168

Gëzim Saliu

ps pdJa cilët janë arkitektët e fushatës së PD-së dhe PS-së në qarqet e mëdha

Tirana vë përballë Sajmir Tahirin me Aldo Bumçin, Ben Blushi përballë Arben Imamit në Elbasan, Eduard Halimi do të ketë sfidë me Vangjush Dakon në Durrës dhe Sokol Olldashi do të jetë përballë Bashkim Finos

 

Kur na ndajnë jo më shumë se katër muaj nga zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit, dy forcat kryesore politike në vend, PD dhe PS, kanë nisur prej kohësh aktivitetin e tyre në terren me qëllim arritjen e një rezultati sa më pozitiv në këto zgjedhje. Pas përcaktimit të strategjive elektorale dhe nisjes së punës me bazat në rrethe, të dyja forcat prej thuajse një muaji kanë përcaktuar edhe drejtuesit e fushatës në qarqet e vendit. Në kushtet kur palët e dinë se ku janë qarqet në të cilat kanë përparësitë e tyre, ndryshe “bastionet” e secilës parti, “lufta” kryesore edhe në këto zgjedhje parlamentare mbetet në qarqet e mëdha si Tirana, Durrësi, Elbasani apo edhe Fieri. Në këto qarqe, pa lënë pas edhe Vlorën apo Lezhën, PD dhe PS kanë përqendruar të gjitha forcat e tyre, ku rol kryesor do të kenë si koordinatorët politike por sidomos drejtuesit e fushatës, të cilët do të jenë edhe kryesuesit e listave për deputetë të secilës forcë.

 

Tirana

Krahas përballjes së platformave apo alternativave, baza e fitores për PD-në dhe PS-në mbështetet tek puna në terren me anëtarësinë, mbështetësit apo edhe prurjet e reja. Për këtë rëndësinë më të madhe e kanë drejtuesit e fushatës ose ndryshe “arkitektët” të cilëve PD dhe PS u kanë besuar fitoren e parlamentareve të 23 qershorit. Qarku i Tiranës mbetet si gjithnjë kryeqëndra e “luftës” elektorale mes PD-së dhe PS-së, kjo për shkak të numrit të deputetëve që nxjerr ky qark nga të gjithë të tjerët, 32 gjithsej. Në këtë qark, ndryshe nga zgjedhjet lokale apo edhe nga ato të përgjithshme të vitit 2009, PS ka vendosur në krye të grupit të punës, kreun e degës socialiste të kryeqytetit, Sajmir Tahirin. Së bashku me Arta Daden, Tahiri do të jetë drejtuesi i fushatës së PS-së në Tiranë, ku sipas kreut socialist Edi Rama rezultatet do të jenë më pozitive se në lokalet e 8 majit. Ndërkohë që Partia Demokratike ka menduar të mos ndryshojë asgjë nga zgjedhjet paraardhëse, duke lënë sërish në postin e drejtuesit për Tiranë, ministrin e Kulturës Aldo Bumçi, i cili mban njëkohësisht detyrën e kreut të degës së PD-së për kryeqytetin. Në zgjedhjet e vitit 2009, në Qarkun e Tiranës koalicioni i Partisë Demokratike arriti të merrte 177969 vota që u përkthye me 16 deputetë, ndërsa koalicioni i PS-së arriti të merrte 173515 vota. Nisur nga fakti që në zgjedhjet e 8 majit, PS humbi njëkohësisht edhe shumë minibashki që i kishte fituar nga 2007, pritet një punë edhe më e vështirë për Tahirin në këtë kuadër.

 

Fieri

Qarku i Fierit, i cili ishte në qendër të debateve politike mes palëve në kuadër të kushtëzimit që PS vendosi për këtë qark lidhur me votimin e tri ligjeve të integrimit, përbën një tjetër arenë ku palët do të përpiqen të ndryshojnë raportet nga zgjedhjet e kaluara. Nga ana e saj PD synon të barazojë numrin e deputetëve me socialistët në 23 qershor, pra nga 9-6 për PS-së të kalojë në 7 me 7. Për të arritur këtë qëllim, kreu i PD-së Sali Berisha ka vendosur në krye të grupit që do të drejtojë fushatën në këtë qark, ministrin e Transportit dhe Punëve Publike Sokol Olldashi. Ky i fundit, i cili përbën një ndër figurat kryesore të PD-së në vitet e fundit, ka marrë besimin e kryeministrit dhe të kryesisë për të rritur numrin e mandateve që do të fitojnë demokratët në këtë qark. Ndërkohë që Partia Socialiste ka mbështetur shpresat e saj në një rezultat sa më pozitiv në këtë qark tek sekretari për pushtetin vendor në selinë rozë Bashkim Fino si edhe tek ndikimi i përhershëm i kreut të grupit parlamentar Gramoz Ruçi. Përballja në këtë qark pritet të jetë ndër më të ashprat mes palëve, ku synimet e PD-së si edhe të PS-së janë për të rritur me dy deputetë numrin e mandatave të marra në zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit 2009. Në këto zgjedhje, koalicioni i Partisë Socialiste arriti të marrë në Fier 91173 vota, ndërsa koalicioni i PD-së mori 70762 vota. Mandatet u ndanë 9 për PS-në, 6 për PD-në dhe 1 për LSI-në.

 

Elbasani

Barazia në zgjedhjet e kaluara ishte më shumë një kthesë e PD-së në këtë qark, ku më parë ishin socialistët ata që kryesonin me 2 deputetë më shumë. Në zgjedhjet e 2009-ës në krye të grupit të punës për Elbasanin ishte kryebashkiakut aktual Lulzim Basha, i cili ka një meritë jo të pakët në rezultatin e arritur nga PD-ja në këtë qark. Ndërsa në këto zgjedhje, kryesia e selisë blu ka vendosur si drejtues së fushatës për parlamentaret e 23 qershorit ministrin e Mbrojtjes Arben Imami. Synimi i demokratëve në këto zgjedhje mbetet parakalimi i PS-së, ku rezultati 8 me 6 në favor të të djathtëve do të shihej si një arritje. Nga ana tij, kreu socialist Edi Rama, i zhgënjyer nga rezultatet e marra nga PS-ja në zgjedhjet e 2009-ës në Elbasan ka ndryshuar strategji, duke vendosur në krye të fushatës dhe njëkohësisht listës për deputet anëtarin e kryesisë Ben Blushi. I njohur prej kohësh si një deputet me kontribute në PS, shpeshherë edhe kritik i kryesocialistit, Blushi në këto zgjedhje duhej të thyejë edhe një “tabu” që përsëritet edhe në mjaft qarqe të tjera, ku në bazë të delegimit të ri të asamblesë, ai duhet të marrë një rezultat sa më pozitiv në një qark ku në të gjitha vitet e pjesëmarrjes së tij politike nuk ka pasur asnjë lidhje. Kjo gjë përsëritet edhe me Arben Malaj në Kukës apo me Erion Braçe në Korçë, të cilët deri më tani kanë refuzuar të pranojnë delegimin. Në 28 qershor, koalicioni i PS-së mori 73255 vota, ndërsa koalicioni i PD-së 69096, ku mandatet u ndanë nga 7 për secilin forcë politike.

 

Durrësi

Një tjetër qytet ku pritet një përballje e rëndësishme për të përcaktuar se cila do të jetë qeveria e ardhshme në vend pas 23 qershorit është edhe Durrësi. Në bazë të rezultatit të 2009-ës, ku PD mori 7 mandate dhe PS vetëm 5 mandate, pritet që përballja mes palëve të jetë me jo pak rivalitet ku synimi i të djathtëve mbetet përsëritja e 28 qershorit e ndërkohë që PS-ja do të kërkojë ndryshimin e raportit. Për të bërë të mundur këtë, në Durrës do të drejtojë fushatën vetë kryebashkiaku Vangjush Dako, i besuar sërish nga qytetarët durrsakë në 8 maj për një mandat të dytë. Me mbështetjen e sekretarit organizativ në selinë rozë Blendi Klosi dhe deputetes Eglantina Gjermeni, e deleguar e kryesisë së PS-së në këtë qark, Dako do të synojë së paku barazimin e mandateve mes palëve. Por përballë do të ketë ministrin e Drejtësisë Eduard Halimi, i cili u zgjodh së fundmi nga kryesia në detyrën e drejtuesit të fushatës për qarkun e Durrësit, duke zëvendësuar ish-ministrin e Kulturës Ferdinand Xhaferi. Halimi së bashku me ndihmën e Albana Vokshit do të synojë jo vetëm ripërsëritjen e rezultatit të 2009-ës por edhe thellimin e tij, ku sipas demokratëve shanse që kjo të ndodhë janë shumë të mëdha.

Korça

Qarku i Korçës përbën një tjetër sfidë për PD-në dhe PS-në e sigurisht për drejtuesit e fushatës në këtë qark, pasi rezultati i zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009 ashtu si edhe në Elbasan, ka prodhuar një barazim thuajse të pastër me nga 6 deputetë për secilën forcë. Kështu, koalicioni i PS-së mori në 2009-n 63887 vota, ndërsa koalicioni i PD-së arriti të marrë 62737 vota, pra diferencë prej 1 mijë votash do të përbëj edhe shtysën për të dyja palët, ku nga njëra anë PS do të synojë ta rrisë atë duke marrë një mandat deputeti më shumë e ku ndërkohë PD ka si synim jo vetëm ngushtimin, por edhe parakalimin e këtyre votave me një avantazh të qartë. Për të arritur këtë synim, në krye të grupit të punës kryesia e PD-së ka zgjedhur në këtë qark, ministrin e Financave, njëkohësisht sekretarin e përgjithshëm të selisë blu, Ridvan Bode. Ndërkohë që në krahun tjetër situate paraqitet jo me pak luhatje, kjo për shkak të kundërshtive që janë shfaqur mes deputetëve, anëtarësisë dhe bazës për delegimet e kryesisë që janë bërë në këtë qark. Largimet e Ben Blushit, Mimi Kodhelit dhe Pandeli Majkos dhe njëkohësisht kundërshtia e Erion Braçes, i cili nuk ka pranuar për asnjë moment delegimin e tij në këtë qark, kanë ndikuar jo pak në parapërgatitjet e socialistëve në kët qark. Gjithsesi me mbështetjen e Ilir Beqes, sekretar për programin “Rilindja Shqiptare” dhe sekretarit për Rininë dhe Emigracionin, Erion Veliaj, i cili pritet të kandidohet nga Rama pikërisht në këtë qark, PS do të synojë të ndryshojë raportet e mandateve me PD-në.